E shtune, 20.04.2024, 04:40 AM (GMT+1)

Kulturë

Afrim A. Rexhepi: Migrimi i figurave mitologjike në prozën e Kadaresë

E marte, 24.05.2011, 07:58 PM


Migrimi i figurave mitologjike në prozën e Kadaresë

 

(teori pragmatike: tekstet Prometheu dhe Përbindëshi)

 

Nga Afrim A. Rexhepi, ligjërues i Estetikës në Shkup

 

           Definicioni klasik për mitin: miti është rrëfim i thjeshtë / shprehje për krijimin e botës, njerëzve, perëndive, për realet natyrore dhe sociale. Shkaku: esenca e gjenezës së botës dhe fillet e saj / rrëfim për krijimin. Njeriu antik parashtroi skemën mitike: shenjëzim i kaosit – transformim në kosmos / përmes pyetjeve pse dhe si. Modusi ekzistencial / autori, me tendencë të përgjigjet në pyetjet e parashtruara, për bazë ka mitin antik / formën fabulative – parafiguracionin që e transformon në konfiguracion. Në esencë, miti është shkrim që reflekton në letërsinë e sotme / modulacion i refleksionit – kuptimit. Për Shelingun, mitologjia është parafiguracioni bazë i konfiguracionit. “Është materie e përhershme, nga e cila rikrijohen çuditërisht, forma të ndryshme’. (Šeling; 81) Interaksioni mit – letërsi / miti parafiguracion i temave ekspresive letrare, receptorë modelativ – konfiguracion i figurave mitike. Kategoria kaos do të thotë ikje nga koha aktuale / ikje e autorit nga faktika në fiksion. Implikacion: formëzim i mitit të formëzuar. Parafiguracion: figurat mitike Prometheu / Kali i Trojës – konfiguracion: figurat letrare Prometheu / Përbindëshi.

            Teksti artistik gjuhësor është shenjë / tërësi kuptimore. Rolan Barti, përcakton interaksionin e mitit sot: system semiotik i shkallës së dytë / metagjuhë e gjuhës. “Shenja në gjuhë, shenjuesi në mit / kthimi i mitit nga kuptimi në formë”. (Barthes; 15) Përcaktim  analogjik: shenjuesi është proeksion metonimik në raport me tërësinë / mikrokosmos në makrokosmos. Teksti shenjë krijon raporte:

                        -të ngjashme / analogji me referentët që i shenjon dhe

                        -të kontaktit pjesë /  tërësi.

            Raportet janë konstituencë e asociacioneve të ngjashme midis botës së tekstit dhe referentit. Raporti shenjë – referent është raport logjik pjesë – tërësi. Bota e tekstit (skema narrative hetero / homodiegeza, koordinatat kohore – hapësinore), nuk është proeksion sinekdotik – pjesë e tërësisë, është proeksion metonimik - tërësi e tërësisë / përkatësi e tërësisë, strukturë jokoherente e botës, strukturë imanente e ekzistencës, proekcion tekstual që konkretizohet në interpretim. “Fakti që letërsia kupton vullnet për komunikim të vazhduar, detyron ta proektojmë atë si mesazh deri në ndonjë “qëllim të pacaktuar”. (Durand; 27) Në metagjuhën e kritikës, metonimia shëndrrohet në metaforë. Kuptueshmëria e metaforës diskurzive varet nga kontinuiteti metonimik. Tekst – metafora është tendencë estetike, përmes fizikës (fjalës) prek metafiziken (idenë, emocionin) / është operacion që zhvillohet në mendim e jo në fjalë. Tekstet Përbindëshi / Prometheu, i përcaktojmë tekst – metaforë përmes principit ngjashmëri / analogji. Rinjohim dialektikën e krizëz, ekzistencën kaotike të njeriut të kohës sonë / rinjohje nga një anë tjetër e kontaktit. Fenomeni rrëfim, është fenomen: i transformimit të rrëfimit me implikacione semantike. Transformimet semantike realizohen përmes: analogjisë (metafora, personifikimi), kontakti / kontiguiteti (metonimia, paranomaza), pjesa e tërësisë (sinekdoka), e kundërta (ironia, satira, antiteza), kundërthënia (oksimoroni, paradoksi, groteskut) etj.

            Teksti – shenjë është polisemik. P. sh. Prometheu / Përbindëshi, përveç që janë tekst – metaforë, janë edhe tekst – alegori. Distinkcion: në planin makrostruktural të tekstit, alegoria nuk mund të identifikohet me metaforën / të trajtohet metaforë e zgjatur. Dykuptimësia e alegorisë, përveç në principin analogji / ngjashmëri, bartet edhe në principin aluzion. Teksti letrar është shenjë paradigmatike: tekst – metaforë / tekst – alegori. Vlera eksplicite semantike e alegorisë është dhënë në tekst, vlera implicite semantike e alegorisë jepet nga potenciali semantik i tekstit. Në strukturën e tekstit, alegoria sjell kohën si konstituencë bazë / zbulon kohën përmes riaktualizimit si akt konstitutiv i të kuptuarit. Mbi kokë të Prometheut fluturojnë aeroplanat, (Ismail Kadare, Total kali është aluzion i Kalit të Trojës. “Kalin që bëra unë, ishte me këmbë në mit me kokë në bashkëkohësi”. (Kadare; 1993) Narracioni estetik i romanit Përbindëshi është parabolë e kohës mitike dhe aktuale: grabitja e Lenës nga Genti / grabitja e Helenës (bukurise) nga Paridi; kali i drurit / furgoni i mbeturinave etj. janë alegori e sistemit totalitar.

            Teksti – alegori, është proeksion edhe i procesit të simbolizimit. Distinkcion: simboli për nga struktura është sinekdokë, nuk është të folur i dykuptimshëm. Simboli është sintezë subjekt – objekt / transferim i atributeve të subjektit në objekt. Alegoria është shenjë gjuhësore që e vë në konstruksion funksional realitetin fizik. Simboli është konjuksion imazh – lëndë, alegoria disjunksion imazh – lëndë. Teksti – shenjë posedon alegorinë dhe simbolin, dy entitete ekspresive të ndara. “Miti i Kadaresë…është tip i mitit letrar që ka lënë faktin për ta transformuar në simbol’. (Qapriqi; 55) Bërthama e mitit është arketipi apo gjuha e simbolit: implikon tendencën, figurat simbol – Prometheu / Kali i Trojës, janë arketipe / nënvetëdije kolektive – tradhëti e qëndresë. Simbolet mitike të Kadaresë janë vetëdije kolektive qe fillojnë me vetvetëdijen. Njeriu nuk është i plotë derisa qenia dhe vetëdija janë në disproporcion. Figura mitike e transformuar në model të rikrijimit – palimpsest ndryshon qenien e lexuesit / është iniciacion – kalim nga një gjendje në një gjendje tjetër të vetëdijes së lexuesit.

            Miti për Kadarenë nuk është materie statike por dinamike, është materie lëvizëse, ndryshon në kohë nga interpreti përmes procedimit demitizim / është kod i dekoduar për realitetin fizik. Kadare përdor procedimin demitizim, sepse e ka të qartë që qenia dhe historia janë objekte njohëse / ndryshojnë. Historia komparative e religjionit dhe filozofisë, definojnë mitin strukturë verbale që konzervon qenien, kuptimin (Shlegeli dhe Niçe, Elijade dhe Krape); shprehja apo të shfaqurit e qenies në një rrëfim / mit, definohet përkthim i interpretit të qenies. Definicioni klasik për hermeneutikën, shënon interpretimin dhe sqaron kuptimin e qenies. Për Hajdegerin, fenomenologjia e ekzistencës (Da - sein) është hermeneutikë denotative e fjalës, përmes së cilës realizohet interpretimi. Parashtrohet pyetja që njëkohësisht është mitike (supstanciale) dhe hermeneutike: pyetja e krijimit, dekodimi i kodit esencial të qenies / botës. Demitizimi i mundëson Kadaresë të interpretojë dhe të shpjegojë të vërtetën e fshehtësisë së kohës historike, duke kapur intenzitetin e përjetimit të parë / analogji e intenzitetit mitik. Në fakt, demitizimi i Kadaresë është edhe shpjegim / interpretim i kodeve, hermeneutikë konzistente. Ja edhe një provokim i mundshëm për studimet mbi idetë estetike të Ismail Kadaresë.

 

 

Referencat:

 

DURAND, Gilbert: L‘ imagination symbolique, Quadrige, Paris, 1987

 

QAPRIQI, Basri: Simboli, Prishtinë, 2005

 

BARTHES,Rolan: Mythologies, Paris, 1975

 

GADAMER, Hans Georg: Istina i metoda; osnovi filozofske hermeneutike, Veselin Maslesa, Sarajevo, 1978.

 

KADARE, Ismail: Përbindëshi, Tiranë, 1993

 

KADARE, Ismail: Vepra, vëllimi i parë: Tregimet e tejkohshme: Prometheu, Ëndërra mashtruese, Përpara banjës, Nata e Sfinksit, Piramida, Kush e solli Doruntinën, Ura me tri harqe, Muri i madh; Fayard, Paris, 1993.



(Vota: 6 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora