E shtune, 20.04.2024, 12:21 PM (GMT+1)

Editorial

Engjëll Koliqi: Ka ardhur koha!

E hene, 28.01.2008, 08:19 PM


KA ARDHUR KOHA!

Për të siguruar ulësen e Shtetit të Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, duhet të ndërmerren masat adekuate, deri në denoncime penale kundër atyre që padrejtësissht po pengojnë. Në rrethanat aktuale, patjetër duhet denoncuar autoritetet qeveritare të Moskës, për implikime e krime gjatë luftës në Kosovë dhe për ambicje pushtuese, kolonialiste e kriminale ndaj popullit të Kosovës.

Shkruan: Engjëll KOLIQI

Lecco, janar 2008

Engjëll Koliqi
Procesi historik i ridemnsionimit të shoqërisë njerëzore, të historisë dhe të gjeografisë ballkanike, mbase po përmbushet pak pa i mbushur tri dekada. I filluar në pranverë të vitit 1981, ky proces historik i ridemnsionimit të Ballkanit, në pranverën e këtij viti – mbas 27 vitesh – po i përforcon rrënjët në kryeqytetin e shtetit më të ri të Kontinentit të Vjetër – në Prishtinë.
Tashmë të gjithë e kanë të qartë se këto ditë rishpallet Pavarësia e Kosovës dhe se shumica e shteteve, nga mbarë bota, do e njohin mvetësinë dhe shtetësinë e Kosovës. Po vuloset përfundimisht statusi i Kosovës, me  emrin shtet, por ende me shumë pikëpyetje dhe me shumë mistere. Brenda këtij procesi ende ka shumë pakuptimësi. Është pikëpyetje e madhe mbi nocionin faktik të sovranitetit të Kosovës, kur tashmë dihet fakti se timoni komandues i institucioneve shtetërore të Kosovës, nga UNMIK-u kalon në EUMIK. Misioni i Bashkimit Europian, do të udhëheqë me proceset e sigurisë dhe të drejtësisë, si edhe me ato ekonomike-financiarre, ndërsa paqen dhe sigurinë ende do e mbrojnë trupat e KFOR-it, nën komandën e NATO-s.
Mbase në kuadër të implementimit të pakos së Ahtisaarit mbi rregullimin e jetës në Kosovën e passtatusit, brenda afatit kohor 120 ditësh, do të formohen edhe dy ministri të reja – ajo e mbrojtjes dhe e punëve të jashtme, që nënkupton edhe konstituimin e FSK (Forcat e Sigurisë së Kosovës – siç do të quhet ushtria jonë), si dhe shërbimin diplomatik, që parasheh edhe hapjen e ambasadave, respektivisht të zyrave diplomatike dhe konsullore, në vendet më me ndikim në botë dhe në ato ku mërgata kosovare është me dendësi më përmbajtësore. Në këtë kontekst shtrohet pyetja: - Me praninë e vazhdueshme (siç paralajmërohet) të trupave të KFOR-it në Kosovë, vallë  ç’rol, ç’detyrë e ç’kuptim do të ketë FSK-ja (Forcat e Sigurisë së Kosovës)?! A do të kemi, siç kanë vendet e tjera sovrane Shtabin Suprem të Forcave të Armatosura?!
Tash po futem aty, ku kryesisht duhet të ndalem në këtë analizë-kërkesë timen për liderët e institucioneve të Kosovës, siç është çështja e ulëses së vendit tonë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Duke i pasur parasysh rrethanat aktuale në të cilat po përmbyllet definimi i statusit të Kosovës, me lojën e pashembullt dhe të pakuptimtë të Rusisë në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, me plot të drejtë druajmë për mungesën e ulëses sonë në OKB. Si do të mund të themi se Kosova është shtet i pavarur, nëse nuk do të mund të përfaqësohet legalisht në OKB?! Në këtë kontekst vëhet në pikëpyetje edhe diplomacia jonë, që në këso rrethanash nuk do të përfaqësohet me ambasada, por mbetet në rangun e zyrave ndërlidhëse. Do të mund të paraqitet edhe problemi i (mos)çasjes së drejtëpërdrejtë në Bankën Botërore, në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në organizmat tjerë ndërkombëtarë, që kushtëzojnë dhe dirigjojnë zhvillimin e gjithëmbarshëm të vendeve dhe të shoqërive njerëzore, anekënd botës. Pa atributin sovran të shtetësisë, nuk do të jetë e lehtë marrja e kredive zhvillimore, as garantimi i investimeve ekonomiko-industriale.
Për t’u shmangur nga këto probleme që mund të na shkaktojnë telashe të shumta, liderët e institucioneve të Kosovës duhet të ndërmarrin masat e nevojshme për ndalimin përfundimtar të ofensivës së rrezikshme antikosovare, respektivisht antishqiptare, të aparatit shtetëror të Moskës, të udhëhequr nga kryemafiozi KGB-ist – Vladimir Putin. Pa humbur kohë, institucionet tona shtetërore – Presidenca, Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës, duhet t’u drejtohen prokurorive të gjykatave ndërkombëtare, me denoncim penal kundër qeverisë, respektivisht aparatit shtetëror të Rusisë në Moskë, për përzierje në çështjet tona të brendshme, me trendenca kolonizimi deri në shfrytëzim klasik të pasurive tona natyrore, për krime kundër njerëzimit, gjatë luftës në Kosovë dhe për tentim pushtimi, në qershor të vitit 1999. Me këto kallëzime penale, institucionet tona duhet t’u drejtohen: Gjykatës Ndërkombëtare për Krime Kundër Njerëzimit, Gjykatës Ndërkombëtare për të Drejtat e Popujve dhe Njerëzore dhe Gjykatës Ndërkombëtare për mbrojtjenn e së drejtës ndërkombëtare të popujve për vetëvendosje dhe të shprehjes së identitetit kombëtar. Për hartimin e denoncimit penal kundër aparatit shtetëror të Moskës, siç u tha më lartë, kemi plot argumente. Po i përmendi vetëm disa nga ato: në kuadër të ndihmës, kryekriminelit Millosheviq, në luftën gjenocidiale, ushtria ruse ka dërguar në Kosovë makineri ushtarake dhe armatim, deri në aeroplanët luftarakë MIG, që i kanë mbetur në hangaret e Goleshit, për ç’arsye – një ditë para hyrjes së trupave të NATO-s, trupat ruse e kanë pushtuar Goleshin dhe Aeroportin e Prishtinës. Luftëtarët tanë të Lirisë, në front kanë vrarë ushtarakë rusë, me grada të larta, të dërguar nga ushtria ruse për të vrarë njerëz në Kosovë dhe për ta ndihmuar Serbinë në zbrazjen e Kosovës nga shqiptarët. Janë jo vetëm emrat, por edhe dokumente të bollshme për gjykatat, deri në teserat e tyre ushtarake, të konfiskuara pas vrasjes së tyre.
Mendoj se kryemafiozi Putin dhe aparati i tij shtetëror, i ripërtrirë pas zgjedhjeve të falsifikuara, me t’u përballur me këto denoncime në gjykatat ndërkombëtare, do të detyrohen të ndërrojnë kursin politik ndaj Kosovës dhe do të privohen automatikisht nga e drejta e vetos në KS të OKB-së. Në këtë mënyrë Putinit i pamundësohet bllokimi i ulëses së Kosovës në OKB.
Ka rdhur koha!  Le të veprojmë sa nuk është tepër vonë, sepse – nëse me të vërtetë ekziston drejtësia ndërkombëtare, atëherë ndikimi shovinist e jolegal i përfaqësuesve rusë në KS të OKB-së do të paralizohej dhe Kosova do të fitojë ulësen e vet në OKB, si dhe me çasje të drejtëpërdrejtë në institucionet ndërkombëtare financiare, do të shpejtojë zhvillimin ekonomik, duke garantuar investimet e brendshme dhe të jashtme në territorin e vet.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora