E enjte, 25.04.2024, 01:55 AM (GMT+1)

Faleminderit

Aleksander Moisiu “Nënë, po më helmoni jetën”

E merkure, 30.01.2008, 09:04 PM


Oliverta Lila - GSh

Ai nuk ishte vetëm i papërsëritshmi i skenës. Jashtë saj, në orët kur i zhvishte kostumet e roleve botërore, jetonte brengat, tallazet, pendimet dhe dhimbjet që nuk tjetërsoheshin. Para se të ishte aktor, Aleksandër Moisiu ishte njeri. Ndërsa jeta e tij një subjekt i përkryer i një drame që nuk iu shfaq kurrë publikut. Këtë nuk e rrëfeu dot. E ndërsa endej nga një skenë në tjetrën, në salla të mbushura plot ku u jepte jetë personazheve tragjikë, ai mbeti gjithnjë i lidhur shpirtërisht me familjen e tij. I takonte shumë rrallë, por ishte i “robëruar” prej tyre. Vuante vazhdimisht shqetësimin e një familje të ndarë, ndante me ta dhimbjen, e prekte çdo fantazi e tepruar e nënës dhe e motrave ndaj tij. Mes rreshtave që ndër vite flasin për suksesin e madh të aktorit me origjinë shqiptare, gjen shumë pak ose aspak të filtet për të si njeri. Çfarë bënte ai kur perdet uleshin e fikeshin dritat? Çfarë mendonte thellë në shpirt dhe sa e ndjente gjakun që i kalonte në deje, për të cilin thoshte se është gjak shqiptari? Një letërkëmbim prej 24 letrash e kartolinash që Aleksandër Moisiu ia dërgonte prindërve e motrave të tij zbulojnë këtë anë të panjohur. Janë me shkrimin e tij të dorës e të firmosura me emrin e shkurtuar Aleks apo edhe me iniciale. Nisen në emër të nënës apo të motrave nga adresa hotelesh të qyteteve italiane dhe gjermane ku ai lëvizte për të dhënë shfaqje. Prej vitesh ruheshin me origjinalitetin e tyre në muzeun teatror “Carlo Schmidl”, Trieste, ku edhe janë zbuluar nga dr. Sali Hidri, arkeolog dhe historian durrsak. Ky fond letrash(që përbën vetëm një pjesë të letërkëmbimit të tij me familjen) ka qenë një nxitje e madhe për dr. Hidrin që të kërkojë të dhëna dhe materiale arkivore që flasin për anën njerëzore të Aleksandër Moisi Moisiut, aktorit me origjinë shqiptare nga i ati. Prej vitesh, çdo mëngjes, ai shkon të punojë në “Shtëpinë Muze” ku Aleksandri kaloi pesë vite të fëmijërisë së tij(1884-1889). I ati i tij(sipas Hidrit quhet Moisi dhe jo Kostandin) me një pjesë të familjes u shpërngul në Durrës, ndërkohë që gruaja e tij Amali me fëmijët e tjerë qëndroi në Trieste. I vogli i nëntë fëmijëve, Moisiu do të kalonte në qytetin bregdetar vitet më të bukura të fëmijërisë, aty ku “mësova të lexoj e të shkruaj shqipen e babës”. Kujtimet do t’i merrte me vete e bashkë me to një pjesë të karakterit shqiptar. Pas një pune më shumë se 10 vjeçare, këto letra, por edhe materiale të tjera dokumentare që dëshmojnë jetën e aktorit me origjinë shqiptare, dr. Hidri i ka hedhur në faqet e një libri të titulluar “Aleksandër Moisiu- Mes Triestes dhe Durrësit, Epistolae”. “Arsyeja dhe, mbi të gjitha, dëshira ime, është ta paraqes Aleksandrin në gjirin familjar, në nostalgjitë e tij për të dy qytetet, atë të lindjes, Trieste, dhe atë të fëmijërisë, Durrësi, si dhe letërkëmbimin e tij me nënën, babain e motrat”, tregon Hidri në një bisedë të gjatë për figurën komplekse të Aleksandër Moisiut. Letërkëmbimi përbën materialin bazë të këtij libri, ndërkohë që pjesë e tij është edhe një album fotografish(disa të botuara për herë të parë) e dokumentash. Një CD me regjistrime zanore të Aleksandër Moisiut që shoqëron librin, nxjerrë nga disku austriak “Alexander Moissi”, risjell në kujtesë zërin e këtij korifeu të skenës.

Letrat

Janë 24 letra dhe kartolina që aktori me origjinë shqiptare ai dërgonte nënës dhe motrave të tij. Të gjitha të shkruara italisht. Materiale të hershme dhe vet kujtimet e tij, dëshmojnë që ai dinte shqip, por mbetet enigmatike se pse nuk ka asnjë letër të tillë. Nuk janë shumë, por as pak për të zbuluar një anë tjetër të tij. Në fletët e këtyre letrave, që në disa raste janë edhe të dëmtuara, gjejmë një botë të thellë shpirtërore të Aleksandër Moisiut. Një botë e mbushur me shqetësim e brenga të përhershme. Ato janë një dialog dramatik që Aleksandri shkëmbente me familjarët e tij. Mes tyre ka vetëm një letër dërguar babait, me të cilën fillon edhe letërkëmbimi. Mban datën 23 dhjetor të vitit 1893. Përmes saj ai i bën urime të përzemërta për Krishtlindje të atit nga Graci ku ai ndodhej për studime. Një ditë më vonë, një letër të tillë ia ka nisur edhe të ëmës, çka dëshmon që prindërit e tij jetonin të ndarë. E fundit, drejtuar motrës Sofi mban vitin 1934. Plot 41 vjet komunikim. Nuk ka asnjë letër për vëllezërit. Në këtë arkiv Hidri nuk ka gjetur as ndonjë letër dërguar atij nga familja. Këto nuk kanë munguar, por nuk dihet se nëse mund të ruhen dhe ku. Vet fjalët e Moisiut tregojnë se ai merrte urime për premiera të sukseshme e njoftime shqetësuese nga familja e tij. Nënës dhe motrës Sofi i adresohen shumica e këtyre letrave. Në të shumtën e rasteve brendia e tyre është e dhimbshme. Ai gjithnjë flet me brengë për një problem të rëndë të familjes së tyre. Ato, nëna dhe motrat janë shqetësim i përhershëm për të. Rropatet mes fjalëve të qetësojë “fantazitë e tyre të tepruara” dhe vuan gjithnjë e më shumë. Ai është rob i tyre. E ndonjëherë këtë ndjenjë e shpreh deri në nota proteste. “Më lodhët!”, “Më helmuat jetën...”, shkruan mes rreshtave. Nga fitimet e shfaqjeve ai u nis gjithmonë një rrogë mujore. Që në fillim të letrave të tij, njofton nënën dhe motrat se i kishte nisur 1000 liretat apo se do t’ua niste sapo të merrte honoraret. U shkruan atyre nga hotele ku mbërrinte për premiera, por edhe nga qendra të shumta kurimi e sanatoriume. Shkonte aty për të marrë kurimin e turbekulozit e më pas kthehej në skenë. Letrat e tij e tregojnë kokëfortë ndaj kësaj sëmundje. Nga ana tjetër ka gjithnjë tone shqetësuese për nënën dhe motrat, që me sa duket janë të prekura po si ai. Nga ky letërkëmbim nuk del e qartë se çfarë e mundonte kaq shumë aktorin e madh. Por sigurisht që deri në fund e vuajti idenë e një familje të ndarë, pavarësisht se me ta ndante edhe fitoret dhe frytet e punës së madhe që bënte. Por ai sakrifikoi vazhdimisht për familjen e tij. E këshillonte nënën që të shkonte në qendrat më të mira kurative, ndërsa vet neglizhonte vazhdimisht ndaj turbekulozit që i ishte shfaqur që në vitin 1907. Ditët e fundit tij qenë plot vuajtje. “Tabela e temperaturës e pacientit Moisiu”, e mbajtur në klinikën e spitalit vienez, midis datave 16-21 mars 1935 tregon gjendjen e rënduar të tij. Temperaturën që luhatej deri në kufijtë maksimalë nuk e kontrollonin dot qetësuesit që merrte në doza të mëdha. Në vijat e këtij grafiku që shënonte luhajtjet mes jetës dhe vdekjes, Aleksandër Moisiu, në orën 7.30 të mbrëmjes së 22 marsit 1935 mbyll sytë. La pas kujtimin e një aktori të papërsëritshëm të skenës dhe të një njeriu me botë të madhe, ilidhur përjetësisht me familjen.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora