Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Moikom Zeqo: Bajroni dhe shqiptaret

| E merkure, 30.01.2008, 06:07 PM |


Nga Dr. Moikom Zeqo

Dua të kumtoj diçka parake, duke sfiduar parimin e kronologjisë. Jetët vetiake të poetëve strukturohen nga kronologjia (hapjen dhe mbylljen e jetës fizike). Arti ndonëse ka koordinata dhe nuk mund të shpëtojë nga rroba e kalendarit, megjithatë nuk i nënshtrohet parimit të kronologjisë. Meqenëse tema për një ndërlidhje të bajronizmit me Shqipërinë është tejet konkrete dhe e qartë unë dua të lëviz në kah të kundërt të kohës,për të krijuar një lloj zanafille më të kryehershme të vetë dukurisë letrare artistike,të quajtur konvencionalisht bajronizëm. Qëllimi është që të ndërlidh tri rrafshet e bajronizmit, rrafshi anglez, atë botëror dhe atë shqiptar. Ky trinitet tematik është i ndërthurrur mrekullisht, por jo pa ndërlikime të vetëkuptueshme. Duhet të kumtoj se lidhjet e shqiptarëve në mesjetën e hershme me kulturën e Anglisë janë shumë pak të studjuara. Milan Shuflai na thotë se në qytetin e Raguzës në shek.XIII ekzistonte një statujë, që përfytyronte mbretin Artur, të famshmin e kalorësve zodiakorë të Tavolinës së Rrumbullakët. Studjuesi Kolë Luka thotë se edhe në antroponimet e shqiptarëve, jo vetëm në Raguzë por edhe në vise të tjera të Shqipërisë së Veriut, ndeshen emra të eposit poetik anglez, gjë që mund të shpjegohet me lëvizjet e mëdha dhe iteneraret e shqiptarëve në Ballkan dhe në Shqipëri.

Akoma më skajshem dua të them se në vitin 1108 një kalorës anglez i quajtur Robert Monteforti, nëndukë i normanëve dhe i anglezëve u largua më 1107 nga Anglia, erdhi në Apuli të Italisë dhe vdiq në Ballsh të Shqipërisë mbas një viti. Arkeologu austriak Kamilo Prashniker, ka gjetur gurin e varrit të tij në Ballsh me një poezi epitafike në latinisht me vargje leonid. Në këtë poezi thuhet “këtu është varrosur Robert Monteforti, i hijshëm në trup, trim në armë, burrë bujar, nëndukë e normanëve, që në krye të tyre dhe të të gjithë anglezëve, në moshën më të bukur të rinisë e braktisi botën,(dunque inventutis dives floreret in annis deseruit mundun), duke kërkuar varrin e Zotit, vdiq këtu i ri, kur Dielli lindi për të katërtën herë në yllësinë e peshores. Të dhëntë o Robert, Mbreti i Parajsës gëzimet e veta”. Duket sikur kemi sipas thënies biblike “ai ishte shumë më përpara se sa të lindte” një motiv bajronian. Ky Robert Monteforti është një arketip i Bajronit, ai e ka braktisur Anglinë si Bajroni, aventura e tij është tërësisht në trojet shqiptare, ku ka qenë edhe Bajroni, ka vdekur i ri si Bajroni dhe për më tepër është varrosur në Shqipëri. Kjo është shumë e çuditëshme për të treguar në shekuj atë instikt tipologjikisht anglez, të kombit ishullor, që siç e ka vërejtur Borgesi është “Largimi nëpër det”. Natyrisht nuk mund të flasim për një bajronizëm tipij, për më tepër se vetë Bajroni ka lindur 6 shekuj më vonë, por hollëistë e mjedisit dhe analogjitë janë tepër ndihmuese dhe horizonthapëse. Nëse Horaci thonte “Carpe diem”, çka ka të bëjë me gëzimin dioniziak,epikurist të shijimit të jetës, edhe prirjet poetike antike të “neveritjes së jetës” të pikëllimit kozmik, janë si një magmë, si një nebulozë shumë më përpara se sa të lindte Bajroni dhe të farkëtohej formula kulturore dhe shpirtërore e bajronizmit. Të flasësh për bajronizmin nuk është e lehtë. Më saktë nga të gjithë është shprehur për këtë vështirësi tipologjike poeti ynë Fishta.

Fishta ka shkruar : “Edhe fjalët janë sende, thotë Bajroni, e një cirkë e vogël melani a se mereqepi i ri si një cirkë vese mbi një mendim ban me mendue mija e mija ndoshta miliona njerëz”.
A nuk jemi duke menduar të gjithë së bashku për Bajronin dhe bajronizmin sot? Jemi 200 vjet më pas kur Bajroni botoi këngët e para të kryeveprës së tij, ku përmend Shqipërinë dhe shqiptarët. Bajroni është një emër emblematik. Ai i përket një kulture të madhe ku kanë depërtuar motivet shqiptare gjatë shekujve. Kështu teologu filozof Beda Venerabilis, të cilin e citon Bogdani tek “Çeta e profetëve”, përmend të krishterët në Iliricum Sacrum. Më 1596 poeti anglez Edmund Spenser në kryeveprën poetike “Mbretëresha e zanave” bën një shtegtim moral ashtu si Bajroni bëri një shtegtim gjeografik më vonë. Spenser paraqet të 12 virtutet morale të etikës së Aristotelit në trajtat e heronjve alegorikë, që kryejnë aventura të ndryshme. Konica citon vargje të Spenserit, ku përmenden shqiptarët. Në këngën e dytë të kryeveprës së Spenserit spikasin dhe vargjet “dhe mëngët të varura prapa, në mënyrë shqiptare”. Shekspiri është i pari, që permend emrin e Ilirisë te “Komedia e gabimeve” si dhe jep një pejsazh të përfytyruar të brigjeve të Epidamnit. Ai rikonstruktoi në mënyrë të lirë motivet e komedisë së Plautit “Menehmët”, subjekt komik dhe grotesk, i shtjelluar në Epidamn, në Durrësin tim. Edhe poeti vizionar Bllejk, përmend Albaninë si dhe një figurë kabalistike, që ai e quan Albion Kadmi, si një figurë para Adamit biblik. Dihet se Kadmi i Tebës shtegtoi tek enkeleasit, u bë mbret i tyre dhe lindi në brigjet e Ohrit djalin e quajtur Ilir, emri i të cilit u bë eponim i ilirëve të lashtë. Në të vërtetë poezia e Bllejkut, pa përjashtuar edhe atë të Bërnsit, paraqesnin paradokse kronologjike, këto poezi të të dy autorëve shtjelloheshin në prag të romantizmit, por shumë motive të tyre janë quajtur dhe si pasromantike. Bllejku dhe Bërnsi mund të shpjegojnë disi vetë Bajronin. Por Bajroni arriti të krijojë artin e tij botëformues në imagjinatën e rebelimit si rrallëkush në botë. Ai erdhi në Shqipëri për të mos u larguar kurrë prej saj në të gjitha kuptimet. Kryevepra e tij “Çajd Harold”, pati ngjizje midis përshtypjeve dhe mbresave edhe të shqiptarëve. Letrat e tij dërguar nënës dhe miqve shpjegojnë shumë elementë laboratorikë të konceptualitetit të romanit poetik bajronian. Kohët e fundit studjuesi arvanitas Etien Toshek, ka bërë një përmbledhje të detajuar të këtyre letrave, që flasin për Bajronin si shqiptarofil i madh. Bajronizmi u bë një stil, mënyrë shpirtërore e të menduarit në shekullin e XIX. Bajroni qe një nga magët e mëdhenj të romantizmit evropian. Sindroma e romantizmit është e ndikuar nga lëvizjet kalodoiskopike të Evropës në këtë shekull. Revolucioni francez u bë heraldika shpirtërore e lirisë. Zbulimi nga Herder mbi pasurinë kolosale të poezisë popullore të popujve qe gjithashtu një adrenalinë artistike. Poezia u mbiquajt “Gjuha amtare e racës njerëzore”. Poetët u bënë apostolues të lirisë dhe të principeve të mëdha të romantizmit. Malli romantik projektohej në lartësi të dyfishtë: gjeografikisht priret nga lindja, në pikëpamje të kohës nga mesjeta. Ky nëntekst i fundit përbën kontrastin midis klasiçizmit dhe romantizmit, sepse klasiëkt anonin nga bota antike. Ky është një kontrast artistik por edhe fetar, pa përjashtuar edhe atë laik. Klasikët adhuronin paganizmin politeist greko-romak, kurse ringjallja e mesjetës nga romantikët lidhej edhe me adhurimin e katolicizmit dhe të simboleve të tij si p.sh. te Shatobrian, apo të eksazës mistike të Lindjes si p.sh te Novales. Romantikët anglezë si Bajroni dhe Shelli, pa mohuar Kitsin kishin karakteristike ndrrimin, zhvilluan një kozmopolitizëm luftarak, pa kompromis, duke i dhënë një përmasë kozmike romantizmit. Romantizmi francez, zotërohet nga lufta për idenë e lirisë dhe të drejtave të njeriut. Romantizmi gjerman ka konfliktin e jetës së përbrendëshme të individit, dramën e njeriut kundrejt mjedisit. Gëtja i madh, duke mbështetur filozofinë e Herderit për kulturat popullore si një vllazëri universale, shpiku termin “Letërsia botërore”, ku përkatësia etnike e poetëve nuk kishte rëndësi absolute. Gëtja, që admiroi Bajronin, megjithatë qe ai që tha “klasike unë quaj të shëndoshën, romantike të sëmurën”. Në të vërtetë Fausti, i Gëtes është i ravizuar si një kryehero romantik.

Një dyzinë të tillë kontradiktash ka edhe Hamleti i Shekspirit. Të ngjajshëm dhe të veçantë janë dhe heronjët poetikë të Miskeviçit, Pushkinit, De Radës dhe Naim Frashërit. Janë studjuar dallimet midis romantizmit të De Radës dhe Naim Frashërit. Me të drejtë është thënë që ndikimi bajronian është i lexueshëm. Le të vijmë tani tek sendëzimi dhe konkretizimi i bajronizmit në Shqipëri. Këtë temë e ka studjuar nga pikëpamja bibliografike miku im Afrim Karagjozi. Duke mos përsëritur argumentet e tij të regjistruara qartë, unë do të kumtoj disa zbulime vetiake të mijat, për bajronizmin tek shqiptarët, si një nënshtresë, ap substrat poetik inkadeshent dhe i pavdekshëm. Themeluesit, kjo fjalë duhet vënë në thonjza e bajronizmit në Shqipëri janë të shumtë dhe për fat të mirë spikasin ata të elitës letrare shqiptare. I famshëm në këtë hulli është De Rada. Romani i tij poetik “Këngët e Milosaos” ka një bajronizëm, ku mungon dimensioni i shtegtimit, përkundrazi, brenda konceptit të ngujimit të identitetit Milosao vdes në luftën për liri dhe poezia epigramatike e fundit të Milosaos, ku rrëzohet hija e lisit na kujton vetë vdekjen e Bajronit në Misolongj. De Rada sikur shkruan për këtë vdekje të dyfishtë dhe hija që rrëzohet duhet të jetë patjetër hija profetike e Lisit të Dodonës. Të shumtë janë shkrimtarët shqiptarë që kanë shkruan për Bajronin. Sami Frashëri, Kullurioti, Jani Vreto, Faik Konica, Dora d’Istria, Zef Serembe, Domeniko Mauri, Asdreni, Kadare, Agolli, etj., janë mbështetur tek figura ndriçuese pishtarmbajtëse e Bajronit. Të tjerë studjues me emër e kanë trajtuar bajronizmin tek shqiptarët me legancë dhe erudicion si Gustav Majer, Xhozefina Knor, Zef Arapi dhe veçanërisht Fan Noli. Nga Fan Noli kemi dhe këtë shqipërim:
Sa i tmerruar për vdekje është zemërimi i tyre
Aq e sigurtë është miqësia e tyre
Kur mirënjohja dhe trimëria i shtyn të derdhin gjakun
Sulen pa frikë kudo që t’i shpjerë prijsi.
Po ndalem konkretisht tek disa fragmente te Çajd Haroldit, që lidhen me Shqipërinë. Bajroni përmend Aleksandrin e Madh të Maqedonisë, ai i beson Gibonit, që e quan Aleksandrin e Madh si dhe Pirron e Madh të afërt me origjinën shqiptare. Në këngën e IV-t Bajroni përmend episodin kur Aleksandri i Madh vret në pije e sipër mikun e tij më të ngushtë, Klitin ilir, episod i treguar nga Rrufus. Në Këngën e I, Bajroni përmend kroin e Kastalisë pranë Orakullit të Delfit, të lidhur me një tjetër orakull pellazgjik të Zeusit pellazgjik sipas Homerit atë të Dodonës. Për më tepër Bajroni flet dhe për krua tjetër profetik në rrëzën e lisit të Dodonës, mbështetur mbi “Eneidën” të Virgjilit, Kënga e III, vargu 466. Në mënyrë më të detajuar, duhet të ndalem në ndikimin e Bajronit te vepra e Naim Frashërit. Te poema “Bagëti e Bujqësi” janë dy copëza, që të kujtojnë vargje të veçantë të Bajronit të imituara deri në hollësi nga Naim Frashëri. Kështu Bajroni në Këngën e II të Çajld Haroldit ka dhe këto vargje : “T’u ngjitesh fill maleve pa shtigje, nëpër kopetë që s’dijnë ç’është vatha, s’është vetmi por meshë më natyrën”. Po në këtë Këngë të II Bajroni përshkruan një pejsazh malor, ku “udhëtari gostitet dhe nuk ikën i mërzitur, kur di t’i çmojë mirë hiret e Natyrës”. Si dhe më poshtë shënon : “në skërka dhitë po gjërmojnë krënde, dhe duke rruajtur grigjën e shpërndarë, bariu djalosh me gunën krahëvet, rri pshtetur mbi një gur a shkon në strofkull, e pret shtrëngatën jetëshkurtër të pushojë”. Nuk dua të zgjatem dhe të tregoj vargjet analogë te “Bagëti e Bujqësi”. Bajroni ka ndikuar posaçërisht tek Mjeda dhe Gjergj Fishta. Të dy këta poetë shqiptarë janë mahnitur nga “Kënga e lamtumirës”, që ka Bajroni në pjesën e parë të “Çajld Haroldit”. Edhe Mjeda edhe Fishta kanë ruajtur ritmin dhe detajet e klithmës së lamtumirës bajroniane nga Anglia. Fishta është ndikuar më shumë se sa Mjeda sepse perdor edhe strofën me 8 vargje të Bajronit, të quajtur “Otava Rima”. E çuditëshme është që në Këngën e IV të “Çajld Haroldit”, Bajroni përmend me admirim dhe Xhorxh Washingtonin. Të njejtin motiv për Xhorxh Washingtonin e përdor dhe Mjeda te poema “Liria”.
Ndikimi i Bajronit tek De Rada është akoma më i madh dhe i veçantë. Në shënimet autobiografike të De Radës, thuhet se poeti arbëresh e ka shkruar poemën e tij “Odisea” gjatë kohës që lexonte poemën “Korsari” të Bajronit. Edhe Milosao është një hero bajronian, por ajo që nuk është thënë në studimet mbi De Radën, është se Serafina Topia në romanin poetik eponim është një figurë bajroniane, por feminile. Heronjtë romantikë pra dhe bajronianë janë mashkullorë, herë herë të vrazhdë dhe i mungon respekti ndaj feminitetit, madje janë të prirur edhe për inceste dhe homoseksualizëm. De Rada ka krijuar personazhin e papërsëritshëm të Serafina Topias, një intelektuale e ditur dhe e hollë e ngjajshme me Ana Komnenën e Bizantit në shek.XI.
Një personazh të tillë femëror përveç De Radës ende nuk e ka krijuar letërsia shqipe. Ky është një motiv emancipimi i pashembullt. Themeluesit e bajronizmit në Shqipëri mund të klasifikohen në dy lagje: lagja e parë ka të bëjë me shkrimtarë dhe publicistë shqiptarë, që e kanë përmendur Bajronin, apo kanë botuar pjesërisht framente të vogla të krijimtarisë së tij.
Lagja e dytë përfaqësohet kryesisht nga përkthyesi i mrekullueshëm Skënder Luarasi, i cili ka përkthyer kryeveprën e plotë të Bajronit dhe mund të quhet me plot gojën “Qytetar Nderi i Bajronizmit Shqiptar”. 200 vjet pas botimit të “Çajld Haroldit” nga Bajroni ne shqiptarët mund të meditojmë për një mirënjohje më të madhe ndaj tij. Bajroni është padyshim talenti më i madh evropian, që shkroi mrekullisht për shqiptarët, por dhe i pari dhe deri më sot i vetmi, që krijoi formulën konceptuale për karakterin tipologjik të shqiptarëve, të cilëve “nuk u mungojnë virtutet, veç t’i kishin më të arrira”. Kemi të bëjmë me një sintezë analitike dhe një simbol shpjegues, që e ruan vlerën kuptimore edhe sot, ndoshta edhe për të ardhmen, pa mohuar procesin progresiv të emancipimit tonë kombëtar dhe shoqëror. Bajroni nuk mund të harrohet nga shqiptarët sepse i deshi shqiptarët, kur shumë pak personalitete, qenë të bindur për këtë gjë. Shqiptarët nuk mund t’a harrojnë Bajronin sepse është e pamundur të harrojnë vetveten.