E premte, 29.03.2024, 06:21 AM (GMT)

Mendime

Koço Danaj: Megjithatë, do të bashkohen…

E enjte, 31.01.2008, 08:23 PM


Megjithatë, do të bashkohen…

Nga: Koço Danaj

…në një shtet të quajtur Shqipëri Natyrale.
Cilat janë ato fondamente që e bëjnë të pashmangshëm bashkimin e shqiptareve? Ja cilat janë:

E para:

Në rajonin e Ballkanit ka më shumë se një dekadë që fuqitë e mëdha, po riparojnë gabimet e së kaluarës. Ato gabime, para një shekulli u realizuan me të drejtën e forcës. Por duke qenë të tilla, krijuan një rajon artificial me emrin Ballkan. Artificialiteti i rajonit solli më vonë edhe emërtimin politik Ballkani-fuçi baruti. Kush ishin këto krijesa artificiale?
Krijesat më artificiale të këtij rajoni ishin dy: Formimi i mbretërisë serbo-kroato-sllovene, të quajtur më vonë Jugosllavi ishte krijesa e parë artificiale.
Dhe Shformimi i kombit shqiptar duke e pjesëtuar për pesë ishte krijesa e dytë artificiale e rajonit.
Ndërsa shformimi i Jugosllavisë ishte hapi i parë i kalimit nga artificialiteti në natyralitet. Krijimi i 6 shteteve të përhershme dhe një shteti të përkohshëm si Kosova është faza e parë e shndërrimit të rajonit të Ballkanit nga artificial në natyral. Shpërbërja e dhunshme e saj që arriti kulmet në luftën ndëretnike në Bosnjë dhe në gjenocidin serb ndaj shqiptarëve të Kosovës shpjegohet sa më karakterin ultranacionalist të shtetit serb, aq edhe me sedrën e sëmurë politike të disa fuqive të mëdha, të cilat e patën të vështirë të pranonin se krijesa e tyre me emrin Jugosllavi ishte një dështim.
Faza e dytë është unifikimi i kombit shqiptar që ka përbërë deri më sot artificialitetin e dytë madhor të rajonit. Kjo fazë tashme po përfundon aktin e parë madhor të saj që është shteti i përkohshëm shqiptar i Kosovës. Një Konferencë e tematikës Londër 2 apo Versajë 2 është domosdoshmëri për të ardhmen demokratike të rajonit. Ndërsa një konferencë e nivelit Dejton 2 apo Rambuje 2 vetëm se sa do të konsolidojë në mënyrë të kamufluar konfliktet në rajon.

E dyta:

Evropa e Bashkuar në themele të saj ka vlerat morale të çdo kombi, që të gjitha bashkë përbëjnë atë që quhet Themeli i vetë bashkimit. Mendësia politike dhe internacionaliste se relativizmi i kufijve është i barabartë me shuarjen e kombeve është sa mashtrues aq dhe vetëmashtrues. Sa më relative bëhen kufijtë, aq më të kultivuara bëhen vlerat kombëtare. E duke qenë kështu, shqiptarët nuk mund të pranohen si pjesë në familjen e madhe evropiane dhe ndërkombëtare, sa kohë që vlerat e tyre kombëtare i kanë të shpërndara në pesë shtete. Evropa e Bashkuar nuk anëtarëson banorë, por popuj dhe kombe. Organizata Botërore është emërtuar Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe jo ndryshe. (Mendje të ndritur do të ketë pasur ai që ka bërë formulimin e parë: Kombe të Bashkuara, Jo shtete te Bashkuara!) Prandaj Shqipëria Natyrale është pikpamje dhe nocion europeist, para se të jetë nacionalist. Përbën një vlerë te madhe evropiane toleranca fetare e shqiptarëve për Panteonin e vlerave të BE. Për më tepër sot, kur konfliktet ndërfetare po marrin përmasa të frikshme. Përbën një vlerë të rrallë për Bashkimin Evropian fakti tashmë i njohur se shqiptarët në shumicë të madhe myslimanë janë euroamerikanë të lindur. Me miliona kristianë katolikë apo ortodoksë në rajone te ndryshëm te Evropës apo botës, janë shumë herë më primitive se myslimanët shqiptarë.
Dhe është në interesin e politikës euroamerikane që këtë vlerë kaq moderne ta ketë të unifikuar për arsyen e thjeshtë, sepse vetëm përbashkimi do t’i rezistojë më mirë sa fundamentalizmit islamik, aq edhe fundamentalizmit kozmopolit. Është edhe kjo një arsye madhore që politika euroamerikane është dakord me Shqipërinë Natyrale.

E treta:

Politika amerikane po e nxit me shumë finesë bashkimin shqiptar. Në çfarë mënyre? A e kini ndjekur me vëmendje se çfarë po ndodh kohët e fundit në politikën dhe diplomacinë panshqiptare? Politikanëve shqiptarë dhe veçanërisht atyre të Tiranës Politike po ju thuhet midis të tjerash se gjoja ka një shqetësim se ndoshta pas pavarësisë së saj Kosova mund të bashkohet me Shqipërinë etj. Dhe natyrshëm politika zyrtare deklaron se nuk do te këtë një gjë të tillë.
Por në çdo vend ka dy politika; një është zyrtare, e cila ka kufizimet e saj. Dhe tjetra është politika reale, e cila nuk ka dhe nuk duhet të ketë kufizime. Politika reale plotëson Politiken zyrtare.
Politika zyrtare është politike pushteti. Politika reale është politikë publiku - politikë kombi. Dhe të dyja bashkë formojnë atë që quhet politika e shtetit.
Dmth, politika euroamerikane ka hapur «Kutinë e Pandorës». Ajo duket sikur thotë: «Mirë politika zyrtare, po politika reale shqiptare pse nuk flet, pse nuk e kërkon Shqipërinë Natyrale».
Ju kujtohet para disa viteve, kur shtrohej problemi i pavarësisë së Kosovës. Aso kohe nocioni pavarësi ishte njësoj si të predikoje se Politika euroamerikane hapi Kutinë e Pandores. Aso kohe politika zyrtare shqiptare e kishte të vështirë ta deklaronte hapur se ishte dakord me këtë pavarësi. Ajo ishte një politikë e ndrojtur. Por në fillim e artikuloi Politika reale dhe një pjese e politikës zyrtare. Tashmë ajo është politikë shtetërore.
Kështu do të ndodhë edhe me bashkimin shqiptar, me Shqipërinë Natyrale. Duke na porositur që të mos e pranojmë, politika euroamerikane e ka hapur «Kutinë e Pandorës» edhe për Shqipërinë Natyrale. Dhe përderisa e ka hapur, u takon shqiptarëve, ta nxjerrim nga «Kutia» dhe ta shtrojnë për zgjidhje në tavolinën e dialogut demokratik. Vërtetësia e pohimit të mësipërm bëhet e plotë duke sjellë vetëm një fakt nga veprimtaria e Politikës Zyrtare të Shqipërisë. Kryeministri i Shqipërisë në seancën pyetje përgjigje të Asamblesë Vjetore të NATO në Reikavik të Islandës, në datë 9 Tetor 2007, në përgjigje të pyetjes se mos shteti shqiptar i Kosovës mund të çojë në krijimin e Shqipërisë së Madhe, u shpreh se: «Në lidhje me ekzistencën e dy shteteve shqiptare në Ballkan, ndonjëherë pyes veten se çfarë do të bënim në si shqiptarë. Nuk ishte vendimi ynë për t`u ndarë në 5 shtete të ndryshme, ishte një nga padrejtësitë më të mëdha dhe citoj Robin Kuk, i cili u shpreh në Dhomën e Deputetëve të Mbretërisë së Bashkuar se ne po zhbëjmë padrejtësitë që bëmë në fillim të shekullit të kaluar…
…Askush nuk duhet të trembet nga dy shtete shqiptare, dy miq të rinj në rajon. Mendoj se kjo është një gjë e mirë edhe për NATO-n.».
Fillimisht mjafton edhe kaq…
Bashkimi Shqiptar sapo ka filluar edhe zyrtarisht. Viti 2008 do ta shtroje për diskutim dhe zgjidhje në Bruksel dhe Uashington

E katërta:

Pluralizmi në hapësirën mbarëshqiptare, për arsye nga më të ndryshmet, fillimisht u kultivua si Pluralizëm Krahinor. Dhe thelbi i këtij lloj pluralizmi nuk ishte kombi, por principata. Copëtimi kombëtar dhe jo unifikimi i tij. Por ka disa vite që kjo hapësirë mbarëshqiptare, ku më shumë dhe ku më pak po bën kapërcimin e madh të kalimit nga Pluralizëm Krahinor në Pluralizëm Politik. Me vështirësi, por progresi duket, është i pranishëm. Dhe thelbi i Pluralizmit Politik është Shteti-Komb dhe jo shteti-multikomb apo shteti-principatë apo edhe shteti pa komb.

E Pesta:

Në Shqipëri po ndërtohet Rruga Durrës-Prishtinë. Është një emërtim me kuptim të disafishtë. Por gjithsesi është një imperativ që ngrihet mbi çdo lloj interesi partiak, mbi çdo lloj zgjedhjesh dhe që kapërcen të gjitha grindjet dhe sherret politike
Kuptimi i parë ka të bëjë me rrugën që duhet ndjekur për sendërtimin e Shqipërisë Natyrale. Që do të thotë se krahas politikës dhe diplomacisë publike, shqiptarët po mësojnë gjithmonë e më mirë të aplikojnë politikën dhe diplomacinë reale. Qarkullimi i lirë i njerëzve dhe ideve po sjell në mënyrë të natyrshme edhe largimin nga folkpatriotizmi, por edhe afrimin tek identiteti i përbashkët kombëtar. Shqiptarët gjithnjë e më pak kanë nevojë për mite dhe legjenda për të ruajtur identitetin e tyre kombëtar. Këtë ata po e bëjnë nëpërmjet njohjes reale, kulturës reale, gjuhës reale, politikës reale dhe ndjenjave reale. Ky është një proces i pakthyeshëm. Është progresiv dhe europeist. BE nuk pranon popuj mitikë, por popuj reale. Nuk pranon kombe legjendash, por kombe reale. Nuk pranon shtete që ekzistojnë vetëm në këngë, por shtete që ekzistojnë realisht dhe kontribuojnë realisht. Dhe shqiptarët duke e njohur mirë këtë kërkesë të BE, janë nisur në rrugën e pakthyeshme të Shqipërisë Natyrale.
Ndërsa kuptimi i dytë ka të bëjë me një rrugë konkrete që do të lidhë Shqipërinë me një nga pjesët kryesore të saj, Kosovën. Kjo rrugë ka filluar të ndërtohet. Duket se kjo do të jetë «Rruga» e Shqipërisë Natyrale. Nuk ka shumë rëndësi se si po quhet sot, nuk ka shumë rëndësi se kush financon. Nuk ka fare rëndësi kush e nisi dje, kush e vazhdon sot dhe kush do ta përurojë nesër. E rëndësishme është se kjo rrugë do te zvogëlojë figurativisht dhe realisht Shqipërinë e Madhe dhe do të jetë pararoja e Shqipërisë Natyrale.

E gjashta:

Shqiptarët nuk dëshirojnë të jenë vetëm zjarrfikës të rajonit, ata duan të shndërrohen në paqebërës. Është një kërkesë e drejtë dhe e nevojshme për tu artikuluar nga ana e tyre. Artikulimi duhet bërë në mjedisin rajonal dhe atë evropian. Është një artikulim, i cili merr për bazë një realitet dhe synon të rregullojë një paradoks. Cilin? Përgjatë 15 viteve të fundit, bashkësia ndërkombëtare ka thirrur në ndihmë shtetin shqiptar, politikën e Tiranës. Kur? Sa herë ka pasur protesta, kryengritje, luftë çlirimtare në hapësirën shqiptare në Prishtinë, Tetovë apo Preshevë. Ndihma është kërkuar për të qetësuar situatën, për të civilizuar kryengritjen. Dhe Shqipëria e ka kryer detyrën e saj. Ajo ka treguar se është një regjisore e mirë. Por sa është qetësuar situata, Tiranës i është kërkuar të qëndrojë larg Prishtinës, Tetovës apo Preshevës. Përse? Është përdorur një argument absurd. Është kërkuar largësi, për të mos u akuzuar gjoja për Shqipëri të Madhe. Dhe Politika shqiptare përgjithësisht e ka pranuar këtë. Kësisoj, Tirana ka pranuar rolin e zjarrfikësit, duke mos kërkuar atë që ka realisht: rolin e paqebërësit. Shndërrimi në paqebërës, mospranimi i Shqipërisë së Madhe dhe përballimi i Shqipërisë Natyrale, do ta shndërrojë Tiranën në kryeqendrën e hapësirës shqiptare.

Janë gjashtë arsyet forta, bazale dhe të mjaftueshme që të japin siguri se shqiptarët do të bashkohen. Evropeizëm do të thotë bashkim. Otomanizëm do të thotë ndarje.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora