Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Zeqir Lushaj: Gjogu i babës

| E diele, 22.05.2011, 06:58 PM |


Pasjoni i fëmijërisë, nuk u shqitka lehtë. NJ,USA 2008 (Foto: Vincent Montagna)
Pasjoni i fëmijërisë, nuk u shqitka lehtë. NJ,USA 2008 (Foto: Vincent Montagna)
GJOGU  I BABES

-Ngjarje e jetuar…,në moshën time,10-vjeçare-

 

Nga Zeqir Lushaj

 

E shihja çdo ditë,dhe,çdo ditë më dhimbsej gjithnjë e më shumë.

 Dikurë, ka qënë ëmnes për mirë. Si gjogu i Filanit,-thoshin mileti. Çdo ditë kashagitej me kujdes .Edhe jelet e bishtin ja shkrehshim me kënaqësi,ja bajshim-gojfil! Lene ma,bari e sana ma e mirë,lene ma,tagjia në darkë e një strajcë plot galinxha,me vete për rrugë…Po zilja në qafë? Po tufët e qendisura e pasqyra në ballë ? Po shala me shilte,e thirrja nëpër dasma? Sa nuset e reja e kanë marrë rrugën e martesës,mbi shpindën e gjokut tim…!

  Sot,ka mbet si i shkret. Mezi endet rrethit oborrit.Këmbët i merren. Kokën e mban ulët….Ka filluar ti vijë edhe një erë e keqe…Hej,zot,si është katandisë Ai,ish gjogu i famshëm!

  Një ditë,e morëm ngadalë dhe e përcollëm deri në Arat e Epra. Rreth 500 metra larg shtëpisë. Atje,ishin korrur arat e,për të hangër në ponove kishte boll. Po,kush të hante? Ai,ish-gjogu i pashoq ,tani mezi ecte. Dikush tha:- Lereni atje ,tek arat ,te  Kisha. Ndoshta,ndonjë natë e han edhe ujku…-Ai,ska pse hyn ma në dimër. Se,nuk del ma në verë !

    Atje e çuam,atje e lam. E shikoja çdo ditëme dhimbsej.Fort më dhimbsej.E kam dashur shumë at gjog. Ai ishte tepër i pashëm,i fuqishëm,fisnik e krenar.Në shpindën e tij,sa e sa herë jam ngjitur deri lart në bjeshkë,ne Morajë e në Shtyllë të Grisë. E kam nëpër vjersha…!

   …Aty,në ara të Epra,te ara e Vrellës,u gdhi dhe u ngrus rreth dy javë. Ashtu , cullak ,

(i xhveshur), për gjynah.Pa samar as shalë,pa fre as kerpesh,pa zile as pa patkoj në këmbë! Të gjitha i ishin hequr. Veç shpirti,akoma bënte vend brënda atyre brinjëve të thata. Skishte ma grazhd,skishte ma tagji. Ditë-natë,vetëm,nën qiellin e hapur të asaj vjeshte të vonë!

   Kur,çtë shoh ? Një ditë,rreth akshamit,kish lënë arën e ish filluar me një çapitje tejet të lodhur e të ngadalëshme,drejtë shtëpisë.Tërë natës në vazhdim ,kish pas udhtuar,jo më shumë se 150 metra. Kish dalë në drumin e fisit,afër prronit të Gjollëve. Ecte në të tijen e pleqrisë , me ritmin e stërngadaltë. Që të mos rrëzohej. Që të arrinte diku. Kish edhe ai,një ide,një qellim…!

       I thirra babës dhe i thash se,- po vjen gjogu.

      -Ani. Mos e ngucni,babë. Po vjen të shtëpia.Tani,ai po e ndjen se nuk do të jetë ma. Nuk don që ti mbeten kockat atje larg,don të jetë në oborrin e shtëpisë së tij…!

    Babai fliste,e Unë,vertetë dridhesha në shpirtin tim nga ato fjalë.

   …Ditën e dytë,në darkë,gjogu i rraskapitur,arriti në oborr. U ndal,mbas shtëpisë,në një lëndinë të vogël,tu lama,siç i thoshim,se aty viheshin ushqimet e dimrit. Ju afrova me kujdes. Ja preka jelet,ja lëmova e kruajta bollin e gjatë!...(Për mua,gjogu e kish fituar betejën e jetës ! )

   E kthej shikimin nga Unë. I tejlodhur,dashamirës. Mu duk se…,po më falënderonte.

   I thashë:- “natën e mirë ,-gjogu im i dashur ! Bane shumë gajret që erdhe tu shtëpia jote. Na ban hallall gjog,se të kemi munduar jo pak në jetë. Me mundimin tënd kemi mbajtur shtëpinë,me mundimin tënd,jemi rritur. Qofsh i bekuar gjagu im i mirë,gjogu im i bardhë!

  E preka lehtë,shumë miqësisht në shpatullë dhe…,u futa brënda.

 …I tregova babës për këtë veprim me gjogun dhe,Ai,më përqafoi:

-Shumë mire, babë,shumë mirë ke ba. Brravo! Edhe ai,ka shpirt…,shpirt,sikur Njeriu.

!

 Të nesërmen në mëngjes,dola më heret së ditët e tjera në lamë.

 Në lëndinë,ishte shtrirë,sa gjërë-gjatë,trupi vigan,i pajetë,i gjogut të babës,i gjogut tim.                               

 

Shenim: Në kujtim të gjogut tim të bardhë,për të cilin lexuat me lart,u fotografova me këtë vraç të zi,

(me lejen e pronarit ),që kish ardhur afër punës time,për një ceremoni (të rëndësishme) mortore.

 

                                       ./.