E enjte, 28.03.2024, 11:12 AM (GMT)

Mendime

Reshat Sahitaj: 7 minutat e fundit

E diele, 27.01.2008, 09:47 PM


7 MINUTAT E FUNDIT

Roman

Fragment

Ky roman është shkruar enkas:

Për ata fëmijë që nuk ka kush t’i përkdhel e t’iu buzeqësh.
Për ata prindë që kohën e kalojnë duke i kërkuar fëmijët e tyre të zhdukur.
Për ato femra burrat e të cilave u flijuan në altarin e lirisë.
Për të gjithë dëshmorët që sot askush nuk kujdeset për varrin dhe familjet e tyre.
Për fëmijët e dëshmorëve që nuk kanë mundësi të vazhdojnë shkollimin
Për invalidët e luftës
Për të gjithë luftëtaret e lirisë që injorohen nga bashkëluftëtaret në pushtet
Për të varfërit që pushtetarët nuk ua vejnë veshin.
Për të ndershmit që nuk revoltohen kundër vëllaut, fqiut, shokut, shtetit…
Për të rinjtë e dashuruar
Për Lorikun dhe Lorenën 
                                   
Autori

I

Iliri nuk donte ta besonte, se përballë kishte vdekjen. Nuk mund ta imagjinonte, që pikërisht njeriu, të cilit i kishte shpëtuar jetën, papritur ia kishte drejtuar revolen dhe po e kërcënonte me vdekje.
Në të njëjtin fshat ishin rritur, në të njëjtën shkollë kishin mësuar, të njëjtën rrugë me mijëra apo miliona herë e kishin shkelur dhe… me të njëjtën vajzë qenë dashuruar.
Në vend që të mendonte për vdekjen, Iliri ishte përhumbur në kujtimet e së kaluarës, të cilat lidheshin me njeriun që ia kishte drejtuar armën. Mbase  nuk besonte, se po përjetonte minutat e fundit të jetës, apo kishte bindjen, se njeriu me të cilin ishte rritur, nuk mund t’ia merrte jetën, kështu, pa asnjë arsye. Mbase  ngurronte, se ishte mes jetës dhe vdekjes, andaj, në vend që të mbrohej, mendimet i fluturonin në kujtimet e hershme dhe për një çast iu ndalën në fytyrën engjëllore të Blertës.

… Ajo ia kishte ngulur shikimin dhe gishtin tregues e kalonte shumë lehtas e ngadalë në buzën e saj të poshtme. Iliri ishte përqendruar i tëri në sytë dhe buzët e saj. Asnjëri nuk dëgjonte zërin e mësuesit që po fliste për Zef Seremben, apo, mbase pikërisht fjalët e tij ndikuan që ata të futeshin në botën e dashurisë. Kur ai u kishte treguar se si poeti, për të dashurën kishte shkuar të vdiste në San Paolo, dy të rinjtë, secili në mënyrën e vet, ishin zhytur në botën plot mistere të dashurisë. San Paolo! Sa emër i bukur, -thoshte Iliri në vete. Nuk e dinte as ku ndodhej ky qytet mijëra kilometra larg vendit të tij, këtë po e dëgjonte nga arsimtari. Që ishte vendi më i bukur në botë, për këtë nuk e kishte as dyshimin më të vogël. Po të mos ishte i tillë, poeti ynë nuk do të kishte shkuar të vizitonte varrin e së dashurës e të vdiste atje. Parafytyronte dashnoren e poetit dhe mendonte se ajo duhej t’i kishte përngjarë  Blertës, të cilën e kishte aty, përbri. Në ato momente do kishte bërë çmos për Blertën, vetëm që ajo ta simpatizonte. Serembe kishte shkuar në Sant Paolo, por Iliri do të kishte shkuar edhe më larg, nëse Blerta do t’ia kërkonte. E kishte aq afër e nuk merrte guxim t’ia thoshte një fjalë dashurie. Nga shikimi dhe gjestet e saj përballë tij, e kuptonte se ishte i zgjedhuri i saj. Si t’ia shpallte dashurinë e t’ia thoshte vetëm dy fjalët e para, - ishte mendimi që e shqetësonte gjatë gjithë kohës. Sa herë kishte marrë vendim që t’i fliste, se si e dashuronte, po kur gjendej para saj, stepej. Ngurronte dhe një nxehtësi fillonte t’ia përshkonte trupin, deri sa vendoste ta shtynte bisedën për një ditë tjetër.
Fjalët e arsimtarit për aventurën e poetit, shikimi i zjarrtë dhe lëvizja e gishtit tregues mbi buzën e poshtme, si duket, i dhanë forcë dhe ngadalë, me dorën e majtë, ia shtrëngoi dorën e djathtë. Ishte çasti më i lumtur në jetën e tij të deriatëhershme. Blerta, jo vetëm që nuk kundërshtoi, por gishtat e saj të hollë i futi me një lëvizje të lehtë mes gishtave të tij.
- Kujdes se po ju shikon mësuesi!, - i tha Besniku duke e prekur në shpinë.
Iliri nuk e kishte vërejtur, se veprimi i tyre, mësuesit të letërsisë i kishte rënë në sy, por as nuk e kishte pasur mendjen, se shoku në bangën pas,  po i ndiqte lëvizjet e tyre. Për Ilirin nuk kishte rëndësi edhe sikur gjithë bota ta hetonte, përkundrazi ai dëshironte që t’i tregonte gjithkujt, se kishte rënë në dashuri me vajzën më të bukur të shkollës. Mbase  Blerta nuk ishte më e bukura, por në sytë e tij ajo i dukej si një engjëll që kishte zbritur nga thellësitë enigmatike qiellore vetëm për të. Ishte hera e parë që kishte rënë në dashuri dhe, për të, e gjithë bota ishin vetëm sytë dhe trupi i Blertës. Ajo ishte universi, jeta dhe vdekja. Vdekjen as që e kishte menduar, por pasi mësuesi kishte folur për vdekjen e poetit, vdekja i sillej ndërmend dhe mendonte se nuk do i dhimbsej jeta, sikur të vdiste me Blertën. E ktheu kokën pas, duke ia hedhur një shikim Besnikut, sikur të donte t’i thoshte se Blerta ishte e tij dhe nuk e çante kokën për asgjë, as arsimtarin.
Besnikut nuk i bëhej vonë edhe sikur mësuesi të merrte masa ndëshkuese kundër Ilirit, përkundrazi do të ndjente kënaqësi në ndërhyrjen e tij, i cili po fliste me pasion për jetën Zef Serembes.
Vetëm tani Iliri po habitej, se si në klasën e pestë fillore arsimtari u kishte folur për poetin, i cili nuk përfshihej në planprogramin shkollor për moshën e tyre. Me siguri që arsimtari ishte adhurues i poezisë dhe i jetës së poetit të dashuruar, që kishte bërë rrugë të gjatë me muaji të tërë vetëm për dashurinë ndaj një femre.
Besniku asnjëherë nuk i kishte folur Ilirit se Blertës ia kishte vënë syrin. Kur Iliri i fliste për bukurinë e saj, Besniku ose bënte sikur nuk interesohej, ose i thoshte se ajo nuk ishte femra më bukur e shkollës, siç pretendonte Iliri. Gjithnjë në mënyrë indirekte dëshironte që vëmendjen e shokut ta përqendronte në ndonjë femër tjetër, por pa i thënë asgjë që ai ishte i dashuruar me të. Dashurinë ndaj Blertës e mbante të mbyllur, pa guxuar t’ia zbulonte askujt e, aq më pak, vajzës. Në çastin kur pa se dy duart e tyre u bashkuan, Besniku ndjeu një shqetësim të brendshëm, sepse nga ky çast po i shembeshin të gjitha ëndrrat se Blerta do bëhej e dashura e tij. Ndaj edhe kishte ndërhyrë më shumë për ta penguar që dashuria e tyre të merrte kahje serioze. Tashmë gjithë kohën e brenin mendimet se si ta pengonte që shoku i tij të mos dashurohej në Blertën. Përkëdhelja e duarve të tyre, mbase nuk kishte zgjatur më shumë se një minutë, por ishte një fakt se mes tyre ekzistonte një shkëndijë e dashurisë, e cila më vonë do shndërrohej në zjarr dhe do të përfundonte në martesë. Kjo nuk mund të ndodhte, -  ishte betuar Besniku dhe, aty për aty, i kishte lindur ideja që t’i shkatërronte lidhjet e tyre që posa kishin filluar të ndërtoheshin.
Dashuria e tyre nuk zgjati më shumë se pesë apo gjashtë muaj. Tani, para tytës së revolverit habitej se si e quante dashuri lidhjen e tij me Blertën, kur çdo gjë kishte përfunduar me përkëdhelje duarsh, flokësh dhe asgjë më shumë. Madje as nuk i kishin thënë njëri-tjetrit ndonjë fjalë dashurie. Ata ecnin bashkë, loznin bashkë dhe, here pas here, bashkonin duart. Iliri nuk kishte arritur, që, të paktën, njëherë t’ia puthte buzët. Pas orarit të mësimeve nuk takoheshin. Nuk shkonin në kinema e as nuk u shkonte mendja të  takoheshin në ndonjë vend të qetë, larg nga syri i tjerëve. E gjithë ajo që po i kujtohej Ilirit, përmblidhej vetëm në atë, se ata luanin bashkë dhe duheshin. Çuditërisht, edhe tash, pas shumë vitesh, po i vinte ndërmend shikimi zhbirues, buzët dhe përkëdhelja e dorës së saj. Po të mos kishte qenë dashuri e sinqertë, nuk do t’i kujtohej tani, në çastet më vendimtare, ku jeta e tij po qëndronte përballë vdekjes. Edhe pse nuk kishte bërë me Blertën asgjë më shumë se një lojë duarsh e buzësh, imazhin e saj askush nuk po arrinte t’ia hiqte nga e kujtesa shumëvjeçare. Në ato çaste të tmerrshme të jetës po e mendonte, se nëse ajo e kishte kujtuar ndonjëherë, apo e kishte harruar fare.
Ata nuk u ndanë asnjëherë, por as duart e tyre nuk u bashkuan kurrë më, si dikur. Nuk i kujtohej se si ishin larguar nga njëri-tjetri, por megjithatë i kujtohej fare mirë, se si ajo, në vitin e gjashtë të shkollës fillore nisi të luante me Besnikun, ndërsa Iliri, me Zanën. Kur i kryqëzonin shikimet në shprehjet e fytyrës se tyre dukej sikur secili ia linte fajin tjetrit, shenjë kjo që tregonte se ekzistonte ende diçka që i lidhte. Këto shikime e kishin ndjekur edhe pasi  ajo u martua e po e ndiqte edhe tani, në minutat e fundit të jetës. Më vonë, kur veçse ishin të rritur, në takimet e tyre të rastit Iliri e ndiente veten ngushtë dhe mezi arrinte të zhvillonte bisedë normale me të. Nuk mund t’ia shpjegonte vetes, se përse para saj e kapëlonin emocionet, ndërsa me vajzat tjera, me të cilat kishte pasur marrëdhënie intime, fliste krejt normalisht, pa shtrëngime dhe emocione. Ndjenja se një ditë mund t’i rikthehej asaj, nuk e rëndonte. Mbase  në ndërdijen e tij mbante të fshehur dëshirën për t’ia pushtuar trupin e zhveshur. Madje ajo nuk i shfaqej as në ëndrra. Ëndërronte duke bërë dashuri me ndonjë femër tjetër, mbase edhe të panjohur, por ajo i kishte ikur edhe nga ëndrrat, ku aq shumë kishte dëshiruar t’i shfaqej. Pavarësisht se me kalimin e kohës ajo kishte lëshuar shtat e ishte bërë femra më e bukur e qytetit, në memorie Iliri e kishte fiksuar figurën e saj njëmbëdhjetëvjeçare.
Nuk i kujtohej ndarja, siç nuk e dinte as shkakun. Mbase  asnjëherë në jetën e tij nuk e kishte menduar këtë dhe deri në këto çaste, kur po shihte vdekjen me sy, kujtimet për të nuk u shkulën nga thellësia e shpirtit. Kurrë nuk e kishte menduar  se në shpirt i flinin kujtime të pashlyera për të. Kishte vuajtur, apo nuk kishte vuajtur nga ndarja me Blertën, ishte pyetja që ia shtronte vetes për herën e parë dhe të fundit. Sikur të kishte vuajtur, më shpesh do t’i vinin mendimet e së kaluarës. Madje do të kishte vrapuar pas saj, e do t’ia kishte shprehur mendimet dhe ndjenjat për dashurinë. Ajo nuk do të kishte pasur nevojë që të bindej pas hapat e para i kishin hedhur që në vegjëli. Me bindjen, se nuk e kishte dashuruar aq sa të bënte jetonte me të deri në vdekje, u mundua ta qetësonte shpirtin. Mirëpo në kokë i sillej e njëjta pyetje: “Sikur të mos e kisha dashuruar, çastet e lumtura nuk do të më kujtoheshin tani, para vdekjes”.

Per me shume nga krijimtaria e autorit vizitoni faqen letrare ketu



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora