Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Nuhi Ismajli: Kulti i arsimit tek autorët e letërsisë shqipe të shek. XVI-XVII

| E shtune, 21.05.2011, 07:59 PM |


Kulti i arsimit tek autorët e letërsisë shqipe të shek. XVI-XVII

Nga Nuhi Ismajli

Autorët e letërsisë shqipe të shek. XVI-XVII qenë njerëz të etur për dije (Z. Xholi). Ata, një nga idealet e tyre kishin edhe ngritjen arsimore të shqiptarëve dhe luftën për shkollën shqipe. Në veprat e ndryshme të tyre, prandaj, ndër të tjera, shprehet edhe “përpjekja për ta shpënë popullin në rrugën e përparimit” (His. e let. shq. I-II, Prishtinë, f. 121).

Buzuku, librin, siç shprehet në pasthënie, ndër të tjera, e shkruan edhe “nga dashuria që ndjente për bashkatdhetarët për të ndritur mendjet e tyre” (F. Hoxha). Arsimimin e popullit dhe përhapjen e diturive në vend, Buzuku e shpall si një nga detyrat e para dhe më të rëndësishme të momentit (Z. Xholi). Ai shpreh dëshirën që popullin ta ngrejë në një nivel intelektual e fetar më të lartë, më të vetëdijshëm (M. Hysa). Veprimi i tij për t’u sjellë shqiptarëve pjesë të Biblës, veprës më të përkthyer në rruzullin tokësor sot, për atë kohë shënonte një akt të madh civilizues, emancipues (F. Hoxha) etj.

Budi “vepron pa u lodhur në fushën e kulturës e të letërsisë për të ndritur mendjet e bashkatdhetarëve…” (His. e let. shq. I-II, f. 122). Ai shpreh idenë e mësimit dhe predikimit në gjuhën shqipe, por edhe kërkesën për shkrimin e gjuhës shqipe dhe përhapjen e arsimit e diturisë në gjuhën shqipe (Z. Xholi) etj.

Te F. Bardhi, ndër të tjera, duket edhe kujdesi për edukimin dhe lartësimin e shqiptarëve (Z. Xholi). Fjalori i Bardhit ka gjithashtu karakter iluminist etj.

Në veprën e P. Bogdanit shprehet dhimbje e thellë për gjendjen e mjeruar e padijen ku i mban bashkatdhetarët e tij zgjedha turke (His. e let. shq. I-II, f. 181). Në parathënien e veprës, Bogdani shkruan “mos me lanë dijeninë e gjuhën e dheut me u vdarunë” (His. e let. shqiptare, f. 46). Ai kërkonte përhapjen e dijes (Po aty, f. 46), ndërsa me konceptin e diturisë ai nënkupton si atë laike, edhe atë fetare (M. Hysa). Parathënia e veprës së P. Bogdanit është një lartësim i zjarrtë i “dijes dhe urtisë” dhe një dënim i rreptë i paditurisë dhe errësirës me të cilën synonte pushtuesit ta sundonte popullin shqiptar (Z. Xholi). “Me idetë e tij për urtësinë dhe për diturinë si dhe me vetë veprën e tij të shkruar e të botuar P. Bogdani bëhet një prej prekursorëve të shekullit të dritave edhe në Shqipëri” (Z. Xholi) etj.

Autorët e letërsisë shqipe të humanizmit qenë figura të mëdha të arsimit, të cilët i kalonin edhe përmasat kombëtare. Kështu, P. Bogdani, me erudicionin e tij pedagogjik, ishte njeri i kohës së vet, njeri i rrymave më të përparuara arsimore e pedagogjike të shekullit të vet, mendimtar i cili me plot të drejtë dhe plot dinjitet mund të hyjë në radhët e mendimtarëve të të gjitha vendeve të Evropës, të cilët me veprat e tyre përgatitën atë periudhë të shkëlqyer të kulturës evropiane që mban emrin historik të Rilindjes dhe i hapën rrugën e gjerë progresit të gjithanshëm të diturive në Evropë (Z. Xholi). Autorët e letërsisë shqipe të humanizmit qenë edhe ideologë të mëdhenj të arsimit kombëtar, të cilët luftuan për arsimin kombëtar në gjuhën shqipe. Buzuku, nga detyra për të shkruar gjuhën shqipe, në mënyrë të natyrshme vjen në detyrën tjetër kombëtare, në atë të mësimit dhe të arsimit të popullit në këtë gjuhë (Z. Xholi). 

Motivet që e shtyjnë Matrëngën ta përkthejë veprën në gjuhën shqipe ishin: të mësohet doktrina e krishterë nga fëmijët shqiptarë dhe të mësohet "në gjuhën amtare arbëreshe" (M. Hysa).

Drita e diturisë, është i bindur Budi, do të arrihet me anën e librit të shkruar në gjuhën shqipe, në gjuhën e Arbënit (Z. Xholi). Kjo ide e thënë qartë, haptazi është edhe në vjershën "Sqip…" (Z. Xholi). "Në shkrimin e gjuhës shqipe, në përhapjen e diturisë në këtë gjuhë, teologjike dhe jo teologjike, Budi shihte detyrën e tij më të lartë, qëllimin e parë të jetës, të cilit i kishte kushtuar gjithçka dhe kishte pranuar gjithë rreziqet që e kërcënonin nga ana e pushtuesve" (Z. Xholi) etj.

Bardhi këshillon bashkatdhetarët e tij dhe, madje, iu drejtohet atyre edhe me lutje që ta shfrytëzojnë Fjalorin e tij për edukimin dhe arsimimin e vet (Z. Xholi) etj.

P. Bogdani shtron çështjen e zhvillimit të diturisë përmes gjuhës shqipe ("të mos lamë dijenë e gjuhën e dheut me u dvarunë" (M. Hysa). Proza Të primitë…, aktualizon çështjen e arsimit kombëtar, të arsimit të lartë kombëtar (M. Hysa), që është baza e kulturës, letërsisë dhe gjuhës kombëtare.

Një nga kërkesat themelore të Bogdanit është që dija dhe urtia të mësohen e të përhapen në gjuhën amtare shqipe (Z. Xholi). Bogdani ishte për gjuhën dhe diturinë në gjuhën kombëtare (Z. Xholi) ashtu si thoshte ai, "posi lufton gjithë dheu e shekulli për të vet…" (Z. Xholi). P. Bogdani shprehu kërkesën për dituri në gjuhën e vet, që shqiptarët të marrin rrugën e diturisë në gjuhën shqipe, që gjuha të shkruhej sa më drejt e bukur (Z. Xholi) etj.

Të etur për arsimin kombëtar në gjuhën shqipe, autorët e letërsisë shqipe të humanizmit, shtruan edhe nevojën e hapjes së shkollave shqipe. Kështu, "Budi ankohet se për klerin shqiptar s'ka shkolla e kolegje, si ndodh me kombet e tjera që "mbahenë ndë shintet fe e i kanë sod e këtë ditë i sicilli shkollënë e kolegjënë e vet, ke zanë e nçelnjënë sytë, për ndimë të patriesë e të dheut të vet" (His.e let. shq. I-II, f. 166; F. Hoxha).

Budi çeljen e shkollave e kërkon në emër të "patries" e të "dheut të vet" (Z. Xholi).

Shqetësimin për paditurinë e popullit dhe mungesën e shkollës shqipe e shpreh edhe F. Bardhi (Z. Xholi) etj.

Dituritë të cilat i shprehin autorët e letërsisë shqipe të humanizmit janë nga më të ndryshmet. Përmbajtjet fetare në veprat e kësaj letërsie janë të gjera, por me rëndësi për kulturën kombëtare. Kështu, p.sh., "Veprimi i Buzukut për t'u sjellë shqiptarëve pjesë të Biblës, veprës më të përkthyer në rruzullin tokësor sot, për atë kohë -sipas F. Hoxhës- shënonte një akt të madh civilizues, emancipues…" . Veç kësaj, përmbajtjet fetare ishin të gërshetuara me përmbajtjen kombëtare e me ngjyrime politike dhe shërbenin si element i refuzimit të ideologjisë së pushtuesit.

Në anën tjetër, në veprat e letërsisë shqipe të humanizmit, trajtohen edhe njohuri të tjera, jofetare. 

Te vepra Pasqyra… e Budit, mjaft faqe u kushtohen disa zakoneve e besimeve të kota për t'u luftuar. Aty flitet për besimin në ëndrrat, për të hedhurit fall e të shkruarit për të gjetur ndonjë send të humbur, për të besuarit se s'është mirë kur cingërrin veshi, kur luan vetulla e krrakërrin sorra" (His. e let. shq. I-II, f. 163) etj.

Disa proverba të Bardhit shprehin porosi për mësimin dhe edukimin (Z. Xholi).

Fjalori i Bardhit ka vlerë diturore – iluministe- edukative. Në parathënie, Bardhi e krahason atë me "kallauzin që u tregon rrugën luftëtarëve ose shtegtarëve. Etj.

Në veprën e tij, dijenike dhe letrare, siç thoshte Gj.Fishta, P. Bogdani jep dituri nga fushat e ndryshme: astronomi, gjeografi, pedagogji, etikë, psikologji, fizike, poetikë, estetikë etj.

Tek autorët e letërsisë shqipe të humanizmit kemi iluminizmin kombëtar me karakter politik, dijen si çështje të dinjitetit kombëtar, rëndësinë e arsimit si një faktor i rëndësishëm i mëvetësisë kombëtare, iluminizmin që synon edhe ngritjen e ndërgjegjës kombëtare, pikëpamjen për rolin e arsimit për çlirimin kombëtar etj.

Kështu, te Buzuku kemi idenë se "…me njerëz të ngritur fetarisht, natyrisht në gjuhën amtare, mund të ruhet dhe të ngritet edhe ndërgjegja dhe kultura gjuhësore, pra edhe ndërgjegjja dhe kultura kombëtare" (M. Hysa).

Në veprën e Buzukut janë formuluar dhe shpallur me shumë bindje idealet e Buzukut si: "Shkrimi i gjuhës shqipe dhe përhapja e saj, arsimimi dhe ndriçimi i mendjeve të shqiptarëve në gjuhën e tyre amtare, lartësimi i atdheut Shqipëri dhe shpëtimi i popullit të tij…" (Z. Xholi) etj.

Budi, thuhet, i frymëzon shqiptarët me shpresa të reja, kurse "Këto shpresa ai i shihte në shkrimin dhe mësimin e gjuhës shqipe dhe në përhapjen e diturive në masën e besimtarëve, nëpërmjet kësaj " (Z. Xholi). Në dritën e diturisë dhe në atë të moralit Budi sheh shpresën e shpëtimit (Z. Xholi).

Bardhi, thuhet, u përpoq plot zell edhe "…për edukimin e lartësimin shpirtëror të besimtarëve, në të cilin ndërthureshin pazgjidhshmërisht feja dhe kombi, synimet fetare për shpëtimin e shpirtrave me ato laike për çlirimin e atdheut nga pushtuesi i huaj…" (Z. Xholi).

Mungesa e arsimit kombëtar, tek autorët e letërsisë shqipe të humanizmit shihej edhe si shkak i të gjitha të këqijave, pra edhe të robërisë.

Kështu, Budi në prozën Letra e dërguome…, flet për rënien e vendit, për mungesë të shkollës…(M. Hysa).

Në parathënien e veprës së Bogdanit shprehen mendime e ndjenja, ku tregohet se arsyeja e gjendjes së mjeruar të popullit është padija: "Prashtu dergjetë dheu ndë robi errëtë…perse u dvuer dijeja e urtia…E shofëmë për ditë, se nd'atë dhe ku lulëzojnë dotorëtë, letërarëtë, lulëzon ende  shejtëja fe me gjithë vepëratë e mira" (His. e let. shq. I-II, f. 182). P. Bogdani "e shikonte dijen si mjet të domosdoshëm për zhvillimin e vendit…" (His. e let. shqiptare, f. 46). Veprën e tij ai e hartoi: t'i ndihmojë "të vobek dhee t'Arbënit" dhe të shërbejë si qiri që do ta ndriçojë mendjen e bashkatdhetarëve dhe të bashkëfetarëve" (M. Hysa).

"Në rrugë për realizimin e idealeve të tij çlirimtare Bogdani dallon në radhë të parë ndriçimin e mendjeve të shqiptarëve me dritën e diturive.

Parathënia është një lartësim i zjarrtë i "dijes dhe urtisë" dhe një dënim i rreptë i paditurisë dhe errësirës me të cilën synonte pushtuesi ta sundonte popullin shqiptar. Konsekuent i këtij qëndrimi paditurinë ai e quan një mëkat dhe shkakun më të thellë të prapambetjes së shqiptarëve dhe robërisë së tyre: "…ashtu dergjet dheu në robii errëtë…" (Z. Xholi).

"Në këto fjalë e qëndrime është Bogdani iluminist, është njeriu që i qan zemra pse populli i tij ndodhet me dy palë mjegulla në sy. Së bashku me iluministin është edhe patrioti, i cili shkakun e paditurisë e gjen në faktin se dheu i Arbënit ndodhet në mes të pafevet, që nuk janë tjetër veçse pushtuesit. Një qëndrim i tillë e kishte me vete edhe konkluzionin: që të shpërndahet mjegulla e paditurisë dhe t'u happen sytë njerëzve të dheut të Arbënit duhet të zhduket mjedisi mbytës, sundimi i të pafevet pra duhet të zhduket pushtimi" (Z. Xholi).

P. Bogdani, me përpjekjet e tij për dije e urtësi, objektivisht bënte vepër çlirimtare, përpiqej për çlirimin e Shqipërisë dhe emancipimin e popullit të saj, sa kohë që përhapjen e lirë e të gjerë të mësimit e të diturive në gjuhën amtare shqipe me të drejtë e shihte si një nga kushtet themelore për formimin e ndërgjegjes kombëtare të shqiptarëve dhe zhdukjen e pushtimit të huaj (Z. Xholi).

Si mësues e edukatorë të mëdhenj që ishin, autorët e letërsisë shqipe të humanizmit jo vetëm që shprehën ide të rëndësishme për arsimin dhe shkollën në gjuhën shqipe, po shprehën edhe dija dhe porosi të çmueshme morale për kombin, të një moraliteti shumë të përparuar.

Kështu, "Një fushë tjetër e krijimit letrar të Budit, edhe kjo e madhe dhe e rëndësishme, është ajo e moralitetit (Z. Xholi). Ai, thotë Xholi, "…bëhet një nga njerëzit e kulturës sonë që kanë hedhur themelet e shkencës etike në Shqipëri.

Budi, interpreton porositë morale të kishës në frymë kombëtare dhe atdhetare, kurse "…në arsyetimet e tij morale ai nuk ka parasysh thjesht besimtarin e kishës, por njeriun shqiptar në përgjithësi, me problemet dhe vështirësitë e tij në këtë fushë duke patur si synim që të  krijojë prej tyre atdhetarë të mirë dhe njerëz moralisht të pastër" (Z. Xholi).

Porositë morale të Budit, në "Pasqyra e të rrëfyemit", "përbëjnë një kod të vërtetë moral, një mbrojtje të vendosur të nderit, dinjitetit, të virtytit, të bashkëjetesës njerëzore në një shoqëri të qytetëruar" (Z. Xholi) etj.