Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Fahri Xharra: Qendra mbarëshqiptare e rëndimit

| E premte, 13.05.2011, 07:58 PM |


Qendra mbarëshqiptare e rëndimit

 

Nga Fahri Xharra

 

Çdo gjë në natyrë është fryt i saj. Çdo gjë e gjallë duhet patjetër t`u përshtatet ligjeve të natyrës, përndryshe rrezikohet nga zhdukja. Një prej ligjeve më universale të forcave të natyrës është ligji i rëndimit (i gravitetit).

Është një forcë tërheqëse në mes të të gjitha gjërave. Çdo objekt në gjithësi është i rrethuar nga fusha e rëndimit e cila rritet në pakufi në të gjitha drejtimet, fuqia e së cilës është drejtpërdrejt proporcionale me masën e objektit. Çdo copëz në gjithësi tërhiqet me gravitet nga çdo copëz tjetër.

Qysh moti, popujt e civilizuar e kanë kuptuar këtë ligj të natyrës dhe e kanë krijuar qendrën e tyre të rëndimit, i kanë krijuar të gjithë parametrat për të qëndruar, evoluuar, përparuar në udhëheqjen e tyre kombëtare, fetare, intelektuale, ushtarake.

Popujt dhe kombet që nuk i janë përshtatur organizimit sipas këtij ligji, janë dobësuar, kanë mbetur të rendit të dytë apo të tretë ose edhe janë zhdukur nga faqja e dheut.

Po ne ku jemi? Historikisht a kemi pasur qendër të rëndimit, qendër të vendosjes? Jo.

Më mirë të themi e kemi pasur vetëm për një kohë të shkurtër 25-vjeçare gjatë periudhës së Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Ai ishte qendra më e forta e jona e rëndimit dhe çdo gjë peshonte më rëndë në rrethin e atëhershëm ballkanik.

Edhe më vonë është kërkuar për një qendër të rëndimit, për një qendër të vendosjes mbarëshqiptare, por lojtarët tanë të mëdhenj e luanin lojën kundër ligjeve të gravitetit universal kombëtar. Secili mundohej të krijonte qendrën e tij të rëndimit dhe që bota shqiptare të rrotullohej vetëm rreth tij.

Në fillimin e shekullit XIX, kur filloi kalbja e perandorisë osmane dhe i gjeti shqiptarët me dy qendra të rëndimit, Edith Durham shkruante: ”Po të kishin mundur shqiptarët të prodhonin një Skënderbe të dytë, pavarësia e saj do të kishte qenë e sigurtë”. E dhembshme! “Që të dyja, veriu dhe jugu, u hodhën në një kryengritje të sigurt për fitore, por mungesa e bashkimit e solli shkatërrimin e tyre. Ato nuk u ngritën bashkë”.

Mosgatishmëria për një qendër të rëndimit, historikisht tipike për shqiptarët, ia mundësoi turkut që ato dy pole gjeografike dhe ideologjike, t’i mbajë të ndara e të nënshtruara.

Çdo herë kur kemi humbur kontrollin e përgjithshëm jemi shkokëluar në copëza të shpërndara, pa kurrfarë mundësie të kthimit në tërësinë tonë.

Aplikimi i konceptit të gravitacionit varet nga ajo se sa jemi të aftë: të masim forcat e gravitetit në mes dy apo tri objekteve që na rrethojnë (trekëndëshi i njohur antishqiptar), të gjejmë qendrën e masës së një objekti, të krijojmë qendër artificiale të rëndimit, të sajojmë lakoren e orbitës së gravitetit, të kuptojmë se si forcat gravitale rëndojnë.

Shpallja e pavarësisë (1912) na gjeti si zakonisht pa qendër graviteti, pa qendër të vendosjes, e ndikimi i apetiteve të trekëndëshit të njohur antishqiptar ishte shumë i madh në dëm tonin.

Duke mos ditur se si forcat gravitale rëndojnë, dikush i binte thumbit e dikush patkonit, dikush e donte Babën e dikush Evropën e shumëkush nuk dinte se çka donte. Assesi të gjenim qendrën e masës së objektit ku gravitojnë të gjitha forcat e që quhej pavarësi.

Bota vëren dhe vrojton. Ne shqiptarët sigurisht që jemi në qendër të vrojtimit. Ata e dinë që ne jemi të lehtë, ata e dinë që ne nuk kemi qendër të rëndimit. Duke mos pasur qendër të rëndimit, e kishim të vështirë aplikimin e koncepteve të gravitetit.

Me këtë paaftësi u shfaqëm në Rambouillet. Kështu që, SHBA-ve iu desh të sajojnë një qendër artificiale të rëndimit që të gjithë të marrin pjesë në nënshkrimin e marrëveshjes fatlume të Rambouillet-së. Në Serbi punon Akademia e Shkencave dhe Kisha e tyre Ortodokse, Në Greqi çështjet e tyre madhore kombëtare i vendos Kisha Ortodokse. Edhe në Maqedoni Kisha Ortodokse maqedonase me ndihmën e asaj ruse e pa shqiptarët e vetëpërjashtuar janë qendrat e tyre të rëndimit.

Qendra jonë e vendosjes është e shpërndarë në klane, klube, parti dhe sekte të ndryshme

ekonomike, interesi i të cilave nuk iu”ha palla” për tërësinë. Trevat mbarëshqiptare, të gjitha në fqinjësi njëra me tjetrën, janë larg formimit të qendrës sonë të rëndimit, janë larg pasi që individët e caktuar mendojnë se të gjithë të tjerët duhen të sillen rreth tyre.

Sikur të dinim se sa punë duhet për t’u ngritur një objekt kundër qendrës së rëndimit nuk do të ishim kaq të shpërndarë. Të tjerët këtë e dinë dhe llogarisin saktë se çfarë mundi iu duhet për të na larguar nga graviteti ynë, si dhe nga orbita e jonë e qëndrueshmërisë historike.

Si veprojnë ata? E kanë të qartë dhe shumë mirë të llogaritur energjinë finale dhe nxitimin e duhur të një objekti që bie prapa në tokë dhe e dinë mirë se çka duhet bërë që ne të qëndrojmë gjithmonë pezull si objektet e humbura në gjithësi.

Përfundimisht, është shumë e nevojshme t`i mbështetemi diçkaje dhe të krijojmë qendrën tonë të rëndimit, qendrën tonë të vendosjes, sepse si në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni shihet qartë se nuk jemi askund në universin e politikës, ekonomisë dhe të përgatitjes së ardhmërisë mbarëshqiptare.

 

Botuar në Zëri, 23-04-2011