E shtune, 05.12.2020, 11:34 AM (GMT)

Editorial

Valon Kurtishi: “Maqedonasit në Shqipëri”, ndarja e Kosovës dhe xhamia e madhe “turke” në Mitrovicë

E marte, 24.05.2011, 07:00 PM


“Maqedonasit në Shqipëri”, ndarja e Kosovës dhe xhamia e madhe “turke” në Mitrovicë

 

Nga Valon Kurtishi

 

Televizioni privat maqedonas “Kanal 5” në emisionin shumë të ndjekur të titulluar “Në qendër, (ediconi i 20 majit 2011), ka shqyrtuar çështjen në lidhje me të a.q “minoritet maqedonas” në Shqipëri si dhe mundësinë e ndarjes së pjesës veriore të Kosovës dhe bashkimin e saj me Sërbinë. Emisioni është karakterizuar nga spekulimet e shumta tipike për nacionalizmat sllavo-grekë në lidhje me përkatësitë etnike dhe me shifrat e komuniteteve të caktuara në Shqipëri, si dhe me gjeopolitikat rajonale, pavarësinë e Kosovës dhe ndikimet e diplomacisë botërore në Ballkan. E gjithë kjo u pasua edhe me një lajm në dukje jashtë teme dhe jo fort të rëndësishëm për ndërtimin e xhamisë më të madhe të Kosovës në Mitrovicë.

 

1. Minoriteti “maqedonas” në Shqipëri

 

Ka një kohë të gjatë që mediat sllavishtfolëse të Shkupit, akademikë të shumtë si dhe parti të caktuara maqedonase manipulojnë në mënyra të ndryshme me çështjen e të a.q “minoritet maqedonas” në Shqipëri. Spekulimi  kryesor bëhet në lidhje me fuqinë numerike të këtij minoriteti etnik. Në vitin 1938, autori jugosllav me tendenca sërbomëdha, Dr L.Trnjegorski ka botuar veprën, “Pakicat jugosllave në vendet fqinje”, në të cilin jep edhe numrin e maqedonasve në zonat jugore të Shqipërisë. Sipas autorit në fjalë i cili në këtë vepër në pajtim me intencat nacionaliste sërbe për ekspanzion në zonat etnike shqiptare e rit numrin e prezencës sllave në Shqipërinë e atëhershme, kjo pakicë arin në gati 50,000 mijë njerëz (T. Popovski, “Makedonskoto nacionalno malcinstvo vo Bugarija, Grcija i Albanija, Skopje 1981, faqe 246).

 

Edhe gjatë kohës së Jugosllavisë komuniste, organet federative jugosllave dhe ato republikane maqedonase kanë spekuluar me shifrat e këtij minoriteti. Kështu në konferencën e Moskës për të drejtat e njeriut në vitin 1991, anëtari maqedonas i delegacionit jugosllav Ljupçe Naumovski, ka deklaruar se në Shqipëri jetojnë 140,000 mijë maqedonas etnikë (Hugh Poulton, Who are the Macedonians, London 1995/2000, faqe 145). Këtë shifër e ka demantuar vetë Tanjugu jugosllav kur në prill të vitit 1991 ka dhënë një shifër mes 55,000 mijë dhe 60,000 mijë njerëz. Në librin e autorit tjetër sllavomaqedonas, D.K Budimovski kushtuar maqedonasve në Shqipëri, (D.K Budimovski, “Makedoncite vo Albanija”, Skopje, 1993), numri i maqedonasve ortodoksë dhe muslimanë në Shqipëri paraqitet mbi 100,000 mijë persona.

Autori Tosho Popovski në veprën kushtuar pakicës kombëtare maqedonase në Bullgari, Greqi dhe Shqipëri jep një shifër prej 45,000 mijë maqedonasve “brenda kufinjve të Shqipërisë” (Tosho Popovski,“Makedonskoto nacionalno malcinstvo vo Bugarija, Grcija i Albanija”, Skopje, 1981, faqe 239). Përndryshe në këtë vepër Popovski sjell vlerësimet e dy autorëve të huaj, një bullgari dhe një anglezi, shifrat e të cilëve i nxjerin tezat e mëvonshme të nacionalistëve maqedonas krejtësisht të gabueshme. Kështu sipas raportit të vicekonsullit britanik G.C Blunt nga fundi i shekullit të XIX, numri i sllavishtfolësve të këtyre zonave që sot gjenden në kuadër të Republikës së Shqipërisë nuk i kalon të 11,000 mijë vetë.

 

Kurse sipas statistikanit të njohur bullgar Vasil Kançov, sllavishtfolësit që ai i quan bullgarë në këto krahina në vitin 1900 ishin 7.102 vetë. Edhepse këto shifra i demantojnë fuqishëm pretendimet e mëvonshme për qindra mijëra maqedonas në Shqipëri, përsëri duhen pranuar me rezerva, pasi në sistemin otoman të mileteve shqiptarët ishin të dëmtuar në mënyrë të shumëfishtë. Kështu shteti otoman nuk pranonte kombësi të veçantë shqiptare duke i paraqitur shqiptarët myslimanë si turq, ata ortodoksë si grekë apo bullgarë (nga viti 1905 edhe si arumunë) kurse shqiptarët katolikë si “latinë”. Për këto arsye, në numrin e maqedonasve apo bullgarëve ortodoksë që i japin G.C Blunt dhe Vasil Kançov për vitet 1900, duhet pasur parasysh mundësia që një numër i shqiptarëve ortodoksë të jenë përfshirë apo numëruar si bullgarë vetëm pasi gjendeshin nën jurisdiksionin kishtar të Eksarkatit bullgar. Edhe historiani i njohur maqedonas Hristo Andonov jep një numër prej mbi 60,000 mijë për maqedonasit në Shqipëri, për vitet 1980.

 

Pas kthesës së viteve 90, disa organizata politike nacionaliste maqedonase si VMRO, TMORO, MAAK kanë spekuluar me shifra të tilla prej 200,000 mijë deri në 400,000 mijë maqedonas në Shqipëri. Së fundmi një institut bullgar i kulturës pretendoi për 150,000 mijë bullgarë në Shqipëri, duke kërkuar nga qeveria shqiptare të hapë “kolegje bullgare për bullgarët njëjtë si ka hapur kolegje turke për turqit”!? Këtu nacionalistët bullgarë e kanë kapur për mrekulli praktikën tërësisht iracionale të  qeverive shqiptare të pasvitetve 90, të cilat në thyerje të qartë të ligjeve ndërkombëtare dhe në një tradhti të hapur kombëtare kanë lejuar ligjërisht që në territorin e Republikës së Shqipërisë ku ska asnjë turk të vetëm etnik të hapen kolegje “turke”. Situata e njëjtë është edhe me hapjen vend e pavend të shkollave asimiluese antishqiptare greke. Pretendimet bullgare ndaj të a.q “minoritet bullgar në Shqipëri” janë të hershme. Kështu në revistën nacionaliste probullgare , “Makedonija” e cila botohej në Sofje, në vitin 1932 është publikuar shifra prej 27,000 mijë bullgarëve në Shqipëri e dhënë nga Komiteti Kombëtar Maqedonas në Sofje (Hugh Poulton, Who are the Macedonians, faqe 79)

 

Kohëve të fundit si përfaqësues i agjenturës shtetërore të Shkupit për këto manipulime shoviniste paraqitet kryetari i partisë së maqedonasve të Shqipërisë, Edmond Temelko. Ky në emisonin në fjalë në televizionin “Kanal 5” deklaroi se në Shqipëri jetojnë reth 100,000 mijë maqedonas autoktonë me ndërgjegje kombëtare maqedonase dhe që flasin maqedonisht si dhe rreth 400,000 mijë të tjerë që janë maqedonas por në fazën e fundit të asimilimit. Pikërisht për këto arsye tha Temelko, qarqet qeveritare dhe akademike shqiptare janë të frikësuara dhe janë organizuar të mbledhin nënshkrime kundër procesit të regjistrimit të popullsisë në shtetin e tyre. Kjo pasi sipas Edmond Temelkos, i cili është bartës i funksionit publik në Shqipëri dhe për fjalët që thotë mban përgjegjësi ligjiore, shqiptarët frikohen se do dalin nën 50% në Shqipëri dhe me këtë do vërtetohet teza se “Shqipëria është shteti më multietnik në Ballkan”!!

Edmondi i përsëriti edhe akuzat e njohura, të padrejta dhe pa asnjë bazë faktike se ndaj maqedonasve në Shqipëri ushtrohet presion i fuqishëm nga shteti dhe “nacionalistët shqiptarë” , duke dhënë edhe shembuj të shumtë të personave të cilët sipas tij janë maqedonas por para mediave paraqiten si “shqiptarë të mëdhenj”. Kështu sipas Edmond Temelkos, nëna e ministrit të arsimit të Berishës (e ka fjalën për Myqerem Tafaj) nuk di fare shqip, kurse ky paraqitet si shqiptar i madh, apo kryebashkiaku i Korçës, Niko Peleshi i cili qenka me origjinë nga Drenova dhe e ka ndëruar mbiemrin nga Bogdani në Peleshi e shitet si shqiptar i madh gjithashtu. Në pyetjen e gazetarit se pse nuk e ndryshon mbiemrin nga forma shqiptare Temelko në atë maqedonase Temelkovski, spiuni i agjenturës të Shkupit nga Liqenasi i Prespës, u përgjig se frikohet nga shteti shqiptar, kurse urejtjen ndaj shqiptarëve e shprehu haptas në pyetjen e ardhshme në lidhje me emrin personal Edmond. Sipas Temelkos, babai i tij si gjithë maqedonasit tjerë qenka detyruar nga regjimi i Enver Hoxhës ti pagëzojë fëmijët me emra shqiptarë të përgatitur në lista të gatshme në komunë. Babai i tij duke mos dashur një emër shqiptar për djalin e tij paska preferuar emrin joshqiptar Edmond, i cili në atë kohë paska qenë në modë në Shqipëri pas shfaqjes së filmit “Grofi i Monte Kristos”. Edmond Temelko gjatë intervistës zbuloi edhe disa detaje të tjera shumë të dhimbshme për ne, si lidhjet e Fatos Nanos me qarqet greke, vizitat e tij në çdo tre ditë në Greqi në kohën kur ishte kryeministër, për gruan e tij të dytë greke, për origjinën e supozuar vllahe të Nanos (sipas Temelkos), dhe tha një të vërtetë të hidhur, një sekret publik që na dhemb gjithë shqiptarëve, “klasa politike shqiptare është e kapur nga Greqia”. Edmond Temelko e tha këtë në kuadër të urrejtjes antigreke që ai ka si nacionalist sllavomaqedonas ose bullgar, por kjo është shumë e vërtetë dhe duhet të detyrojë edhe shqiptarët të mendojnë se çndodh me politikën e tyre shtetërore.

 

Nga ana tjetër, qeveria shqiptare duhet të marë masa urgjente në lidhje me Edmond Temelkon, pasi një bartës i funksioneve publike në Republikën e Shqipërisë nuk mund të spekulojë publikisht me shifrat e popullsisë shqiptare. Enti Shtetëror i Statistikave ka dhënë që në kohën e komunizmit shifra të sakta dhe shumë reale në respekt të numrit të minoriteteve. Kështu sipas regjistrimeve konsekutive të popullsisë, numri i sllavishtfolësve maqedonas apo bullgarë në Shqipëri ka qenë si vijon: Në cenzusin e vitit 1960 kemi 4,235; në regjistrimin e vitit 1979 kemi 4,097 dhe në vitin 1989,  4,697 maqedonas ose bullgarë në Shqipëri, (shifrat sipas Vjetari Statsistikor 1. RPS të Shqipërisë, Tiranë, 1990, cituar nga H.Poulton, Who are the Macedonians, faqe 145). Nëse krahasohen këto shifra zyrtare me spekulimet e Edmond Temelkos për 100,000 mijë maqedonas që flasin maqedonisht dhe 400,000 mijë të tjerë me origjinë maqedonase por qe nuk flasin gjuhën amtare, del në dritë një lojë tipike shoviniste e manipulimeve të cilat ka ardhur koha të marin përgjigjen e merituar nga organet gjyqësore.

 

Asnjë bartës i funksionit publik në Republikën e Shqipërisë dhe asnjë shtetas i vetëm nuk mund të fyejë publikisht Republikën e Shqipërisë, gjuhën shqipe, emrat e gjuhës shqipe, si dhe nuk mund të mos respektojë simbolet shtetërore të Republikës së Shqipërisë në godinat shtetërore. Kjo pasi në objektin e komunës së Liqenasit, në fillim qëndron sllavishtja pastaj shqipja kurse flamuri i huaj sllavomaqedonas valon para simbolit kombëtar dhe shtetëror shqiptar. Është koha e fundit që shteti ynë të marë masa ndaj këtyre banditëve në Liqenas dhe ndaj banditëve akoma më të rrezikshëm grekë në Himarë dhe Dropull ku sot ndodhin tragjedi të ngjashme antishqiptare.

 

2. Rreziku real i ndarjes së veriut të Kosovës dhe “xhamia e madhe turke” në Mitrovicë

 

Pjesa e dytë e emisionit i kushtohej tërësisht çështjes së bisedimeve Prishtinë- Beograd dhe të ardhmes së Kosovës veriore. Moderatori i kishte marë një intervistë terroristit sërb Milan Ivanoviq, të a.q “kryetar” të të a.q “Këshilli kombëtar sërb për Kosoven veriore”. Sipas Vasko Eftovit, Prishtina dhe Beogradi tashmë janë marë vesh për ndarjen e Kosovës si një kompensim që qeveria sërbe të njohë pavarësinë e Kosovës. Hashim Thaçi dhe Boris Tadiqi që kohëve të fundit janë të izoluar nga komuniteti ndërkombëtar dhe nën një presion të fortë nga opozitat respektive, kërkojnë një sukses në çështjen e Kosovës dhe siç duket kompromisi është aritur. Maqedonasi e kishte hallin se mos ndahet Kosova dhe pastaj kjo i kthehet si boomerang Ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë. Milan Ivanoviqi nga ana tjetër frikësohej se nën trysninë ndërkombëtare, Sërbia do të detyrohej që të njohë pavarësinë e Kosovës dhe të mos shkëpusë veriun, duke u kënaqur me një lloj autonomie të modelit të Tirolit gjerman në Italinë veriore.

Çështja e ndarjes së Kosovës ka shkuar aq larg saqë edhe miqtë e sinqertë të paqes dhe  demokracisë në Uashington si drejtori i Institutit të Shteteve të bashkuara për paqe (USIP) Daniel Server, kanë reaguar publikisht kundër mundësisë së copëtimit të Kosovës.

Një pyetje interesante e cila e bëri paksa komike atmosferën ishte momenti kur gazetari maqedonas i përmendi Ivanoviqit mundësinë e intervenimit të Policisë së Kosovës në veri si dhe ekzistencën e “planeve operative kosovare për intervenim”. Sarkazma e Ivanoviqit për planet operative të e MPB së Kosovës u bë këtu e padurueshme. Me një nënqeshje të lehtë në fytyrë, Milan Ivanoviqi e tha një të vërtetë të madhe, djegëse dhe të hidhur për ne: shqiptarët nuk kanë as polici, as plane, as mundësi teknike apo operative për të realizuar një intervenim të tillë në veri. Ne e kontrollojmë ekonominë, policinë, sistemin shëndetësor, arsimor, sigurinë, sistemin e energjisë elektrike, telefonisë celulare dhe gjithçka tjetër në veri. Pra e gjithë do varet nga Amerika se çka do tu rekomandojë shqiptarëve tha ai. Këtu Ivanoviqi ka të drejtë. Duket se policia e Kosovës ka kompetenca dhe kapacitete teknike/profesionale vetëm për të rahur aktivistët shqiptarë të Vetëvendosjes në Prishtinë, të cilët protestojnë kundër padrejtësive që i bëhen Kosovës dhe shqiptarëve në veri dhe kudo në vend.

 

Përtej spekulimeve të gazetarit maqedonas dhe ekstremistit sërb, ndarja e veriut të vendit është gjendje faktike. Shovinizmi sërb punon që kjo ndarje të legalizohet edhe në aspekt politiko-juridik ndërkombëtar duke i shkëputur Kosovës reth 3000km2. Në këtë drejtim janë aktivizuar qarqe dhe struktura nga më të ndryshmet dhe më të çuditshmet që ky plan të realizohet. Reagimi shqiptar është apatik, i vagullt, i çorganizuar, gati inekzistent. Për më tepër, shoqëria jonë duket të jetë e dënuar të bëjë gabim pas gabimi pikërisht në këtë pjesë të Kosovës e cila është rezikuar nga ndarja faktike nga trungu kombëtar. Vendimmarja shqiptare shihet se është duke realizuar pikërisht të kundërtën e asaj që i mbron dhe çon para interesat kombëtare. Kështu në bazë të informacioneve të fundit, në qytetin e Mitrovicës do të ndërtohet xhamia më e madhe që ndonjëherë ka patur Kosova. Kjo u bë e ditur pas vizitës që pati në Kosovë, kreu i komunitetit islamik të një komune aziatike, Izet Shener.

 

Në takimin që ky pati me kryetarin ”shqiptar” të Mitrovicës Avni Kastrati, është thënë se komuna e Mitrovicës mban kontakte “vëllazërore” me komunën Bayram Pasa dhe se është “vëllazëruar”edhe me dy komuna të tjera turke. Në marrëdhëniet ndërkombëtare njihet praktika e binjakëzimit të komunave të ndyshme, por në Mitrovicë qenkan zbuluar nocioni i ri i “vëllazërimit”, me aziatikët e Bayram Pasa dhe dy komunave tjera. Normalisht, Mitrovica mund të binjakëzohet me komuna edhe nga Mongolia, Tanzania apo Bregu i Fildishtë, por nuk mund të vëllazërohet me to, pasi nocioni “vëllazërim” i përshtatet ndonjë komune të banuar me shqiptarë etnikë si Korça apo Shkodra të themi. Në lajmin e dhënë bie në sy edhe toni gati totalitar, urdhërues, shntazhues dhe detyrues me të cilën jep urdhëra pasardhësi i atyre që deri në vitin 1912 dërgonin nizamë, topa dhe Turgut, Dervish e Shefqet pashër të ndryshëm për të bombarduar, djegur dhe masakruar popullin shqiptar të Mitrovicës: “Duke pasur parasysh nevojat e mëdha…….për hapësira për …….., ne kemi vendos që të ndërtojmë këtu një xhami moderne, të tipit që ekziston në komunën Bayram Pasha. Kemi sjellë me vete edhe projektin e xhamisë …….....disa çështje përgatitore për fillimin e menjëhershëm të punëve në realizimin e projektit”, tha Shener”!!. Pra kryetari i Komunës së Mitrovicës duhet vetëm të hapë gojën dhe të thotë amin, pasi për ndërtimin që duhet bërë në Mitrovicë, është vendosur që më parë në një shtet tjetër!?.

 

Ndërtimi i një xhamie të këtillë politike dhe megalomane në qytetin e ndarë të Mitrovicës, paraqet një rrezik nacional të përmasave të paimagjinueshme për Kosovën. Nuk është aspak e pamundur që pas këtyre planeve të qëndrojë shërbimi sekret sërb, i cili njihet për manipulime të kësaj natyre që në shekullin e XIX. Autorë të njohur shqiptarë kanë shkruar për manipulimin e tmershëm që u kanë bërë masave iliterale shqiptare hoxhallarë të ndryshëm për ti deportuar më lehtë në shkretëtirat e Anadollit. Agjenturat jugosllave dhe turke në bashkëpunim me hoxhallarët analfabetë dhe antikombëtarë, janë përgjegjës për pastrimin etnik të Kosovës nga shqiptarët dhe zhdukjen dhe turqizimin e tyre në Azi. Siç duket të njëjtët fantazma pseudoislamike po i rikthehen atdheut tonë të martirizuar pikërisht në momentin më të keq dhe në zonen më delikate, në Kosovën veriore, gjegjësisht Mitrovicë. Kjo nuk do të thotë që nuk duhen ndërtuar xhami për nevojat e besimtarëve shqiptarë muslimanë. Por jo xhami të këtilla politike që i ndërtojnë agjenturat e huaja për arritjen e qëllimeve të tyre politike dhe influencuese, interesa këto në konflikt të drejtpërdrejtë me interesat vitale nacionale të shqiptarëve në Kosovë dhe rajon.

 

Përtej reagimeve emocionale, duhet analizuar në mënyrë racionale dhe të ftohtë arsyeja ose prapavija e ndërtimit të kësaj xhamie pikërisht tani kur është në pyetje fati i kësaj pjese të Kosovës dhe kur sytë e gjithë botës janë kthyer drejt Mitrovicës. A është e rastësishme që pikërisht në Mitrovicë ndodhi një skandal me një fundamentalist islamik i cili kishte tërhequr fonde nga qarqe të dyshimta jashtë vendit për qëllime të errëta terroriste. Nga Mitrovica ishte edhe terroristi tjetër Arid Uka, i cili në një gjest të paprecedentë vrau dy ushtarë amerikanë në Frankfurt dhe plagosi një numër të tjerëve. Arid Uka vrau ushtarët amerikanë të cilët në vitin 1999 shpëtuan Arid Ukën, familjen dhe popullin e tij nga zhdukja totale prej sërbëve.

 

Tani përsëri në Mitrovicë pritet apo planifikohet të ndërtohet xhamia më e madhe në Kosovë. A mund të lidhen këto dukuri devijante antikombëtare me prezencën në numër të konsiderueshëm në popullsinë shqiptarë të Mitrovicës të elementëve shqiptarë të sllavizuar me origjinë nga krahina veriore e Sanxhakut? Kohëve të fundit Sanxhaku ka përjetuar një nivel të fondamentalizmit islamik te panjohur më parë në këto anë dhe i nxitur dhe kontrolluar me siguri nga shërbimet sekrete sërbe dhe turke. Mosmarrëveshjet dhe trazirat që ndodhin në Sanxhak mes grupeve të udhëhequra nga politikanët e sllavizuar shqiptarë si Rasim Ljaiç (Lajçi), Sulejman Uglanin (Uglaj), Muamer Zukorliç (Zekolli) apo tjerëve, janë një dëshmi tronditëse e pafuqisë dhe ndikimit shumë të dobët që e kanë atje organet shtetërore të Kosovës dhe Shqipërisë. Shqiptarët e sllavizuar të Sanxhakut të lënë pasdore nga politika shqiptare, janë shndëruar në objekte të luftës mes sllavizmit fanatik islamik boshnjak dhe shovinizmit të kudondodhur sërb. Duke qenë se qeveritë tona nuk janë duke imponuar sistemin shqiptar të vlerave atje, popullata shqiptare myslimane e Sanxhakut është sllavizuar totalisht dhe si përgjigje të vetme ndaj represionit të përditshëm sërb e ka përkatësinë e ndryshme fetare. Pikërisht këto ndjenja antiserbe shfrytëzohen nga katër faktorë të interesuar për qëllimet e veta manipulative në Ballkan.

 

Së pari, Republika e Turqisë është duke u shtrirë frikshëm në Sanxhak duke keqpërdorur islamin për qëllime nacionaliste turkomëdha. Ajo me lejen e Beogradit hapi para disa kohëve në Novi Pazar një qendër të kulturës turke, si dhe ka bërë përpjekje të mëdha të prodhojë në Sanxhak një minoritet etnik turk nga shqiptarët e çoroditur që gjenden nën sulmin e egër të katër propagandave antishqiptare bashkë: boshnjake, turke, fondamentaliste islamike dhe sërbe.

 

Së dyti, qarqet fundamentaliste islamike nga gjithë bota, nëpërmjet bashkësisë së atjeshme islame përpiqen ta shfrytëzojnë animozitetin e qytetarëve vendas kundër sërbëve për arritjen e qëllimeve fundamentaliste islamike.

 

Së treti, Republika e Bosnjë Hercegovinës është duke e kryer me sukses misionin e shkombëtarizimit dhe asimilimit të shqiptarëve të atjeshëm, duke imponuar një identitet të rejshëm boshnjak të komunitetit tonë atje. Studiuesit amerikanë të Harvardit, Milman Perry dhe Albert Lord në studimin e tyre për epikën popullore sllave në Bosnjë dhe Sanxhak gjatë viteve 1930 (botuar më 1953), kanë ardhur në përfundim se banorët e këtyre anëve kanë kënduar në shqip. Madje katër nga pesë lahutarët që këndojnë në dy gjuhë këngët heroike me lahutë janë shqiptarë, Salih Ugljanin (Uglaj), Djemal Zogic (Zogaj), Sulejman Makic (Makaj) dhe Alija Fjuljanin (Fulaj) (Robert Elsie and Janice Mathie-Heck, Songs of the Frontier Warriors: Këngë Kreshnikësh, Illionis 2004 dhe John Kolsti, The bilingual singer, a study of Albanian and Serbo-Croatian oral epic traditions,  University of Texas in Austin, New York 1990). Popullata e malësisë së Novi Pazarit në zonën e quajtur Peshter akoma sot e flet gjuhën shqipe.

 

Dhe së katërti, Sërbia shoviniste e cila nuk i kundërvihet boshnjakizimit dmth deshqiptarizimit të banorëve të Sanxhakut dhe siç duket nuk i kundërvihet as turqizimit dhe islamizimit të skajshëm të këtyre trevave pasi nga kjo përfiton në disa plane. Nacionalizmi sërb është i interesuar të promovojë dhe i gatshëm të pranojë çdo identitet të ndryshëm nga ai shqiptar për banorët e këtyre anëve.

 

Në gjithë këtë luftë të madhe të nacionalizmave ballkanikë në Sanxhak dhe për Sanxhakun, shqiptarët duket se janë krejtësisht jashtë loje, edhepse në pyetje është fati i tyre si shtet, madhësia e territorit të tyre shtetëror dhe ardhmëria e tyre si komb. Në vend që Republika e Kosovës të jetë shteti me autoritet dhe ndikim më të madh në Sanxhak, ajo siç tregon veprimi i fundit krejtësisht iracional për ndërtimin e xhamisë në Mitrovicë, nuk është në gjendje të kontrollojë as vendimmarjen në interes nacional në qendër të Mitrovicës. Kosovën dhe Mitrovicën me Sanxhakun e lidh edhe tranzverzalja e famshme muslimane e Millosheviqit e cila u bë gogol në sytë e Europës gjatë luftërave në ish Jugosllavi dhe u eksploatua aq shumë dhe aq mjeshtërisht nga propaganda sërbe.

 

Pikërisht këtu del në pah negativizmi i këtij vendimi. Xhamia e madhe në Mitrovicë me 2500m2 dhe me 2 minaretë 48 metra të larta do të vulosë njëherë e përgjithmonë përkatësinë kulturore aziatike të shqiptarëve të Kosovës, në kontrast të drejtpërdrejtë me përkatësinë europiane të sërbëve në anën tjetër të Ibrit, të cilët me siguri do të ndërtojnë aty ndonjë kishë gjithashtu me 2500m2 dhe me ndonjë kambanare dhe kryq 50 metra të lartë. Por sërbët do ta ndërtojnë kishën ortodokse në stilin adriatiko-latin apo roman në mënyrë që të ngjajë sa më afër arkitekturës kishtare perëndimore apo konstitucionit europian të vlerave fetare. Dhe këtë do të bëjnë jo për nevojat e tyre shpirtërore, por me qëllimin e vetëm që të tregojnë para Europës se ata janë mbrojtësit e krishterimit në këtë pjesë të botës prej “muslimanëve primitivë të anës tjetër të Ibrit.” Me këtë do të vërtetohet në vepër teza sërbe për ekzistencën e konfliktit fetar në Kosovë mes muslimanëve dhe kristianëve si vazhdim i përplasjes së qytetërimeve lindore dhe perëndimore që nga shekulli i XV e deri në shekullin e XXI.

 

Kjo në sytë e gjithë botës do të çimentojë edhe ndarjen civilizuese dhe kulturore të  Kosovës mes sërbëve europianë nga njëra anë dhe shqiptarëve aziatikë nga ana tjetër. Për pasojë, shqiptarët do të humbin edhe 3000 km2 të tjera nga territori edhe ashtu shumë i vogël prej afërsisht 11,000 km2 i Kosovës. Ndarja do të jetë e tipit të murit të Berlinit me të vetmin dallim se muri i Berlinit që simbolizonte ndarjen ideologjke ra me rënien e ideologjisë komuniste, kurse ky mur nuk do të bjerë asnjëherë pasi Europa është kontinent i krishterë dhe ska gjasa të lejojë rënien e murit të saj civilizues në Mitrovicë.

 

A do të bien shqiptarët e Mitrovicës dhe Kosovës në këto kurthe sërbo-turko fundamentaliste dhe a do të pranojnë të bëjnë kurban interesat kombëtare shqiptare për hir të interesave politike panturke dhe atyre panislamike botërore, mbetet të shihet në një të ardhme të afërt. Kryetari i komunës shqiptare të Mitrovicës, shqiptari etnik Avni Kastrati, qytetarët e vetëdijshëm kombëtarisht të Mitrovicës, ish ushtarët e UÇK që luftuan dhe dhanë jetën për Kosovën dhe flamurin shqiptar, intelektualët shqiptarë të Mitrovicës, gjithë populli shqptar në Mitrovicë duhet të çohet në këmbë dhe tu thotë një JO të madhe dhe energjike planeve të këtilla antishqiptare që do ta çojnë në shkatërim të sigurtë Kosovën dhe gjithë shqiptarët në Ballkan.



(Vota: 69 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora