Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Tirana mbetet beteja e fundit, Arvizu e Sequi vëzhgojnë numërimin

| E enjte, 12.05.2011, 07:58 PM |


TIRANE- Procesi i numërimit të votave të zgjedhjeve të 8 majit ka hyrë sot në ditën e katërt, dhe beteja për Tiranën kryeqytet bëhet ende më e fortë. Një herë kalon në avantazh kandidati i koalicionit të majtë, “Aleanca për të Ardhmen” Edi Rama dhe një herë rivali i tij demokrat Lulzim Basha. Ka përfunduar numërimi  në Elbasan, rikonfirmohet Qazim Sejdini i PS. Ne Durres fiton Dako i PS, Shkodren e merr Luka i PD-se.

TIRANE, BASHA NE AVANTAZH 
Ora 00:10 - Nga numërimi i 457 nga 485 kutitë e votimit në total, ka rezultuar se kandidati i koalicionit të majtë “Aleanca për të Ardhmen” ka siguruar 117047 vota kundrejt 118178 votave të siguruar nga rivali i tij demokrat i “Aleanca për Qytetarin”. I treti renditet Hysni Milloshi me 1158 vota. Numërimi vazhdon në njësinë nr. 5 dhe 9 ndërsa ka përfunduar numërimi në njësitë e tjera. Të dhënat e fundit të azhornuara nga KQZ flasin për Bashën në avantazh me 1113 vota, ndërsa kanë mbetur 28 kutite e fundit te votimi pa u numëruar. 

AMBASADORI I BE, SEQUI NDJEK NUMËRIMIN E VOTAVE NË NJËSINË NR.9
Ora 23:00- Ndërkohë që kanë mbetur edhe dy njësi për tu numëruar në kryeqytet, njësia 5 dhe ajo 9, vazhgues ndërkombëtarë janë mësymur drejt tyre për të parë se si po ecën numërimi. Përmendëm që ambasadori i SHBA Arvizu po ndjek numërimin tek njësia.5, ndërsa tek njësia nr.9 ka shkuar tashmë ambasadori i BE, Etore Sequi, për të ndjekur pikërisht vijueshmërinë e numërimit.

ARVIZU: TË NUMËROHEN VOTAT E NJËSISË. 5
Ora 22:23- KZAZ nr. 49 të njësisë bashkiake nr. 5 ku aktualisht numërimi vazhdon në mënyrë të ngadaltë dhe shpeshherë ka pasur incidente e tensione, e ka vizituar orët e vona të mbrëmjes ambasadori i SHBA-ve Aleaksandër Arvizu. 

Mbërritja e papritur e tij, sic raportoi gazetari i NEWS 24 Arbër Hitaj bëri që komisionerët e përfshirë në debate t’i rikthehen numerimit të kutive. Sherri i nisur mes komisionerëve u bë për një fletë votimi, që kamera nuk e tregoi në lexim. 

I pyetur nga gazetarët për situatën e krijaur aty, Arvizu u shpreh se është me rëndësi që qytetarët të mësojnë rezultatin e zgjedhjeve.

“Njerëzit duan që votat të numërohen, njerëzit meritojnë që votat të numërohen. Ne po bëjmë punën tonë që votat të numërohen”, shtoi ambasadori SHBA.

GJONCAJ: DENONCOJ VENDIMET E KQZ
Ora 22:00-
 Përfaqësuesi ligjor i PS në KQZ Genci Gjoncaj ka akuzaur KQZ-në dhe kryetarin e saj Arben Ristani se në mënyrë të jashtëligjshme po pengojnë punën e komisionerëve të majtë në KZAZ-të e njësisë 10 e 5, duke mos cuar aktet e emërimit për këta përfaqësues.

“Jam këtu para jush për të denoncuar me forcë një veprim të jashtëligjshëm, faktin që prej tre orëve vendimmarrja e KQZ-së nuk cohet në KZAZ-të përkatëse, duke shkaktuar vonesa në funksionimin e 2 KZAZ-ve asaj të njësisë vendore nr. 10 dhe të njësisë nr. 5. Përfaqësuesit tanë në këto njësi janë në pritje të akteve të emërimit të tyre për të ushtruar detyrën sipas përcaktimeve ligjore, ndërkohë administrata e KQZ-së vepron në mënyrë të jashtëligjshme duke mos iu vënë në dispozicion vendimarrjen e KQZ-së. Kjo administratë e politizuar në ekstrem vazhdon të pengojë në mënyrë të qëllimshme veprimtarinë e këtyre dy njësive vendore, të cilat janë në përfundim të procesit të numërimit të votave”, tha Gjoncaj.

Përfaqësuesi i PS ftoi Ristanin të bëjë detyrën e tij duke harruar pasioni e tij politik, që në këto momente sic tha Gjoncaj po bllokon punën në KZAZ-të e sipërpërmendura.
“I bëj thirrje zotit Ristani të sillet në lartësinë e detyrës që ka, të harrojë për një moment pasionin e tij politik dhe ta bëjë sistemin funksional, duke vënë në dispozicion të komisionerëve tanë aktet përkatëse pasi komisionerët janë jashtë gardhit policor të këtyre KZAZ-ve”, shtoi ai.

KRYETARI I NJËSISË 5 JEP DORËHEQJEN, SHKAK DËMTIMI I VULËS SË SIGURISË SË KUTISË 45
Ora 21:17
 Kryetari i njësisë numër 5 ka dhënë dorëheqje. Shkak i dorëheqjes së kryetari i cili i përket forcës politike të PD ka qënë problemi më dëmtimin e njërës prej vulave të sigurisë së kutitë me numër 45 e cila është dëmtuar gjatë trasportit. Mësohet se ka pasur presion nga ana ë Partisë Demokratike që kjo kuti të mos shkojë për numërim të KQZ, por numërimi i saj të bëhet në ambientet e njësisë numr 5. Po vijon numërimit në këtë njësi, ndërkohë që në këtë jësi 43o vota rezultojnë të pëvlefshme. 

NJËSIA 5, SIMPATIZANTËT E PS NË PRITJE TË REZULTATIT

Ora 20:17
 Vijon procesi i numërimit të votave në njësinë numër 5 e instaluar në shkollën ‘Vasil Shanto’. Sipas raportimeve më të fundit të gazetarit të NEËS24 Arbër Hitajka pasur një tjër problem përsa i përket kësaj njësie, ku një kutie votimi i është dëmtuar një nga 4 vulat e sigurisë. Por ka pasur një konsultë me KQZ dhe është vendosur që kjo kuti të hapet dhe procesi i votimit të vijojë. 

Ndërkohë në ambientet jashtë kësaj njësie simpatizantë të shumtë të PS janë në pritje të rezultatit, të cilët pas vizitës së amasadorit amerikan të SHBA Aleksandër Arvizu në Selinë Rozë ishin larguar, por nga raportimet më të fundit nga terreni gazetarit Arbër Hitaj bëhet me dije se ato janë mbledhur sërish. Ndërkohë që në ambientet jashtë kësaj njësie po zhillohet një luftë nervash pasi ka frca të shumta policie, përfaqësues të dy palëve. 

Në njësinë numër 5 janë numëruar 44 nga 65 kuti. Ku kandidati i PS Edi Rama është në avantazh me 13524 kundrejt kandidatit të PD lulzim Basha me 9965 vota. 

MBYLLET VOTIMI NË NJËSINË.8

Ora 19:47- 
Është mbyllur procesi i votimit edhe në Njësinë nr. 8 në kryeqytet. Në KZAZ nr. 52 janë numëruar 30 kutitë në total, nga të cilat rezulton fitues kandidati i Aleancës për Qytetarin, Lulzim Basha me 2391 vota më shumë se kandidati i PS, Edi Rama.

VOTA TË PAVLEFSHME NË TIRANË
Ora 19:46- 
Komisioni Qendror Zgjedhor ka bërë publike votat e pavlefshme në kryeqytet. Sipas të dhënave të KQZ në Tiranë rezultojnë 18408 vota të pavlefshme, ndërkohë që 6100 vota të pavlefshme llogariten për kandidatët e Bashkisë së Tiranës.

Sipas të dhënave që përcjell ky institucion në Tiranë rezultojnë gjithsej 18 408 vota të pavlefshme. Përkatësisht në njësinë numër 11 rezultojnë 802 vota të pavlefshme, ndërkohë në njësinë numër 8 rezultojnë 246 vota të pavlefshme.

PËRFUNDON NUMËRIMI NË ELBASAN, FITON SEJDINI I PS
Ora 19:31- Numërimi i votave për bashkinë e Elbasanit ka përfunduar mbrëmjen e sotme rreth orës 19:20. Sipas korrespondentit të këtij qyteti Fatmir Popja me tu shpallur rezultati ka nisur festa nga mbështetësit e kandidatit të "Aleancës për të Ardhmen" Qazim Sejdini. Po sipas tij, njëra prej kutive të fundit është shpallur e pavlefshme, ndërkohë që diferenca mes kandidatëve ishte e thellë në 95 kutitë e numëruara. Qazim Sejdini ka mbledhur 25444 vota, ndërsa Hushi i PD-se ka marre 17457 vota. Sejdini ka marre 7987 vota më shumë se Hushi.

AMBASADORI OSBE VËZHGUES NË NJËSINË NUMËR 9
Ora 19:16
 Ambasadori i OSBE Eugen Wolfarth po monitoron procesin e numërimit në njësinë numër 9 në kryeqytet e cila është e instaluar në shkollën ‘1 Maji’. Ndërkohë që në këtë njësi në numërimin e votave po asiston edhe Ministrja e Integrimit Majlinda Bregu. Në njësinë numër 9 po vijon procesi i numërimit ku raportohet se janë numëruar 34 nga 41 kuti. Ndërkohë që kandidati i PD Lulzim Basha ka 9937 vota, kandidati i PS Edi Rama ka 9443. 

ELBASAN; NUMEROHEN 92 KUTI, PS KRYESON
Ora 18:20-
 Në Elbasan jane numëruar 92 nga 96 kuti dhe kandidati Sejdini kryeson bindshem ndaj Hushit te LSI. PS ka 24592 vota, ndërsa Durim Hushi i PD- LSI deri tani ka 16932 vota. Mendohet se 6 kutitë e mbetura të mos kenë peshë në rezultatin final, pasi kandidati i PS ka rreth 5500 vota më shumë.

TENSION NË NJËSINË NUMËR 9
Ora 17:30 
Hyrja e një vëzhguesi të ri ka shkaktuar tension në njësinë numër 9. Sipas raportimeve të gazetares Erjona Rusi shkak i tensionit në këtë njësi është futja e një vëzhguesi të PDK i cili nuk e kishte emrin në listë. Anëtarët e KZAZ të kësaj njësie kanë pëzulluar përkohësisht procesin e numërimit të votave deri sa kanë bërë një verifikim të emrave të vëzhguesve duke kërkuar largimin e tij. Ky person është larguar pasi është bërë verifikimi i anëtarëve të KZAZ 53. Tashmë puna në këtë njësi ka filluar normalisht.

TENSION NË NJËSINË 8, ANËTARJA E KZAZ TENTON TË FUSË NË NUMËRIM FLETË TË PAVLEFSHME
Ora15:58-
 Sipas raportimeve që përcjell korrespondetja e NEWS24 nga njësia numër 8 në kryetqytet në njësinë numër 8 ka pasur tenSion midis palëve në këtë njësi, ku shkak kanë qënë 7 fletë të pavlefshme të cilat jën përfshirë në procesin e numërimit. Në këtë KZAZ pasi ka përfunduar numërim i votave në kutinë 27 kanë rezulatuar 7 fletë të pavlefshme të cilat janë lënë mënjanë, ndëkohë që një nga anëtaret e të kësaj KZAZ i ka marrë këto fletë dhe i ka futur në favor të kandidatit socialist Edi Rama. 
Në KZAZ e njësisë numër 8 tashmë janë hequr këto fletë dhe numërimi po vijon i qetë. Në njësinë numër 8 edhe 3 kuti kanë mbetur pa u numëruar. 

VAZHDON NUMËRIMI NË NJËSITË, 5, 8 DHE 9
Ora 15:38- 
Në KZAZ nr. 49 që i përket Njësisë nr. 5 procesi i numërimit po vazhdon me ngadalësi. Mund të themi se kjo është një nga KZAZ-të më problematike për sa i përket numërimit të votave.

Sipas gazetarit të NEWS 24, Arbër Hitaj “Aktualisht ka mbaruar së numëruari kuta e 43 në KZAZ e njësisë 5. Në avantazh është kandidati Rama me 156 vota më shumë. Pritet të numërohen edhe 22 kuti.
“Problematika më e madhe ka qënë procesi i numërimit. Procesi ka filluar në orën 12:00 dhe deri në 15:30 janë nunmëruar vetëm 2 kuti”, shton Hitaj.

Në njësinë numër 5 nga vetëm 2 tavolina po vijojnë procesin e numërimit të votave për këshillat bashkiakë nga 5 të tilla. Procesi i numërimit të votave për kryetar bashkie do të fillojë vetëm pasi të mbarojë numërimi për këshillat bashkiakë. Në njësinë numër 5 janë numëruar 42 kuti ku sipas procesverbalit për kuti rezultati është 12534 vota në favor të kandidatit Rama, ndërsa kandidati Basha ka marrë 9255 vota. 

Numërimi vazhdon edhe në Njësinë nr.9 në KZAZ nr. 53 ku janë numëruar deri në këto momente 33 kuti nga 41 që janë në total. Gazetarja e NEWS24 Erjona Rusi deklaron se në këtë njësi Basha është në avantazh me 384 vota.

Edhe në Njësinë nr. 8 në KZAZ. 52 nuk ka përfunduar numërimi i votave. Gazetarja e NEWS24 Ina Mëhilli deklaron se në këto momente është numëruar kutia e 27 ndërsa kanë mbetur edhe 3 kuti të panumëruara. Kandidati Basha është në avantazh me 2045 vota, ndërsa 246 vota janë shpallur të pavlefshme.

PROCESI NE 4 NJESITE
Ora 15:20- 
Në njësinë Nr 5 janë numëruar 40 nga 65 kuti e Rama ka 11830 ndaj Bashës me 8681 vota
Njësia Nr 11, janë numëruar të 55 kutitë. Rama ka 10720 kundrejt Bashës 13402. 
Njësia Nr 9, janë numëruar 33 nga 41 kuti. Rama ka 9273 vota kundrejt Bashës me 9650
Njësinë Nr 8, janë numëruar 26 nga 30 kuti. Rama ka 6034 vota kundrejt Bashës me 5079 vota.

REZULTATET SIPAS NË NJËSIVË FITUESE 
Ora14:30- 
Sipas të dhënave të KQZ në lidhje me procesin e numërimit të votave në njësitë e kryeqytetit rezultatet përfundimtare janë: 
Njësia Nr 1 ka mbaruar procesi i numërimit të votave ku janë numëruar 39/39 kuti. Kandidati i PS Edi Rama rezulton fitues me 9913, kundrejt kandidatit demokrat Lulzim Basha me 9467 vota. 
Njësia Nr 2 ka mbaruar procesi i numërimit të votave ku janë numëruar 54/54 kuti. Kandidati i PS Edi Rama rezulton fitues me 12406 kundrejt kandidatit të PD Lulzim Basha me 12691 vota.
Njësia Nr 3 ka mbaruar procesi i numërimit të votave ku janë numëruar 32/32 kuti. Kandidati i PS Edi Rama rezulton fitues me 8933 kundrejt kandidatit demokrat Lulzim Basha me 8457
Njësia Nr 4 ka mbaruar procesi i numërimit të votave ku janë numëruar 43/43. Kandidati i PD Lulzim Basha rezulton fitues me Basha 11000 kundrejt kandidatit të PS Edi Rama me10860 vota.
Njësia Nr 6 ka mbaruar procesi i numërimit të votave ku janë numëruar 51/51 kuti. Kandidati i PS Edi Rama rezulton fitues me 11599 kundrejt kandidatit të PD Lulzim Basha me 10618 vota.
Njësia Nr 7 ka mbaruar procesi i numërimit të votave ku janë numëruar 50/50. . Kandidati i PS Edi Rama rezulton fitues me 13723 kundrejt kandidatit të PD Lulzim Basha me 10564 vota. 
Njësia Nr 10 ka mbaruar procesi i numërimit të votave ku janë numëruar 25/25. Kandidati i PD Lulzim Basha rezulton fitues me 6226 vota, kundrejt kandidatit të PS Edi Rama me 5702 vota. 
Njësia Nr 11 ka mbaruar procesi i numërimit të votave ku janë numëruar 55/55. Kandidati i PD Lulzim Basha rezulton fitues me13402 vota, kudrejt kandidatit të PS Edi Rama 10720 vota. 

DURRES FITON DAKO I PS 
Ora 12:00- 
Durrësi, një ndër bashkitë më të mëdha në vend rifitohet sërish nga Partia Socialiste. Sot në mesditë u finalizua procesi i numërimit të votave te kutise se fundit, ate te 165-te ku me 33 369 vota u shpall fitues Vangjush Dako i PS, kurse Xhaferraj i PD mori 29 785 vota. 

ELBASAN; NUMEROHEN 82 KUTI, PS KRYESON, MBETEN 14 KUTI VOTIMI
Ora 11:59- 
Në Elbasan jane numëruar 85 nga 96 kuti dhe kandidati Sejdini kryeson bindshem ndaj Hushit te LSI. PS ka 22820 vota, ndërsa PD- LSI deri tani ka 17674 vota. 

NJESIA NR 5, NIS NUMERIMI I KUTISE 40
Ora 11: 34-
 Në orën 11. 31 minuta u hap kutia e 40 e votimit. NEËS24 raporton se numërimi vazhdon normalisht. Kutia 40 i përket zonës së Selitës, ndërkohë që më pas do hapet kutia që i përket zonës te “Kodra e Diellit”. Në këtë njësi kryeson Rama i PS-së. NEËS24 raporton për një përqëndrim të madh banorësh dhe forcave të rendit jashtë dyerve të shkollës “Vasil Shanto”, ku është instaluar KZAZ 54. Numërimi brenda në KZAZ vazhdon normalisht dhe pa tension

BASHA: TRYSNIA E GARES TE MOS NDIKOJE NE PROCESIN E NUMERIMIT 
Ora 11: 20 
Kandidati i Partisë Demokratike për Tiranën bëri thirrje se “trysnia që vjen nga kjo gare e ngushtë elektorale nuk duhet të ndërhyjë në numërimin e saktë të çdo vote.” Në një dalje për shtyp të orës 11. 15 minuta Lulzim Basha përshëndeti numëruesit e vëzhguesit të cilët vazhdojnë të sigurojnë një proces transparent. Basha u shpreh i vendosur të presë numërimin e votës së fundit për të deklaruar fitoren, megjithëse tha “Kam rimarrë kryesimin e garës. Megjithatë kjo nuk ndryshon vendosmërinë për të pritur votën e fundit”- mbylli deklaraten per shtyp Lulzim Basha. 

DURRES, DAKO NE AVANTAZH 
Ora 11:00- 
Ne Durres jane numerohen 157 kuti nga 165 gjithsej dhe kandidati i PS Vangjush Dako kryeson me 32 080 vota, kundrejt kandidatit PD qe ka 28 707 vota. 

NIS NUMERIMI NE NJESINE NR 5

Ora 10:50- 
Ne oren 10. 45 minuta ka nisur numerimi ne Njesine bashkiake nr 5. Numerimi nisi pak minuta pas nje deklarate  me ton te larte nga Erion Brace, i cili u beri thirrje qytetareve ti drejtohen KZAZ per te zhbllokuar numerimin.
 
PS, BRACE: NESE PD NUK CLIRON NUMERIMIN NE NJESINE 5 BLLOKOJME NUMERIMIN NE GJITHE TIRANEN 
Ora 10: 30
 Partia Socialiste akuzon Partinë Demokratike se ka bllokuar numërimin në njësinë nr 5, ku kandidati i PS-së Edi Rama kryeson ndaj rivalit të tij Basha. Në një dalje për shtyp të orës 10. 10 minuta, nga selia rozë, deputeti socialist Erion Brace tha se numëruesit PD e LSI janë tërhequr nga KZAZ duke bllokuar numërimin e votave në këtë njësi. 
“Vetem 30 minuta më parë ra u paraqitëm ne KZAZ, me numëruesit e vëzhguesit në cdo tavolinë. Konstatojmë se pasi janë paraqitur në njësinë nr 5 janë tërhequr të gjithë komisionerët PD LSI duke bllokuar numërinim e votave në këtë njësi”- tha Brace duke e cilësuar “Veprim kriminal i Berishës që materializet nga dy njerëz kriminal Basha e Ruli.”

Brace paparlajmëroi se “nëse nuk çlirohet njësia 5 dhe kethehet në normalitet nuk ka numërim votash në asnjë njësi të mbetur të Tiranës”.
“Nuk do lejojmë numërim votash në asnjë prej qendrave të numërimit. Nëse Basha e Ruli nuk çlirojnë njëisnë 5”- nënvizoi Braçe.

Në emër të PS, Brace kërkoi kthimin në normalitet të procesit të numërimit në këtë njësi dhe i bëri thirrje të gjithë banorëve të kësaj zone që të mblidhen rpanë shkollës “Vasil Shanto” ku është vendosur KZAZ e njësisë 5 për të cliruar numërimin dhe garantuar votën e lirë.

NGEC NUMËRIMI NË NJËSINË NR 5, VËZHGUESJA: NEGLIZHENCË E TË DY PARTIVE
Ora 10:30-Procesi i numërimit nuk po vazhdon prej disa orësh në njësinë bashkaike numër 5 të Bashkinë e Tiranës. 

Prej orës 03:00 të mëngjesit të sotëm u ndërpre numërimi për shkak të lodhjes, dhe pritej që procesi të niste rreth orës 09:00. Por ndërsa ora kaloi, komisionerët e djathtë nuk u ulën në tryezat e numërimit, ndërsa nga ata të majtë, kanë mbërritur vetëm disa prej tyre. 

Përfaqësuesja e vëzhguesve vendorë nëkëtë njësi, Gerta Meta u shpreh për TVNews24 se kjo njësi ka një problematikë të vecantë dhe për këtë faji bie direkt mbi dy forcat politike kryesore që garojnë në këtë njësi. 

TIRANE, BASHA 500 VOTA PARA, S'KA NISUR NUMERIMI

Ora 09:49-
Nga numërimi i 430 nga 485 kutitë e votimit në total, ka rezultuar se kandidati i koalicionit të majtë “Aleanca për të Ardhmen” ka siguruar 110 361 vota kundrejt 110 868 votave të siguruar nga rivali i tij demokrat i “Aleanca për Qytetarin”. I treti renditet Hysni Milloshi me 1 231 vota. Numerimi i cili u nderpre ne oren 02:00 te mengjesit te sotem per shkak se komisioneret do benin pushim pritet te nise paraditen e sotme. Ishte parashikuar te nisë në orën 09:00 por ende nuk janë grumbulluar numëruesit në KZAZ përkatëse. Numërimi do të vazhdojë në njësinë nr 11, 5, 8, 9 e 7 ndërsa ka përfunduar numërimi në 4 njësitë e tjera. 

SHKODER, FITON LORENC LUKA I PD
Ora 07:00 
Rikonfirmohet për herë të dytë në krye të bashkise së Shkodrës kandidati i “Aleanca për Qytetarin” Lorenc Luka. Në përfundim të numërimit të votave, kandidati Luka ka marrë 20 798 vota, ndërsa kandidati Uruçi 11. 227 vota, duke fituar me një diference prej 9 571 votash. Numerimi i votave për bashkinë e Shkodrës ka përfunduar në orët e para të mëngjesit të sotëm , por theksojmë se Kandidati i i Aleanceës për Qytetarin ka qenë në avantazh gjatë gjithë kohës. Fitoren e tij Luka e konsideroi një sukses, c’ka dëshmon besimin e qytetarve, por njëherësh edhe një përgjegjësi për tu shërbyer me tej qytetarëve

KQZ: RAMA NE AVANTAZH 
Ora 01: 21 Nga numërimi i 427 nga 485 kutitë e votimit në total, ka rezultuar se kandidati i koalicionit të majtë “Aleanca për të Ardhmen” ka siguruar 109.976 vota kundrejt 109.862 votave të siguruar nga rivali i tij demokrat i “Aleanca për Qytetarin”.

(s.g/e.m/d.b/m.a/BalkanWeb)