E merkure, 24.04.2024, 09:55 AM (GMT+1)

Mendime

Qemal Sakajeva: (Mos)Përdorimi zyrtar i fjalorit pushtues

E marte, 29.01.2008, 10:58 PM


(Mos)Përdorimi zyrtar i fjalorit pushtues

Nga Qemal Sakajeva
    
Është e pasaktë thënia, “Serbia e ka humbur Kosovën”.
Këtë gabim e shqiptojnë mjaftë analistë, por dhe politikanë e diplomatë, madje edhe në Shqipëri.
E humbur quhet diçka që ka qenë e jotja dhe, për shkaqe të ndryshme, nuk e zotëron më. Kosova ishte nën Serbi, por nuk ka qenë e Serbisë. Sepse, ajo, domethënë, Kosova, qe e pushtuar. Populli i saj, domethënë, shqiptarët, kurrë nuk janë vetndjerë pjesë e Serbisë, por nën pushtimin mizor të saj. Ligjërimi i pushtimit, coptimi i tokave shqiptare, e bëri të saktë thënien e kundërt: Shqipëria e humbi Kosovën.
Kur diçka, e vjedhur apo e grabitur dhunshëm, i rikthehet të zotit, me forcë ose ligj, nuk thuhet që, vjedhësi apo rrëmbyesi e humbi sendin, dhe i zoti i saj e fitoi. Ka një tollovi termash në përdorim, që duhet të ndryshojnë.
Së pari, Serbia nuk e humbi Kosovën. Asaj, Kosova iu nxor nga kthetrat e pushtimit dhe shtypjes. Kosova iu rikthye Kosovës. Kurse, Serbisë, edhe pse pa vullnet, iu dha mundësia të pastrojë historinë e saj për të ardhmen, dhe t’u bashkohet vendeve demokratike.
Së dyti, si term i ndërsjellë i emrit Kosovë, ende përdoret fjala “Krahinë”. Serbia i përzjen qëllimshëm, herë e thërret Kosovo e Metohija (emërtim mesjetar serb), herë e quan “Krahinë”, për t’u ndërmenduar të huajve se ajo flet për toka e territor serb. Mjerisht, fjala “Krahinë” haset, duhet thënë , edhe në mediat e Shqipërisë, mbase për dy arsye: të një politike botuese të pakujdeshme; të përkthyesve “kozmopolitë” të paditur, që, siç e gjejnë në tekstin e huaj - “Krahinë”, edhe lexuesit shqiptar ia shërbejnë “Krahinë”, diçka e ngjashme, si në thënien ruse: “Vizhu pojasnicu, pishu pojasnicu” (shoh vithe, shkruaj vithe), madje, pa harruar të vënë në dukje që, kryeqyteti i Krahinës, Prishtina, gjindet 400 km larg, në jug të Beogradit; ndonjë gazetar, me pikëpamje gjysmë serbe për pavarësinë, në shkrimet e veta, për të treguar se, autoritetet e pushtetit atje, domethënë në Kosovë, nuk janë kushedi se çfarë, i cilëson “zyrtarë të krahinës”, pa cituar kurrfarë mediash të huaja, veç pikë për pikë mendimin e vet. Ky përshesh katëremror, Kosovë - Kosovo - Kosovo e Metohija - Krahinë, siç po e shohim, gjindet në fund të pështjellimit, sepse pavarësia do ta bëjë Kosovën shtet dhe, pas asaj dite e me kohë, termat e pushtimit do të citohen, ose në kuptimin e një historie të shkuar, ose prej atyre që nuk do të pajtohen me pavarësinë.
Së treti, nga të huajtë përdoret, gjerësisht, thirrja në serbisht e Kosovës: Kosovo. Bukur e ka përcaktuar një analist britanik, kur u krye goditja ushtarake ndaj Ish- Jugosllavisë, duke thënë që, atje lufta bëhet për dy gërma: do të ketë “A” apo “O”, në fund të emrit të Provincës? Pra, si do të thirret ky vend, Kosova apo Kosovo? Nuk ka shqiptar që Kosovës t’i thotë Kosovo. Nuk ka serb që Kosovën thërrasë Kosova. Në këtë shtjellim nuk shtrohet asfare që serbëve, të Kosovës e të Serbisë, t’u kërkohet që, pas pavarësisë, ata ta emërtojnë në shqip - Kosova. Por, pas pavarësimit, kur Prishtina do të miratojë simbolet administrative shtetërore, duhet të kërkojë që, Kosova të mos thirret ndërkombëtarisht në gjuhën serbe, të pakicës, por në shqip - Kosova. (Kjo ndodhi edhe në Moldovë, e cila, më parë, kur ishte pjesë e Bashkimi të Republikave Socialiste Sovjetike, thirrej në rusisht - Moldavia, ndërsa kryeqyteti Kishinjev. Kështu i thonë rusët që jetojnë aty. Por, zyrtarisht, ajo emërtohet në rumanisht, Moldova dhe kryeqyteti Kishinau). Pakicat, në shtetin e Kosovës, duhet thënë, me të drejta mbieuropianë, në bazë të planit Ahtisaari, e kanë të ligjshme ta thërrasin Kosovën, në të folur, me shkrim dhe nëpër simbolet e tyre, në gjuhën e vet.
Së katërti, nga zgjedhjet e fundit të përgjithshme, fitues doli Partia Demokratike dhe kryeministër i vendit është Hashim Thaçi, një drejtues i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në media të huaja, pas ngjitjes së tij në detyrën e lartë, shpesh u përdor, dhe përdoret, termi “ish-lider i rebelëve”. Kjo, më shumë se për të treguar kryeministrin e tanishëm, tingëllon si kujtesë në mbështetje të politikës serbe se, pa shihni kush erdhi në pushtet.
Serbia nuk e ka humbur Kosovën, por jo që ka qenë vërtetë e humbur ishte Kosova. Pavarësia i çon në vendin e tyre dy gjëra të mëdha: Kosova bëhet legjitime e Kosovës. Serbia kthehet te vetvetja. Kosova pushoi së qëni e pushtuar. Serbisë i fshihet emri kolonizatore.
Bashkë me fundin, de facto e de jure, të pushtimit serb, Kosova duhet të çlirohet, de facto e de jure, edhe nga përdorimi zyrtar i fjalorit në gjuhën e pushtuesit.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora