E enjte, 28.03.2024, 11:10 AM (GMT)

Kulturë

Ilir Muharremi: Ekspozitë personale në Galerinë “Open Art”

E marte, 10.05.2011, 07:56 PM


Ekspozitë personale në Galerinë “Open Art”

 

Inaugurimi nën shoqërinë e portreteve

 

Nga Dr. ILIR MUHARREMI

 

Për ti pikturuar sytë e ndonjë personazhi, piktori ose modeluesi, duhet ta njohësh shpirtin e individit. Ti njohësh sekretet, nuancat, kontrastin, ritmin, të ballafaqohesh me to, dhe përmes vijës, ose penelit ta përkufizosh formën në pëlhurë. Këtë në formë të pastër, e vërejmë në vizatimet e artistit të ri Faik Imeraj, i cili para artdashësve prezantoj vizatime, me kontraste të ndryshme, duke filluar nga gjendja e rëndë psikologjike, e deri tek qetësia absolute. Vizatimet, artisti i prezantoj në Galerinë “Open Art”, e cila mu këtë natë është inauguruar nga kritiku i artit Hivzi Muharremi i cili tha se: “Kryeqyteti është pasuruar edhe me një Galeri”. Një ambient tërheqës, modest, me një imazh të transformuar, dhe hapësirë të mjaftueshme për prezantimin e vlerave. Artisti Naim Spahiu, i cili është përgjegjës i kësaj Galerie, vendosi që kryeqytetin ta pasuroj edhe me një hapësirë të re, ngacmuese artistike, e cila lirisht mund të them se i bënë konkurrencë shumë Galerive në Kosovë, madje edhe në rajon. Por, nuk do ndalem vetëm tek ambienti, por tek vizatimet, të ngjitura në mur, me dimensione mesatare, e që në thellësinë e tyre dominojnë shqetësimet, arsyet e humbura, madje nganjëherë ato na shikojnë aq vrazhdë sa që ne si shikues dhe ballafaques i drejtpërdrejt me këtë teatër të Grotowksit, dialogojmë me një gjuhë të njohur për veshët e tyre. Portretet pranojnë informatën në mënyrë direkte, dhe fare nuk e ndryshojnë unin e tyre. Të zhytur, në shqetësim, të errësuar nga e zeza e cila na identifikon edhe hijet në fytyrat e tyre, që nxjerrin në pah kthjelltësinë e formës dhe detajit, autori përpiqet të na dërgoj në momentet e ndryshme, e që fare pak ngjajnë njëra me tjetrën. Secili portret ka histori, të veçantë të vetën, mirëpo, ata nuk kanë pikënisjen, sikurse që nuk kanë fundin, kjo i ngjan një të kaluare e cila na ka humbur: “Nga erdhëm, kush jemi dhe ka po shkojmë!”. Këto pyetjet valëviten në mendjet e tyre, pa ndonjë përgjigje të saktë, por vetëm shpërfaqje, pranim dhe ballafaqim mes shikuesit. Vlen të përmendet aktori i madh, tashmë i ndjerë Bekim Fehmiu, i cili ka zënë një vend në kornizën e Imerajt. Ai nuk na shikon, me vija ekspresive, ai identifikon vetën, por i mungon shpirti, ngase më nuk ndodhet në mesin tonë. Këtë artisti e paraqet përmes mungesës së syve, të cilat janë të detajizuara me të zezën e fortë. Fehmiu ishte, bëri bujë, iku si një hero i vërtetë, dhe tashmë rrjedh në lumëbardhin e Prizrenit, aty ku është përcjell për herë të fundit. Po ashtu cikli i titulluar “Wild Hair”, tregon një qetësi, e shoqëruar nga një egërsirë, e paraqitur me flokët të valëvitura me forma të qeta. Në tërësi ky portret i ngjan një indiani i cili është duke medituar dhe komunikuar me unin e tij, e jashtmja edhe pse çmendet, e brendshmja ka kontrollin absolut. Edhe tek “Goca”, artisti ngritë lartë qetësinë, sepse është arma më e fortë për të dominuar çdo shqetësim. Një femër më flokë të lidhura, me kokë të kthyer anash, nuk dëshiron  të shikojë atë që është duke ndodhur: padrejtësitë, vrasjet, përfitimet e shpejta të padrejta, tragjeditë, shkatërrimin e natyrës, të gjitha ajo i ka përpirë dhe tashmë është distancuar, izoluar në një qetësi të madhe, dhe kjo identifikohet përmes ngjyrës së bardh e cila dominon në fytyrën e saj, mirëpo e zeza ruan në vete atë shkatërrimin, por në esencë ky portret na jap një barazim të qetë vlerash. Të gjitha portretet janë ngacmuese, të paraqitura me vija të lakuara, ekspresive, të ndërprera, të cilat identifikojnë nuancat shpirtërore të këtij krijuesi dhe ato si përmbledhje vlerash triumfojnë me ciklin “Hipnoza”, cikël ky që të fut në një rreth, shpërndanë energji nga brendësia, përmes bebëzës së syrit të theksuar spektatori sheh çelësin e së vërtetës, dhe shndërrohet si një nxënës për këtë vëzhgues të mprehtë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora