E enjte, 28.03.2024, 05:53 PM (GMT)

Mendime

Behar Gjoka: Martin Camaj i ndëshkuar gjuhësisht

E merkure, 30.01.2008, 08:21 PM


Martin Camaj i ndëshkuar gjuhësisht

Nga Behar Gjoka - GSh

Martin Camaj
Në historinë e hershme dhe moderne të letërsisë shqipe, figura e Martin Camajt, aq e shumanshme në kontribute shkencore dhe atdhetare, e veçmas në krijimtarinë e gjerë letrare, ka hyrë në shtegtimin e letrave shqipe dhe ka bërë vend në zgrip të ekzistencës përmes një forme të çuditshme, në heshtje lakmitare, por edhe me një shkëlqim verbues estetik, dhe ashtu siç hyri ka mbetur në nivelin e një rasti specifik. Natyra e veçantë dhe specifike, e shtrirë në morinë e teksteve letrarë, aq të larmë dhe magjikë në sendërtimin e realitetit letrar, përpos tjerash, buron nga gjuha e përdorur prej tij, nga gjuha poetike, e prozës dhe studimeve gjuhësore dhe letrare, e cila formaton vazhdimin e ligjërimit të variantit letrar të gegënishtes, në një nivel të admirueshëm në përqasje me zhvillimin e letërsisë zyrtare, të mbytur në molin dogmatik letrar dhe gjuhësor. Kjo sipërmarrje personale, që realisht tejkalon punën e kryer prej akademive të molepsura ideologjikisht, kaq e plotë dhe e gjithanshme, ka ndodhur me vetëdije të shpallur gjuhësore dhe letrare, me vetëdijen që shpërthen dhe vjen e plotë si dimension, vertikal dhe horizontal, prej njohjes së vlerave shkrimore të këtij dialekti dhe të shqipes në përgjithësi, në diakroni dhe sinkroni, sidomos prej bindjes së thellë se larmia shkrimore është thelb i sendërtimit, vetanak dhe autorial të letrares, është materie letrare e papërsëritshme.
Mërgimi i shkrimtarit jashtë Shqipërisë dhe vendosja fillimisht në Malin e Zi, pastaj në Prishtinë, kryeqendrën e Kosovës, shënon vetëm ikjen e parë nga ky realitet i hidhur, ku partia-shtet po e dhunonte njeriun sistematikisht dhe me bazë diktaturën e dhunës, prej këtij mjedisi absurd, të zhytur në mjerimin e lumturisë së marrë, ku dhunohej çdo ditë qenia njerëzore, e megjithëse dhunohej vijonte krenaria e çmendur. Dhe, ikja e parë ndodhi, kryesisht dhe vetëm për shkaqe politike, e pothuajse pa ndonjë shkas kryesor të shtysave ekonomike, të cilat ishin mos më zi, e prapëseprapë ne ishim krenar dhe të paepur, siç tentohet të shpjegohet pa argumenta ndonjëherë, mjerueshëm edhe ngandonjë shkrimtar, që mjerimin e shumëfishon deri në habi, po sidomos prej rrethanave politike, të pushtetit të palumturisë heroike.
Lëngata dhe dhimbja e pakufijshme e mërgimtarit, dëshiri dhe shpresa për një jetë më të mirë, e shpërndërron veprën e tij letrare në magji malli, brenge të thellë, përgjërate dhe krenarie për vendlindjen dhe dheun e të parëve. Vazhdimi i jetës, si ikanak i përndjekur, në trevat shqiptare, të mbetura jashtë kufijëve shtetëror, mundësoi botimin e përmbledhjeve të para të poetit: ”Një fyell ndër male” 1953, dhe “Kanga Vërrint”, 1954. Aty ndjehet vokacioni i një poeti të fuqishëm, megjithëse toni dhe shprehësia anon kah poetika klasike, por vargu, fjalët dhe ritmika e vjershërimit paraqet një autor të ndryshëm nga poezia zyrtare e Shqipërisë, e cila në atë periudhë kishte kryer aktin e pastrimit të poezisë shqipe prej atdhesisë dhe nivelit artistik dhe kishte zënë fill shkrimi i poezisë parullë, që përndriste fjalën e partisë. Poezia e tij, si sprovë shkrimore dhe emocionale zë kryen e vendit në të gjitha hapësirat ku shkruhet poezia shqipe. Poezia e Camajt, përpos kualitetit letrar, dallohet për ngjyresat e përafërta me gegënishten, mbase edhe për tonin e ngulitun të shkrimit të këtij dialekti, më të hershmit të shkrimit të dokumentuar të shqipes. Shkrimi i shqipes, posaçërisht dialekti i gegënishtes, si shenjëzim gjuhësor dhe letrar shpaloset përmes librave madhorë të Buzukut, Budit, Bardhit, Bogdanit etj, që flitej dhe shkruhej në trojet shqiptare të Kosovës. Fondamenti letrar dhe gjuhësor, që shkrimtari e solli me vete u ngjiz dhe maturua edhe me ligjërimin e ngjyrimeve të gegënishtes skajore, të folmes së saj në Kosovë. Ngjyrat gjuhësore, gegënishtja e përsosur e lëvruar prej tij në poezi, prozë, dramatikë, studimtari gjuhësore dhe letrare, pati rrjedhoja të dyfishta:
Nga njëra anë adhurimi i lexuesve të Kosovës, si poet i formatit të ngritur, që shpërtheu në atë truall, madje si njëri nga talentet e rrallë të letrave shqipe bashkëkohore dhe më gjerë se sa kaq. Formatimi i nivelit të mjeshtrit të fjalës poetike duke e harruar faktin e thjeshtë se jeta rinore, e mbushur me vrullime dhe ndodhi, gjer në moshën njëzet e një vjeçare, lë gjurmë të pashlyera në jetën e njeriut, e sidomos të artistit dhe shkrimtarit. Mosha e artë rinore është ajo pjesë e jetës, që ngulitet në thellësi të shpirtit dhe përndizet sa herë ta lyp nevoja për të derdhur magjinë letrare, si një frymim i vetvetishëm. Shenjat letrare, sendërtuar në poezi dhe prozë, i japin autorit pozicionin e magjistarit të shenjimit të letrares, asaj që shënon Jakobson qysh më herët, letrarja e formatuar natyrshëm në shtjellimin e krijimtarisë poetike, në prozë, dramatikë dhe studimtari.
Në anën tjetër në Tiranën zyrtare, për shkaqe politike, letrare dhe gjuhësore, zë fill ndëshkimi i shkrimtarit, dënimi me heshtje të plotë i emrit dhe veprës së tij letrare, e shpallur në gjallje të shkrimtarit, më vrastare me heshtje mjerane në amshim, pra si një sipërmarrje për të lënë në hije. Ndalimi i këtij autori përmban tre aspekte kryesore, sipas projektuesve të ndalimit, ndalim gjuhësor, sepse ai shkroi variantin letrar të gegënishtes të dënuar prej partisë, ndalim letrar sepse vepra e tij nuk ka qoftë edhe një rresht për fitoret e rendit utopik, ndalim politik që buron prej kundrimit të veprës së gjerë letrare dhe gjuhësore, të vetëdijshme dhe kualitative, si armiqësore. Ndëshkimi gjuhësor, më kryesori ndërmejt ndalimeve erdhi prej faktit të thjeshtë dhe domethënës të lëvrimit të variantit gegënisht në kundërshtim me vendimet e kongresit të drejtshklrimit. Por, në rastin e Camajt, ndëshkimi erdhi edhe për arsye të vlerave të nëjmendta letrare, krijuar prej tij, që lënë në hije pjesën dërrmuese të librave të shkruara në kohën e territ optimist të socrealizmit. Dënimi i këtillë ngjau edhe me dhjetëra shkrimtarë bashkëkohorë, ngjau me Trebeshinën, Xhaferrin, Zorbën etj. Mbase, koha do ta vërtetojë, se në formën më të dhunshme ndodhi me Camajn, sepse mbi të ushtrohet edhe sot e gjithë ditën mallkimi i ndalimit të pohimit dhe pranimit të vlerave të shkruara prej tij, kryekëput vetëm për shkaqe gjuhësore, e po kaq edhe për shkaqe letrare. Shkrimi i variantit letrar të gegënishtes prej Camajt, në atë qasje dhe model shkrimor, vërteton se ky dialekt vijon mbijetesën e vetë edhe në kushtet më të vështira, në kushtet e ndalimit zyrtar. Po kaq thelbësor është fakti se shkrimtari këtë akt, në shumicën e herës, e kreu në vetmi të plotë, në Gjermani. Ky akt shkrimor, i sendërtimit të një realiteti letrar të larmishëm, në poezi dhe prozë, dramatikë dhe shqyrtime gjuhësore dhe letrare, zbulon vetadijen dhe këmbëngulësinë për të vijuar mbijetesën e formantes shkrimore të variantit të gegënishtes.
Në këtë ndërkohë të qëndrimit në trojet shqiptare të Kosovës, autori studion në Beograd për letërsi dhe filozofi, pra duke shfrytëzuar çdo moment në interes të letrares, të njohjes së përvojës botërore, në lëmin e letrave, por edhe të dijeve më të gjera të arritjeve njerëzore. Si për të shpërfillur këto rrjedhoja vjen ikja e dytë, më e madhe se sa e para, vendosja në Itali, pranë mjeshtrit të tregimit në gjuhën shqipe, Ernest Koliqi. Ky bashkë me Mitrush Kutelin hodhën themelet e lëvrimit të porzës moderne në letrat shqipe. Shoqërimi me të, pra me Koliqin, si dhe njohja me vlerat e poezisë italiane, sidomos me krijimtarinë e Ungaretit, bëri që të zgjerohej gama e frymëzimeve, madje të ridimensionohet poetika e Camajt. Të zgjerohej, por pa vdjerr shenjat dhe gjurmët e shpërfaqura në dy librat e parë me poezi. Në këto momente, të një rritje të menjëhershme të aftësive shkrimore, krijimtaria letrare e shkrimtarit njohu zhvillim sasior dhe cilësor, në tituj librash poetik dhe në prozë, gjithnjë në optikën e ligjërimit në gjuhën shqipe të aksit të gegënishtes. Të këtij harku kohor janë librat: “Djella”,1958, “Legjenda”, 1964 etj, të cilët afirmojnë talentin dhe madhështinë e artit të Camajt. Bashkëpunimin e vetë të plotë me Koliqin e ruan seria e revistës “Shejzat”. Pa u mbushur dhjetëvjeçari Camaj bën ikjen përfundimtare, tashmë për t’u ngulur njëherë e përgjithmonë, dhe vendoset në Gjermani. Hapja e degës së Albanologjisë shënon ngjarje të veçantë për kulturën dhe gjuhën shqipe. Pikërisht, në këtë ndërkohje, M. Camaj në lëmin e poezisë mbërriti nivele më të larta, me librat: “Lirika mes dy moteve” 1967, vëllimet poetik “Nema”, “Bualli”, “Njeriu më vete e me të tjerë”, 1978, për të ardhur tek mrekullia poetike “Palimsest”, që të përkujton dhe afron sprovat e magjishme letrare bohersiane. Camaj, vepra letrare kulturore dhe shkencore e tij u shndërruan në gur prove të mbijetesës së variantit të gegënishtes. Në gur prove që e kreu misionin, në mënyrë bindëse, sepse vertetoi se gegënishtja nuk është shuar si ligjërim letrar, madje me veprën tërësore të Camajt, Pipës dhe Pashkut, shenjon kulme të zhvillimit gjithëzhanror. Shenjon kulme që shpëton edhe nderin e humbur të ligjërimit zyrtar të gjuhës së njësuar shqipe, që e ka përjashtuar nga panteoni i vlerave veprën e gjerë të shkrimtarit.
Vepra letrare e M. Camajt, me poezinë dhe prozën, dramatikën dhe studimet gjuhësore dhe letrare, është një provë e ligjërimit artistik përtej ideologjisë dhe metodës së realizmit socialist, madje është kundërvënia më e mirë, pa e shpallur e atij modeli letrar, i cili rrëgjoi shtratin e ligjërimit normal të letërsisë shqipe. Fakti që Camaj boton edhe “Gramatikën e Gegënishtes”, tregon më së miri për një akt të vetëdijshëm në lëvrimin e plotë dhe kaq kualitative të gegënishtes letrare.
Vetëdija shkrimore, aq e këndshme në poezishkrim, por plot finesë edhe në prozë dhe dramaturgji, bëhet shkak për ta kundruar shtrembër mjediset shqipefolëse: Në Tiranë si shkrimtar i çuditshëm dhe arkaik, mbase i panevojshëm, sidomos për letraren e krijuar në periudhën bashkëkohore, duke mos e shprehur hapur mendimin, por duke ia heshtur vlerat letrare.
Ndwrsa në Prishtinë, shkrimtari i Temalit, përfillet veçanërisht për dy vëllimet e para me poezi. Pikërisht, materia e librave të parë, ka bërë që t’i vihet brerorja e poetit të madh, qysh më herët, madje duke bërë lidhjen e shkurtër se vlera poetike i përkon dy librave të parë, shkruar dhe botuar atje. Po prej Prishtine, vjen edhe hipoteza e pagjasshme se Camaj mërgoi për shkaqe ekonomike, kur dihen peripecitë jetësore të kaluara në fshatin e lindjes, si dhe në qytetin e Shkodrës.Pavarësisht këtyre rrethanave, që në raport me artin dhe gjuhën e ligjëruar janë dytësore, Martin Camaj e la atdheun për shkak të pamundësisë për t’u shprehur lirshëm, qoftë në jetën e përditshme, e sidomos në veprën letrare dhe shkencore.
Dënimi dhe ndëshkimi i Camajt për arsye të ligjërimit të gegënishtes është i pagjasshëm jo vetëm në historinë e letërsisë shqipe, por edhe atë të përbotshme. Ky ndëshkim shfaqet në dy pamje. Në gjallje nuk u lejua as t’i përmendet emri, si armik i popullit dhe komunizmit. Për veprën letrare nuk flitej fare, ndonëse nën ethet e përmallimit atdhetar Camaj shkroi poezi të mrekullueshme, tregime e novela, romane dhe drama, esse dhe studime gjuhësore duke e ngritur ligjërimin e shqipes në nivel bashkëkohor me ligjërimin letrar perëndimor.
Në jetën e amshuar, pra kur shkrimtari është i pranishëm vetëm me veprën letrare, me tekstet e magjishme në vargje, prozë e shkurtër a të gjatë, dramën apo shkencën gjuhësore dhe letrare, pohohet se ka ligjëruar në gegënishte, pra në variantin e dënuar, ndaluar me kohë, dhe lihet në hije, gati anashkalohet niveli letrar i shënuar në krijimtarinë e larme.
Qëllimi i të dy ndërkohjeve, pra i gjallimit dhe amshimit, është që nëpërmjet Camajt të goditet njëherë e përgjithmonë gegënishtja letrare, varianti i parë letrar i shkrimit të gjuhës shqipe, po të merret në konsideratë vepra e korifejve të shkrimit të shqipes, qysh me Buzukun, Budin, Bardhin, Bogdanin, si dhe anasjelltas, me anë të gegënishtes goditet Camaj, Pashku, Pipa, padyshim, të gjithë ata që e çojnë ndërmend lëvrimin e variantit të gegënishtes. Kjo alternativë, alternativa e mjerë dhe e çuditshme, pra e ndëshkimit të Camajt për arsye gjuhësore apo i gegënishtes për shkak të Camajt, është tepër dritëshkurtër, përveçse shëmtarake.
Alternativa e ndalimit të Camajt dhe të gegënishtes si gjuhë e letërsisë, gjuhë e poezisë dhe prozës, dramatikës dhe shkencës, kur dialekti verior ka vijuar mbi katër shekuj të jetë gjuhë e kulturës, letërsisë dhe marrëdhënieve tregatare dhe ekonomike, në përmasat gjithkohore dhe gjithhapësinore, do të qe thellim i mjerimit të projektuar në kongresin gjuhësor të vitit 1972, si dhe të materializuar në mediokritetin letrar zyrtar të standartizuar të realizmit socialist.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora