E merkure, 24.04.2024, 01:16 PM (GMT+1)

Kulturë

Libër për Rugovën - Engjëll Koliqi: Dr. Ibrahim Rugova: Arkitekti i Dardanisë së Re

E hene, 23.05.2011, 07:58 PM


Libër për Rugovën

 

Përveç i vlerësuar si president historik i Kosovës, Ibrahim Rugova mbetet një nga penat më të mprehta të kritikës dhe të studimit të letërsisë, nga e cila fushë ai ka botuar disa libra të veçantë, në të cilët autori dhe studiuesi zbatoi një metodologji moderne

 

Nga Ragip Sylaj

 

Prishtinë. Në shenjë nderimi e respekti për presidentin historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova (1944 –2006), autori Engjëll Koliqi ka përgatitur dhe ka botuar librin me titull “Dr. Ibrahim Rugova: Arkitekti i Dardanisë së Re – Republika e Kosovës”. Librit i prin fjala e autorit, ndërsa në vazhdim sillet jetëshkrimi i protagonistit të librit, për t’u përmbushur me materiale të tjera, si nga Rrustem Rugova, i cili sjell kujtime nga fëmijëria e rinia e hershme e dr. Ibrahim Rugovës. Më tej sillen vlerësimet e disa personaliteteve ndërkombëtare dhe shqiptare për figurën e përmendur, por edhe disa nga reagimet e shumta të shtypit botëror, lidhur me vdekjen e tij.

 

Librin e përmbushin edhe disa tekste të presidentit të ndjerë Rugova. Por edhe tekste në nderim të kujtimit të tij, nga ish-presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, kryetari i LDK-së dhe kryetar i Prishtinës Isa Mustafa, zëvendëskryeministri Behxhet Pacolli, ish-kryeministri britanik, Toni Bler.

Faqet e librit pasurohen edhe me vargjet nga pena e Ibrahim Rugovës, vargje që ai i kishte shkruar në rininë e hershme. Për figurën e presidentit Rugova janë thurur edhe vargje nga poetë të ndryshëm, por edhe tekste të ndryshme të këngëve që interpretohen nga këngëtarët tanë, e që sillen edhe në këtë libër. Një profil të protagonistit të përmendur nga këndvështrimi i tij e përvijon edhe kleriku dhe studiuesi dr. dom Lush Gjergji.

 

Libri është i ilustruar edhe me fotograf të shumta dhe si i tillë ofron material të konsiderueshëm për studiuesit e pasionuar që figurës së presidentit të ndjerë t’i qasen nga disa këndvështrime.

 

Përveç i vlerësuar si president historik i Kosovës, Ibrahim Rugova mbetet një nga penat më të mprehta të kritikës dhe të studimit të letërsisë, nga e cila fushë ai ka botuar disa libra të veçantë, në të cilët autori dhe studiuesi Koliqi zbatoi një metodologji moderne. Ndër to janë: “Prekje lirike” (1971), “Kah teoria” (1978), “Vepra e Bogdanit 1675-1685” (1982), “Kahe dhe premisa të kritikës letrare shqiptare 1504-1983” (1986), “Refuzimi estetik”, (1987) etj. Ndërsa libra monografikë të karakterit studimor për personalitetin dhe veprën e Ibrahim Rugovës kanë botuar studiuesit e letërsisë: akademik Sabri Hamiti, Kujtim M. Shala, Vehbi Miftari etj. Librin “Dr. Ibrahim Rugova: Arkitekti i Dardanisë së Re – Republika e Kosovës”, në fund të të cilit sillet edhe bibliografia, e botoi “Rugova Art”, Prishtinë, 2011 dhe ka 397 faqe.

 

CITAT: Libri është i ilustruar edhe me fotografi të shumta dhe si i tillë ofron material të konsiderueshëm për studiuesit e pasionuar që figurës së presidentit të ndjerë t’i qasen nga disa këndvështrime



(Vota: 8 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora