E enjte, 28.03.2024, 07:18 PM (GMT)

Kulturë

Xheladin Mjeku: Kryefjala si forcë e shprehjes poetike

E merkure, 25.05.2011, 06:57 PM


KRYEFJALA SI FORCË  E SHPREHJES POETIKE

 

Suzana Zisi: “TË JESH… FJALË”, poezi, botoi “OMBRA GVG”- Tiranë, 2011

 

NGA XHELADIN MJEKU

 

Takimi me poezinë e Suzana Zisit, nis pas botimit të librit të saj të dytë ”Imazhet kanë ftohtë”(2006), ku kisha takuar një poezi që shpërthen si lulja në ditët e para të pranverës, mes një ftohtësie dhe pak rrezeve të diellit, që fillimisht vijnë si paralajmërim i ndryshimit të stinës. Këto rreze veç kishin shkrepur gjithandej kah rrezatonte vargu i çiltër poetik sa emocional aq edhe  plot mesazh. Por, që në nismë të këtij shkrimi duhet të them se autorja si duket e ka nisur me bardhësinë, me librin e saj të parë “E bardha është pak”, dhe kjo ngjyrë po e përcjell gjatë gjithë kohës, duke ia ruajtur imazhin poetik në fushën e jetës së bardhë, synimeve të çiltëra dhe një kthjelltësie shpirtërore plot bardhësi. Edhe tash kur në  Panairin Ndërkombëtar të Librit në Prishtinë, ku u bë promovimi i vëllimit poetik të Suzana Zisit me titull simbolik dhe domethënës “Të jesh… fjalë”, u dëshmua angazhimi dhe përkushtimi i ndjeshëm në rrugëtimin e mëtutjeshëm të krijimtarisë poetike të  saj. Ishte edhe një rikonfirmim i studiuesve dhe diskutuesve në këtë promovim se  autorja tashmë ka vënë në binarë të shëndoshë rrugëtimin e saj të krijimtarisë poetike, duke dëshmuar profesionalizëm prej krijueseje me një bagazh të konsiderueshëm të vlerave të dëshmuara letrare-artistike, me një përkushtim serioz në ndërtimin e unit të saj poetik.

 

Fjala dhe dashuria  e brumosur në vargje

 

Fjala dhe dashuria përbëjnë strumbullarin kryesor të poezisë së Suzana Zisit. Lajtmotiv i  ndërtimit të poezisë në këtë përmbledhje është fjala, e cila identifikohet me shpirtin e saj, me mendimin filozofik dhe idetë e fuqishme që përcjellin mesazhe tek breznitë, duke rrezatur frymën e dashurisë dhe jetës. Këtë ndjenjë kaq të thellë autorja arrin ta trajtojë me ndjeshmëri të hollë lirike, me përkushtim në ndërtimin e një poezie me fjalë e shprehje moderne poetike, duke insistuar në afrimin e mendimit filozofik si forcë komunikuese me vizion të qëndrueshëm dhe premtues. Kjo poezi është e formësuar në mënyrë të rrjedhshme, ligjërim i lirshëm poetik që ndërlidh gjithë poezitë, pa konsistuar në nevojën e ndonjë organizimi ciklik të librit, ashtu siç e ka organizuar ndërtimin e librit autorja. Pasqyrimi i botës femërore, të dashurisë së ndërsjellë, ndërtimi përmes fjalës, si koncept kryesor në ndërtimin poetik dhe komunikim i pandërprerë me receptorin-lexues dhe ndërlidhjet konvencoinale të këtyre dy elementeve ndërtues të kësaj materje. Poezi të cekura këtu dhe shumë të tjera që ndërtojnë përmbledhjen në fjalë, janë kontribut i angazhimit të një periudhe të gjatë në gjetjen e unit të saj, që e veçon për stilin karakteristik të ndërtimit të opusit lirik, si “Një fjalë për ty”, “Lule-Margarita”, “Gjysma ime”, “Don Zhuani”, “Gramatikë ekzistenciale…”, “Një varg për ty…”, Eja në shekullin e munguar…”, “Grimca dashurie…”, “Eja… në hënë…”, “Një kupë verë, tre cigare, dy lotë…”, “Pa ndonjë titull për të qenë…”, etj.  Identifikimi i poezisë me fjalën, si element kryesor i ndërtimit të filozofisë së shprehjes së preokupimeve jetike nuk janë të rastësishme, por një produkt i përkushtimit të talentuar të saj, që në mënyrë të natyrshme prodhon sensi krijues i një zëri të veçantë për ndjenjën e   dashurisë, të frymës poetike dhe gëzimit të jetës.

Poezia “Një fjalë për ty”, nis në kuadrin e veprimit të dy figurave që kërkojnë gjetjen e harmonisë në hapsirën e identitetit krijues për të ndërtuar dialogun poetik:

“Hieroglif i vogël që flet shumë

e gërmë pas gërme bëhet poezi...

Rrënjët kapen kaq fort tek unë.

Degët e heshtura,

të atyre që kurrë nuk i thashë,

Blerojnë tek ti...”

 

Ky rrugëtim fjalësh vazhdon tutje, duke shtrirë veprimin në shtjellimin e temave të këtilla, por gjithmonë në funksion të vlerave krijuese meditative    autorja nuk pushon së rreshturi në gjurmim të thellë në kujtesën e së djeshmes, për të ndërtuar lumturinë e së ardhmes mbi kryefjalën e mendimit të saj: “Asnjë fjalë e pathënë/ në romanin e pashkruar,/të asaj që lind nga një e vetme fjalë./Një e vetme fjalë,/ mbars historinë e jetës,/endur në avëlmendin e dashurisë së harbuar...”(“Lëkurë gjarpëri”, fq.63).

Në një analizë të krijimtarisë së Suzana Zisit, shkrimtari dhe studiuesi Fatmir Terziu do ta kundrojë në katër  veçanti mbi të cilat e heton ndërtimin e kësaj poezie: E para lidhet me organikën semantike të vargut të saj. E dyta me ndjeshmërinë filozofike dhe universale moderniste. E treta me ligjësinë e strukturimit të lirë të vargut. E katërta nga rradha por, jo e fundit në një mori lidhjesh të tjera, që lidhen me forcën e mesazhit me të cilën komunikon Zisi”, - flet për mundësinë e zgjerimit të gamës së hulumtimeve shumëdimensionale të kësaj poezie, që për më shumë se krijimtari është edhe botë e veçantë e autores, e cila nuk do mend tashmë ka krijuar fushën e vet të veprimit të fjalës , si mendim i dal nga muza krijuese e saj.

 

Kur hapet porta e shpirtit të trazuar

 

Suzana Zisi ka krijuar botën e saj poetike, e cila trajtohet përmes metaforave, simboleve  dhe idesë së saj individuale për jetën dhe dashurinë, përmes fjalës, që kushtimisht del si kryefjala e mendimit dhe realizimit të botës universale moderniste me ngjyrime filozofike dhe meditacion të gjërë kuptimesh dhe shprehjesh letrare. Imazhi, pjekuria e ideve, simbolika e veçantë dhe metafora pasqyrojnë një shkallë të lartë të ligjërimit poetik. Dëshira për mundësinë e komunikimit përmes vargut lirik i jep identitetin e saj krijues me të gjitha vetitë meditative dhe inspiruese në pafundësinë e botës së saj imagjinative. Ajo tashmë ka hapur  portat e shpirtit të trazuar duke zgjeruar mundësitë shprehëse, duke ruajtur ndjenjën e krijimit të një jete normale, me figura e personazhe të sinqertë, aq sa është edhe mendimi poetik si forcë krijuese me ngjyra të jetës që e preokupon vargun e saj lirik. “Instikti dhe syri i poetes, i kap, i përpunon, i vesh me petkat e mendimit dhe shpirtit të saj dhe na i jep ne që ti shijojmë dhe të mendohemi, të përceptojmë dhe të gërmojmë më tej për të zbuluar varg pas vargu, thesarin që fshihet diku në thellësi të vargjeve”, - do të shprehet poeti dhe studiuesi Agim Vinca në fjalën e tij, me rastin e promovimit e librit të Suzana Zisit. Ajo me poezinë e saj, sidomos në librin e fundit “Të jesh… fjalë” vjen si  një zë i veçantë, plot meditim,  siguri në vetveten se ka prekur temën që e provokon unin  krijues dhe me vullnetin e rrugëtimit të qëndrueshëm në ndërtimin e botës së saj krijuese me stilin e transformuar në kornizat e fushëveprimit poetik që e provokon.

Poezia e Suzana Zisit  karakterizohet me ndjenjën shpirtërore, me  shqetësimet, shpresat dhe  ëndrrat e  subjektit lirik. Aty takojmë peizazhin e lirikës me motive erotike,  e vënë në shërbim të mendimit poetik. Vargu i saj qëndron në harmoni të plotë në shpalimin e botës komplekse shpirtërore, gjithnjë në veprim të fjalës dhe idesë së shprehur këtu. Por, kushtimisht këtë poezi nuk e zbërthyem në një formë të zgjeruar, në kontestin e ruajtjes së vlerave, që do të shpalosen nga vetë receptori kurreshtar. Tropet dhe figurat, metafora dhe përfundimisht imazhi që krijon kjo poezi, e radhisin Suzanën në radhët e krijuesve që zotërojnë mirë këto elemente, duke vazhduar rrugën e sigurtë të krijimtarisë letrare.

Shpirti i trazuar poetik i provokuar nga muza krijuese synon majat e fjalës së bukur artistike.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora