E premte, 19.04.2024, 06:04 PM (GMT+1)

Kulturë

Intervistë me don Viktor Sopi, Drejtor Gjeneral në Caritas-in Nacional të Kosovës...

E shtune, 21.05.2011, 07:58 PM


 

Dëshmia dhe sakrifica për të arritur të mirën nuk mund të mposhtet

 

Intervistë me don Viktor Sopi, Drejtor Gjeneral në Caritas-in Nacional të Kosovës dhe famullitar në selinë ipeshkvnore të imzot Nikë Prelës

 

Drita: Binça fenomen i rezistencës dhe i bujarisë shqiptare!

 

Don Viktor Sopi:

Binça, kështjellë e lashtë ku vërehen gërmadhat e qytetërimit të hershëm, i cili shtrihet në dy anët e lumit të Moravës, ka një traditë të gjatë të rezistencës antinjerëzore dhe antikulturore; mirëpo, edhe të butësisë dhe të mirëpritjes. Sot, veçoria e kësaj kështjelle shpirtërore, qëndron në transmetimin e gjallë të traditës disashekullore. Pesë vëllezërit Sopi, me vëllazërinë e tyre, që kishin bërë shtegtim të gjatë nga Shqipëria deri te “toka e premtuar”, ishte shumë e dhimbshme dhe e shtrenjtë.

Dihet se stacioni i parë në Kosovë ishte Sopia afër Suharekës, më pas (në mbrojtje të identitetit fetar dhe kulturor), një pjesë është vendosur në Prishtinë, ndërsa tjetra në Jezerc të Ferizajit. Pas një kohe të shkurtër, prapë janë transferuar në komunën e Vitisë, derisa përfundimisht u vendosen në Binçë. Familjarët Sopi, ishin punëtorë të zellshëm, kështu me punë të përkushtuar arritën pasuri të mëdha, kishin me dhjetëra punëtorë... por ishin edhe bamirësa të dalluar. Vepra bujare e tyre për tërë rrethinën mund të klasifikohet si një Caritas – bamirësie.

Këtë mirësi-bamirësi të trashëguar me shekuj, edhe në nivelin e famullisë së Binçës, shumë mirë e kanë përjetuar-gëzuar dhe e përjetojnë-gëzojnë edhe meshtarët dhe rregulltaret që kanë vepruar dhe që veprojnë në këtë famulli martire.

 

Drita: Lidhja shpirtërore e Binçës me martirët e Karadakut?

 

Don Vikror Sopi:

Përveq sukseseve në sferën ekonomike të parët e mijë, ishin njerëz të përkushtuar ndaj familjes dhe Zotit. Përplasjet dhe vuajtjet, të cilat i kishin përjetuar nga Shqipëria në Kosovë, i kishin kalitur me shumë sprova. Dhuna e otomanëve shprehej në forma të ndryshme: morale, ekonomike, psikologjike dhe fizike. Kështu, të parët tanë dhe i gjithë populli shqiptar, i kanë përjetuar këto forma të dhunës një kohë të gjatë dhe atë në mënyrë sistematike. Shumë prej tyre, kanë dështuar në këtë proces të rezistencës kundrejt tjetërsimit të kultures dhe të traditës gjithmbarshme shqiptare...

Ky persekutim i egër, nuk i kurseu as të parët e mijë në Binçën e tyre të dashur. Në këtë mënyrë, ata vendosën të përballen edhe me këtë kryq: jo ma të ndërrojnë vend por t’i thonë definitivisht JO dhunës së egër, jo tjetërsimit. Ky guxim dhe kjo pathyshmëri e stërgjyshve tanë, në gjitha sferat e jetes i ka përshkuar familjet tona gjatë këtyre 165 viteve duke qartësuar idealet dhe parimet jetësore tona.

 

Drita: Si erdhi te rezistenca publike kundër pushtuesit...?

 

Don Viktor Sopi:

Kam cekur sipër se rruga nga Shqipëria në Kosovë ishte shumë e vështirë. Ishin të lodhur por edhe të kalitur me persekutime, ikje dhe fshehje. Viteve 1840-ta, në Binçë, ata ishin mjaft mirë të sistemuar. Dhe

kur këmba e pushtuesit arriti edhe në këto vise me tendenca të njejta, krerët e fshatrave ende publikisht të krishtera u bashkuan, biseduan dhe vendosen që definitivisht dhe me çdo çmim, nëse është nevoja deri në vdekje do të luftojnë për të mbetur ata që janë. Kështu pra, së bashku me shumë familje tjera të rrethit, pakompromis dhe me guxim i thanë: jo tjetërsimit!

Meqenëse pushtuesi nuk donte as të dëgjonte për zgjidhje tjera përveq përqafimit të islamizmit dhe të kulturës arabe; të parët e mi ishin tejet të vetëdijshem se kjo JO e tyre do të ketë çmim shumë të lart. Kështu edhe ndodhi, ata sakrifikuan gjithçka që patën, në mbrojtje të nderit dhe të dinjitetit familjar dhe kombëtar të tyre duke zgjedhur rrugën e rezistencës aktive. Me guxim të pashembullt pra ata u deklaruan edhe para pushtetarve turqë, duke dëshmuar publikisht besimin e tyre të krishter, gjuhën, kulturën dhe kombin shqiptar. Kështu pra ata u betuan për Fe dhe Atdhe!

 

Drita: Konsideroni se dëshmia heroike, solli si shpërblim thirrjet e shumta si dhe në humanitetin e dëshmuar të familjeve tuaja gjatë shekullit XX?

 

Don Viktor Sopi:

“E keqja, nuk përfundon ku destinohet, por aty ku mbjellet dhe kultivohet, ashtu edhe e mira aty ku lind dhe ku ushqehet, i sjellë frutat e veta!”

Po, konstatoj se dëshmia dhe sakrifica për të arritur të mirën nuk mund të mposhtet...sepse aty ku është Zoti s‘ka humbje!

Prandaj thirrjet meshtarake dhe rregulltare janë vazhdimësi e një jetë të përcaktuar për Zotin në shërbim të afërmit. Familja Sopi, i ka dhënë shumë shoqërisë dhe kishës. Që nga vitet 1800, i kemi motrat e nderit - bijat e familjes sonë - që shërbenin në Francë, në Turqi në SHBA, në Slloveni e gjetiu. Kemi stërhallat, motrat: Magdalena, Suzana, Marta, Age Sopi dhe shumë të tjera... dhe don Mark Sopin e vjetër, i lindur 1838 dhe deri te imzot Mark Sopi i lindur 1938. Edhe sot kemi shumë meshtarë dhe murgesha nga kjo familje që shërbejnë në misionin e vet kudo në botë.

Është për t’u veçuar posaçërisht kontributi i të parëve të mijë edhe gjatë shekullit XX, si p.sh. Gjonit, Gegës, Mhillit, Tadesë, të cilët me djerës, punë të përkushtuar, gjatë tërë jetës, ishin mbështetës të mëdhenjë të kishës dhe të dalluar në bëmirësi ndaj nevojtarëve. Ata, pa rezerva, e kanë ndihmuar famullinë, ndërtuan Kuvendin e motrave me pasuritë e shumta që kishin dhe aspak nuk hezituan për t’iu ndihmuar kriptokatolikëve apo laramanëve, të cilët gjendeshin në zona të rrezikuara. Kontributi i tyre, është i pashmangshëm, në ruajtjen e identitetin fetar e kulturor të shumë familjeve të Anamoravës. Madje, mund të thuhet, se, kjo ndodhi pikërisht me mbështetjen e tyre të fuqishme që shumë familje ju rikthyen krishtërimit. Është me rëndësi të ( Tade Sopi, Gjonë Sopi, Mhillë Sopi ) theksohet, se vepra e tyre bujare dhe humane, nuk njihte kufij, sepse ata ndihmonin çdo njeri në nevojë...! Motoja e tyre ishte: Bëje punën mirë dhe shpërblimi vjen vet!

 

Drita: Kush i pari e mori guximin, për ti thënë armikut: Ne jemi të krishterë? Si ja dolët që të vazhdoni edhe sot e kësaj dite të jetoni në Binçë si të krishterë?

 

Don Viktor Sopi:

“Sakrificën nuk e kuptimson faktin, por shkaku! Idealin e tyre, s’arriti ta thyej as tmerri i ushtruar më brutal ndaj tyre, prandaj, është rregull i pa shkruar, kur e vërteta kultivohet, bashkë me të lind edhe trimëria për t’u arritur qëllimi fisnik”.

Ne, patëm fatin që stërgjyshit e mijë luftuan pakompromis, për të jetuar atë që ishin. Dhe kuptohet se kjo ju ka kushtuar shumë. Martiri i parë, ishte stërgjyshi im Marku, i cili, ndërroi jetë nën barkun e kalit të ushtarit otoman, rrugës persekutuese Shkup-Selanik. Pas dy viteve të persekutimit, në Anadolli (në afërsi të Izmirit), në vitin 1848, bashkëshortja e Markut, Maria, me dy djemtë Ndoun dhe Zefin, u kthyen

prapë në Binçë. Mirëpo, tashti, Binça, me fushat dhe pasuritë e saja, kishte një fizionomi tjetër. Pasuritë e familjes Sopi, iu ishin dhënë familjeve të cilat kishin përqafuar fenë e pushtuesit persekutues.

Kështu që, Ndou dhe Zefi, pa zhurmë, me moton “ora et labora” (urata dhe puna), iu përveshen punës dhe për një kohë relativisht të shkurt, i rikthyen vëllezërit e dështuar në atë që ishin: shqiptar katolikë. Por njëherit arritën t’i kthejnë nën prona të veta edhe shumicën e tokave të uzurpuara...

Ne, jemi rritur, me këtë kujtesë-ndjenjë dhe me këtë dhembje të shpirtit. Kështuqë, martirët edhe sot na stimulojnë për një jetë të drejtë, për respektim të çdo njeriut, pa dallim se kush çka sot e ndjen veten. Njeriu, i cili nuk e përjeton vuajtjen dhe padrejtësinë, nuk mund të jetë i drejtë as që mund ta kuptojë si duhet njeriun në nevojë. Një shembull konkret, është dëshmia vepruese e Papa Gjon Pali II, i cili, pësoi dhunën e diktaturës komuniste dhe që kjo eksperiencë i shërbeu për t’i kuptuar më së miri popujtë e robëruar...

 

Drita: Gjurmët e pashlyeshme të don Viktor SOPI në rrafshin e Dukagjinit...

 

Don Viktor Sopi:

Dy vitet e para të meshtarisë, i kam kaluar në Ferizaj, me të ndjerin imzot Nikë Prelën, ipeshkëv. Njëkohësisht, kam vijuar studimet pos universitare në Zagreb. Meqë, ai, në atë kohë, pat pësuar një aksident në trafik, pas të cilit mori lëndime te rënda, më ftoi që në ato ditë të vështira, të gjendem pranë tij. Ishte një përvojë sa e mundimshme poaq edhe e begatshme. Kam përfituar mjaft nga urtia dhe guximi që kishte për t’i thënë gjërat në mbrojtje të dinjiteti dhe lirisë të njeriut. Në vjeshtën e vitit 1985, ipeshkvi ordinar imzot Dr. Joakim Herbut, me seli në Shkup, kishte krijuar bindjen që pikërisht unë të ballafaqohem me sfidat që ishin në Bishtazhin. Kjo famulli, ishe teritorialisht por edhe me besimtarë, ndër më të mëdhatë në Kosovë.

Për mua, ishte vështirë të ndahem nga imzot Prela, gjë të cilën e shprehte edhe ai. Kështu që është prolonguar vendosja ime në Bishtazhin, deri në pranverën e 1986. Në ditët e para, më shoqëroi edhe imzot Nikë Prela. Në këtë famulli kishte vepruar don Luka Filiq, të cilit së shpejti ia pata ngritur përmendoren në varrezat e Tolecit në mesin e martirëve të Dukagjinit të masakruar 1941 në xhami të Rugovës. Nga viti 1961, ishte famullitar don Millorad Defar, me të cilin i bëra hapat e parë dhe të cilin e përjetova si prind të urtë dhe flijimtar të madh për këtë famulli, në të cilën kishte arritur pleqërinë. Për Pashkët e vitit 1987, emërohem famullitar. Për një meshtar në moshën, siç isha, shumë të re, vërtetë sfidat ishin tejet të mëdha.

Në këtë famulli atëbotë, ende nuk kishte përfunduar kisha famullitare dhe nuk kishte asnjë objekt përcjellës. Oborri i kishës prej gurit, por të papërfunduar ishte kullosë për bagëtitë e fshatit... Puna e parë që bëra, ishte rrethoja e mbarë oborrit të kishës. Atëherë, pata filluar me punët përfundimtare të kulmit të kishës dhe në përgjithësi me rregullimin e interierit. Kisha, ishte e mangët edhe për kampaniel, të cilin e ndërtuam dhe i cili sot dominon në atë hapësirë me kambanat prej 10 tonash që i solla nga Austria. Përpos punës së pandërprerë në këtë objekt, kam ndërtuar shtëpinë famullitare për meshtarë dhe murgesha. Pata filluar poashtu të angazhohem edhe për fshatrat më të larta që me kilometra ishin larg Bishtazhinit.

Popullin e bashkonim nëpër shtëpi private, për t’i kryer ritet fetare. Kisha, nuk posedonte askund pronë të vetën! Pas shumë përpjekjeve me bashkëpunëtorët e mi, fituam lokacionin në Pjetroshan, ku në vitet e 1990 fillova ngritjen e kishës kushtuar shën Jozefit Punëtor. Ishte një ballafaqim i drejtpërdrejtë me sistemin komunist dhe lojërat e pushtetit i cili nuk jepte lejen për ndërtim. Megjithëatë, i mbështetur në

ndihmën e Zotit, me besimtarët e mirë ndërtuam kishën pa leje, duke qëndruar ditë e për ditë bashkë me punëtorët pranë objektit. Në vitin 1993 e fitova lokacionin edhe në Bërdosanë, ku ndërtova kishën kushtuar të Ngriturit e Krishtit në Qiell – Shëlbuemit! Pas luftës, ndërtuam edhe shtëpinë famullitare në Pjetroshan, dhe shpejt u shpall si famulli e re.

 

Drita: Si arritët të ndërtoni tërë atë infrastrukturë në Bishtrazhin?

 

Don Viktor Sopi:

Natyra ime është e tillë. Asnjë ditë nuk mundem pa punë. Dashuria që nga djepi familjar për atme e fe bëri që unë të jam një laps në dorën e Zotit. Në krejt këtë punë, nuk isha i vetëm. Ishin besimtarët e mirë mbështetësit e veprës së mirë. I motivuar nga dëshmia e martirëve dhe e tërë një plejade e fytyrave të ndritura që jeta e tyre ishte “PRO DEO ET PATRIA” (për Zotin dhe atdheun) ishin inspirim në arritjen e idealeve të meshtarisë sime! Pikërisht këtu ishte krenaria dhe motivi im, për punë të palodhur... por nga mësimi në familje, këtë e kisha në shpirt që nga fëmijëria.

I falënderoj gjithë ata që më mbështetën: besimtarët, bashkëpunëtorët e shumtë, meshtarët që bashkpunuam për të mirën e famullisë. Në veçanti Dr. don Mikel Sopin, tani misionar në Zvicër, fal angazhimit të tij, sot, kjo famulli gëzon si dhuratë falas, Qendrën rinore, asfaltimin e rrugës. Ishte pikërisht don Mikeli, ai i cili trokiti kudo nëpër Evropë, që të kursehen besimtarët nga participimi me mjete financiare, sepse siç thoshte ai: Në Perëndim çdo cent fitohet me djerës. Ai, ishte një promotor dhe shtytës i projekteve të nevojshme në këtë famulli. Kështu, ndërtoi hyrjen shumë impozante në kishën e Bishtazhinit, projekti i të cilit është realizuar me mjete nga Viçenza e Italisë. Pastaj, është ndërtuar qendra rinore me sallat përcjellëse, kuzhina e madhe, kapela. Në këtë mënyrë, famullia shikuar nga aspekti i infrastrukturës, mori formën e një qendre evropiane, të cilën e dallojnë sidomos vitrazhi i kishës, i punuar nga artisti i njohur italian, Italo Peresson.

Kemi investuar dhe kultivuar mjaft, edhe në sferën e përshpirtërisë dhe të kulturës, të ngritjes së nivelit të edukimit dhe shkollimit. Në vitin 1992, në bashkëpunim të mirë me përfaqësuesit e shkollës, është hapur gjimnazi në Bishtazhin, nga i cili së shpejti dolën edhe studentët e parë. U thye edhe akulli i fortë dhe filluan shumë vajza ta vazhdojnë shkollimin. Në atë kohë, pata botuar dy libra mbi at Gjergj Fishtën, at Shtjefën Gjeçovin dhe shumë artikuj në revistën “Drita” dhe sidomos “Rrezja”, e cila gazetë u jepte mundësi të rinjëve të kyçen në jetën e kulturës dhe të aktualitetit të atëhershëm kishtar dhe shoqëror.

Kemi promovuar edhe përshpirëri të ndryshme, si organizimi i udhës së kryqit gjatë kreshmëve dhe lutja e rruzares nëpër familje, kushtimi i Zemrës së Krishtit për çdo të premte, të premtet e para të muajit, kemi themeluar shoqatën rinore M3, kemi organizuar tribuna të rregullta si dhe vizita të personaliteteve vendore dhe ndërkombëtare që e kanë shndërruar Bishtazhinin, në një qendër atraktive shpirtërore dhe kulturore me përmasa të nivelit të Kosovës, etj.

 

Drita: Jeni ballafaquar ashpër me pushtetarët e ideologjisë komuniste

 

Don Viktor Sopi:

Kam kryer misionin tim me plot guxim dhe përkushtim, sepse në veti kam pasur bindjen se kështu do Zoti dhe të parët e mij martirë, të sakrifikuar për Atme dhe Fe. I motivuar nga ideali i fytyrave më të ndritura të kombit dhe i stimuluar nga stoicizmi i tyre vetëm e përforcoja guximin në luftë kundër ideologjisë komuniste, me te cilët Kisha luftoi në mënyrë permanente. Mund të them se në angazhimet e mia, gjithnjë e përjetoja dorën e fuqishme plot dashuri të Zojes Rruzare.

Montimet, kërcënimet, presionet e ndryshme... ishin të shpeshta, derisa pas mesnatës edhe pranë shtratit të fjetjes mu patën futur me dhunë, të armatosur dhe të maskuar. Por asnjëherë nuk më është

trembur syri. Forca dhe guximi im i shprehur dilnin nga ideali i pathyeshëm për t’i shërbyer Zotit dhe Njeriut! I bindur se krejt çka jep toka ajo një ditë edhe e merre, por çka Zoti afron dhe bekon kurrë nuk mbaron.

 

Drita: Caritas Kosova shpresa për të varfrit dhe politikat sociale në Kosovë

 

Don Viktor Sopi:

Caritas Kosova, vazhdon ecjen e vet në bamirësi. Kosova sot, nuk është në emergjencë, prandaj vëmendja e botës së fuqishme, është e drejtuar në vendet me varfëri të skajshme apo në rajone konfliktuoze, në ato vende të kapluara nga tërmetet dhe stuhitë e papritura. Por, sot, Caritas Kosova, me një përkushtim serioz, me një punë profesionale, ka bërë një progres të madh dhe gradualisht fuqizon adresa dhe binaret për te ecur përpara. Caritas Kosova, ka arritur të mbështetet nga shumë donatorë të Caritasit Evropian, duke u mbështetur me projektet e tyre. Caritas Kosova, sot është një shkollë e mirë në tërë Evropën Juglindore për seriozitetin e shprehur në menaxhimin dhe implementimin e projekteve. Ne arritëm të fitojmë grandet-projektet nga Komisioni evropian, ku kërkohet një profesionalizëm i shkallës së lartë dhe me kritere evropiane.

Strategjia e Caritas Kosova, është promovimi i paqës, i vlerave universale që kuptimsojnë jetën njerëzore edhe të atyre më të varfër dhe të pambrojtur. Sot, në Kosovë janë mbi 45% të varfër, ndërsa në varfëri të skajshme jetojnë mbi 15%. Institucionet përkatëse, nuk participojnë fare në projektet tona, ku përfitues janë qytetarët e Republikës së Kosovës. Bëjmë krejt çka është e mundur, si Caritas Nacional në mbështetje të njeriut. Sepse, madhëria e njeriut dhe të drejtat e tija, nuk qëndrojnë në asnjë fakt tjetër, përveç se në atë që Hyji ia ka falur çdo personi, duke e ftuar në jetë si të tillë. Nga këto parime, dalin dokumentet kishtare, përsiatjet e shumë humanistëve, sikurse edhe baza e qeverive demokratike kundruall të drejtave njerëzore. Dokumentet zyrtare të Kishës, të cilat debatojnë çështjet e dinjitetit të personit dallohen si psh.: enciklika “Pacem in terris” (Paqja në tokë) e Gjonit XXIII, kushtetuta e koncilit të Vatikanit “Gaudium et spes” (Gëzimi dhe shpresa), deklarata “Dignitates humane” (Dinjiteti i personit), Katekizmi i Kishës Katolike i cili i kushton mjaft hapësirë dinjitetit të personit.

Gjon Pali II, në enciklikën “Veritatis splendor” (Shkëlqimi i së vërtetës) në numrin 48, flet për unitetin e personit mes trupit dhe shpirtit, duke përbërë një realitet unik – personin dhe unitetin e tij të pacenueshëm. Në këtë vështrim, shën Pali apostull porosit se njeriu, duhet konsideruar trupin e vet si “banesë të Shpirtit Shenjtë” (krah. 1 Kor 6,19-20).

Ajo që patjetër duhet cekur këtu është edhe “Caritas in veritate”, letër e Benediktit XVI (2009) e cila fuqishëm mbështet bamirësinë karitative, duke porositur qart që politikat e Caritasit duhen të jenë në mbështetje të personit pa dallim. Benedikti XVI veçmas rragatet me këtë qështje në nr. 21, 44, 48, 51, 74, 75 të kësaj encikllike. Ndërsa në enciklikën “Deus Caritas est” (Hyji është Dashuri), Benedikti XVI, thekson përgjegjësitë e Kishës në gjitha nivelet, në respektimit e dinjitetit njerëzor, ku veçmas, jemi të ftuar për ta shprehur ngrohësinë ma humane në raport me njeriun, duke plotësuar vullnetin e plot të Hyjit. Filozofi i famshëm krishter, Romano Guardini, shkruan se personi njerëzor nuk guxon të manipulohet nga askush, nuk guxon të keqpërdoret, të nënçmohet dhe as të cenohet në të drejtat elementare. Vërtetë, edhe njeriu i ditëve tona, posaqe në këto hapësira tona, në mënyrë permanente jeton me këto trysni dhe nën këso presione.

Në bazë të këtyre reflektimeve dhe porosive janë të hartuara programet apo politikat edhe të Caritas Kosovës. Mbi këtë platformë qëndron baza dhe synimi ynë ku me përkushtim dhe me përgjegjësi të plot punoj unë personalisht, por edhe çdo punëtor i Caritas Kosova. Zbatimi i këtij idelali: Dashuria e rekomanduar e vet Zotit për çdo njeri në nevojë, është iperativ që e përshkon misionin e Caritasit të Kosovës.

 

Drita: Jeni meshtari i fundit shqiptar, që jeni takuar me Nënë Terezën

 

Don Viktor Sopi:

Gushti i vitit 1997 në New York, do të mbetet përherë në kujtesën time, pasiqë takova Nënë Terezën pak para se të fluturonte për në Kalkutë, ku ajo do të pritëte kalimin në amshim. Ishte një dhuratë e Zotit që ta takoj simbolin e humanizmit, dhe kjo dëshirë mu plotësua, duke qëndruar një kohë të konsiderueshme ballë për ballë me Nënën Tereze. Edhe pse në karrocë, nga fytyra e saj rrezatonte një shpresë, një lloj thirrje...: “Mos hezito t’i shërbesh të varfërit kudo...”. Këtë edhe e përsëriti në përshëndetjen e fundit, kur erdhën të më marrin dy nga besimtarët... dhe me bekoi me dorën e saj mbi kokë. Atë ditë Nënë Terezen e ka vizituar edhe princesha Diana, e cila tragjikisht pas pak ditësh humbi jetën.

Në misionin tim meshtarak kam takuar shumë personalitete... por i veçant ishte takimi me Nënë Terezen para se ajo të kalonte në amshim. Nga ky takim figurën e saj e kam përjetuar si një rreze të diellit, e cila me ngroh edhe tani e përgjithmonë në misionit tim. Biseda me te ishte vërtetë rrënqethëse... përqafoja gjakun e gjakut tim, heroizmin martirësor, dëshminë dhe sakrificën... i kujtoja gjitha sprovat dhe dhembjen e familjes Bojaxhiu por edhe tërë historinë e popullit tonë të nëpërkëmbur dhe të vuajtur.

Sot pas vdekjes së saj, shumë qeveri dhe popuj joshqiptar bëjnë përpjekje për ta përvetësuar ndonjë segment të veprimit apo të jetës së saj... Vërtetë është turp dhe terror shpirtëror dhe politik ndaj çdo shqiptari të ndershëm, që në hapësirat e botës shqiptare të shfaqen tendenca (shprehje dhe veprime) kundër misionit paqësor me të cilin ideal Nënë Tereza ka marrë mirënjohje më të ndryshme nga faktorët më relevantë të globit.

Athua duhet që edhe mëtej këta matrapazë të korruptuar ta shfrytëzojnë Kosovën dhe ta dëmtojnë imazhin e saj deri në këtë pikë? Derisa Serbia e bekon tokën e Kosovës nga “gjërat e shenjta” që ndodhen në te, Kosova po i priviligjon ata individ të cilët po mundohen t’i rrënojnë edhe ato pak gjëra të shenjta të shqiptarve.

 

Drita: Për fund, keni nostalgji për Dukagjin dhe si ndjeheni në seli të imz. Nikë Prelës?

 

Don Viktor Sopi:

E kujtoj dhe nuk mund t’i harroj mbi dy dekada të jetës sime më të mirë në Dukagjin! E dua popullin dhe ndihem plotë gëzim kur jam në shërbim të tij. Popullin, besimtarët nuk i shikoj si të ndarë në rajone dhe krahina, sepse për mua, populli shqiptar kudo dhe përherë është një, kurse njeriun pa dallim e trajtoj si figurë të vet Zotit!

Kështu e kam përjetuar edhe imzot Nikë Prelën. Figura e tij më inspiron në veprimtarinë time meshtarake dhe karitative! Prandaj ndihem mirë përherë, edhe si meshtar aq ma tepër si stërnip i martirëve! Hapësira e dedikuar për këtë rubrikë nuk mjafton për t’i shprehur përjetimet e shumta gjatë dy dekada të jetës sime në Dukagjin. Mirëpo, shpresoj se do te kemi raste tjera kur do të flasim për shumë gjëra të pathëna deri tani. Kërkoj ndjesë për ndonjë lëshim eventual të paqëllimt...

 

Intervistoi: Patër Ndue Kajtazi

 

Disa Foto nga puna dhe veprimtaria pastorale e Don Viktor Sopit:

 



(Vota: 3 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora