Zemra Shqiptare

  http://www.zemrashqiptare.net/


Këze Kozeta Zylo: Kolltuku i presidentit të Kosovës ndrin nga një grua zonjë

| E diele, 08.05.2011, 07:59 PM |


Kolltuku i presidentit të Kosovës ndrin nga një grua zonjë

 

Nga Këze Kozeta Zylo

 

Para disa vitesh kam shkruar artikullin: “ Ka ardhur koha për një grua zonjë, presidente shqiptare”, botuar në disa gazeta ” dhe këto javë kur dëgjova që në kolltukun e Presidentit u ul një grua zonjë, pata ndjesinë se vendi ndriti nga gruaja luftëtare, e edukuar dhe në Perendim, nga zonja Atifete Jahjaga, e cila është prej grave të pakta që ka kryer trajnimin në Qendrën Evropiane të Sigurisë "Xhorxh Marshall" në Gjermani dhe Akademinë Nacionale të FBI-së në Departamentin e Drejtësisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.  Ajo është dalluar për profesionalizmin e lartë, ndaj dhe u përzgjodh të takohej me ish presidentin Bush në vizitën që i bëri Akademisë. 

Zgjedhja e saj si presidente e Kosovës u mirëprit nga shumë personalitete të botës, ndërmjet tyre dhe nga presidenti Obama, i cili e vlerësoi zgjedhjen e saj si një pjekuri politike në rritje të Kosovës. 

Po ashtu zonja Jahjaga ka marrë telegrame urimi dhe nga gruaja më karizmatike në botë, Hillary Clinton e cila në telegramin e urimit që i dërgonte vlerësonte zgjedhjen e zonjës Jahjaga duke theksuar se: “si femra e parë udhëheqëse e shtetit në hapësirat e ish-Jugosllavisë, udhëheqja e Juaj pa dyshim do të frymëzojë gra dhe vajza në tërë regjionin dhe do t’i tregojë botës vlerat demokratike dhe tolerancën që shteti Juaj i ri i ka përqafuar”.

            Zgjedhja e saj në detyrën më të lartë të shtetit më të ri në botë, personalisht si grua më bën të ndjehem tejet krenare, pasi për historinë e Kombit tim përbën një moment të ndritur historik, sepse asnjëherë që me krijimin e shtetit shqiptar në këtë kolltuk nuk është ulur asnjë grua.  Por për mua akoma më e rëndësishme është mënyra se si po punon zonja presidente për vendin e saj! 

Duke ndjekur me vëmendje të posaçme fjalimet e saj që nga dita e parë e zgjedhjes, ndjej se duket një grua tejet serioze, e përkushtuar, me vizion dhe që ka dëshirën dhe dashurinë për ta çuar më përpara kauzën e Kosovës, dhe të kombit shqiptar.  Shpresoj se ajo do të le gjurmë të pashlyeshme në historinë shqiptare, jo vetëm pse është gruaja e parë, por dhe se do te jetë politikanja e parë grua, që do të ndryshojë shumë gjëra në drejtim të Paqes së vendit tonë dhe në rajon.

Edhe në Shqipëri ka ardhur koha për një grua zonjë, presidente 

Znj Hillary Clinton dhe znj Atifete Jahjaga
Znj Hillary Clinton dhe znj Atifete Jahjaga
Karrikja e Presidentit të Shqiperisë do të ndrinte nqs në të do të ulej një grua zonjë shqiptare.  E Shqipërise nuk i mungojnë zonjat intelektuale, shpirtgjera dhe me nje vullnet te mirë në politikë.  Historia ka treguar se kur në krye të vendeve të ndryshme janë vendosur gra, ato me mençuri dhe guxim kanë ditur të udhëheqin vendet e tyre, pa tensione luftrash, e në mos i kanë shuar këto luftra.

Pra aty ku ka qënë gruaja, ka gjetur strehë paqja dhe qetësia, aq shumë e kërkuar në kohëra dhe vende të ndryshme.

            Kështu nqs do t’i hedhim një sy të shpejtë historisë botërore, do të shohim se mjaft gra të shquara në botë i kanë dhënë historisë po aq sa dhe burrat, e në shumë raste dhe më shumë.

Unë po e nis nga vendi që më dha Lirinë personale dhe shoqërore, nga vendi që i tha stop genocidit serb, pra me Amerikën, se gjuha vete ku dhëmb dhëmbi.

A nuk ishte Zonja Medlin Ollbrajt, një nga mbështetëset kryesore të Administratës së Klintonit, një profesore me intuitë të rrallë, që diti të zgjidhte mjaft çështje dhe probleme ndërkombëtare, kur shumë presidentë dhe diplomatë kishin dështuar më parë?

Kjo zonjë inspiroi Lirinë, duke vendosur Paqen në shumë vende tepër të tensionuara.

Amerika u përballë ne zgjedhet për president dhe me kandidaten Znj. Hillary Clinton, një grua që me mënçuri dhe dinjitet i ka dhënë shumë Kombit amerikan dhe botës.

Veçanërisht ajo do të kujtohet nga shqiptarët si First Lady American që mori pjesë energjikisht për çlirimin e Kosovës.

Hillary Clinton ishte një nga kandidatet më me shumë reputacion për të marr kolltukun e Presidentit për vitin 2008.

Në rast se ajo do të kishte fituar perqindjen maksimale të votave ajo do të ishte zonja e parë si presidente e Amerikës.

Indira Gandi ish kryeministre e Indisë që shërbeu katër herë radhazi, do të trondiste botën me kurajon, vitalitetin e saj ku dhe do të sillte mjaft ndryshime për popullin Indian.

Ajo ndoqi sistemin e parlamentit anglez dhe për këtë u bë si një nga udhëheqëset më popullore.

Një tjetër grua e fuqishme është dhe Kleopatra e VII e cila u lind në 69 B.C. në Alexandria, Egjypt, ku shteti në saje të saj e rriti fuqinë dhe më shumë, dhe e shkëputi Egjyptin nga presioni i jashtëm i Perandorisë Romake.

Edhe Catherin II Perandorja e madhe Ruse është e njohur për inteligjencën dhe ambicien e saj, ajo e udhehoqi Perandorinë Ruse drejt Perëndimit.

Ajo jo vetëm e nxori Rusinë nga korrupsioni, skandalet, por vendosi shumë gra në pozicione shtetërore.

Arritjet e saj bënë që Rusia të bëhej një fuqi e madhe botërore, biles dhe në ditët e sotme në disa aspekte, 1729-1796

Tz’u-Hsi or Cixi ishte gruaja më e famshme në historinë moderne të Kinës, shquhej për bamirësine dhe bukurinë.  Gjithashtu ajo ishte mikja më e madhe e armiqve më të tmerrshëm.

Ndersa nobelistja Aung San Suukyi ka lindur me 1945 në Burma e cila e ka marrë çmimin Nobël për Paqe më 1991.

Në Prill 1989 duke mbajtur fjalimin për vendin dhe të drejtat u arrestua.  Në vitin 2002 ajo është arrestuar përsëri.

Ajo deklaron se ja ka kushtuar jetën Lirisë dhe do të luftojë deri në momentet e fundit të jetës së saj.

            Por midis shumë grave që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në histori është dhe shqiptarja katolike, Nënë Tereza, që me besimin tek Krishti, dhe me shpirtgjerësinë shqiptare arriti të trondiste botën, dhe pse me një trup të pakët.

Ajo me autoritetin e saj, përkushtimin e madh karshi Zotit, ndaloi sa e sa luftra, shëroi shumë mendje të prishura nga gjaku, tmerret dhe brejtja e minjve!

            Nqs do t’i referohesha historisë me gratë më të famshme në botë, do të bëhej një listë e gjatë dhe unë nuk kam për qëllim në këtë shkrim të rendisë numrin e tyre, por qëllimi im është të sensibilizojë më së shumti intelektualët shqiptarë, botën shqiptare, Diasporën dhe më së paku deputetët e Kuvendit Popullor.

Kur them më së paku, se deputetëve nuk ja u bën tërr syri, dhe nuk e kanë aq seriozisht me zgjedhjen e Presidentit.

Prandaj duke pasur një shekull e ca në krye burra kryeministra, presidentë, dhe që gjysma e popullsisë akoma është nën thundrën e të tjerëve, le ta ndryshojmë mentalitetin dhe të provojmë se çfarë ndryshimesh cilëore ka për të sjellë një grua në kolltukun e Presidentit.

Sigurisht që nuk e kam fjalën për ato gra që janë përfshirë në qarqe të ndryshme politike dhe që janë të detyruara të hedhin vallen sipas liderit të tyre, por e kam fjalën për ato gra intelektuale, kurajoze, që i kanë dhënë shumë kulturës, dhe kanë luftuar për të drejtat ndërkombëtare të popujve.

Janë disa gra që mbi moshën 40-vjeç, kanë arritur suksese dhe që luajnë një rol model dhe në kulturën Perëndimore.  Ato janë edukuar nga kultura qytetare Perëndimore, dhe ka ardhur koha që t’i japin vendit të tyre te shtrenjtë.

Shpesh politika shqiptare ja le spontanitetit përzgjedhjen e përfaqësuesve të shtetit dhe nuk ka një strategji të caktuar për të tërhequr kontigjentin e mirëfilltë intelektual, e cila jo vetem që është brenda trojeve tona, por nuk duhet harruar dhe Diaspora në dyert e Perëndimit, që u largua duke shkaktuar hemorragjine e trurit nga politika e krimbur këmbë e kokë.

            Të gjitha këto gra udhëheqëse i ka provuar me fakte bota e civilizuar ku pikërisht në Angli, Zonja e hekurt Margareth Thatcher do të shprehet:

“Nqs ju doni gjëra të mërzitshme pyesni një burr, nqs doni punë të mbaruara pysni nje grua.

Dhe çdo grua që ka zgjedhur problemet e veta në familje, do të di t’i zgjidh shumë mirë problemet e shtetit”.

Kështu që unë mendoj se ka ardhur koha e ndryshimit, ka ardhur koha e sprovës, e shoqerise shqiptare per t’i treguar botes se çfarë ndryshimesh cilesore do të duken, kur në këtë kolltuk do të ulet një grua zonjë, ashtu sic e meriton Mëmëzonja jonë, ashtu sic e meritoi Kosova, qe kolltuku i presidentit te saj po ndrin nga nje grua zonje si Atifete Jahjaga.

 

30 Prill,

New York, 2011

 

Botoi gazeta “Illyria” New York