E marte, 23.04.2024, 10:37 AM (GMT+1)

Kulturë

Hajdin Morina: Ndikimi dhe ndihmesa e veprës së Naim Frashërit në rrjedhat e sotme të procesit të bashkimit kombëtar të shqiptarëve

E merkure, 25.05.2011, 08:05 PM


NDIKIMI DHE NDIHMESA E VEPRËS SË NAIM FRASHËRIT NË RRJEDHAT E SOTME TË PROCESIT TË BASHKIMIT KOMBËTAR TË SHQIPTARËVE

 

Nga Hajdin Morina

 

Dihet tashmë nga të gjithë ata që dinë dhe duan ta çmojnë kontributin kombëtar të shqiptarëve ndër shekuj se periudha e Rilindjes Kombëtare Shqiptare është njëra nga periudhat më të shndritshme të historisë dhe të kulturës së Shqipërisë, sepse gjatë kohës që përfshin Rilindja Kombëtare Shqiptare shqiptarët manifestuan para Evropës dhe para botës një vetëdijesim, një organizim, një luftë dhe një kontribut kulturor të paparë ndonjëherë tjetër ndër shekujt tanë të robërisë dhe të përpjekjeve për të ekzistuar si komb në këtë pjesë të trazuar të Evropës, ku kanë fryrë erëra dhe furtuna shkatërrimtare të kulturave dhe të politikave të ndryshme të fuqive evropiane dhe botërore, të cilat, falë mentalitetit ballkanik, pozitës gjeostrategjike dhe të ndërlidhjeve të këtij rajoni me Lindjen dhe Perëndimin, arritën të realizojnë në masë të madhe apetitet, kërkesat dhe interesat kozmopolite dhe pushtuese. Pasojat shkatërrimtare të këtyre fushatave qindravjeçare më së shumti janë ndier tek shqiptarët, si në aspektin fizik ashtu edhe në atë shpirtëror dhe kulturor. Shqipërisë ia shkatërruan, ia dogjën monumentet e artit mijëvjeçar, shkollat, bibliotekat; Shqipërisë ia vranë, ia masakruan, ia burgosën djemtë dhe vashat më të mira, burrat dhe gratë më të zonja; Shqipërisë ia morën, ia copëtuan tokat, dhe nga dyert e konferencave ndërkombëtare, nga marrëveshjet e më të mëdhenjve, nga traktatet e fshehta u krijua, për t’u njohur ndërkombëtarisht, një Shqipëri me më pak tokë të veten dhe me më pak njerëz të saj,  “Shqipëria londineze”, jashtë së cilës mbeti pjesa më e madhe e tokës dhe numri më i madh i banorëve të saj. Sot e asaj dite, pas shumë luftërash të reja, pas shumë ndryshimesh politike dhe sociale në Evropë dhe në Ballkan, çështja shqiptare ka mbetur e pazgjidhur, ka mbetur peng i shumë faktorëve të natyrës politike dhe të raporteve ndërmjet fuqive vendimmarrëse ndërkombëtare, pa harruar asnjëherë konfuzionin dhe mosunitetin shqiptar rreth marrjes së vendimeve për interes të përbashkët. Vepra e Naim Frashërit në shërbim të lirisë dhe të bashkimit të Shqipërisë reflekton edhe sot ndikimin dhe ndihmesën në zgjidhjen e problemeve në politikën shqiptare dhe në rrjedhat e proceseve dhe të zhvillimeve nëpër të cilat po kalojnë shqiptarët. Mendimi iluminist dhe pedagogjik i Naimit edhe sot mund të jetë pikë referuese e atyre që bëjnë politikat e zhvillimit dhe të promovimit të kulturave dhe të diversitetit kulturor në hapësirën e Evropës së sotme të bashkuar.

Po bëhen 100 vjet që kur historikisht ka përfunduar periudha e Rilindjes sonë kombëtare, por shqiptarët ende nuk i kanë realizuar të gjitha kërkesat e saj, ende nuk e kanë realizuar projektin mbarëkombëtar që shtroi Rilindja Kombëtare Shqiptare para afro dy shekujve. Për më keq, as politika shqiptare nuk e pati qasjen e duhur ndaj Rilindjes Kombëtare, nuk u mbështet sa duhet në programin e saj për të bërë zgjidhje në rrafshin politik, arsimor e kulturor.

Rilindja Kombëtare e shqiptarëve dha emra dhe vepra me peshë shekullore për fatin, për historinë, për lirinë dhe kulturën tonë: Ismail Qemali, Naimi, Samiu dhe Abdyl Frashëri, Ndre Mjedja, Luigj Gurakuqi, Asdreni, Atë Gjergj Fishta, Midhat Frashëri dhe emra të tjerë që bartën mbi supe barrën dhe rëndësinë e shumë ngjarjeve me ndikim të drejtpërdrejtë në përparimin kombëtar dhe shoqëror të shqiptarëve.

Ndër figurat më të ndritshme dhe më popullore të Rilindjes Shqiptare janë vëllezërit Frashëri: Naimi, Samiu, Abdyli. Tre vëllezër, një familje, një ideal për një Shqipëri të tërë, ashtu dhe aty ku e ka lindur Zoti. Këta tre vëllezër të gjakut dhe të idealit të përbashkët u bënë shembull, për së gjalli dhe për së vdekuri fizikisht, se si veprohet për Atdheun dhe për çështjet e tij madhore. Projekti i Rilindjes Kombëtare Shqiptare do të ishte i mangët pa kontributin e vëllezërve Frashëri. Vizionit kombëtar, luftës për liri, letërsisë, kulturës dhe arsimit kombëtar do t’i mungonte shumëçka pa aktivitetin, përkushtimin dhe largpamësinë e Abdylit, Naimit dhe të Samiut. Ata e lartësuan shkallën e vetëdijesimit kombëtar, ata e mbollën tek brezat e tyre dhe tek brezat pas tyre krenarinë e të qenit shqiptar. Ata janë emblemë e krenarisë kombëtare. Thellësia e paimagjinueshme e mendimit të Samiut bëhej bashkë me jehonën e pushkës së Abdylit dhe me bukurinë e fjalës artistike të Naimit, duke krijuar vullnet dhe mundësi të veprimit të përbashkët për beteja dhe fitore të përbashkëta që do ta bënin Shqipërinë një Shqipëri çfarë e donin shqiptarët.

 

Naimi na la më 20 tetor 1900, në prag të shekullit 20, kur qielli shqiptar herë bëhej terr i zi, herë merrte ndonjë ngjyrë ylberi që shtonte shpresat e shqiptarëve të dërrmuar qindra vjet nën robëri të politikave, të feve dhe të interesave të ndryshme. Çajupi me të drejtë e vajtoi vdekjen fizike të Naim Frashërit, sepse vdekja e tij me të vërtetë ishte një kumt i keq për fatin e shqiptarëve dhe të Shqipërisë, por fatkeqe do të ndihej Shqipëria edhe me vdekjen fizike të Samiut dhe të Abdylit, sepse nëse secili prej tre vëllezërve Frashëri qoftë edhe disa orë po të jetonte më shumë, do të rridhte më shpejt lumi i përpjekjeve të shqiptarëve për liri dhe çlirim kombëtar.

Në galaktikën e Rilindjes sonë Kombëtare ylli i Naim Frashërit ka të veçantën e vet. Drita e tij ka arritur deri në ditët tona dhe do ta ndriçojë Shqipërinë edhe pas nesh. Naimi është i pakrahasueshëm. Emri i tij edhe për së gjalli ishte simbol shumë domethënës në zhvillimet politike, kulturore dhe arsimore të kohës. Kishte të drejtë Çajupi që e qau dhe e vajtoi vdekjen e  Naimit, që kërkonte nga shqiptarët të qanin për këtë humbje të madhe të Kombit:

 

“Vdiq Naimi, po ç’të gjeti,

O moj Shqipëri e mjerë!

Vdiq Naimi, po kush mbeti?

Si Naimi s’ka të tjerë.”

 

Naimi është figurë e madhe jo vetëm e Rilindjes Kombëtare, por e mbarë letërsisë dhe e kulturës së kombit tonë. Ai është atdhetari dhe mësuesi i madh i dashurisë për Kombin dhe Atdheun. Të gjithë me zemër e themi: ai është bilbili i gjuhës sonë. Naimi nuk është vetëm e kaluara as vetëm e sotmja e Shqipërisë. Naimi është vlera jonë shekullore, ideali ynë për punë të mëdha, simboli i bashkimit tonë për bashkim kombëtar. Është krijuesi i rrallë që trajtoi aq bukur përmasat e pamatshme të së madhërishmes në jetë dhe në art. Shqipëria, Liria, Dashuria, Bukuria janë shtyllat kryesore mbi të cilat ai ka ndërtuar veprën e vet njerëzore, atdhetare, arsimore, edukative dhe letrare, vepër kjo që krijoi pavdekësinë e tij në tokën, në kulturën dhe në shpirtin e shqiptarëve.

Naim Frashëri, me shkrimet dhe me veprat e veta ka arritur të ndikojë tek shqiptarët që ata të vetëdijesohen në pikëpamje kombëtare dhe shoqërore, ka arritur që atyre t’ua bëjë të dashur dhe të bukur Shqipërinë dhe gjuhën shqipe, trashëgiminë tonë më të rëndësishme kombëtare, e cila me pasurinë e saj, me vitalitetin shekullor dhe me përkushtimin dhe këmbënguljen e shqiptarëve për të mos hequr dorë prej saj, arriti të bëhet mur i pamposhtur përballë hordhive armike dhe përballë planeve e projekteve të fuqive dhe të akademive të ndryshme shtetërore për asimilimin dhe zhbërjen e qenies kombëtare. Për këtë arsye shkrimtarët dhe veprimtarët e Rilindjes sonë Kombëtare, prandaj edhe vëllezërit Frashëri, veçanërisht Naimi, krijuan mitin e gjuhës shqipe, mitin e Shqipërisë, mitin e prejardhjes ilire ose pellazgjike të shqiptarëve si dhe mitin e shumë vlerave kombëtare, që të shtoheshin radhët e luftës së përbashkët kundër robërisë shekullore dhe kundër apetiteve të fuqive të mëdha dhe të fqinjëve kundër tokave tona dhe për asimilimin dhe zhbërjen tonë. Për këtë arsye, shumica e shkrimtarëve të Rilindjes edhe shkrimin letrar e përdorën si armë për zgjimin kombëtar dhe për luftë kundër pushtuesit, dhe kjo e pati efektin e vet të qëndrueshëm në rrjedhat e zhvillimeve kombëtare të asaj kohe, sado që letërsia shpeshherë mbetej pa vlerat estetike që e mbajnë gjallë më gjatë.

Viti 1886 mbetet vit mjaft i rëndësishëm për veprimtarinë e vëllezërve Frashëri dhe për rrjedhat e zhvillimeve kombëtare të kohës së Rilindjes. Në këtë vit Sami Frashëri botoi gramatikën e parë shqipe (“Shkronjëtorja”), kurse Naimi botoi gjashtë libra me vlerë të madhe për letërsinë, arsimin dhe për mendimin politik të kohës dhe jo vetëm të asaj kohe: kryeveprën “Bagëti e Bujqësia”, njërën ndër veprat më të mira të letërsisë së Rilindjes dhe të letërsisë shqiptare, poemën “Dëshirë e vërtetë e shqiptarëve” (greqisht) dhe katër libra shkollorë për shkollat e para shqipe të Shqipërisë. Në veprën “Bagëti e Bujqësia” aq të bukur e bëri figurën Shqipërisë, saqë lexuesi mund të bëjë pyetjen se a ishte atdheu ynë i pushtuar atëherë apo ishte ashtu i bukur e i dashur. Naimi këtë vepër, dihet tashmë, e ka shkruar që shqiptarëve t’ua mbillte në shpirt Shqipërinë dhe gjuhën shqipe. Vepra e sfidon pushtimin shekullor turk dhe prapambetjen. Vargjet e saj janë të mbushura me dashuri dhe ëmbëlsi Shqipërie dhe me një vizion mjeshtëror për lirinë dhe bashkimin kombëtar të shqiptarëve.

Përpos të tjerash, janë dy vargje emblematike që lëshojnë prush brenda veprës “Bagëti e Bujqësia”:

 

“Ti Shqipëri, më ep nderë, më ep emrin shqiptar,

Zemrën ti ma gatove plot me dëshirë dhe me zjarr.”

 

Cilin shqiptar nuk e bëjnë këto vargje që të ndihet krenar që është bir dhe bijë Shqipërie? Janë këto vargje të shkruara 125 vjet më herët, por rëndësia e tyre është e nevojshme edhe sot e kësaj dite dhe të duket se Naim Frashërin e kemi pranë, tek na këshillon dhe tek na qorton për çështje që kanë të bëjnë me bashkimin kombëtar të shqiptarëve.

Shqipëria, nderi, shqiptari, zemra, gatimi, dëshira  dhe zjarri janë fjalët kryesore, domethënëse dhe kyçe të këtyre dy vargjeve emblematike. Pa realizimin e plotë të qëllimeve të këtyre fjalëve nuk mund të ekzistojë as shqiptari, as Shqipëria. Këto fjalë që mund të marrin edhe kuptime simbolike, zbërthejnë programin atdhetar dhe kulturor të shkrimtarit Naim Frashëri. Simbolikën e zjarrit, si vazhdimësi e jetës, e zhvillimit dhe e progresit shoqëror mund ta vëzhgojmë edhe në dritën e njohurive që kishte Naim Frashëri për letërsinë klasike greke dhe romake, ku figura e zjarrit trajtohej si element kryesor i vazhdimësisë së jetës dhe i përsosjes së saj.

Në poemën “Dëshirë e vërtetë e shqiptarëve” Naim Frashëri u drejtohet shqiptarëve dhe grekëve që të respektojnë historinë, tradita dhe vlerat e njëri- tjetrit. Kjo poemë është aktuale edhe sot, është mesazh i të gjitha konventave ndërkombëtare që kanë të bëjnë me respektimin e të drejtave qytetare të njeriut, mund të jetë platformë e përpjekjeve dhe e projekteve të shqiptarëve për bashkim kombëtar.

Naim Frashëri në krijimtarinë e tij poetike ka krijuar hartën fizike të Shqipërisë, atë hartë që shqiptarëve ua pati krijuar Zoti dhe ua patën tkurrur planet e armiqve shekullorë:

 

“...E me ardh ke ti o Shkdër, të shof Drinin e Bujanën,

Kostur, Përlep, Fëllërinë, Dibër, Ipek e Jakovën,

Mat e Ysqyp e Prështinë dhe Mirëditë e Tetovën,

Krujën e Skënderbegut, q’i ka pas dhan ner Shqypnisë,

Tue bamë me trimni luftë, e me munt kren e Tyrqisë.

...Burrat tuaj aq trima do ta lënë vallë Ulqinë

Edhe gjithë shqiptarët ta mbanjë armiku ynë?

Nuk më ngjan e s’e besonj, kam te Zoti shumë shpresë,

Shqipëria këtej-tutje kështu po nuk do të mbesë.”

           

 

Naim Frashëri është shkrimtar romantik, prandaj në veprën e tij lexuesi mund të vërejë shumë vrulle lirike, në të cilat autori shpalos ndjeshmërinë e shpirtit të tij dhe entuziazmin e pashuar të aktivitetit të tij në shërbim të gjuhës, të Atdheut dhe të lirisë. Me emocion të pashoq është e mbushur pothuajse tërë veprimtaria poetike e Naimit, por këtu do të ndalemi më shumë për të përshkruar emocionin, entuziazmin, shpresën dhe dëshirën tij në tri momente të rëndësishme për jetën dhe për krijimtarinë e tij letrare, kur shkroi vargje për takimin e tij me armët e Skënderbeut në Vjenë (poezia “Parajsa”), për shkollën e parë shqipe të Korçës (poezia “Korça”) dhe për rëndësinë dhe domosdoshmërinë e flijimit të njeriut kur e kërkon Atdheu dhe liria njerëzore (poezia “Fjalët e qiririt”). Në vargjet e poezive ku flet për këto momente të mëdha, Naimi ka zbërthyer tërë filozofinë tij intelektuale, atdhetare, krijuese dhe iluministe në shërbim të proceseve dhe të veprimtarive që kishin të bënin me fatet e Shqipërisë. Në vargjet për Skënderbeun, me rastin e takimit me armët e tij në Vjenë, Naimi tregoi për rrugën që ka marrë krijimtaria e tij poetike: ai me çdo vepër të veten, prandaj edhe me prodhimin letrar, do të ishte zëri i lirisë së Shqipërisë, zëri i bashkimit të saj, i përparimit dhe i integrimit në rrjedhat e civilizimit dhe të vlerave evropiane, për të cilat kishin vepruar dhe kishin luftuar edhe shqiptarët. Në vargjet e kësaj natyre Naimi diti që aq bukur t’i jepte forcë artistike dhe rëndësi kombëtare figurës madhështore të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, shkollës shqiptare dhe aktit të flijimit. Naimi ndër vargje dhe gjithkund tjetër e pati thënë se shekulli i tij ishte shekull i dritës, sepse për Evropën i tillë ishte ky shekull, prandaj Naimi ynë i madh deshi që edhe shqiptarët të përfshiheshin dhe të ndriçoheshin nga drita evropiane. E kaluara shqiptare, që këtu përfaqësohet nga figura e Skënderbeut, e sotmja që këtu përfaqësohet me hapjen e shkollës së parë shqipe në Korçë dhe me aktet e flijimit të trimave shqiptarë për Atdheun- të gjitha këto bëjnë që Naimi të përfshihet nga emocione dhe nga një entuziazëm i pamasë, nga një shpresë e madhe për fitoren e shqiptarëve në luftë kundër sundimit shumëshekullor otoman dhe kundër errësirës që mbolli ky pushtim dhe pushtime të tjera në tokat e shqiptarëve. Në poezinë “Fjalët  qiririt” Naimi ynë krijoi mitin e flijimit për lirinë e Shipërisë. Simboli i qiririt dhe i dritës në këtë poezi nuk shprehin vetëm emocionin, dëshirën dhe përkushtimin e krijuesit tonë për t’u sakrifikuar për të mirën kombëtare dhe njerëzore, por këto dy simbole zbërthejnë edhe gjithë atmosferën politike të kohës, në të cilën flijimi dhe kontributi për Atdheun ishte bërë akt i domosdoshëm, pa të cilin vështirë se do të ekzistonte Shqipëria dhe gjuha shqipe. Kjo poezi na zbërthen edhe tërë programin atdhetar dhe poetik të Naimit, i cili vërtet shpirtin dhe shëndetin e tij fizik e shkriu për të bërë dritë për shqiptarët dhe për Shqipërinë. Qiriri nuk bën dritë pa u djegur vetë. Si rrallëkund në poezinë shqipe, me simbole të qëlluara artistike, është konstatuar dhe trajtuar ideja e flijimit ose miti i flijimit për lirinë njerëzore dhe kombëtare. Falë nivelit gjuhësor dhe estetik, kjo poezi arriti që jo vetëm në kohën e Naimit, por edhe më vonë, në luftërat e tjera të shqiptarëve, të përhapte mesazhin e qartë për flijim dhe sakrificë në proceset tona historike dhe politike si komb i ndarë. Për këtë flijim të ligjshëm shqiptarët i motivonte gjendja e rëndë e Shqipërisë dhe dëshira për ta parë atë të lirë dhe në gjirin e shteteve të përparuara të Evropës. Naimi u dha shqiptarëve edhe një tjetër shembull dhe motiv të sakrificës: figurën e Gjergj Kastriotit, mbi të cilën gjeti mbështetje shumë të fuqishme e tërë veprimtaria e rilindësve tanë për vetëdijesimin kombëtar të shqiptarëve, për ngritjen e ndërgjegjes shqiptare dhe për afirmimin e tyre para Evropës dhe botës së qytetëruar. Kështu kishin vepruar edhe të gjithë shkrimtarët dhe ideologët e tjerë të Rilindjes Shqiptare që gjetën tek kryetrimi ynë kombëtar burimin e shpresës dhe shembullin më të mirë se si veprohet për lirinë dhe për ndërtimin e Shqipërisë. U krijua një letërsi e tërë për Skënderbeun, u lartësua epoka e tij ose “moti i madh”, siç e quajtën arbëreshët shekullin e  Skënderbeut. Figura e kryetrimit, trajtimi aq i madh i kësaj figure në letërsinë romantike, por edhe më vonë, duhet vështruar edhe në funksion të përkushtimit të krijuesve tanë për ta bërë këtë figurë edhe simbol të përfaqësimit të Shqipërisë evropiane, deri në prag të natës shekullore të pushtimit turk, pra figura e Skënderbeut ndërlidhet me të gjitha vlerat e Shqipërisë së para pushtimit. Naimi dhe të gjithë rilindësit tanë të papërsëritshëm nëpërmjet mbështetjes artistike tek e kaluara dhe sidomos tek epoka e artë e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, dëshironin të krijonin modele që do të ishin shtysa të forta për ngritjen e moralit të shqiptarëve për luftë kundër pushtuesit shumëshekullor dhe për krijimin e sistemit kombëtar të vlerave, pa të cilat as nuk krijohej Kombi, as nuk bëhej integrimi në shoqëritë e përparuara të Evropës. Naim Frashëri është vizionar i madh i kombit. Ai dëshiron që shqiptarët në çdo kohë ta duan dhe ta çmojnë Gjergj Kastriotin-Skënderbeun. Duke i njohur mirë dobësitë shqiptare si kapardisja, bajraktarizmi, smira, nënçmimi etj., Naimi sikur shpreh shqetësimin e tij për shkallën e ulët të ndërgjegjësimit të shqiptarëve ndaj vetes dhe ndaj vlerësimit të vlerave kombëtare, jo vetëm në kohën e tij. Naimi është romantik, idealist, iluminist dhe pedagog në kuptimin e gjerë të kësaj fjale. Ai nuk bie në dëshpërim asnjëherë, të paktën nuk e ka shfaqur këtë dëshpërim në krijimtarinë e tij poetike as në shkrimet e tjera të tij, por ka vargje në të cilat i ka shpëtuar ndonjë grimcë e dëshpërimit për shkak të akteve të shëmtuara që kanë bërë shumë shqiptarë në kohën e tij. Tekefundit, a nuk e dëshmojnë dëshpërimin dhe zhgënjimin e Naim Frashërit (dëshpërim dhe zhgënjim që nuk del në veprën letrare) gjithë ato lutje që u bën shqiptarëve për ta dashur vetveten, Shqipërinë dhe kombin e tyre? Gjithë ajo lutje e Naimit, gjithë ajo dëshirë për t’i bërë bashkë shqiptarët, gjithë ai konstatim i lavdisë dhe i bukurisë së Shqipërisë, gjithë ai përshkrim i bukur i bukurive përrallore fizike ose shpirtërore të Shqipërisë, gjithë ajo këmbëngulësi njerëzore, atdhetare dhe poetike e Naimit se Shqipëria është e bukur, gjithë ajo dëshirë-zjarr e tij që shqiptarët ta duan dhe ta nderojnë Adheun e tyre, pastaj konteksti i tij dhe i mëvonshëm historik, të gjitha këto të bëjnë të mos i besosh krejt shpresës poetike të poetit tonë të madh, asaj shprese që për kohën e tij kishte vlerë të pakrahasueshme, për shkak të arritjeve të efekteve në rrjedhat e proceseve politike dhe kombëtare të Rilindjes. Në të tilla përfundime të bëjnë të arrish edhe vargjet e mëposhtme, nxjerrë nga poema “Dëshirë e vërtetë e shqiptarëve” (1886, greqisht, Bukuresht), në të cilat poeti i drejtohet kryetrimit Skënderbe, bën dialog me bashkëkohësit dhe me të ardhmen e Shqipërisë si dhe shpreh shpresën se Ajo do të jetë e lirë, por, siç e thamë pak më lart, shpreh edhe një shqetësim (të paktën lexuesi ka të drejtë të mendojë dhe të konstatojë kësisoj) për nivelin tonë të ulët të shkallës së vlerësimit të vlerave, për mohimin e vlerave dhe të pjesëve vitale të vetvetes sonë:

 

“...Kur do të vijë vallë dita të të ngrenë monumentin,

Të përgjunjenë me zjarr para këmbëve të tua?

Trimërit’ e tua, prijës, edhe fitoret legjendare

Ne, pasardhësit, na mbushin me guxim e burrëri.

Kur ti vdiqe, na ke lënë neve një atdhe të lirë

Dhe e lirë do të jetë Shqipëria jote prapë...”

 

Figura e Naim Frashërit reflekton shumë dritë, ngado që t’i qasesh, prandaj është vështirë të fillosh të shkruash, është vështirë të përfundosh shkrimin për Naim Frashërin, sepse, sado të kesh shkruar, gjithnjë të ka mbetur diçka e pashkruar. Madje, kërkohet dije dhe kompetencë e thellë për të shkruar, për të gjykuar dhe për të përfunduar shkrimin ose vlerësimin për Naimin dhe vlerat e veprimtarisë së tij poetike, atdhetare, arsimore dhe organizative në dobi të çështjes kombëtare. Është vështirë të mendosh se ke thënë diçka në mënyrë shteruese për poetin tonë të madh, sidomos kur ke përpara vetes gjithë atë literaturë të shkruar për bilbilin e shqipes nga emra të mëdhenj të mendimit teoriko-letrar dhe të kritikës shqiptare.

Këtë shkrim, këtë përpjekje letrare për të shkruar diçka për Naim Frashërin, po e përfundoj me disa fjali të bukura për Naimin tonë të madh të historianit të njohur të letërsisë shqiptare, Jorgo Bulos, të shkëputura nga një shkrim i tij më i gjatë, që qëndrojnë si pasthënie e bukur, nën fotografinë e Naim Frashërit, në veprën “Dëshira e vërtetë e shqiptarëve” të Naimit, botuar më 2007 në Tiranë nga botimet Toena, përkthyer prej greqishtes nga Pano Çuka: “ Nga koha e Naimit në kohën tonë ka rrjedhur shumë ujë, kanë ndryshuar sistemet politike e kodet morale, por Ai ka mbetur përjetësisht apostulli dhe ndërgjegjja e kombit, referenca morale e palëkundshme e tij; kanë rënë e janë ngritur sisteme vlerash e antivlerash, por Ai ka mbetur përjetësisht Poeti Kombëtar; arën e shqipes në këtë më se një shekull e kanë lëruar mbjellës të tjerë, por fara që mbolli Ai ka hedhur rrënjë të thella dhe Ai ka mbetur bilbili dhe shpirti i shqipes së sotme moderne; disa breza në këtë truall kanë shkuar nga jeta, por Ai mbetet përjetësisht i gjallë; Ai është Shqipëria.”     

Po, Naim Frashëri është Shqipëria. Jorgo Bulo, sikur ka lexuar në zemrat e shqiptarëve që kanë shkuar nga kjo jetë me veprën, me mallin dhe me shqetësimin për fatin e Shqipërisë; në zemrat e shqiptarëve që jetojnë dhe veprojnë sot për Shqipërinë dhe bashkimin kombëtar të shqiptarëve; në zemrat e shqiptarëve që janë lindur sot dhe do të do të linden nesër, sepse ndër zemrat e shqiptarëve shkruan dhe do të shkruhet gjithmonë: “ Naim Frashëri është Shqipëria.”



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora