Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Pëllumb Gorica: Ligjërime që lartësojnë shpirtin njerëzor

| E premte, 20.05.2011, 08:00 PM |


LIGJËRIME QË LARTËSOJNË SHPIRTIN NJERËZOR

 

Mendime meditative për librin me refleksione artistike “Ligjërimet e mendjes dhe shpirtit njerëzor” të shkruar nga Naun  Sina .

 

Nga Pëllumb Gorica

 

Naun Sina, vjen me një libër të një natyrë poetike krejt të veçantë, të shkruar me një stil narrativë ku përcillen mesazhe me ngjyrim paqeje dhe harmonie. Autori i frymëzuar nga mençuria dhe shija njerëzore, me ndjesi njerëzore ka thurur vargje në forëm përmbledhje aforizmash, duke prekur shumë veti të arrira të cilat shqiptari i ka manifestuar gjatë shekujve para vetes dhe para botës, si bujarinë e fisnikërinë, tolerancën e njerzillëkun, ndihmën reciproke e arsimdashjen e ndjenjën e së bukurës, besimin e sinqertë tek zoti. Nga këto urtësi mëson se jeta është si një strukturë skenike e kësaj bote, ku aktorët janë variacionet e shpirtit, të cilat i bëjnë thirrje ndërgjegjes njerëzore, për të mos harruar kurrë vetveten, edhe pse thithim ajër të ndotur nga mbeturinat e kësaj bote, e cila duhet të ketë lidhje vetëm me jetën e vërtetë, e zhytur në zemrën  e shpirtin, me dashuri njerëzore në thelbin e saj. E zhytur në lakuriqësinë e saj, nga skaji i dashurisë tek ai i lakmisë, i dhimbjes, i dhunës, i mirësisë, i fjalës me hapësira pa mbarim të paradokseve njerëzore. Gjithmonë e liga, hakmarrja, cmira, padija, pabesia, errësira, e keqja, e shëmtuara kanë qenë dhe janë gjatë gjithë jetës në luftë e papajtueshmëri me të mirën, dritën, kthjelltësinë, besimin, shpresën e ardhmërinë, ku gjithmonë ka fituar e mira dhe e drejta, shpresa dhe e vërteta.Autori shkruan pasi ka bërë një histori të përplasjeve historike dhe biblike:

 

“ Kur e liga shtypet si krimi

Sipërfaqja e tokës

Kthehet në pavion shërimi”

 

Në këtë libër ka mësime të vlefshme për jetën njerëzore, ka gjithçka që i nevojitet njeriut që nga çasti që lind e deri në çastin kur ai vdes. Për sa i përket personazheve të pranishëm aty, rregullsive gjuhësore që zbatohen, si dhe ndjenjave, përjetimeve, ideve dhe mendimeve mjaft të mençura, ato rrjedhin natyrshëm. Si për ta theksuar edhe më tepër këtë ide shërben edhe titulli i librit: “Ligjërimet e mendjes  dhe të shpirtit njerëzor”. Në konceptimin e këtij të fundit është shfrytëzuar përftesa gjuhësore e pranëvënies dhe e kundërvënies. Në këtë mënyrë shpirti, si një vatër e pasioneve të zjarrta, nuk mund të  durojë  kufizimet e përcaktuara nga ligjshmëria. Nga ana  tjetër, ligjshmëria kurrsesi nuk mund të ndryjë atë që buron prej shpirtit e që është ushqim përvoje e individit. Ato te dyja shërbejnë për rritjen morale, shpirtërore e fizike me dinjitet të  qënies njerëzore. Nëpërmjet asaj që flitet në libër, autori: ndien, përjeton, shpreh, dhe në të njejtën kohë mundohet të qartësojë  e të mësojë të tjerët, mbi mënyrën e ndërtimit dhe funksionimit të botës.

Libri “Ligjërimet e mendjes dhe shpirtit njerëzor” improvizohet nga një vend i shenjtë siç është mali i Tomorrit i cili mban mbi shpatulla madhështinë shekullore të shenjtërisë: Shenjtorët janë njerëz të mrekullive, ndërmjetës të qiellit ku qëndrojnë e të tokës ku kanë jetuar.

 

“Kjo majë madhështore

Është kështjella më e lartë

E urtësisë njerzore”

 

Autori Zenun Sina është njëkohësisht mendimatar e psikolog. Ai është në gjendje që nëpërmjet origjinalitetit krijues, të depërtojë në brendësi të qënies njerëzore, duke futur në lojë, Nobelisten Shqiptare dhe shenjtorin Abaz Alinë. Ai bën një paralelizëm midis shenjtërisë së Baba Tomorrit dhe madhështisë së Nënë Terezës.

 

“Nënë Tereza,

dorë për dore me Abaz Alin,

Nga Tomorri,

me gëzim e shohin Shqipërinë.

Zoti brenda tyre rri,

Ata brenda Zotit bëjnë shënjtëri”

 

Poeti, duke i vendosur përballë Nënë Terezën e lartësuar nga bamirësia dhe malin e përjetsuar nga shënjtëria, mundohet të bisedojë me to dhe nga të dy të nxjerrë sentenca që i kanë dhënë gjenerim e pulsim jetës. Por, së pari libri i Naun Sinës “Ligjërimet e mendjes dhe shpirtit njerëzor”, përbën një monument të shkruar për gruan famëmadhe Nënë Tereza, me të cilën krenohet kombi dhe bota. Ky trill me bamirësen tonë rrjedh nga një shpirt e penë që gatuan urtësi e aftësi, për ta nxjerrë Nënë Terezën para lexuesit me fytyrën e një Humanisteje me famë botërore ashtu siç është e tillë. Dhe këtë madhështi ëngjëllore e shtjellon mrekullisht në qindra vargjet e tij. Poeti e thekson që në fillim:

 

“Lindi shqiptarja e rrallë

Legjenda e gjallë

Humanistja, dhuratë qiellore

Për racën njerëzore”

 

Autori vazhdon :

 

“Nënë Tereza, sikur të ishte krijuesi vetë,

diti të zgjonte nga gjumi dëshirën e vërtetë,

duke u bërë shtylla kryesore,

në ndërtimin e shtëpisë së bukur shpirtërore”

 

Ajo amanet ja la shqiptarit që fjala e tij, të mos humbasë shkëlqimin e saj si shufra e arit. Nënë Tereza jonë predikonte shumë e fliste pak, duke u bërë ADN-ja jonë në gjak. E më tej:

 

“Nënë Tereza të shtinte fall nuk dinte,

Jezusin zbulonte ditë pas dite,

gjersa u bë imazhi i Zotit,

që me gjuhën e tij ajo predikonte në sytë e veshët e popullit”

Do të jetë fatlum ai që kërkon të zbulojë prej saj,

gjithnjë ë më shumë.

Mos e kërkoni Zotin në Qiell,

as te dollapi,

Ai është brenda nesh,

në fillimet e hedhjes së cdo hapi.

Ngrohtësia e fjalëve të Nënë Terezës,

i jep harmoni trupit e shpirtit,

bashkon zemrat e njerëzve me atë te Krishtit… “

 

Përmasat e veprës së Nobelistes Shqiptare, në hartën e zemrës së autorit për lexuesit, sjellin urtësi, dashuri, dhimbje, frymëzim.  Në këto vargje autori synon atë çka dëshironte të predikonte Nënë Tereza: Shërimin e shpirtit dhe të mëndjes njerëzore, zhdukjen e instikteve gri, që janë fryti i pandërgjegjes, si dhe lindjen e një drite të re vezulluese në ndërgjegje. Ai, në bashkëbisedim me Nënë Terezën, psherëtin, flet, trishtohet kur njerëzit ecin në drejtim të kundërt, kur ata zgjedhin rrugën e gabuar e në fund, lumturohet e krenohet, kur sheh që ata mbajnë mbi shpatulla peshën e pendesës. Në këtë libër tregohet se si urtësitë, dashuria dhe bamirësitë e humanistes shqiptare e shoqërojnë njeriun nga pas, nuk i ndahen për asnjë çast, deri sa ai e kupton gjendjen e vet, deri sa ai ndërgjegjësohet e vetëgjykohet.

 

“Urtësite e Nënë Terezes janë qumësht  i bardhë,

që serviren në odat e shpirtit shqipëtar”

 

Nënë Tereza qe jo vetëm një grua me zemër e famë të madhe, që luftoi varfërinë e mjerimin, iu përkushtua lutjeve e perendisë, por ajo qe edhe një mëndimtare e filozofe që la gjurmë. Shumë mendime dhe thënie të saj për jetën dhe punën, harmoninë dhe besimin njerëzor, kanë zënë vend të nderuar në kulturën dhe filozofinë e popullit tonë. Anët pozitive, ndjenjat e mëdha, fisnikërinë dhe madhështinë e kësaj bamirëseje autori mundohet ta vërë në dukje nëpërmjet shprehjeve që në shumicën e rasteve marrin trajtën e aforizmave dhe fjalëve të urta. Është kjo arsyeja që tek lexon këtë libër duket sikur lexon një poemë epike ose këngë nga cikli i kreshnikëve:

 

“Gjithë jetën me të mirat bëri ujdi

Atë dëshironte të bënte dhe tani.

Ajo mësonte:

‘Flisni açik

Se ajo që s’thuhet s’vlen asnjë pikë

Kur s’beson

Fjalët asgjë s’thonë”

 

Ajo duke u bërë mbështetje dhe shpresë për njerëzit e braktisur e të vetmuar, hapi me qindra shtëpi jetimorësh nëpër botë.

Në disa faqe autori Naun Sina  shpreh qëndrimin e padrejtë që u mbajt ndaj kësaj misioniereje në kohën e diktaturës dhe meraku që mbeti plagë asaj në zemër për atdheun e saj të mohuar:

 

“Vendi i bukur i shqiponjave

Në shpirt i mbeti

Jo vetëm për të lindur

Por edhe për të vdekur

Kërkoi sy

I gjeti aty.”

 

Duke e shkrirë në një trup e shpirt të kësaj bamirsje të pashembullt në historinë botërore, duke gjetur në zemrën e saj të madhe male dashurie e bese, por edhe duke shpalosur palodhshmërinë dhe përkushtimin e saj në rrugën e bukur të besimit dhe harminisë njerzore e qiellore, autori konkludon se njerëz si Nënë Tereza, rrezatojnë shembuj frymëzimi jo vetëm për në rrugën e zotit por edhe në rrugën e zhvillimit dhe përparimit, e me veprën e tyre ngrenë përjetsinë në cdo zemër që ka gjak njerzor e beson tek i madhi zot, kur shkruan:

 

“Nënë Tereza e shenjtëruar

Monument i përjetsuar

Mbi Tomorrin madhështor

Vigjilon

Bija e kombit tonë”

 

Për Humanisten e Madhe, brezi i ri zbulon e mëson këtu mekanizmin strukturor të qënies njerëzore, e cila është shumë e ndërlikuar. Për ta fiksuar këtë, ai ka nevojë për një levë sugjestionuese e autosugjestionuese që ta bëjnë individin sa më të ndërgjegjshëm në lidhje me veprimet e tij. Fijet strukturore që e lidhin dialogun me Nënë Terezën, nga kapitulli në kapitull, mund të jenë të ndryshme, por tematika dhe mesazhi, ideja, shprehja artistike origjinale dhe  gjuha e thjeshtë, janë ato ç’ka e bashkojnë në një bosht të vetëm. Komunikimi autor-lexues është proces i realizuar qartë, bukur e thjeshtë në këtë libër, e kjo vjen si rezultat i natyrshmërisë e forcës artistike të shkrimtarit kuçovar. Personazhet që lëvizin nëpër faqet e librit, janë personazhe me moshë e përvoja të ndryshme, me origjinë e tipare të largëta nga njëri-tjetri, personazhe realë dhe jo realë, vijnë bindshëm në ndërgjegjen e lexuesit. Proçedimi artistik që lidh konvencionin kohë e hapësirë e bën veprën të realizueshme.  Autori Zenun Sina arriti që nëpërmjet këtij  trilli, të realizojë misionin e vet si krijues dhe t’ua lërë trashëgim këtë libër interesant e me vlera, brezave të ardhshëm.

Duke i uruar suksese në krijime të tjera dhe një pleqëri të bardhë e përfundoj mendimin tim  për këtë libër-ligjërim zemre të Naun Sinës me disa vargje të tij:

 

“Për Shqiptarët,

Nënë Tereza nuk vdes kurrë,

duke mbetur një tufë-floku mbi Flamur”.