E enjte, 18.04.2024, 09:04 PM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Rukie Rama, tropojania që sfidoi Sigurimin e Shtetit me certifikatën e virgjërisë

E hene, 28.01.2008, 07:56 PM


E vetme përballë një përbindëshi të tmerrshëm! Vajza krenare nga bjeshkët e Tropojës, arriti të sfidojë për një moment Sigurimin e Shtetit.

Afrim Imaj

Rukie Rama
Me të vetmen armë, një certifikatë virgjërie.Historia e veçantë, me protagonist mësuesen e re Rukie Rama, daton në mesin e viteve ‘70. E strukur në harresën e viteve, drama misterioze, rizbulohet spontanisht në gjyqin e krerëve të Sigurimit të Shtetit në vjeshtën e vitit ‘83. Përballja me brutalitetin e pashpirt dhe epshin e tërbuar të funksionarëve të policisë së fshehtë, do t’i kushtonte mësueses së fshatit të largët një kalvar të tërë vuajtjesh. Rikthimi te liria e shumëdëshiruar, do të pasonte falë mençurisë dhe stoicizmit të saj. Njëherazi me të, emri i Rukie Ramës do të bëhej një tmerr i vërtetë për funksionarët e pashpirt të shërbimit të sigurimit.
Vajza nga bjeshkët e Shëlzenit, do të vinte te ngjarja e bujshme, pas një jete të thjeshtë e dinjitoze. E kishte dashur fati që aty në Vladin e largët të zonës së Pacit, të hidhte shtat e të rritej kjo krijesë që do të shkëlqente sa për bukurinë, aq edhe për guximin me të cilin do të kapërcente barrierat e kohës. E shkathët, kurajoze, e dashuruar me jetën e virtytshme dhe profesionin e mësueses, Rukie Rama do të bënte emër të mirë edhe përtej provincës së saj. Prania në tubimet kulturore kombëtare, kontributi në veprimtarinë artistike dhe angazhimi në drejtimin e aksioneve të rinisë, do ta bënte të njohur edhe matanë kufijve të Tropojës së saj të dashur. Po ndërkaq do ta bënte të lakmuar për shumëkënd që do të marrosej pas hireve të saj. Pikërisht këtu do të fillonte drama e saj. Se ata që ja kishin vënë syrin nuk kishin qenë njerëz të zakonshëm. Hienat këtë radhë kishin trokitur me guximin e çartur të të qenit i plotfuqishëm i shtetit dhe partisë që zotëronte situatën. Rukie Ramën e sulmuan në pikën më të fortë të saj, por ajo diti të ngrihej e të përballej me tërë pabesitë dhe mekanizmat të tmerrshëm të Sigurimit të Shtetit. Sfida do të ishte gati e jashtëzakonshme. E jashtëzakonshme do të ishte edhe këmbëngulja e saj për të arritur deri te e paimagjinueshmja. Rukie Rama do ta fitonte betejën pas kërkesës së saj për ekspertizën e virgjërisë.
Kështu, vajza e dy prindërve të varfër të fshatit të skajshëm në veri të vendit, e stolisur nga zoti me bukuri të papërsëritshme dhe krenari të pashoqe, do të futej në një dramë-legjendë që për shumë vite shteti komunist do të mundohej ta mbante të burgosur. Gjithsesi, Rukie Rama mbeti po ajo, madje më dinjitoze e krenare gjatë tërë jetës. E tillë shfaqet aktualisht në ditët e sotme teksa jeton e punon me statusin e emigrantit në Bruksel. Profesioni i mësueses që ushtron aty, vazhdon ta mbajë të lidhur me dashurinë e hershme, kur ëndërronte
për më shumë liri dhe qytetërim. Të vetmit që janë fashitur, që janë harruar janë emrat e “dëshmitarëve”, “hetuesve” dhe persekutorëve të dikurshëm. Ka mbetur mbrapa plaga e dramës misterioze dhe jehona e saj e njohur nga një rreth i ngushtë njerëzish...
Kur të ndëshkon bukuria
E ndëshkuara prej bukurisë! Kjo do të ishte metamorfoza e dhimbshme e Rukie Ramës. E shënjestëruar për hiret magjepse dhe shfaqjen gjithë shkëlqim nga një prej zyrtarëve të rëndësishëm të Sigurimit të Shtetit, mësuesja e Pacit do të binte viktimë pikërisht se do të refuzonte prerë ofertën për të ndarë një natë shtratin me të. E ndërsa oficeri i lartë i policisë sekrete, do të këmbëngulte në etjen për të shtënë në dorë vajzën e bjeshkës, Rukie Rama do të qëndronte me stoicizëm në përgjigjen e saj. Ishte ky qëndrim që do ta xhindoste njeriun e plotfuqishëm, për të cilin refuzimi në këtë rast përjetohej si sfidë me pushtetin e padiskutueshëm që posedonte. Vajzës që kishte arritur mos të përfillte emrin dhe autoritetin zyrtar të tij, duhej dhënë mësimi i jashtëzakonshëm! Pastaj kjo përballje jo e zakontë do të prodhonte historinë, që asnjëherë nuk u zbulua e plotë…
Në ditët e postfestivalit
të 11-të
Hakmarrja e njeriut të plotfuqishëm, do të prodhonte pranga e qeli të errët për Rukie Ramën. Një ditë të bukur do të arrestohej papritur për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor. Ajo që kishte qenë kundra epsheve të njeriut të sigurimit, duhej të kryqëzohej për qëndrimin kundër pushtetit të popullit (!). Në rrëfimin për gazetën “Panorama”, Rukie Rama sjell vetëm një pjesë të atyre momenteve dramatike...
“Ishin ditët kur sa kishte përfunduar Festivali i 11-të i këngës në Radio-Televizion. Më vunë prangat te shtëpia. Në dorë kisha librin “Tesin e Dobervileve”. Nuk më kishte shkuar kurrë në mëndje se një ditë do të përfundoja kështu. E për çfarë mund ta kërcënoja unë pushtetin e popullit tim. Unë, vajza e dy prindërve të varfër, mësuesja e matematikës që i shtyja ditët me leximin e librave, me përkujdesjen për bagëtitë, me mbledhjen e luleve në rudinë, me tjerrjen e trikove për vëllezërit, me bisedat e çiltra me bashkëmoshatarët etj. E bindur se nuk do të zgjaste shumë kjo gjendje, ditët e para të qelisë i kalova me kujtimet e bukura të nxënësve të mi, pa u shqetësuar për faktin se u kisha prishur punë disa punonjësve injorantë të asaj kohe, që ishin në Sigurimin e Shtetit, ngaqë s`po futesha brenda rrethit të tyre, për qëllimet e mbrapshta të tyre.
Kështu në moshën më të mirë u mbylla në qelitë e burgut pa i bërë kurrkujt asnjë gjë. Për 13 muaj me radhë nuk pata një pikë ujë për të larë kokën. Për 13 muaj me radhë nuk e ngopa barkun me bukë. Për 13 muaj me radhë duhet të dëgjoja lloj-lloj horrash, me akuza nga më të poshtrat që nuk kishin të bënin fare me mua. Të gjitha këto për asgjë. Të gjitha këto kur jetoja jetën time, në shtëpinë time, me prindërit e mi, në bjeshkën time, në krenarinë dhe dinjitetin tim. Asnjëherë nuk e kisha çuar në mend për  t’i ngrohur shtratin kurrkujt, për as edhe një lloj oferte në botë, mbasi mendoja të krijoja familjen time të ndershme dhe të rrisja fëmijët e mi...
Dëshmitari i lajthitur
Pas 13 muajsh hetime, u shfaq sinjali i parë i alarmit. I ndodhur në një ditë të mirë prokurori i çështjes, do të deklaronte lajmin e keq: Asnjë nga denoncimet në adresë të Rukie Ramës nuk qëndron! Kjo do të thoshte liri për mësuesen e Pacit, që ishte kryqëzuar për agjitacion e propagandë. Po nuk mund të pajtohej me këtë arkitekti i këtij ndëshkimi i cili nuk ngopej ta shikonte të stërmunduar vajzën që i kishte sfiduar ofertën për dashuri. Andaj u ngrit skema tjetër. U gjet një dëshmitar i fortë për të provuar në hetuesi prapësitë që do ta linin në qeli Rukie Ramën. Dëshmitari fantazmë, duke mashtruar se kishte qenë prej vitesh i dashuri i saj, deponoi se në çaste intime me të, ishte njohur me profilin reaksionar dhe qëllimin e saj për t’u arratisur! Teksa akuza do të krijonte përvijimin e saj disi të besueshëm, Rukie Rama do të revoltohej edhe më shumë. Këtë radhë do të goditej te krenaria e saj, te dinjiteti i vajzës malësore që e ruan si gjënë më të shenjtë të jetës. Dhe do të kërkonte forcë për t’i bindur se këtë të lajthitur nuk e njihte fare, pa le të kishte bërë dashuri me të. Më shumë se kaq Rukie Rama do të këmbëngulte para hetuesëve se gjithçka ishte një trillim i poshtër. Se ajo, jo vetëm nuk kishte dashuruar ende kërkënd, por ishte edhe një vajzë e virgjër. Këtu beteja do të bëhej edhe më egër e komplekse. Rukie Rama me gojën e saj do të kërkonte analizat përkatëse për t’i konfirmuar drejtësisë të vërtetën, për të zbardhur intrigën e “të dashurit” të saj. Tanimë skena do të zhvendosej në laboratorët e Tiranës...
E papritura e 20 janarit 1975
Për të mbërritur deri te certifikata e virgjërisë, mësuesja e Pacit, duhej të kalonte të tjera peripeci. Teksa përshkruan ato, Rukie Rama kujton: Ishte ora 6:00 e mëngjesit e 20 janarit ‘75 kur më morën nga qelia dhe lidhur duar e këmbë më hipën në “Gazin” e degës. Në sediljen ku rrija, në të dy anët më rrinin ngjitur dy punonjës të Sigurimit. Në vendin në krahë të shoferit, rrinte ulur një funksionar i lartë i asaj kohe, kuptohet i degës së brendshme. Ishte ditë shumë e ftohtë, me borë, ngrica dhe akull. Isha nisur pa ngrënë asnjë gjë. Madje, nuk më lanë të merrja as një shishe me ujë me vete. Ecëm rrugëve të qafës së malit dhe kur arritëm në Tiranë ishte ora 7:00 e darkës. Plot 13 orë e lidhur duar e këmbë, e pangrënë dhe pa kryer asnjë nevojë personale. Fillimisht filluan të nxihen duart se këmbët nuk ndiheshin fare, por pastaj u nxinë komplet dhe u mpinë. Po shkoja të bëja ekspertizë për nderin tim. Sa bukur tingëllon fjala që populli e përdor në momente të veçanta kur sheh apo dëgjon diçka që nuk shkon, “hapu dhe e përpimë!”. Gjatë gjithë rrugës ata flisnin e qeshnin si pa të keq. Ndaleshin here pas here për të ngrënë bukë e për të pirë kafe. Unë gjithnjë e lidhur në makinë si trung. Kështu deri sa mbaroi kjo procedurë. Për disa ditë duhej të bëhesha banore e burgut të Tiranës. Mbaj mend si tani një gardiane me zemër njeriu, që e thërrisnin Myrvete, e cila më ndihmoi si vajzën e saj me shumë përkujdesje dhe dashuri. Gjithsesi, tërë këto sfilitje nga Tropoja në Tiranë do t’ia vlenin. Ajo certifikata e ardhur nga laboratori do të rrëzonte dëshminë e bashkëpunëtorit të sigurimit, të cilit i paskësha thënë në momente intime se do të tradhtoja atdheun e do të arratisesha. Tashmë ai dokument që vërtetonte shkencërisht virgjërinë, do të binte si bombë te të gjithë ata që kishin organizuar tërë këtë kurth. Gjithçka këtë radhë do të kthehej mbrapsht. Po deri këtu më kishte shkuar goxha. Sa herë kujtoj këtë dhimbje më del para syve ajo malësorja, e cila kur ja patën vrarë të dy djemtë njëherësh u ul në mes dy kufomave për t’i vajtuar dhe filloi të thoshte, “nëna do jetojë o bir se mendja paska rrënjë”. E ndjej, pra të arsyeshme të them këtë shprehje në ato momente se vërtet mendja kishte rrënjë.
E, pra ky karvan i vuajtjeve të mia zgjati shumë vite, provova shumë tortura nga njerëz pa njerëzillëk, nga njerëz pa shtyllë kurrizore, nga njerëz të pashpirt. E këta kurrë dhe për asgjë s‘do të kërkojnë falje, se janë sadistë...



(Vota: 4 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora