Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Shefik Shkodra: Kombi nuk është një protokoll ditor

| E merkure, 18.05.2011, 06:59 PM |


KOMBI NUK ËSHTË NJË PROTOKOLL DITOR

 

Nga SHEFIK SHKKODRA

 

Kemi shkruar edhe vitet e kaluara për kombin në të përditshmet: “Ekspress”, “Infopress”, “Kosova sot”, etj. Si duket po përsëritim vetveten dhe njëri-tjetrin në këtë diskurs. Nuk e di a po e përcjellim njëri-tjetrin, apo duam ta aktualizojmë e ta përkujtojmë temën. Nuk them se nuk duhet të shkruhet e të diskutohet edhe më për këtë çështje. Përkundrazi, gjithherë duhet të jemi të gatshëm për të gjitha e edhe për këtë çështje.

 

Me kompetencë e pa kompetencë

           

Edhe ata me “kompetencë” duhet të kenë kujdes në shkrimet për publikun. Të mos përsëritin shprehjet, edhe termin shkencor edhe përkthimin në gjuhë shqipe. Të mos pështjellojmë shumë tekst pa funksion. Teoritë e studiuesve dhe dijetarëve të huaj, vetëm na ndihmojnë në shpalimet e mbështetura për shpjegime të çështjes. Por, krahasimet, shpeshherë nuk përkojnë me gjendjen e përgjithshme te ne. As mendimet e një kohe për edukim të shqiptarëve nuk janë si në ditët e sotme. Në shekujt XIX dhe XX, shqiptarët kishin shkallë shumë më të ulët të arsimimit se sa sot. Prandaj, ishte nevojë që të flet e shkruaj dikush prej letrarëve, mendimtarëve të kohës, për një afrim sa më të mirë. Për ta kuptuar unitetin kombëtar sa më qartë. Nuk ka nevojë t’i shpjegohen askujt termat ‘etni’, ‘popull,’ ‘komb,’ etj. Të gjithë ata që nuk i kanë të qartë këto dhe të tjera duhet t’u bëhet me dije, me emër e mbiemër (nëse veç jemi për këtë korrigjim të kujtdo qoftë), jo për ta damkosur askënd, por për ta quajtur vërtet rastin ‘me kompetencë’. Unë do të isha shumë i kënaqur, kur njerëzit e profesionit, dijetarët, studiuesit e mirëfilltë japin kontributin e duhur, të qartë dhe vizionar për këtë dhe çështje të tjera. Dhe, të tjerët që nuk marrin shumë vesh e që janë jashtë atyre kompetencave për të debatuar, do të mësonin dhe do të binden edhe me ato teori, qofshin edhe jo aq të paarritshme për kohën.

 

Mund të ndodhë të mos e kam të qartë

 

Të gjitha shkrimet e mendimtarëve i përcjell, por, disa në këtë insistim nuk i kuptoj, çka është fitimi i jonë, nëse ne do të shndërroheshim në “kosovar” e jo shqiptar? Cili është qëllimi i fundit, nuk kam arritur ta kuptoj nëntekstin e këtyre shkrimeve? Si mund të shkëputemi natyrshëm nga krejt pasuria e jonë kombëtare për t’u veshur me një diçka krejt tjetër? Nuk do t’i besohet teorive që ngulitën lehtë thonjtë në një kozmopolitizëm bashkëkohor të një globalizmi politik, ekonomik, kulturor e historik, duke filluar nga zero e duke pas lënë pasurinë shpirtërore e materiale q’prej kohësh. Është mirë të thuhet se, çka do të ishim ne – kosovarët.

 

Kombi i ri pa i pa integruar me vetveten

 

Integrimi jonë kombëtar (shqiptar) ka mbetur pezull dhe ruhet me kujdes koha gradualisht që të bëhet njëherë e përgjithmonë ai unitet, sigurisht me kushtet që janë krijuar në këtë fillim shekull. 

Është vetëm një hipotezë zvarritëse që ka marrë dimension të diskutueshëm, me diametër të kufizuar në hapësirën kohore gjithashtu të kufizuar. Përkufizimet janë sheshazi. Integrimet evropiane, nuk do të thotë se, duhet të jenë për të gjithë ata që zhvishen nga rrobat kulturore të deritashme. Por, me mendësi dhe sjellje që do të shënonte rritje në zhvillim, arsimim, kulturë, pa e penguar tjetrin. Kjo mënyrë do të ishte edhe liri individuale e kolektive. Për një komb të ri, në radhë të parë, nuk ka disponim të përgjithshëm nga vetë qenia jonë kombëtare shqiptare, për rikonstruksione të reja. Me vetëdije e pa vetëdije, qytetari i jonë nuk e pranon një gjë të tillë. Pjesa më e madhe thirret në një komb, në një flamur e ai që jemi është Kombi shqiptar me të gjitha simbolet dhe dispozitat. Figurshmëria ekziston kaherë, pa dilemë. Sidomos, pas viteve të shtatëdhjeta është kompletuar me faktet (e kemi përmendur edhe më herët: tradita, ekonomia, arsimi, historia, kultura dhe gjuha) që mund të qëndroj në këmbë të veta kjo pjesë e shqiptarëve, bashkë me pjesët tjera. Shndërrimi nga kombi qindvjeçar e me traditën kulturore mijëvjeçare në një komb tjetër, kjo s’është punë e një marrëveshje tregtare me protokoll ditor. Kolegët, M. Hyseni, e ndonjë tjetër i kanë shfaqur të gjitha ato që janë shumë artificiale. Natyrisht, duke u ndërlidh gjithmonë me pjesët tjera të shpërndara rreth Kosovës, por edhe (tash) drejtpërdrejt me Shqipërinë. E dyta, nuk fitohet asgjë me ndërrimin e emërtimit, sepse, integrimet evropiane nuk kanë për qëllim formën veç substancën. E ajo esencialja për ne është qeverisja me ligje, zhvillimi ekonomik, kulturor dhe sjellja e vetë qeveritarëve dhe qytetarëve tanë. Pra, si do të bëhemi ‘kombi shtet’ – ‘kombi kosovar’. Mirë e ka thënë ai kolegu, një përzierje e shumë etnive, që me siguri shumica e syresh nuk do ta pranonin kombin e ri. Po, për ne nuk ka kurrfarë prioriteti.

Angazhimet (kemi thënë edhe herë të tjera) duhet të jenë nga të gjithë. Edhe te shqiptarët e Shqipërisë, të Kosovës, të Preshevës e Medvegjës, Maqedonisë, Malit të Zi e kudo tjetër, duhet të punojnë më tepër në manifestimin e përbashkësisë botërisht. Duke filluar nga sporti, kultura e letërsia, por edhe në ekonomi e degë të tjera duhet demonstruar marrëdhënie reciproke me vetëdije të lartë. Shqiptarët të bashkuar do të ishin shumë më potencial për integrime tjera. 

Është shumë normale që në çdo kohë të ketë edhe dyzime mendjesh nga individë të ndryshëm. Dilema të këtij lloji kemi edhe sot, me siguri duke menduar se do të sillnin diçka me interes shoqëror. Fjala është se, kah, në ç’drejtim duhet të ecet. Për vitet e njëzeta në Shqipëri dhe kudo te shqiptarët nuk është ndonjë paradoks dilema se, çka dëshiron shqiptari, çka do ta quaj vetën. A do të dëshiroj të jetë shqiptar, apo ndonjë komb tjetër. E sotmja është pak më e vrugët për ata që mendojnë se, nuk po dinë se çka janë dhe çka do të bëhen. Dhe përpjekja për integrim kombëtar është puna më reale e më dobishme për të gjithë shqiptarët. Jo integrim klasik, thamë, por me spontanitet dhe kjo arrihet, veç nëse nuk dëshirojnë institucionet demokratike të cilës do anë e shqiptarëve.      

 

Shtetet e qytetarëve pa identitet kombëtar

 

E kemi thënë edhe në vitet e kaluara, kësaj here nuk do të sqaroj më për ngjashmëritë dhe mundësitë për krahasime me të tjerët nga vende e kontinente. Derisa në Amerikë dhe Evropë kemi shtete komb, duke pasur parasysh një zhvillim ekonomik, historik e kulturor të jashtëzakonshëm. Ata (qytetarët e atyre vendeve) iu nënshtruan rreptësisht ligjit dhe normave juridike. Kur para ligjit janë të gjithë të barabartë (me pozitë shtetërore dhe pa pozitë), atëherë shfaqet edhe një identitet shtetëror. Kombi mbetet sa për një identitet liberalizmi për shprehjen kulturore e tradicionale, por pa dalë jashtë asaj që mund të sanksionohet me ato ligje të atij vendi, të cilat janë të përqafuara nga të gjithë sa jetojnë e veprojnë në ato vende, shumicë e minoritarë. Pavarësisht racës, kombit, fes, gjuhës, etj. bie fjala, francezi që është i ardhur në Francë nga Maroku, Algjeri me emër e mbiemër, me fe e traditë tjetër, por i regjistruar francez. Kështu, ne e shohim një kozmopolitizëm te ato vende. Dhe ne na duket shumë punë e thjeshtë që të ngjajmë si të tillë. Rrymat kozmopolite që na përshkojnë nuk ka gatishmëri që të përqafohen nga vetë qytetarët. E para, nuk është derti si do të shfaqet qytetari i jonë me pamje kështu apo ashtu, duke imituar të tjerët, veç halli është, se si mund të mbijetohet për bukën e ditës. Paralel me këtë është edhe ngritja arsimore. Ne (shqiptarët) kemi përqafuar disa tipare të një bote të një kozmopolitizmi, sidomos në përvetësimin e disa të ligave. Trafikimi me drogën, me kriminalitetin e dhunën, hajninë, trafikimin e qenieve të gjalla, etj. po me forcën e aparatit shtetëror – të ligjit mbetemi shumë mbrapa gati çdo vendi. Korrupsioni dhe pa barabarësia para ligjit prishin themelet e asaj që quhet shtet. Të gjitha lëvizjet në aktivitete të  ndryshme, veprimet e shoqërisë përcillen me normat juridike. Zhvillimi ekonomik, prodhimtaria, shkenca (shpikjet në teknologjinë bashkëkohore) gjithnjë e avancuar, ka bërë te këto vende të ndryshohet kodi prej atij komb i shkrirë vetëm në qytetar i atij shteti. Pa e pas nënçmuar racën, pjesëtarin nga kombi tjetër, fenë etj. vetëm arritja e qëllimit për një shtet me të drejta dhe obligime të barabarta - qytetare. Pa ndonjë komb të madh a të vogël të privilegjuar për të sunduar të tjerët.

 

Bashkimi evropian dhe qeverisja me kombet e bashkuara – idealizëm relativ

 

Bashkimi evropian s’është gjë tjetër pos bashkim i forcave politike, ekonomike, kulturore e strategjike. Ata dëshirojnë që të gjithë sa janë të jenë me një frymë në lëmenj të ndryshëm të jetës publike. Ata janë sundimtarët (duke i përshtatur ligjet, tregun dhe veprimtaritë tjera në shoqërinë e përbashkët) që luajnë rolin e një qeverie të përgjithshme. Ky integrim dhe pritja e të gjithë atyre që ende nuk janë pranuar është shumë i mirë. Sidomos, për vendet ballkanike që kanë mbetur si vendet më nacionaliste dhe më të pazhvilluara edhe ekonomikisht, prandaj edhe ngecje në emancipim të fushave tjera. Gjithsesi,  për shqiptarët në përgjithësi, e në veçanti për Kosovën me pretendime për shtet real. Është një idealizëm që të jenë të barabartë të gjithë qytetarët e vendeve të kontinentit. Idealizmi i tillë nuk është veç për të shërbyer një grup (Këshill), por edhe të kenë përfitime ekonomike, politike, kulturore dhe strategjike, si oponencë e SHBA-ve, por edhe të tjerëve. Ndihma nga ata më të fortit është e mirëseardhur, por edhe sanksionimet e pranueshme. Kështu, nuk ekziston vetëm e mira, por edhe e kundërta. Shtetet e zhvilluara ekonomikisht janë në leverdi njëra me tjetrën në këtë union derisa të mos shfaqen keqpërdorimet aty për aty. Derisa të mos ngarkohet dikush më tepër në shpinën e atij populli të atij vendi pjesëtarë të këtij unioni.

Deri në momentin kur nuk do të ketë korrupsion në atë masë e shkallë të madhe, derisa burokratizimi nuk pengon njëri tjetrin, BE do të jetë me Këshillin, parlamentin dhe organet e veta qendër për dirigjimin e qytetarëve evropian. Në rastin kur këto vende të bashkuara, për arsye të ndryshme ndahen dhe prishet marrëveshja, problemi më i madh do të jetë për kombet e vogla me ekonomi të vogël. 

 

Shqiptarët ishin dhe janë në Evropë

 

Janë thënë e numëruar disa herë prej shumë kujt të gjitha rrjedhat historike: shqiptar – evropianë. Po janë thënë të gjitha ngjarjet nëpër histori se, shqiptarët nuk janë ardhacak në këto troje dhe nuk as parazit.

Nuk ka nevojë që të thirrem në histori dhe në marrëdhëniet e shqiptarëve me të gjithë fqinjët, por edhe më larg, qoftë në artin ushtarak, luftarak, në artin letrar dhe atë pamor, etj. Me e pa definicione leniniste e staliniste, po as të ndonjë tjetri qëndron përkufizimi i termit komb, veç i ndarë. Me fe e pa fe, e me ato që i kemi në Evropë jemi. Pa kushtëzime në kulturën dhe traditën, historinë, gjuhën dhe sovranitetin. Pa të gjitha është e sigurt se nuk do t’i përkasim kombit shqiptar. Mirëpo, do të binim ndesh me vetveten. Do të mbeteshim pezull në një kohë. Të gjitha janë prova me pasiguri. Ndryshimet janë të domosdoshme në të gjitha fushat, si modifikime të herë pas hershme, natyrisht kur është leverdia e përgjithshme kombëtare.