E enjte, 25.04.2024, 06:04 PM (GMT+1)

Kulturë

Rexhep Kasumaj: Kryeheroi ynë historik

E shtune, 21.05.2011, 07:57 PM


Skicë-portret

 

KRYEHEROI  YNË  HISTORIK

(Bëmat e gjëmat e tij)

 

(Popujt e Gojëve, thotë seanca e 6-të e Procesverbaleve të Pleqësisë Sioniste, ndërtojnë Republikën e tyre në dy etapa: e para, i përgjason ditëve të para të njeriut të çartur e të vërbuar, i cili hidhet me dëshpërim majtas-djathtas,  dhe e dyta, është demagogjia, e cila lind anarkinë që, nga ana e saj, shpie doemos në despotizëm...të fshehtë, të panjohur dhe të padukshëm e që punon me cinizëm..!” E, i madhi ynë Sali, i ka dhënë tashmë dëshminë brilante përbetimit apo fatthënies së tillë. Që moti Republika e prirë prej tij është dorëzuar në kthetrat e kadifenjta të cinizmit dhe demagogjisë.)

 

Nga Rexhep Kasumaj

 

Kryehershëm, ashtu si të gjithë e dijnë dhe ndjejnë çdo ag, se janë një ditë më afër Sheolit, më vinte ndonjëherë si pëshpërimë pyetja e torturshme:  përse, o Zot, njeriu është i pafuqishëm ndaj mortit dhe, sidomos, përse të tillë, të vdekshëm fizikisht janë njerëzit e mëdhenj?! Së paku ata, duhej të kishin kalendar tjetër, jashtë programit biologjik të këtejbotshëm.

Këtë mendoja në një prej këtyre ditëve të zjarrta zgjedhore në Shqipërinë tonë. Sa me fat ka qenë ky popull tash 20 vjet. Kjo ishte periudha e tij e artë në histori. Njerëzit e mëdhenj i prodhon koha  - por dhe ata i japin asaj shenjë dhe emblemë të mbikohshme: e ndryshojnë, bardhësojnë dhe e lumnojnë atë! Por shpjegimi ndër vite ishte i mundimshëm dhe përplot mister që, siç supozohej bestytshëm, ruhej e kuptohej vetëm nga mëndja e Epërme!..

 

Zbulesa!

Mirëpo, prurjet e dijeve, edhe në këtë sferë mjegullore hodhën hap e dritë të re, duke shkundur dogmën e ndryshkur. Altruistët janë, njëmend, fenomenë të veçantë në këtë rend të papërkryer tokësor. Po ç’lidhje, ç’paralele imanente ka, vallë, mes tyre dhe heroizmit? Lidhja kohezive ngjan të jetë e dyllojtë: heronjëve negativë që i kanë vënë damkë keqësie shekullit të tyre, iu ka munguar, me sa duket, ndjesia altruiste. Të tillë do të jenë të shumtë në historinë politike të botës: që nga Kaligula i mnershëm, sulltanët e Bosforit, carët e stepave, fyhrerët antisemitë e deri tek ariozofi i gjorë voglan ballkanës, me emrin Millosheviq. Dhe e kundërta. Heronjtë pozitivë ishin të ngjizur organikisht me altruizmin e pashoq. Të tillët, poashtu, si për të dëshmuar mbijetesën e botës në koekzistencë mes të mirës e të ligës, nuk ishin të paktë. Nënëmadhja Tereze qëndron në krye të kolonës së tyre. Porse, kësaj here, nuk do të flasim për të parët, demoniakët, por për këta të dytët (si kryetema a kësaj skicë-eseu) dhe prandaj: ç’i bën të jenë aq të mirë? Ç’frymëzim i shtynë ata drejt vetmohimit sublim?

Përgjigjen interesante e të pritur gjatë në këtë pyetje të moçme, do ta jepte paradokohësh shkencëtari i Bonit gjerman, Martin Reuter. Duke zbërthyer enigmën, ai publikoi zbulesën e rrallë se altruistët disponojnë një variant specifik gjenetik të cilësuar COMT-Val, dhe të strukturuar bollshëm në ADN-në e tij. Mirëpo, distribuimi i tij, me gjasë, nuk është në dorën e njeriut. Ndaj, pronarë të këtij gjeni mirësie mund të jenë poetë e punëtorë, klerikë e këngëtarë...Por, kur këtë e posedon njeriu i madh i politikës supreme, që mban nën skeptrin e tij, mijëra, miliona fate të tjera – aherë kjo duhet të jetë mrekullia vetë! Dhe mrekullia e heroit politik e altruist i njëkohshëm, është trollëzuar, tashmë, në landin e shqiptarëve në formën e të madhit, protagonistit tonë.

Ç’dhuratë qiejsh për këtë komb ende të paarrirë!

 

Shërbesa!

Një anglez i pandreqshëm i quajtur Reginald Hilbert, shkruan për shqiptarët se ç’popull është ky që ka vetëm një hero kombëtar, Skënderbeun dhe para e pas tij: asgjë, shkretirë, terr...Sa i verbër intelektualisht dhe shoven kombëtarisht paskësh qenë ky Hilberti i britëve! Pyesja: si është e mundur që, mbase, nga urrejtja ose racizmi i vjetër, të injoronte një hero tjetër të dytë të madh të shqiptarëve, protagonistin e sipërlajmëruar, S. Berishën e epokës së re që njëson të dy tiparet e formatit historik: edhe gjenin e mirëbërjes edhe gjeniun shtetarisë? Them të dytin për nga kronologjia, rrjedha e kohës – e assesi për nga qendërpesha e tij madhore në zemrën, historinë dhe identitetin e kombit shqiptar! Fundja, ç’ishte Skënderbeu krahasuar me të? Madje, siç do të jenë gëzuar idhujtarët e tij, tani tevona na doli se ai s’paskësh qenë veçse një hajdut kuajsh. S’kishte pasur luftëra, fushata osmane, fitore, lavdi, vepra arti e historie kushtuar atij si atlet krishtërimi e mbrojtës qytetërimi europian, në të gjithë rruzullin!...

Ndërkaq, për këtë të fundit do të gjejmë, e shumta, vetëm kronika gazetash: për shërbtorësinë e tij komuniste, për konvertimin e tij në antikomunist të vonë, të shpifur e të tërbuar (si ndodh, rëndom, me ata që ishin rreshterë të fantaksur bolshevikë), për neotiraninë e kriptuar, për kulturën totale të hajdutërisë në miljeun politik e social të shqiptarëve... Pra, duke qenë ky hajduti i njëmendtë, i stërholluar e modern, i votës e pronës, jo vetëm i bën hije heroit të Krujës, por sikur e ka suspenduar atë qëmoti nga Panteoni kombëtar!

Hegeli shkruan diku se nuk i nënshtrohen vetëm popujt ndarjes – në historikë e jo historikë, por, më shumë ende, dhe individët e veçantë!

E pse jo?

Ja shërbesa e tij për historinë: instaloi demokracinë funksionale si ligj e ndjesi të hollë, pikërisht duke provuar urtinë aristoiteliane se ajo shpesh kërcënon të kthehet në sundim vulgu, solli Europën në shtëpitë shqiptare me kamje e të drejta (përmes dërgatash edukuese që s’pushojnë ditë as natë, si për kombet adoleshentë), i garantoi konsideratë opozitës (që e përtall, pështyn, burgos e vret), mandej çliroi shtypin e atashuar klientelisht pranë qendrash të fuqisë (duke djegur e mbyllur gazeta e shtëpi televizive rebele), vendosi balansat e paqes delikate sociale (me krimin familjarë dhe galerinë e skamnorëve që, pasi protestojnë kot, vetëvriten), i dha hov ekonomisë me “piramidat e famshme” dhe, tutje, sfidoi  armiqtë tradicionalë serbo-grekë të shqiptarëve, por në mënyrën e tij – me të lëmuar e tërheqje (se ky është hero edhe në marrëdhënie me ta), duke u dhuruar logjistikë vrastare, territor detar e lehtësira biznesesh të pista, për ti bërë kështu bashkësundues formash finoke mondane në atdheun (a nuk janë apatridë njerëz të këtij soji?) e tij!

Dhe, për fatin e mirë të të sunduarëve, investimi i tij i paarritshëm nga ithtarë e kundërshtarë, nuk mbaron me kaq!

Unifikoi, heroi ynë, shoqërinë e ndarë shqiptare rreth një kauze të vërtetë liberale (duke e ngritur në sistem unikal legjitimitetin e votës së vjedhur dhe ekskomunikimin finansiar të kundërshtarëve nga qasja buxhetore), arkivoi luftën barbare të klasave, për ta zëvendësuar me një tjetër të fisme: luftën civile, pastaj do të etablohej alternanca e pushteteve me puçin e tij klasik të llojit amerikolatin dhe, së fundi, ishte shpallur rehabilitimi i kultit të viktimës si pjesë e konceptit zakonor e të madhërishëm të së drejtës (të përdhosur nga pararendësit), por, si për të konfirmuar këtë në stilin e tij pervers, ia mësynte portave pushtetare me kufomën e mikut të vrarë!   

            Popujt e Gojëve, thotë seanca e 6-të e Procesverbaleve të Pleqësisë Sioniste, ndërtojnë Republikën e tyre në dy etapa: e para, i përgjason ditëve nistare të njeriut të çartur e të vërbuar, i cili hidhet me dëshpërim majtas-djathtas, dhe e dyta, është demagogjia, e cila lind anarkinë që, nga ana e saj, shpie në despotizëm...të fshehtë, të panjohur dhe të padukshëm e që punon me cinizëm..!” E, i madhi ynë Sali, i ka dhënë tashmë dëshminë brilante përbetimit apo fatthënies së tillë. Që moti, Republika e prirë prej tij, është dorëzuar në kthetrat e kadifenjta të cinizmit dhe demagogjisë. Shqiptarët, para se të vinte “demiurgu i lirisë”, nuk kishin pasur ende në një regjim parlamentar udhëheqës kaq tejpamës për ta ngjitur, ashtu, në kampin e kombeve suksesplotë që kanë sëndertuar, tashmë, ëndrrën skofiare të despotisë së fshehtë. I harruar a, gati i mallkuar, populli i shqiptar kishte rënë në blasfemi të thellë për shpërfilljen e Hyut, por ja, tani i dërgonte ai si shpërblesë për pritjen e lodhshme, njeriun e madh në kohën më të ndjeshme: atë të pikëpërkimit të mijëvjeçarëve, që do ta fatlumëronte atë dhe do të plaste armiqtë e tij!.. 

Si ishte e mundur, pra, kjo shmangie e Hilbertit të padrejtë? Po, mbase, anglezi i pafat do ta ketë shkruar librin “Fitorja e hidhur”, para se të shfaqej vranshëm në jetën politike i madhërishmi ynë. Nuk e bjerrë dot shpresën se ai (po të jetojë ende) do ta rimarrë në dorë librin për të korrigjuar lëshimin fatal. Sidoqoftë, në mungesë të tij, janë Enciklopeditë e shumta, të gjitha, që do ti dedikojnë personalitetit dhe bëmave e gjëmave të tij – balloren e kapitullit për shqiptarët.

Ja, sërish, pyetja dëshpëruese: përse, vallë, fatin e madh duhet ta pasojë, pothuaj gjithmonë, fatkeqësia e madhe? Ose: përse një mbushullimë të madhe duhet ta ndjekë, gati si rregull i përjetshëm, dhe boshllëku i madh? Gjithbërësi ua dhuroi shqiptarëve këtë begati e këtë fat të madh në fillimvitet 90-të të mijëvjetit të ikur. Është ky njeriu me emrin Sali. Lindur në Vuçidol. I arsimuar në shkollat elitare të komunizmit. Pastaj kuadër i zellshëm i kierarkisë ideologjike të Enverit (madje mik familjar i tij), aq zelltar sa kishte ruajtur me përkushtimin e tij karakteristik një trakt armiqësor, gati 20 vjet, për ta ofruar si provë kundër shkruesit fatkeq për të cilin kërkonte në gjykatore dënimin me varje. Dhe mandej, po ky Saliu ynë i madh ( të cilin, mjerisht, nuk e pa ose nuk mbërriti ta pikaste Hilberti i britëve) do të katapultohet me instinktin gjenial për lojë hipokrite me ngjyrat mashtruese dhe me brishtësinë e demokracisë së re, në simbol të rremë e këmbëfshehtë të  “europianizmit të kulluar”!

Ruth Benedickt, antropolog amerikan, ishte magjepsur (në vitin 1946) nga “kultura e turpit” e japonezëve, krejt e ndryshme nga “kultura e fajit” e vendit të tij. Ndërsa e para sikur ka një relatë me ligjin, e për pasojë me frikën prej tij – e dyta, e turpit, ka substancë e ndjeshmëri  tjetër, madje edhe kur turpësi nuk është fare fajtor, dhe e tillë, ajo ka vorbë përlindëse ndërgjegjen dhe interesin publik. Duke pasur këtë amzë, “kultura e turpit”, është, prandaj, e thellë, këndellëse, fisnike e paqëtore. Është vetë themeli i higjienës morale kolektive!

Por kryemjeshtri ynë, nuk arriti të ngrihet dot as në lartësinë e kulturës së fajit, sepse ligji është ai vetë dhe as të kulturës së turpit, sepse, po të kishte këtë zotësi, qëmoti duhej ti përgjërohej dheut të hapej për ta përpirë.

Po, përse të lëngonte ballëlarti i paepur këtë kulturë molepsëse të largët e të huaj? Faji e turpi i përkasin të tjerëve. Të poshtëvënëve. Ata, vërtetë, turpërohen për fajet dhe fajsohen për turpet e tij. Kjo, është, në fakt ajo lidhja shkakësore e mistike mes tyre. Dedikimi absolut i nënshtrimtarëve për prijësin delirant që nuk mposhtet kurrë.

Jam njeri i veprave kombëtare, thotë ai shpesh i ekzaltuar si në trans para turmës amorfe e të sugjestionuar, që, sipas një kodi të pakuptueshëm paracivil të periudhës natyrore, ka bërë me të një pakt të çuditshëm: ajo i dhuron atij ngadhnjime të përdhunshme, rrëmujtare dhe me tizgën gjakut në mes, kurse ky, për shpërblesë, ua kthen adhurimin kopeist me ngujimin e tyre në epruvetë të fundme kontinentale.

A është e përligjur të shkatrrosh botët në emër të dashurisë së lartë, pyeste përherë para të vriste Igor M., personazh i  “Fituesi mbetet vetëm” i Koelhos. Fundja, a nuk vdesin të gjithë herë a vonë? Së paku, të përzgjedhurit e tij, thotë ai, do ta bëjnë këtë si një akt sublim. Dhe prapë ai: a nuk i ofronin fli zotave që në lashtësi? Ky nuk ishte veçse ironizim tepër therës i autorit për arsyetimin patologjik të heroit të tij, sepse cila ide a cak sipëran qenkësh i denjë për jetëmarrje njerëzore!.. Tani: a nuk është e ngjashme skena, konteksti e, veçanërisht, viktimat dhe justifikimi i tyre, me botët që është betuar të shkatrrojë dhe heroi ynë kombëtar? Veçse këtu ka një dinstinksion elementar: ndërsa Igor M. i vdiste të tjerët si hakmarrje për një dashuri të dështuar, ky, heroi ynë Sali B., dërgon lehtësisht qytetarë matanë jetës për një dashuri, por disi të tjetërfartë, krejt humane e të bukur – dashurinë e sëmurë për pushtetin e lartë. Ata që vdisen prej tij, nuk janë, thjeshtë, viktima si ato të Igor K., aq më pak martirë në altar demokracie si cilësohen gabimisht, por janë flijimtarët e vullnetshëm për të fortifikuar muresh piramidën pushtetare të tij. Dhe, që këndej, ata kanë meritën e pashëmbëllt për brezat, që ranë e bien për të mbetur Saliu ynë i parrëzueshëm e fitimtarë.     

Pothuaj i gjithë kombi, në zbatim të këtij pakti e ideali mizor, tash sa dhjetëvjeçarë gozhdonte vështrimin e shuar e idhujtar drejt kullës së tij politike. Astrologë e faltorë, parapsikologë e gjenetistë, janë të impenjuar pasionshëm për ta mbajtur atë larg syrit të keq. Për shkak të rrezikut të squllosjes a, larg qoftë, humbjes së tij të hershme, ata, sipas udhëzimeve dhe urdhërave të institucioneve të shtetit (të cilëve u raportojnë hollësisht për këtë) kanë qenë prore të vëmendshëm për të mos përhapur shumë, fjala vjen, ditëlindjen e, sidomos më pas, ditëvdekjen e tij. Armiqtë, ashtu si frikësohej përherë mentori i tij aziatk Pin (Ten Hsiao), po të kapnin saktësinë e këtyre datave të shënuara, do të mund të manipulonin me konstelacionin yllnor, duke ligshtuar fuqinë dhe, madje, duke banalizuar shuarjen, ndërrimjetën e tij!      

 

Vajtimi!

Por, se si më dridhet dora tek shkruaj, kur mendoj se, megjithatë, së shpejti, kjo mbrothësi popullore dhe ky fat përndritës kombëtar, pas pak vitesh kur Krijuesi do ta thërrasë pranë vetes i shumëkënaqur me veprat e tij në këtë botë – së shpejti, pra, edhe begatia edhe fati do të shndërrohen në humbjen më të madhe dhe në fatkeqësinë më të paremontueshme të kombit shqiptar. Qysh tani e imagjinoj, gati më bëhet sikur e shoh të përhihet që larg atë sfond të zi mortor: arkmorti i stolisur, akademitë e fjalimeve të mekura, vaji kolektiv, radha e gjatë kondolencës, pastaj zia e shpallur shtetërore e nacionale dhe – sa rëndë e sa zor – mbyllja instinktive e dritareve në çastin e shpalljes së lajmit të kobshëm nëpër shtëpitë e qytetarëve të shastisur, nga mneri se tash punët e shqiptarëve do të marrin rrokullimën në të gjitha Shqipëritë tona të lumtura: në atë të Vlorës, të Rambujesë dhe të Ohrit!..

Dhe sërish thirrja zhgënjyese: përse të vdesin fizikisht (se shpirtërisht ata jetojnë përherë mes nesh) njerëz të tillë të mëdhenj? Ah, sikur të ishte e mundur tu jepnim ditë nga jetët tona të vogla!

Ç’humbje! Ç’tragjedi!

Natyrisht, kësolli, korteu dhe varrimi (ose ballsamosja në Mauzole) do të organizohej në kryeqytet, ku ai punoi e shkëlqeu për popullin, shpesh mosmirënjohës, me shteg të pafund qytetarësh aq të lumtur që e kishin dhe poaq të përzitur që s’do ta kenë më: sidomos do të qirren lotësh vorfnorët, të papunët, të mërguarit e ardhur enkas për këtë procesion, mësues të poshtëruar, militantë të partisë së pathyeshme monolite, ushtarakë të keqpërdorur, intelektualë të nënshtruar, policë e gardistë duargjakosur...Dhe kur do të zgjaten duar me arkmort drejt gropës, ata do të shpërthejnë në kujë korale, disa syresh, madje, do të turren ta ndalojnë vdekjen, ndërsa të tjerë ta shoqërojnë dhe atje në vetminë e terrtë!

Ja, kështu pra, do të duket kremtja funebre në të tre metropolët shqiptarë, Shkup, Tiranë e Prishtinë! Një dhimbje e thellë do të pushtojë gjithçka, por dhe një përpjekje mbinjerëzore për ta artikuluar atë me manire mondane, sepse ashtu i ka mësuar ai të punojnë e vuajnë, të vriten e të qajnë si në Europë.

Por nuk do të jetë aspak e lehtë. Tradita shqiptare nuk sprapset ende dot. Po, fundja, përse vallë? Rituali i lashtë i shprehjes së dhimbjes është i pazëvendësueshëm për të dhënë përmasën e njeriut historik dhe peshën e humbjes së tij. E kjo traditë e shqiptarëve njeh, veç tjerash, vajin dhe vajtojcat që, më mirë dhe më pikëllueshëm se asgjë e askush, do ta pikturonin gjëmën kombëtare. Ndryshe nga seancat përkujtimore, ato, vajtojcat, me kodin dhe vjershërimin e tyre mortor origjinal, të pastër, etik e të pandikuar nga retushimet e instruktuara, do të pasndërtojnë trishtëm pikërëndesat jetëshkrimore të të ikurit. Fillimisht, malësorët, sipas zakonit të lashtë, do të shpërndajnë kumtin e vdekjes majë bjeshkësh të hirta e me plisa bore, pastaj, po në male kumbonaret e kishave do bien vajtueshëm tri ditë rrjesht...Por dhe minaretë anë e kënd tokave shqiptare, do të ndriçojnë thekshëm për të lajmëruar në gjuhë të pakuptueshme, lajmin për kalimin në amshim të më të madhit rob ndër shqiptarë!

Meqë ceremoniali i fundmë do të mbahet në itinerar e stoli të kohës, vajtojcat do ta qajnë atë në mungesë. Me vargjet e tyre të kristalta, të vjetra e zymtore, ato do të ligjërojnë me zë të dridhshëm: ti ishe bari i vuajtur o Sali i shkretë, u bëre mjek i mirë o medet, mandej hipe në fron të shtetit mos zot më keq, e more shumë shpirtëra të pafajshëm, harrove malësinë tënde që të mësoi bujarinë, njëjtësinë e jetës njerëzore dhe drejtësinë, o Saliu ynë i mjerë, ty Ati të mëshiroftë!.. E të tjera!

Kurse po nga tradita vjen dhe një margaritar tjetër, që bashkë me vajtimin, do të ndihmonte në kapërcimin dinjitoz të zisë: lotoret! Janë këto, sipas Gjeçovit, ca enë druri që malësorët e dikurshëm ia jepnin me vete të vdekurit që ai të kishte ku të derdhte lotët e tij. Sado të sofistikuara të jenë e të duken tani këto mjetet bashkëkohore (faculetat) ose, madje, dhe shamitë e zbukuruara, sikur nuk mjaftojnë për të përtharë lotnajën popullore kur heroi ynë i madh ta lë këtë botë. Dhe, prandaj, do të jenë shpëtimtare lotoret e famshme, të gatshme për të pranuar lumin e lotëve që nuk do ta përballonin dot lotfshirëset moderne të tyre. Nga kjo arsye, nëvojitet përpunimi i ngutshëm i një skenari ceremonial për atë ditë të madhe: zejtarë të vegjël e industrialistë të mëdhenj, duhet nisur menjëherë prodhimin e një deponie lotoresh që do të shpërndaheshin për familje apo për kokë banori në të gjithë korpusin shqiptar, sidomos atyre me të drejtë vote, sepse ishte pikërisht kjo votë e nëpërkëmbur, që do ta këmbëkryqonte atë në kulmet e historisë.

Ka një varg poetik që të copton shpirtin, i Nerudës me sa më kujtohet, se “sytë e mi, për të qarë, dhe pas vdekjes do rrojnë”! Ndaj, pas kalimit të zisë oficiale (sepse zi private, intime do të vijojë të ketë për shumë kohë) lotoret duhet ruajtur kujdesshëm, ngaqë vdektarët e rëndomtë, do ti marrin andej për ta qarë atë edhe kur të mbulohen vetë me dhè!

Po përse të mos shestohej dhe një plan-parandalimi të përplasjeve të qyteteve e shesheve, universiteteve e institucioneve të bamirësisë, në yshtjen e hallakatur për tu riemërtuar me emrin e shquar të heroit të heronjëve? Për të evituar xyfjet në shkallë kombëtare, që do të shpenzonin shumë energji pozitive popullore, ngjan e doemosshme ndërhyrja e një Këshilli etike (si në vëndet sipër Vjenës) për të përcaktuar kriteret e nominimit të tyre për nderin e madh. 

Poashtu, pjesë e këtij projekti magjistral duhet të jetë dhe sigurimi i rezervatit shtetëror dhe mjeteve buxhetore për ndërtimin e një Mauzoleu në vendlindjen e tij. Po përse jo në Kryeqendër?, do të pyeste dikush! Arsyeja është e thjeshtë: përvoja e pamirë tregoi disa herë se mund të dalë në të ardhmen ndonjë i vetshpallur tribun që të pretendojë vendthemelet dhe ta rrafshojë talibanisht atë!..Pas shumë vitesh, pra, ai do të bëhej një objekt me fitimprurje të dyfishtë: do të shërbente si atraksion turistik dhe, njëkohësisht, si referencë pelegrinazhi, madje një faltore e vërtetë. Turistët nga anë e mbanë botës, pasi do ta fiksonin paraprakisht në çdo ciceron turistik, do të vinin aty për të parë shkëlqimin dhe lavdinë e këtij populli të lashtë, kurse njerëzit shqiptarë do të shtegtonin dimër e verë, si tek një shenjtore, për të marrë fat e mbarësi në jetë...

 

Triumfi!

Dhe kështu, pra, disfata e madhe që fanitet në horizont, do të shndërrohej në fitore a në triumf poaq të madh, sepse i tillë është e do mbetet ky: edhe me jetën edhe me vdekjen e tij – në shërbim të përkorë mbi krye të kombit të vet të përunjur në jetë të jetëve!...     

Por vdekja, si jemi stërvitur të besojmë, nuk do të shënojë assesi dhe fundin e shkëndijimit përrallor të mbetjeve, gati, testamentale të veprës dhe frymës së tij të mbikësojetshme. Pas shkuarjes në legjendë, ashtu si presin të gjithë, do të vërshojnë shtetas (madje dhe shtetas të huaj, si serbë, malazezë, grekë, rumunë) me ëndrrat shëruese që, të sistemuara, do të dërgohen në Selinë e shenjtë, ku do të gatiten fillet e beatifikimit të kryeheroit tonë. Dhe, kësodore, nëse me jetën do të ishte resurs i pashterrshëm i së mirës nacionale, me vdekjen e tij do të kualifikohej në thesar njerëzimi. Ajo ditë e madhe e pritshme, ndoshta nuk do të vonojë, por ne bëjmë uratë ditë e natë që të mos ia beh kurrë. Anise lutjet tona janë aq fisnike, sërish, a nuk ngjajnë ato paksa të mbështjella me një tis egoizmi e krekosjeje të popujve të vegjël?! Sikur e duam për veten tonë, ndërkohë që, si thamë, përveç me jetën, bëmat largvajtëse, faltoren –  poashtu dhe me mordjen e beatifikimin e tij të mëpasmë, do të fitonim të gjithë: ne dhe bota bashkë!

Ndaj, për hir të këtij makthi mbarëbotëror të pritjes, le të mos lutemi: le të vijë ajo ditë me orën dhe dritësinë e parathënë të saj!

 

Rexhep Kasumaj

Berlin



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora