Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Alma Papamihali: Aurela Gaçe dhe Eurovizioni ''tradicional i rajonizuar''

| E merkure, 11.05.2011, 07:59 PM |


 

AURELA GACE DHE EUROVIZIONI  “TRADICIONAL I RAJONIZUAR“

 

NGA ALMA PAPAMIHALI

 

Të ndiqje në një performancë live Auerla Gaçen me këngën “Feel the Passion”, nuk ishte vetëm kënaqësi e të qënit shqiptare, por e të ndjerit krenar që më në fund Shqipëria nuk renditet vetëm si emër krahas vëndeve të tjera, por si një konkurente e denjë, që vit pas viti po tregon cilësi dhe dëshirë për art të profesionalizuar.

Edhe pse Aurela Gaçe nuk arriti të kalojë në finalen e shumëpritur për të gjithë ne, kjo nuk do të thotë aspak që ajo “çaloi” në interpretimin apo performancën e saj artistike. Kënga e saj, e cila kishte jo pak nota të vështira vokale, u realizua mrekullisht dhe ngriti peshë jo vetëm flamujt kuq e zinj që valëviteshin në Arenën “Espirt” të Dyseldorfit, por vetë zemrat shqiptare. Nën një regjizurë të mrekullueshme të regjizorit Albert Malltezi, të binte në sy grafika moderne që shfaqej në ekranin kolosal në sfond të skenës, një shqiponjë simbol që ndërronte ngjyrat dhe dukej sikur fluturonte në ajrin mes spektatorësh.

Interpretim i Gaçes, nën shoqërimin e kitaristit të njohur Bledar Sejko, përforcoi edhe më tej ngjyrat e gjithëanshme të këngës. E megjithatë Shqipëria nuk u kualifikua, edhe pse kënga jonë fare mirë qëndronte përpara këngës Serbe që madje pati fatin të thirrej e para si kualifikuese, apo asaj Finlandeze. Ndaj asnjëherë nuk do i bashkohesha mendimit që u skalfikuam, sepse nuk e merituam. Jo...Eurovizioni vazhdon vit pas viti të m´a përforcojë bindjen, që ka shumë tendencë rajonale, duke anashkaluar qëllimisht performancat dhe interpretimet live të artistëve. Aurela Gaçe tregoi që këndohet me shpirt edhe atëherë kur nuk vlerësohesh për atë që jep. Ndërkohë që u kualifikuan vendet si Zvicrra, Finlanda apo Rusia, mbeti po ashtu pa u kualifikuar Turqia, një shtet që në bazë të votave telefonuese dhe performancës që solli, patjetër që duhet të kishte kaluar provën kualifikuese.

E pra ja kjo tregon që pas eurovizionit fshihet më shumë...dhe kjo “tradicionalisht”.

Ndaj nëse kërkojmë ta gjejmë gabimin në interpretimin dhe prezantimin tonë gabojmë.

Është e vërtetë që gjithmonë ka vënd për reflektime apo përmirësime, askush nuk është perfekt....ashtu siç duhej menduar gjatë këtyre ditëve në Shqipëri pak më shumë për vëmëndje ndaj këngës përfaqësuese, ndërkohë që stacionet televizive janë totalisht të politizuara, aq sa dhe notat muzikore do ju dukeshin “Basha apo Rama”...Vërtetë që duhet sensibilizuar artëdashësit shqiptar për mënyrën e mbështetjes dhe përkrkrahjes, duke u bindur së fundmi, të dimë të duam atë që është jona, edhe atëherë kur nuk mund të jetë vlerësuar siç duhet.

P.s Një nga këngët që më la mbresë ishte ajo Hungareze. Vokali i këngëtares që për mua ishte nje “Celin Dion” i dytë, mu duk suprirzë. Megjithatë të presim çdo na sjellë kurorëzimi final. Shqipëria vazhdon të rendisë si interpretimin më të mirë te derisotshëm, atë të Anjeza Shahinit të vitit 2004. Suksese vendi im!