Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Frank Shkreli: Vdekja e një terroristi dhe të drejtat tona si qytetarë të botës

| E merkure, 11.05.2011, 07:59 PM |


Vdekja e një terroristi dhe të drejtat tona si qytetarë të botës

 

Nga Frank Shkreli

 

Gjatë një operacioni të fsheftë të forcave ushtarake amerikane në fillim të këtij muaji, u vra Osama bin Laden, i kërkuari numer një në botë dhe komplotisti i shumë akteve terroriste anë e mbanë botës, duke përfshirë dhe sulmin në Nju Jork me 11 Shtator, 2001, ku gjetën vdekjen më shumë se 3000 veta.   Gjatë dhjetë vjetëve të kaluar dhe pas shumë përpjekjeve intensive të ish-administratës së Presidentit Bush dhe administratës së tanishme të Presidentit Obama, dhe me ndihmën dhe bashkpunimin e pa kursyer të shumë partnerëve dhe miqëve nderkombëtarë, Shtetet e Bashkuara kanë punuar pa ndërprerje dhe me një intenisvitet të paparë, për të sjellur para drejtësisë të gjithë ata që, në një mënyrë ose në një tjeteër, kanë marrë pjesë në këto sulme barbare, kryesisht kundër civilëve të pafajshëm në Amerikë dhe anë e mbanë botës.   Këto përpjekje kanë rezultuar në kapjen dhe arrestimin e shumë terroristëve si dhe në parandalimin e shumë sulmeve terroriste të planifikuara gjate vitëve anë e mbanë botës, por vetë Osama bin Laden, udhëheqsi dhe themeluesi i organizatës terroriste Al Qaida, mundi te mbetëte i pakapshëm.  

Mirëpo, në fillim të këtij muaji, forcat speciale amerikane e zbuluan dhe e vranë  atë në ne një shtëpi luksoze në Pakistan, duke treguar aftësi dhe kurajo të jashtzakonshme njerëzore dhe profesionale.   Në njoftimin e vrasjes së krye-terroristit, Presidenti Obama tha se "vrasja e bin Ladenit shënon suksesin më të madh të përpjekjeve të kombit tonë deri më sot, në luftën kundër Al Qaides......".   Presidenti shtoi se megjith vrasjen e bin Ladenit, përpjekjet do të vazhdojnë kundër Al Qaides, e cila pritet të ndërmarrë sulme të reja anë e mbanë botës, si hakmarrje për eliminimin e bin Ladenit.

Vrasja e Bin Ladenit, solli - për herë të parë në dhjetë vjetë - gëzim e festim në Neë York dhe anë e mbanë Amerikës.   Këjo ishte një shprehje e kuptueshme krenarie kombëtare, krenari për presidentet Bush e Obama të cilët nuk pushuan kurr përpjekjet e tyre për të kapur terroristin bin Laden dhe krenari për mënyrën efikase të veprimit të forcave të armatosura amerikane me këte rast.   Vrasja e bin Ladenit ishte jo vetëm "një ditë e mirë për Amerikanët", sic u shpreh presidenti Obama, por ishte gjithashtu një lajm i mirë për të gjithë botën, pasi ky ishte përsoni i cili jo vetëm shkaktoi ndarje, përcarje dhe urrejtje midis popujve e feve, por ai dhe levizja e tij shkaktuan vrasjen e mijëra njerzëve të pafajshëm anë e mbanë botës, duke manipuluar fetë për qellimet e tij djallëzore.   Presidenti Obama u shpreh gjithashtu se vdekja e bin Ladenit do ta bëjë botën më të mirë dhe më të sigurt.

Ndërkaq, Sekrerarja e Shtetit Hillari Klinton tha se "historia do të shënojë se vdekja e bin Ladenit ndodhi në një kohë lëvizjesh të mëdha për liri e demokraci anë e mbanë Lindjes së Mesme.......ku popujt atje janë duke hedhur poshtë ekstremizmat dhe janë duke hapur shtigje të përparimit paqësor të bazuar në të drejtat dhe aspiratat universale.”… Sekretarja e Shtetit u shpreh gjithashtu se nuk ka ndonjë refuzim me të vendosur kundër ideologjisë së urryer të Al Qaides së bin Ladenit se sa levizjet e tanishme për liri e demokraci në botën arabe.  

Shpresoj të jetë kështu, por në të njëjtën kohë duhet kuptuar se forcat e errëta e të ligështa gjithnjë vazhdojne të kërcënojnë liritë tona bazë, besimin dhe jetën e njerzëve anë e mbanë botës.

Në saje të një grupi të specializuar të forcave ushtarake amerikane nën drejtimin e Entit Amerikan të Zbulimit (CIA), Osama bin Laden nuk ështe më.   Por ama duam a s'duam, jemi të detyruar të pranojmë se bin Ladeni ka lenë gjurmët e një ideologjie të shëmtuar që mund të ketë ndryshuar për më keq, e ndoshta për gjithmonë, jetën e përditëshme të njerzëve anë e mbanë botës.   Kushdo që udhëton sot me aeroplan, kudo në bote, është dëshmitar dhe i përjeton masat imponuese e nganjëherë poshtruese të sigurisë në aeroporte, në trena, stadiume dhe kudo në vende ku mblidhen shumë njerëz.   Anë e mbanë botës, gjatë dhjetë viteve të fundit, dalngadalë,njerëzit kanë humbur liritë civile, si dhe të drejtat për të lëvizur lirisht dhe pa ndërhyrje, për të udhëtuar të lire e pa u kontrolluar dhe pa imponime nga forcat e policisë e të sigurimit.   Në shumë shtete, anë e mbanë botës, mijëra kamera përgjuese janë vendosur kudo në rrugë, në ndërtesa e ne vende publike për të ndjekur cdo lëvizje, natyrisht me qëllim për tu mbrojtur nga sulmet terroriste, por në të njëjtën kohë janë një invazion i jetës private të cdo individi anë e mbanë botës.   Respekti për jetën private, që sidomos këtu në Amerikë konsiderohej si një gjë e shënjtë, ka rënë viktimë e nevojës për të qenë të sigurt.   Kontrolli fizik në aeroporte, në ndërtesa qeveritare e të tjera, dhe në cdo vend ku jetojnë e punojnë shumë njerëz, jo vetem është bërë rutinë, dicka e përditshme, por në fakt edhe pranohet nga një pjesë dërmuese e publikut si e nevojshme dhe e pa evitueshme.  

Ky pra është realiteti i ri i botës së sotëme, ketu ne Amerike dhe anë e mbanë botës - trashëgimi e Osama bin Ladenit.

është me vend dhe e kuptueshme shprehja e gëzimit për vrasjen e kryeterroristit botëror, pasi këjo mund të konsiderohet edhe si mbyllja e një kapitulli të një tregimi shumë të hidhur.   Mirepo, fatkeqësia e madhe është se edhe pa bin Ladenin, ky realitet i hidhur i jetës sonë të përditshme është dhe sic duket do të mbetet status-kuoja për të gjithë ne dhe për një kohë të gjatë.

Nga dora e bin Ladenit kanë humbur jetën mijëra vetë në Amerikë dhe anë e mbanë botës.   Shumë kanë humbur të dashurit dhe të afërmit e tyre, por në të vërteteë të gjithë në kudo që jemi nëë botë, kemi humbur - kemi humbur shumë nga liritë e shtrënjta dhe të drejtat tona civile, ndoshta për gjithmonë.   Këjo është trashëgimia tragjike e bin Ladenit për botën, më pak liri e më pak të drejta për të gjithë qytetarët e botës.