Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Teksti shoqërues për koncertin me këngë popullore të këngëtares Mimoza Kosturi

| E hene, 09.05.2011, 06:49 PM |


“KËNGËT E MALEVE TË MIA.”

 

1. Prolog.

 

Kënga popullore është përjetësi. Një popull që nuk këndon vdes. Pa mushkritë e këngës popullore shpirti ynë do të ish më i varfër, më i thatë dhe ne do të na dukej ajri më i rrallë. Do të ndjenim vapë pa këtë gurgullimë të përjetshme që na i bën jetën më të butë dhe më me dritë. Në këtë thesar shkëlqen si një margaritar kënga labe, kjo kryevepër e kuturës së popullit shqiptar,  të cilën Unesko, kjo seli e mëndjes që zbulon vlerat e derisotme të njerëzimit, e pikasi, e shpalli monument të rrallë të kulturës botërore dhe e mori në mbrojtje. Ne kemi të drejtë të krenohemi që jemi krijuesit e njërës prej  mrekullive të  kësaj bote.

 

Fan Noli, një nga mendjet më brilante të letërsisë shqiptare, në fund të jetës, duke shkruar testamentin e tij  la amanet ta varrosin me një këngë labe të kënduar nga labër safi.

 

Sepse e di që ajo të bën të përjetshëm... Në këngën labe, e lashtë deri në mjegull, njerëzit përpara se të bashkojnë zërat, duhet të bashkojnë njëherë zemrat, fymën e tyre, të këndojnë si një mushkri e vetme e një njeriu. Me këtë këngë janë krijuar disa prej monumenteve më të ndritur të kulturës sonë shqiptare, duke filluar nga „Legjenda e urës“ ku muroset një grua e deri tek “Vajza e valëve“ të cilat do të kemi fatin t’i dëgjojmë së bashku. Po cilët janë bilbilat që do të bashkojnë zërat e tyre të rrallë sot?

 

( Në fund të skenës shfaqet duke ecur Mimoza Kosturi.)

 

2. Mimoza Kosturi, prezantimi. Tekst e figurë në sfond 2 minuta.

 

Midis atyre që po e mbajnë të gjallë dhe e çojnë më tej magjinë e këngës labe vjen sot në këtë koncert një zë drithërues i këngës labe, Mimoza Kosturi.

 

(Mimoza ka zënë vendin e vet në skenë dhe përshëndet duke u përkulur para publikut)

 

Pasi ka mbaruar studimet e larta në Akademinë e Arteve, në klasën e kantos më 1992 dhe ka dhënë një sërë koncertesh, ajo e ndjen se herë pas here duhet t’u kthehet rrënjëve të saj të origjinës për t’u ndjerë e plotë dhe e mbushur me dritën e këngëve labe. I ka provuar dhe kënduar ato të përpunuara në koncerte të bukura e të suksesshme brenda sallave tona muzikore dhe jashte Shqipërisë, të shoqëruara me orkestra, kore dhe instrumente të praruar. Por me sa duket, asnjëherë nuk është ndjerë aq e plotë se sa në këngën e mirëfilltë të vendlindjes e të nënës së saj, edhe kjo një këngëtare e shquar e një kënge të bujshme të viteve ’70.  Prandaj ajo mbledh pranë vetes disa nga bilbilat e këngës labe dhe vjen me ta para nesh në këtë koncert, për të shpalosur disa nga perlat e thesarit të këngëve tona.

 

I tërë ky tekst ilustrohet me pamje nga koncertet e saj në Tiranë, videoklipet e bëra në Zagori, (me titra veprimtaria e saj muzikore në ekran) me pamje nga kënga që këndon nëna e saj (arkiv) etj

 

Le të njohim tani kush janë ata së bashku me të krijojnë frymën e këtyre këngëve të mëdha.

 

Hyso Xhaferaj. (Hysua hyn në skenë dhe shkon e vihet në krah të Mimozës. )

 

një pritës me zë të rrallë, në dhjetra këngë të mrekullueshme që tashmë janë pjesë e fondit tonë të artë të këngës popullore, solist i Ansamblit Popullor.

 

Mehmet Visha, kthyes, një tjetër këngëtar i njohur për talentin e tij të rrallë, solist i grupit polifonik “Ergjëria”

 

Në iso Aleksander Rrapi, dhe Andrea Doci, solist i Ansamblit Popullor, si dhe këngëtari Neil Ruçi dhe Hasim Meli.

 

Drejto artistik i grupit Prof. Milto Vako.

 

Ideator dhe producent, Andon Pango.

 

*   *   *

 

Kenga 1   5.14   minuta  Kënga e nënës.  Tekst+ figure (1 minute)

 

(Te deklamuara me zë sinkron ose jo ndërkohë që në ekran ka pamje nga vendlindja, Zagoria, shtëpi, rrugë, sokake, plaka dhe pamje të tjera që kanë të bëjnë me mallin për nënën dhe vendlindjen…)

 

Udhë e gjatë më kish marrë,

Gji e zemër më kish tharë

Nënë, moj e mira nënë…

 

Det i thellë e i pamatur dhembshurie,

Sa më prite atë natë, ti e dije,

 

Erdha të gjeta të gjallë,

Të putha gjirin e tharë,

Po dot nuk ta nxorra mallë-ë

Nënë, moj e mira nënë…

 

Një këngë e thekshme për nënën që emigranti e ka lënë pas duke marrë rrugët e botës. Atje larg ajo dhe vetëm ajo., nëna e shtrentë i rri ditë e natë në qiellin e mendjes. Dhe tani ai po vjen, i zhuritur nga malli për të. Rruga deri tani duket e pafund...Është apo ajo gjallë? Një këngë drithërimë që noton nëpër kujen e madhe tek  zemra e përvëluar. Vetëm kënga labe mund ta nxerë brenda saj kaq dhimbje. Dhe duhet zëri i një këngëtareje si Kosturi me shokët e saj të na bjerë një emocion kaq të paharrueshëm.