Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Halil Haxhosaj: Huqet dhe tekat nyja të komedisë

| E enjte, 12.05.2011, 07:59 PM |


 

HUQET DHE TEKAT NYJA TË KOMEDISË

 

Laurent Baffie: “Të gjithë me huqe”, komedi, interpretoi trupa e Teatrit profesional të Gjakovës me regji të Gëzim Kame.

 

Nga Halil Haxhosaj

 

Më në fund, pas një pauze bukur të gjatë, Teatri Profesional i Gjakovës u paraqit para publikut të vet me premierë. Në fund të muajit prill, saktësisht më datën 29.04.2011, trupa e këtij teatri shfaqi premierën e komedisë së Laurent Baffie “Të gjithë me huqe” në regji të mysafirit nga Tirana, regjisorit tashmë të njohur, Gëzim Kame, i cili është regjisor i më shumë se tridhjetë shfaqjeve në skenat e teatrove të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, etj. Aktorët e këtij teatri për këtë premierë, përveç regjisorit u kompletuan edhe me dy aktore mysafire: Erjona Kakeli nga Tirana dhe Edona Berisha nga Ferizaj, të cilat u inkuadruan me sukses në grupin e interpretuesve të trupës së aktorëve të teatrit tashmë tjetërfare të Gjakovës. Është tjetërfare sepse në gjirin e vet ky teatër që sa vite jo vetëm që nuk i ka freskuar radhët e veta me aktorë të rinj, sepse mosha e aktorëve është mbi 45 vjet, por as nuk i kanë marrë me rregull të ardhurat personale, apo rrogat, siç quhen në zhargonin e administratës së Teatrit Profesional të Gjakovës. Por, këto “huqe” pothuajse janë të pranishme në të gjitha teatrot e tjera profesionale në Kosovën e pasluftës, me përjashtim të vogël të atij të Prishtinës, i cili “gjallëron” me ndonjë element më të privilegjuar. Dhe më në fund, në bazë të ligjit, u emërua një drejtor i ri, menaxher, në këtë teatër, i cili mbase diti të hulumtojë donacionet për të siguruar këtë premierë. Dashtë zoti, të ketë edhe herë të tjera më të suksesshme dhe më të arrira sepse e meriton ky teatër, por më shumë publiku i tij tejet i mirë dhe i etshëm i Gjakovës.

 

Veset personale huqe me ndikim më të gjerë

 

Strumbullari syzheor i komedisë ka në qendrën e vet një tekst, i cili më herët është shfaqur, gjegjësisht përgatitur nga regjisori Gëzim Kame edhe në Tiranë. Dhe sipas njoftimeve pati një sukses të konsiderueshëm sepse shikuesit hasen këtu ndonjë gjë nga “huqet” e veta, të anëtarëve të familjes, miqve, shokëve, shoqeve, të dashurve e të dashurave, e të tjera. Dhe nuk u zhgënjyen as këtu në shfaqjen e luajtur nga aktorët e Teatrit Profesional të Gjakovës, sepse mbi dërrasat e skenës së tij prapë jehoi zëri i aktorëve, i shfaqur në komedi me elemente tashmë bashkëkohore dhe tejet funksionale. Dhe ky publik kaq besnik dhe kaq “inteligjent” nuk doli i zhgënjyer, por, madje doli i kënaqur ngase e shoi etjen që e kishte që disa vite.

Në qendër të komedisë “Të gjithë me huqe” defilon embrioni i përditshmërisë moderne pa ndonjë sforcim apo tërheqje të zorshme. Secili nga personazhet ka karakterin e vet, por edhe të përbashkëtën që zhvillohet intrigisht në komedi. Ky zhvillim sa vjen e bëhet më i këndshëm për shikuesin përkundër një zhargoni “të pistë” të shprehjeve dhe fjalëve të fjalorit të aktorëve, personazheve. Secili personazh e ka vendin dhe karrigen e vet në të cilën duhet të ulet të pret në radhë për t’i shprehur të metat, gafet, tekat, që në komedi quhen huqet e veta. Dhe këto huqe nuk janë të parëndësishme, madje as të lehta për t’u konsumuar, për t’u shqitur dhe për t’u shëruar. Pritja tek doktori, i cili ua ka caktuar terminin e vizitës, duket e mjaftueshme për ta zbërthyer, madje, pse jo edhe për ta shpërfaqur e rrëfyer secili huqin e vet. Rrëfimi i huqeve zhvillohet sipas radhës që përkon me ardhjen e tyre për t’u vizituar. Dhe kjo është edhe radha e shkokëlimit të huqeve të secilit, i cili herë duket më i nivelizuar, herë më i shtruar e herë-herë edhe më i plogësht. Dhe sipas kësaj skeme bëhet edhe rrjedha e komedisë duke fituar, por edhe duke ngecur nga rrjedha dramatike. Por, megjithatë rrjedha e konfliktit në komedi kishte një kahe të trajtëshmërisë duke u shtrirë mirë nëpër të gjitha hallkat e zhvillimit të vet. Dhe kështu fitonte në zhvillimin e dramaticitetit sepse në këto raste nuk dominonin shprehjet dhe fjalët e pista, të cilat ishin zhargon i huqeve të ndonjërit prej personazheve të komedisë. Regjisori Gëzim Kame ka zgjedhur formën e ndërtimit të shfaqjes me një prolog dhe epilog, të cilët janë çastet metaforike, e pse jo, edhe pikat kulmore të komedisë “Të gjithë me huqe”. Madje, prologu fillon me shpërfaqjen huqit të Fredit, që është fjala e pistë “pirdhuni” duke iu drejtuar dikujt në një errësirë që shtrihej ngado në skenë, pse jo edhe publikut në sallë. Ardhja e të sëmurëve në skenë bëhet sipas një radhe e cila është nyjë e zhvillimit të ngjarjes së komedisë. Secili prej personazheve është një hallkë që pasqyron huqin e vet që mëton të veçohet, por edhe të shkrihet me altruizëm tek grupi. Kështu trajtimi i “terapisë në grup” është madje qelizë e gjendjes dhe sjelljes në bashkëkohësi të jetës dhe dromcave të saj. Në këtë dinamizëm jetësor përfytet ajo dhe shpesh disa çështje kalojnë në huqe. Këto, por edhe disa të tjera pasqyrohen artistikisht në komedinë “Të gjithë me huqe” nga trupa e aktorëve të Teatrit Profesional të Gjakovës

 

Huqet, loja dhe elemente të tjerë

 

Rolet e personazheve të komedisë i interpretuan me sukses dhe sipas konceptit regjisorial aktorët: Behar Zenelaj – Fredi, Ahmet Bakia – Vinsenti, Erjona Kakeli – Blansha, Muradije Muriqi -  Marija, Edonis Kastrati – Bobi, Edona Berisha – Lili dhe Jeta Bakalli – Asistentja. Ky grup aktorësh shpërfaqi personazhet dhe karakteret e tyre në skenën e teatrit, duke u mishëruar me ta dhe interpretuan mirë, por edhe me sukses. Interpretimi i tyre rridhte në të gjitha hallkat e komedisë edhe veç e veç, por edhe në simbiozën artistike dhe domethënëse të saj. Dhe në përgjithësi ia dolën, edhe pse nganjëherë vërehej ndonjë imtësi e “huqjes” gjatë interpretimit. Por, tërësia dominonte dhe bashkëdyzohej duke mbarështuar dhe realizuar mjaft mirë konceptin e regjisorit të komedisë, Gëzim Kame. Siç duket ky regjisor ka njohur jo vetëm karakteret e personazheve, por edhe të aktorëve që kishte angazhuar. Dhe kësaj ia doli pa ndonjë sakrificë e zor. Madje, kjo shihej gjatë zhvillimit të rrjedhës së shfaqjes, e cila përkonte dhe ngjizej me interpretimin e aktorëve. Por, duhet evidentuar se të gjithë “penjtë” e ngjarjes i mbante në dorë Fredi, interpretuar nga Behar Zenelaj, i cili ishte koordinator, por edhe formatizues i saj në njërën anë, si dhe ishte vet doktori në anën tjetër. Dhe roli i këtij aktori ishte paksa më i veçuar prej të tjerëve edhe pse shkrihej me sukses në qëllimin, rrjedhën por edhe interpretimin e të tjerëve. Personazhi i Fredit interpretuar nga Behar Zeneli shpërfaqte jo vetëm huqet e veta të përdorimit të fjalëve të pista dhe ofenduese, por edhe të tjerëve që janë llogaritja matematikore e Vinsentit, harresa çirrja e Marijes, frika nga infektimi i Blanshës, përsëritja dy herë e fjalëve dhe fjalive nga Lili dhe frika nga vijat e katrorët dhe mania e kompjuterit nga Bobi. Ky mozaik huqesh sa vinte e trashej, ngjizej ngatërrohej dhe kapërthurej në zhvillimin e ngjarjes së komedisë. Edhe qëndrimet e Asistentes përkojnë mirë me të tjerët, duke drejtuar shpesh kahen, por edhe të zhvillimit të dinamikës e dramaticitetit të komedisë. Bashkëdyzimi dhe kahorja e interpretimit aktoresk shpesh ishte fryt i konceptimit grupor regjisorial që bëhej lehtas për të nxituar zhvillimin e ngjarjes së komedisë. Edhe pse komedia mbështetet mbi interpretimin individual të roleve, megjithatë dallohej edhe për instancat grupore si ngjizje dhe gërshetim i mëtejm i ngjarjes. Ky dallim nuk del i veçuar, por përkundrazi gërshetohet dhe inkuadrohet lehtësisht sepse zhvillohet në konceptimin e terapisë së grupit, në njërën anë, të dialogut në anën tjetër dhe të trashjes së huqeve të personazheve. Pas shfaqjes së huqeve karakteret e tyre bëhen “për t’u qarë”, për t’u dhimbsur dhe për t’u përqeshur e ironizuar në momente të caktuara. Edhe kur tentohet shërimi sipas metodës së “terapisë së grupit”, trupa e aktorëve qëndron në nivel të lakmueshëm të interpretimit në përgjithësi, por me ndonjë dallim paksa të ndonjërit në veçanti. Kjo hetohet edhe në theksimet adekuate gjuhësore të një niveli të lakmueshëm, virtyt i gjithmonshëm i aktorëve të Teatrit të Gjakovës. Edhe në këtë shfaqje kjo ishte njëra ndër komponentët me shkëlqyese. Gjuha kishte një interpretim adekuat edhe skenik por edhe letrar me ndonjë “gaf” që nuk çonte peshë.

Skenografia e shfaqjes ishte në nivelin e saj edhe pse dukej pak statike, e stampuar dhe e ngjizur në pamundësinë e ndonjë zhvillimi të mjaftueshëm mizanskenik. Karriget e vendosura për t’u ulur pacientët me ngjyrën e kuqe dukeshin paksa tepër statike me shkëlqimin e ngjyrës. Por, megjithatë kjo nuk ndikoi aq vrazhdë në zhvillimin e komedisë, andaj mund të konstatohet se skenografia, por edhe kostumet ishin në funksion të komedisë.

Një statikë tjetër ishin dritat, sidomos pos prologut dhe epilogut të shfaqjes ngase më nuk pati nevojë as për ndezje, shuarje apo zvogëlim të spektrit të tyre. Por edhe dritat ishin në funksion të shfaqjes dhe konceptit të saj.

Të gjitha këto edhe elemente të tjera bën që salla e Pallatit të kulturës “Asim Vokshi” të Gjakovës, në natën e premierës së shfaqjes ”Të gjithë me huqe” të jetë e mbushur cep më cep si në kohët më të mira të lulëzimit të këtij teatri.