E enjte, 25.04.2024, 02:44 PM (GMT+1)

Përjetësi » Kripa

Reshat Kripa: Një tregim për mikun tim (II)

E hene, 23.05.2011, 07:57 PM


RESHAT KRIPA

 

NJË TREGIM PËR MIKUN TIM

NGJARJE TË  JETUARA

 

(II)

 

6 Mars 1991. Ora 20.00. Televizioni shqipëtar transmeton telerevistën e mbrëmjes. Zërat seriozë te spikerve të saj njoftojnë për rrëmbime anijesh nga mijra njerëz që kërkojnë të venë drejt ‘’tokës së premtuar’’.Njoftojnë për mijra të tjerë që presin e presin në portet e Durrësit, Vlorës dhe Shëngjinit ardhjen e ndonjë anije që do t’i çojë nga sytë këmbët. Njoftojnë për përplasje dhe shkrehje armësh, për thirrje nga lloj lloj organizatash dhe partish të ndryshme, për të vrarë dhe të plagosur dhe në fund të gjitha ketyre, sikur të mos kishte ndodhur asgjë , njoftohet transmetimi i ndeshjes së futbollit Milan – Olimpik.

Qindra qytetarë të tjerë nisen me maune gurësh gjysmë te prishura drejt detit, drejt Otrantos e Brindizit, pa busull e timon, me copa dërrasa në vend të remave dhe me ditë e netë qëndrojnë në mëshirën e dallgëve , pa bukë dhe pa ujë. Ku shkuan vallë? A janë gjallë? Asgjë nuk dihet për ta vecse kur mbas disa ditësh televizioni RAI  jep lajmin e mbrritjes së tyre në brigjet italiane.. Kurse televizioni shqiptar hesht. Ai e gjen më të udhës të transmetojë këngët e harruara të Raxh Kapurit nga filmi ‘’Zotnia 420’’.

Dallgët nxjerrin në breg kufoma njerëzish të mbytur. Televizioni përsëri hesht. Ai preferon më mirë të transmetojë këngë nga festivali i Sanremos, për të cilat vetëm disa muaj më parë po t’i transmetoje të priste burgu i tmerrshem.

‘’Quo vadis’’ RTSH ?

A është e mundur që në ndërgjegjen tënde të mos ketë mbetur asnjë ndjenjë njerëzore patriotizmi në keto çaste kaq të dhimbëshme për kombin tonë? A e dini se me cinizmin tuaj ju po talleni me ndjenjat e këtij populli? Jo, ju nuk mund ta kuptoni këtë se ju nuk keni ndjenja. Për ne këto jane ditë zie kombëtare, se po ndjejmë shpërbërjen e këtij kombi. Kur nga sytë e prindërve po rigojnë lot të hidhur për fatin e bijve dhe bijave të tyre, nuk duam filma dhe muzikë argëtuese, as edhe ndeshje futbolli. Ato i lini për më vonë, kur të jemi më të qetë. Tashti duam informacion. Duam të na thoni të vërtetën për çka po ngjet në vendin tonë. Duam të dijmë përse largohen këta njerëz me kokë në trastë, pa u drojtur edhe nga vdekja? Kush i detyron? Kush i nxit? Pse heshtni? Pse nuk flisni?

Duke reflektuar heshtjen tuaj, nuk e di sepse më krijohet një lidhje me një citat të një vepre të një ‘’shkence të harruar’’:

 

“ Çfarë shtypi dhe botimesh duhen lejuar në vendin tonë?……. Puna është që të mos lejohet që ato të përdoren në masë, të mos i këndojë kushdo…….. Prandaj t’u japim direktiva të prera institucioneve që në asnjë mënyrë dhe asnjë prej tyre, të mos u jepet lexuesve pa u kontrolluar më parë nga njerëz të besuar.’’

( E. Hoxha, vepra 51, faqe 171-172 )

 

Sic duket ‘’njerëzit e besuar’’ nuk ju a kanë dhënë viston. Ju nuk u shkëputkeni dot  nga këto tabu. Ju kerkoni të vazhdoni që të na detyroni të pranojmë si dikur atë që doni të na servirni ju, të shohim dhe të dëgjojme atë që dëshëroni ju.

‘’ Quo vadis RTSH? ‘’

Hiqeni perden që ju ka veshur sytë! Hyni në shpirtin e trazuar të këtij populli, të  atyre  që morën arratinë sepse, siç shkruante Shekspiri ( Oh, sa dhimbje! ):

 

Atdhe i mjerë! Trembet kur sheh vehten,

E kishim nënë dhe na u bë varr,

Ku s’qesh vec buza e ndonjë të marri,

Ku s’pyet kush për kë gjëmon kambana.’’

 

Medet! Mijrat e qytetarëve nuk mund t’i ndalojë më asnjë kambanë, asnjë thirrje partie apo shoqate. Kërkuan bukë për fëmijët e uritur, punë për te jetuar, liri dhe demokraci për shpirtrat e ndezura. Ua premtuan por krismat e pushkëve  dhe thirrjet histerike për gjak i zhgënjyen. Ndaj ikën dhe një Zot e di në se do të kthehen më ndonjëherë.

‘’ Quo vadis RTSH? ‘’

Deri dje ke qenë nje papagall i mjeruar, sot je shndërruar në kameleon. Nuk është ky roli i juaj. Hiqeni maskën që ju ka mbuluar fytyrën  dhe vihuni në shërbim të kombit. Këtë kërkon atdheu në këto çaste kaq të veshtira. Këtë kërkon edhe populli i përvuajtur. Dëgjojeni zrin e tij sa nuk është vone!

Diktatura më humbi 40 vjet të jetës time. Ajo ma ndërpreu atë në moshën 15 vjecare, për ta rifilluar përsëri në atë 55 vjecare. Le të shpresojmë se nuk do të ndërpresë më jetë të tjera.

 

Vlorë, më 7 mars 1991

 

 

ODISEA   E   NJË   FISI

 

Ato ishin dhjetë. Tetë prej tyre kishin të njejtin mbiemër ‘’ Ndreu ‘’, mbiemër i njohur në gjithë Shqipërinë.Diktatura i shpërnguli nga veriu në jug. i vrau, i burgosi, i internoi me qëllim që t’i çfarroste. Shifrat janë rrënqethëse. Vetëm pjestarët e familjeve që banojnë në Vlorë (familje të tjera jetojnë në vise të ndryshme të vendit ) kanë bërë 156 vjet burg, 650 vjet internim dhe tre të pushkatuar Ganiun, Avdiun dhe Sabriun.

Ato ishin bijat dhe nuset  e djemve të tyre  që u futën në grevë urije për të protestuar kundër shkaktarëve të gjëmës së madhe që mbuloi gjithë atdheun.

Kush ishin ato?

Vali nuk e prishi traditën familjare. i biri Eduardi pjesmarrës i grevës së urisë të studentëve. i vellaj Qazimi në grevën e urisë të të përndjekurve politikë të Tiranës. Vazhdimësi vetmohimi. Emineja 53 vjecare protestonte për të shoqin Avniun e gjymtuar që rregjimi nuk e la të plotësonte dëshirën e tij për t’u bërë shkrimtar dhe për të cilën kishte aq shumë prirje. Hyrija, Afërdita,Qerimeja dhe Pjereta që fatin e tyre e lidhën me atë të këtij fisi të dënuar. Ato nuk donin që fëmijtë e tyre të kishin fatin e baballarëve Pullumbit, Azizit, Lutfiut dhe Memduit . .Monda me Mozën që me vetmohimin e tyre kërkonin të drejtën e barazisë për veten dhe baballarët e tyre  te shumëvuajtur Rexhepit dhe Baftjarit. .Me to ishte bashkuar natyrshëm edhe Shpresa që sapo ishte kthyer nga Berati ku kishte shkuar për të kërkuar eshtrat e të atit, Ramadan Zdravës, vdekur në qelitë e errëta të sigurimit. E fundit ishte Etleva e vogël 18 vjecare, bija e Etem Brahimit të drobitur nga vitet e burgut

I kam njohur këta njerëz 35 vjet më parë. Më bashkoi me ta idea e përbashket, vuajtjet e përbashkëta. Ishin ato vite kur njerëzit  na shihnin me frikë, bile disa me mosperfillje. Oh ironi! Sa të varfër shpirtrat e tyre!

Nuk dua të shkoj larg në pemën gjenealogjike të ketij fisi. Po e filloj nga shekulli ynë. Gjyshi i tyre Elez Isuf Ndreu, luftëtar i shquar kundër turqve, armik i betuar i serbëve, besnik i parimeve republikane bie në dhjetor 1924 në mbrojtje të lëvizjes fanoliste.

Viti 1946. Atë që nuk e bënë dot serbët, e bëri rregjimi i Enver Hoxhës. i burgosën, i vranë, kullat u a dogjën, tokat dhe bagëtitë ua morrën, i shpërngulën forcërisht me gra dhe fëmijë në zonat e jugut të Shqipërisë. I gjatë dhe interesant itinerari që përshkuan. Filloi në Sllovë, vendlindja e tyre për të vazhduar në Strugë, Ohër, Qaf-Thanë, Elbasan, Berat, Kucovë, Lushnje, Fier, Tepelenë, Vlorë për të përfunduar në Lubonjë. Them interesant se duket e çuditëshme që për të ardhur nga Dibra në Vlorë duhej kaluar nëpër Jugosllavi. Me këtë veprim diktatori donte t’u tregonte padronëve të tij jugosllavë se ai po realizonte atë që ata nuk kishin mundur ta bënin, zhdukjen e këtij fisi të madh. Ai  po u jepte atyre shpërblimin për ndihmën e dhënë kur e vendosën në krye të pushtetit.         Viti 1949. në bangon e të akuzuarve 13 pjestarë të këtij fisi, 11 prej të cilëve vëllezër, bijtë e Cen Elezit. Dëshmitar i akuzës në gjyq, presidenti i ardhshëm i Kuvendit Popullor Haxhi Lleshi. Thonë se edhe sot kur bie për të fjetur i dalin para syve seancat e këtij gjyqi. Atëhere ai dëshmonte:

- Këta janë të gjithë reaksionarë, që nga më i vogli dhe deri te më i madhi. Kështu kanë qenë edhe baballarët edhe gjyshllarët e tyre.

Ndërsa   Xhelali,   zotërues   i   anglishtes,   italishtes,    gjermanishtes,    turqishtes   dhe rusishtes, që më vonë do të shkruante dy drama në vargje, tre romane, dy monografi për jetën e dibranëve, si dhe mjaft poezi, të cilat nuk mundën asnjëherë të shohin dritën e botimit, u përgjigj me krenarinë e dibranit:

- Nëqoftëse kapemi prej baballarësh, ju jeni i biri i Halit Lleshit, personit me gjak të zi serbi, qi për nandë vjet rrjesht ka luftue kundër Dibrës, përkrah forcave serbe që kërkonin me vendosë kufinin në krahun e djathtë të lumit Drin.

Dëshmitari i rremë nuk gjente dot fjalë për t’u përgjigjur.

Sa vuajtje rënduan mbi shpatullat e këtyre njerëzve! Kudo që shkonin ndjenin pas vehtes diskriminimin e tmerrshëm. I diskriminonte shteti me anën e agjentëve të sigurimit, i diskriminonin edhe servilët hipokritë të rregjimit.Po t’i pyesësh ata të flasin me neveri për mësues Enverin që u thoshte vazhdimisht fëmijve të tyre se do t’u shtypte kokën. Por si krye shembull të terrorit ata të tregojnë kampin e tmerrshëm të Turanit në Tepelenë.

- Mathauzeni dhe kampet e tjera naziste nuk ishin gjë para tij.- tregon Azizi i menduar.- Ende i kam parasysh lotët e nënave të pafuqishme përpara fëmijve që u vdisnin para syve për një kafshatë buke. Kujtoj Kec Grimcin që i ngrirë plotësisht në momentin e fundit përmblodhi ato pak fuqi që i kishin mbetur dhe u tha familjarëve te tij

- Mos harroni racionin tim të bukës!

Azizi hesht. Më lutet që këto të mos i botoj, pasi ndoshta ndonjë ditë do të ulet t’i shkruajë më me hollësi. Por unë po i shkruaj. Ato janë gjëra që nuk duhen harruar.

Dëgjoj fjalët e tij dhe para syve më dalin Haliti, Fuati, Islami, Irfani dhe të tjerë burra të këtij fisi që sot nuk jetojnë më. Më del Bexheti të cilit do i shkonte shumë për shtat malsori që Migjeni do ta quante:

 

‘’ Një copë mali e vendosun mbi dy kambë të forta.’’

 

E pra sot kjo’’copë mali’’ mezi qëndron në këmbë. Pesha e rëndë e këtyre viteve i ka dhënë frutet e saj. Megjithatë një gjë nuk ka mundur të mposhtë, forcën shpirtërore dhe besimin e tij.

- Kam një deshirë të madhe - thotë ai - dua që vajza e ime Brunilda të studiojë jashtë shtetit.

Brunilda është nxënëse e vitit të fundit të shkollës së mesme. Rezultatet i ka të shkëlqyera. Njeh mirë italishten dhe vazhdon të studiojë frëngjishten.

A do të plotësohet dëshira e Bexhetit? Apo do të vazhdojnë të mbajnë ende mbi supe peshën e rëndë të diktaturës? Kush do të vërë dorë për ta?

Presidenti, Parlamenti, Qeveria heshtin. Ata vetëm premtojnë. Sa do të vazhdojë kështu? Kjo pyetje kërkon pergjigje.

 

Vlorë, më 28 tetor 1991



(Vota: 4 . Mesatare: 2/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora