E enjte, 25.04.2024, 06:52 AM (GMT+1)

Editorial

Pirro Prifti: Jo- revoltës popullore, po- zbatimit me korrektësi të ligjit

E premte, 20.05.2011, 08:00 PM


Jo- revoltës popullore, po- zbatimit me korrektësi të ligjit

 

Nga Pirro PRIFTI, Analist

priftipirro@hotmail.com

 

Ngjarjet dramatike që po jetojmë e shohim me zgjatjen e numërimit të votave në KQZ dhe problemet ligjore të hasura e që kërkojnë interpretim korrekt ligjor nga profesionistë janë duke vënë në rrezik votën e popullit.

Mosardhja e Barrozos për shkak të anullimit të vizitës së tij nga ngjarjet që po ndodhin në Tiranë dhe në KQZ, e rëndon e dhe më shumë gjendjen e cila sigurisht është shkaktuar nga presioni politik kryesisht i mazhorancës qeverisëse por edhe nga opozita e cila megjithëse pretendon se ka fituar me vota të rregullta Tiranën ka të drejtë të kontestojë çdo veprim me shkelje ligji të KQZ, por nuk ka të drejtë të kërkojë siç e saktëson opozita “popullit opozitar”: për “revoltë dhe mosbindje civile”.

Dihet fare mirë se me sa kujdes votoi populli ditën e zgjedhjeve dhe nga ana tjetër shohim se me sa probleme numërohen votat në KQZ dhe në KZAZ. Pa hyrë në hollësirat e problemeve të numërimit është fare e qartë se duhen disa faktorë të tjerë të ndryshojnë në mënyrë që të përmirësohen dhe të mos përsëriten më ngjarje dhe procedura skandaloze dhe në shkelje të ligjit jo vetëm gjatë numërimit të votave në KQZ për votat e 8 majit, por në përgjithësi për të mos u përsëritur më kontestimet gjatë këtyre 20 viteve demokraci për shkak të mos zbatimit të Kodeve Zgjedhore në vite nga presioni i politikës shqiptare mbi zbatimin e ligjeve të bëra nga vetë ajo nëpërmjet Parlamentit Shqiptar, por edhe nga presioni i politikës shqiptare mbi të gjithë jetën e vendit aq sa vetë jeta sociale, ekonomike, financiare, nuk funksionon në rrugën e vetë normale por funksionon në funksion të fushatave për zgjedhje lokale dhe të përgjithshme.

Mendoj se kjo situatë dramatike që do të rëndohet edhe më, ashtu si e kam vënë në dukje edhe në shkrimin e disa ditëve më parë “Kush fiton Tiranën kërkon zgjedhje të parakohshme ose largon nga drejtimi politik kundërshtarin” të dt.1 maj 2011.

Acarimi i situatës nga ana e KQZ e cila nuk po e kryen rolin ligjor të saj dhe presioni politik ka shkaktuar dy probleme të mëdha: Nga njëra anë “Aleanca për Qytetarin” me në krye PD betohet se kërkon të numërohet çdo votë e qytetarit, nga ana tjetër numërimi nuk bëhet konform ligjit në KQZ. Nga ana tjetër “Aleanca për të Ardhmen” betohet se ka fituar por nuk është dakord (dhe me të drejtë) me numërimin jo normal të KQZ, por kërkon mos-bindje civile, gjë e cila është e jashtëligjshme. Mendoj se për këtë rast, pavarësisht nga e drejta për të kontestuar nga ana ligjore, e majta nuk mund të kërkojë mosbindje civile e cila do të shkaktojë një ’97 tjetër dhe krejt të papranueshme për Republikën e Shqipërisë që aspiron të integrohet në BE. Rrugëzgjidhja më e mirë është e mundimshme por më e rregullt: zgjidhjen ligjore të problemit hap pas hapi sipas shkallëve të gjyqësorit deri në zgjidhjen përfundimtare të problemit duke na dhënë më në fund se kush do të jetë Kryetari i ardhshëm i Bashkisë së Tiranës. Është e vërtetë se mazhoranca qeverisëse pavarësisht nga kërkesa për “të numëruar çdo votë të popullit” dhe për “të pranuar çdo rezultat të dalë nga KQZ”, praktikisht po zbaton standard të dyfishtë: presion KQZ fshehurazi për të favorizuar Bashën.

Këto ngjarje po shkaktojnë probleme në vendin tonë duke na treguar edhe njëherë se sa e brishtë është demokracia këtu tek ne, se si shoqëria shqiptare, ekonomia shqiptare, financat shqiptare, taksat e shqiptarëve, kanë 20 vjet që janë vënë në funksion të zgjedhjeve, të militantëve, dhe përgjithësisht në funksion të politikës shqiptare e cila nuk përfaqëson praktikisht dëshirat, ambiciet dhe aspiratat e popullit shqiptar i cili dëshiron integrimin sa më parë në BE. Këto probleme aspak normale për një shtet që duhet të jetë i stabilizuar, errëson arritjet e qeverisë shqiptare gjatë këtyre viteve, por dhe të qeverive të kaluara në drejtim të integrimit të Shqipërisë në BE. Mesa duket interesat personale të individëve janë më të mëdha sesa interesat e kombit.

Mendoj se kjo gjendje duhet të marrë fund njëherë e mirë, dhe se duhet patur parasysh kërkesa e Kryetarit të opozitës i cili kërkon ndihmën e SHBA, dhe të BE për të zgjidhur problemet e Shqipërisë. Në radhë të parë duhen rregulluar ligjet dhe të zbatohen sa më korrekt ato ligje që miraton parlamenti. Duhet ndryshuar Kodi Zgjedhor. Për të dhënë ndonjë ide se si mund të shpëtojmë nga ky zinxhir jo normal i mos-zbatimit të ligjit dhe kodit zgjedhor duhen parë këto aspekte: Kodi zgjedhor duhet ripunuar dhe njëherë konform standardeve ligjore përkatëse të BE. Numërimi i votave të bëhet elektronik. Përfaqësuesit e KQZ të jenë jo politikë por profesionistë. Të jetë në vendin e votimit pajisja e munguar e kontrollit të kartave të identitetit. KZAZ të jenë nga profesionistë Numërimi i votave të bëhet në qytete të mëdha dhe grumbullimi i tyre për numërim të bëhet në moment me aparaturat elektronike dhe rezultati të dërgohet menjëherë. Regjistrimi i popullatës duhet të bëhet konform kërkesave të BE. Së fundmi uroj që të gjendet rruga më e arsyeshme, ajo ligjore për të korrigjuar gabimet e bëra në votimet e 8 majit, dhe jo revolta popullore.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora