E shtune, 20.04.2024, 12:59 PM (GMT+1)

Kulturë

Cikël poetik nga Vaso Papaj

E marte, 24.05.2011, 07:56 PM


Vaso Papaj

 

 

Narkozë

 

Për herë të parë të pashë Bedrie

Atje ku vdekja dhe gjallja rrinë pranë

Serumi më rridhte pa far’ ndjeshmërie

Narkozë që më shqitej ngadalë në tavan.

 

Sesi më ngjasove,  një shuk rrobash zie

Me kovën plastike dhe fshesën në dorë

E vogël- e vogël, me një shtat fëmije

Po gjyshe dhe nënë me flokë ngjyrë borë.

 

Me drojë u avite, vështrove hutuar

E folëm ngadalë e  shpesh heshtur mbetëm

Bashkëshortin të humbur dy vite të shkuar

Gjashtë muaj më parë dhe djalin e vetëm.

 

Më fole për nusen e re me jetima

Ndaj trupi im që dilte nga varri

Të tuat fjalë i mori  shkrepëtima

U drodha i tëri, si t’ kish zbritur acari.

 

Po unë kisha vetëm një shpirt e një zemër

Ç’ t’i bëja mizerjes dhe zgjyrës së zezë!?

Veshur së prapthi pizhamet pa emër

Ç’ t’i bëja un’ ditëve që shtyje pa shpresë!?

 

S’ kish punë për nusen dhe kishe dy nipa

O zot, si nuk kishte njeri të t’ ndihmojë

Qenka zor të kaloka qoftë nata, qoftë dita

Në shtëpi në mëngjes të prisnin tri gojë.

 

Botën të kisha, atë çast, do  ta falja

Në sytë e tu mos këndonte trishtimi

Ëndrra vogëlushësh kurrë mos të ndalja

Pse atin papunë ua kish mbytur dëshpërimi.

 

Kish lidhur një copë litar një mëngjes

Në degë të ullirit shtrënguar një lak

Penduli i sahatit kish ndalur në mes

E more kështu më të madhin farmak.

 

Një ëndërr narkozë, sa qe natë, nuk u lodh     

Por zbriti agimi, në krahë ma mbështolli

Sa shpesh së fundi kjo gjë më kish ndodh’

S’ të pashë më Bedrie, më humbe te holli.

 

 

Dashurisë

 

Dashuri, tek ty pareshtur kam besuar

Nga ty kam ndjerë  t’ më rrihte zemra fort

Po dhe ti, dhimbje, jo pak her’ më ke lënduar

Prandaj mes jush, ëndrrën, askush s’ ma mori dot.

 

Besova shpesh tek  një qiri që terrin e ndriçonte

Edhe  jetova duke  e  dashur dritën  pa kufi

Erën desha që regëtinte gjethet, foshnjën që lotonte

Dhe syt’ e zinj’ që nuk iu shqitën kurrë syve të mi.

 

Besova se pas dimrit pranvera do t’ trokiste

Dhe diellit  s’ do t’ i  binte kurrë më vilani

Deti duke puthur plazhet, hënën do t’ shastiste

Besom’, vërtet besom’, s’ më ndan asgjë nga ti.

 

 

Fund i vjetër

 

Unë të flas me zemër

Ti më flet me mëndje

Unë të dua ty

Ti veç veten tënde

Tjetër gjuha e zemrës

Kjo e mëndjes tjetër

Ikim, vijmë atëhere

Fundi është i vjetër.

 

 

E çfarë, nëse u ndamë?!...

 

Kur këngë të dehura këndoj

Në mëndje vetëm ty të ndesh

Po karafila më  s’ dërgoj

E lumtur qofsh, kudo të jesh.

 

Të më kujtosh, nuk të kërkoj

As të kërkoj të ndjesh për mua

Se vjen një çast, në mos gaboj

Tek njeri tjetri s’kemi më hua.

 

E çfarë u bë, nëse u ndamë

Secili shkoi në rrugë të tij

Ç’më pate dhënë, e lashë mënjanë

Një flak’ të shuar përmbi thëngjij.

 

E çfarë u bë, nëse u ndamë

Shpirti na mbeti njëlloj i ri

Ç’të pata dhënë, e le mënjanë

Ndaj flakë të re ndezëm tani.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora