E shtune, 20.04.2024, 05:27 PM (GMT+1)

Kulturë » Berisha

Sejdi Berisha: Peja qendër historike dhe vatër e kulturës

E diele, 08.05.2011, 07:46 PM


Shkrim në trajtë të reportazhit dokumentar

 

PEJA QENDËR HISTORIKE DHE VATËR E KULTURËS

 

Nga Sejdi BERISHA

 

Sa herë është shkruar, shkruhet dhe do të shkruhet për qytetin e Pejës, publicistët, shkrimtarët dhe udhëpërshkruesit gjithmonë janë fascinuar me begatinë kulturore dhe historike por edhe ekonomike që kishte dhe ka Peja, e cila njihet edhe si qyteti i Haxhi Zekës, i cili si patriot dhe atdhedashës njihet edhe me Lidhjen e Pejës. Andaj, karakteristika e këtij qyteti, i cili ka dhënë shumë kuadro të profileve të ndryshme, të cilët kanë qenë faktorë me rëndësi në ecuritë e zhvillimit të civilizimit jo vetëm në Kosovë, por edhe në shumë vende të botës.

 

Disa karakteristika historike dhe zhvillimore të Pejës

 

Qendra e qytetit të Pejës sot
Qendra e qytetit të Pejës sot
Njëra ndër qendrat më të njohura dhe më me ndikim në Kosovë dhe në rajon, ishte dhe është Peja, e cila njihet me lashtësinë e saj, me pozitën gjeostrategjike dhe me klimën e përshtatshme që ka, të cilat elemente, së bashku kushtëzojnë zhvillimin e hovshëm kulturor dhe ekonomik të këtij rajoni me ndikim dhe rëndësi të veçantë në Kosovë dhe jashtë saj.

 

E kaluara historike e saj, dëshmohet dhe argumentohet me vendosmërinë për qëndrueshmëri dhe stoicizëm të popullit. Në të gjitha periudhat e luftërave, të ndërrimeve politike e historike dhe të lëvizjeve të ndryshme, banorët e këtushëm qëndruan dhe u flijuan për mbijetesë, për çlirimin kombëtar dhe shpirtëror.

Periudha e viteve 1912, e para kësaj, Lidhja e Pejës, Kronika e Lugut të Baranit, shkatërrimet dhe tronditjet në Luftën e Dytë Botërore, por edhe të gjitha lëvizjet dhe luftërat e mëvonshme, mbështesin argumentet për qëndrueshmërinë e popullatës së  këtushme, por edhe begatinë shpirtërore të tij, që janë pjesë e rëndësishme e së kaluarës, e historisë së përgjithshme kombëtare.

Peja, para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, por edhe deri në ditët e sotme, duke përfshirë këtu edhe Luftën për Çlirimin e Kosovës të vitit 1998-1999 por edhe më herët dhe deri më sot, dallohet dhe njihet si qendër e zhvillimit të kulturës dhe të vlerave shpirtërore. Kjo qendër e Rrafshit të Dukagjinit, qysh atëherë, në

Pjesa e qytetit mbi Hotelin “Korzo” deri tek Ura e Zallit në vitet e 40-ta të shek. XX-të
Pjesa e qytetit mbi Hotelin “Korzo” deri tek Ura e Zallit në vitet e 40-ta të shek. XX-të
periudhat e përmendura më lartë, dallohet dhe bëhet e njohur me shoqëri të ndryshme kulturo-artistike, me grupe e klube të shumta sportive të të gjitha llojeve.

Sa për ilustrim, të përmendim Orkestrinën e Mandolinave, e cila, me aktivitetin dhe me vlerat e larta artistike dhe muzikore ishte e mirënjohur edhe jashtë Pejës dhe kufijve të

Kosovës. Pastaj, ishte Orkestra Frymore, që, të këtij lloji pak kush e kishte jo vetëm në Kosovë. Ishte atëherë Teatri i Qytetit, i cili me aktivitetin e vet në fushën e artit skenik tejkaloi vlerat komunale, të Kosovës, të Serbisë, dhe në Jugosllavi zuri vendin e parë me shfaqjet e veta teatrore. Të gjitha këto dhe format tjera të aktiviteteve kulturore, këtij qyteti ia vënin vulën e perspektivës të kulturës me vlera afirmative dhe të nivelit në rajon.

 

E tërë kjo rrjedhë e punës dhe e sukseseve vazhdoi edhe pas Luftës së Dytë Botërore. Më detajisht. Në komunën e Pejës, atëbotë veprojnë më se dhjetë Shoqëri Kulturo-Artistike, Teatri i Qytetit, i cili padyshim se ishte çerdhja dhe burimi kryesor i kuadrove më të mirënjohura të artit skenik në Kosovë dhe më gjerë. Pastaj, dallonin edhe manifestimet e ndryshme tradicionale muzikore dhe letrare, si bie fjala, “Netët e Dukagjinit”, “Mitingu i poezisë revolucionare” dhe Festivali Rajonal i Teatrove amatore.

Vepronin më se dhjetë klube futbollistike, disa prej të cilave garonin në rangun më të lartë të futbollit si dhe shumë shoqëri e klube të tjera të hendbollit, basketbollit dhe atletikës dhe boksit.

 

Teatri i qytetit “Istref Begolli”
Teatri i qytetit “Istref Begolli”
Të gjitha këto dhe veprime të tjera kulturore, bën që Peja të mos mbetet anonime dhe e panjohur. Por, përkundrazi, ajo u bë qendër me ndikim, e mirënjohur dhe shumë e respektuar për tërë Kosovën, por edhe për ish Jugosllavinë dhe për tërë rajonin. Andaj, vullneti dhe devotshmëria për të arritur edhe më shumë rezultate dhe zhvillime të reja, gjithnjë vinte duke u rritur, duke u fisnikëruar dhe duke u shndërruar në vatër të mirëfilltë kulture e sporti. Këto të arritura, drejtpërsëdrejti ndikonin edhe në intensifikimin e zhvillimit të të gjitha degëve ekonomike e më vonë edhe të atyre industriale. Duket ndoshta anakronike, por e tërë kjo ishte kënaqësi për atë kohë, bazament e përgjegjësi për të ecur më tej edhe sot, edhe nesër. Pra, kjo është një vlerë e cila nuk mund të peshohet.

 

Edhe në aspektin e zhvillimit të turizmit dhe të hotelerisë, Peja shquhet (shquhej) si një prej qendrave më të njohura në këtë pjesë të Ballkanit dhe të Evropës. Për këtë, më së miri flasin, apo më mirë të themi, e vulosin epitetin e qendrës turistike, Bjeshkët e Nemuna, hotelet dhe motelet dhe shumë objekte të tjera hoteliere, të cilat, në ato kohëra (para luftës në Kosovë dhe para suprimimit të autonomisë së Kosovës nga ana e okupatorit), kurorëzuan zenitin e shërbimeve hoteliere dhe turistike anë e kënd ish-Jugosllavisë.

 

Hotel “Dukagjini”
Hotel “Dukagjini”
Zejtaria themel i zhvillimit të vlerave shpirtërore dhe kulturore por edhe ekonomike

 

Peja, në atë kohë, respektivisht në shekullin e XVIII-të, kishte afro pesëdhjetë dyqane tabakësh, gjë kjo e cila qartë tregon për peshën e kësaj zejeje dhe për zhvillimin e zejeve të tjera më vonë, të cilat bëhen hallkë e kësaj të parës për zhvillimin e gjithëmbarshëm.

Se sa ka qenë zejtaria e zhvilluar, dëshmojnë dhe na tregojnë edhe datat, gjegjësisht vitet kur edhe janë djegur pazaret dhe dyqanet e zejtarëve të këtij qyteti. Pazari-Tregu i Pejës është djegur në vitin 1851, 1863, dhe në vitin 1881.

 

Por përmendim kafenenë, atëherë të Ramë Brojës, e cila njihej si “Kafeneja e dyzetë beqarëve”. Kjo kafene, përveç tjerash, në atë kohë e kishte rëndësinë e vet edhe për organizimin e rinisë shqiptare...

 

Zhvillimi i civilizimit, çlirimi shpirtëror dhe ekonomik, për një popull, gjithmonë ka pasur rëndësi të madhe për të mbijetuar dhe për tu bërë zot i vetvetes e faktor

Xhamia e Shatërvanit me dyqane përreth (Një ditë tregu)-1940
Xhamia e Shatërvanit me dyqane përreth (Një ditë tregu)-1940
me rëndësi në zhvillimin e gjithëmbarshëm të një mjedisi por edhe të shoqërisë së civilizuar dhe të botës në tërësi. Në këtë aspekt, rol me rëndësi ka pasur e do të ketë edhe më tutje zhvillimi i zejtarisë dhe i degëve të saj. Përmes kësaj dege të ekonomisë dhe kulturës, shprehet fort edhe karakteri e niveli i zhvillimit të një mjedisi, të një populli dhe i kulturës së tij.

 

Burimet e ujit në qytetin e Pejës

 

Kushdo që ka ardhur në Pejë, qoftë për ta vizituar atë, qoftë për të tregtuar apo për të kryer punë të tjera, gjithmonë kanë qenë të ngazëllyer por edhe të gëzuar, sepse ky qytet piktoresk dhe me klimë shumë të mirë, është i njohur për kah begatitë natyrore, pra edhe për kah numri i madh i burimeve të ujit dhe të krojeve brenda në qytet. Këtë begati, pothuaj se asnjë qytet tjetër në Kosovë në kaq masë të madhe nuk e ka pasur.

 

Kroi i Bajram Bogut (Afro dyqind metra larg Urës së Zallit, në rrugën që shpie për në Grykën e Rugovës), edhe tash përherë me ujë të bollshëm e “akull”
Kroi i Bajram Bogut (Afro dyqind metra larg Urës së Zallit, në rrugën që shpie për në Grykën e Rugovës), edhe tash përherë me ujë të bollshëm e “akull”
Në kohërat më të hershme, pleqtë të cilët i kanë njohur zhvillimet e përgjithshme në Pejë, kanë thënë se ky qytet gjithmonë ka qenë i njohur me ujin e mirë, të ftohët por edhe me burime të shumta uji. Kështu, thuhet se në qytetin e Pejës kanë qenë hiq më pak se shtatëdhjetë e dy burime uji (kajnaçe), që secili prej tyre e ka pasur emërtimin e vet.

Tash, po të vizitosh tërë qytetin e Pejës, është vështirë se do t’i gjesh as një të dhjetën e këtyre burimeve, sepse, me ndërtimin e hovshëm të qytetit, këto burime uji ose janë zhdukur, ose janë dëmtuar, ose edhe asgjësuar tërësisht.

 

Turizmi dhe bukuritë natyrore

 

Hoteleria dhe turizmi janë një prej faktorëve që Pejën e ka bërë të njohur jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon dhe në tërë Evropë. Kjo degë e ekonomisë ka marrë hov dhe ka zënë rrënjët e zhvillimit qysh në kohërat e hershme. Këtë e ka mundësuar pozita gjeo-strategjike, klima dhe bukuritë e rralla natyrore, dhe rrugët që shpijnë nga të gjitha anët, që Pejën e lidhin me botën.

Tani janë hapur edhe shumë pizzeri dhe kafeteri, që kryesisht shërbejnë për tu ushqyer dhe për gazmende të ndryshme e më shumë për dasma

 

Kroi pranë Bajrakli Xhamisë
Kroi pranë Bajrakli Xhamisë
T’i numërojmë disa nga restorantet që janë më të nivelit dhe që kanë shërbim të avancuar hotelier: Restorant “Koha e Re”, Hoteli “Dukagjin”, Restorant “Univers”, Restorant “Californy”, Restorant “Koha 3”, Restorant “Victory”, Restorant “Tirona” e të tjerë.

 

Kryetari i Shqipërisë, Bamir Topi, gjatë qëndrimit në Pejë më 21 janar 2008, zhvilloi një bisedë me udhëheqjen komunale dhe politike të kësaj komune në Restorantin “Koha-3” (Në foto: Kryetari i Shqipërisë, Bamir Topi me bashkëshorten dhe me pronarët e restorantit, Arbër Bytyqi dhe Bashkim Kolina).

 

Rugova vendi më atraktiv për turizmin malor dhe dimëror

 

Hotelerinë dhe turizmin janë duke e intensifikuar edhe ndërtimet e objekteve private në periferi të qytetit, e veçmas ato në fshatrat e Rugovës, siç bie fjala në fshatin Bogë dhe te Guri i Kuq, në shpatijet përballë fshatit Kuçishtë.

 

Qyteti i Pejës, në vitin 1929
Qyteti i Pejës, në vitin 1929
Varrezat si dëshmi e histori

 

Se çfarë zhvillimi, çfarë kulture dhe çfarë civilizimi ka pasur dhe ka qyteti i Pejës, por edhe rajoni i kësaj komune e më gjerë, mund të verifikohet dhe të dëshmohet edhe përmes varrezave nëpër periudha kohore dhe historike. Sipas fjalëve të njerëzve të vjetër por edhe sipas gojëdhënave e të dëshmive të përcjella gjeneratë pas gjenerate, varrezat e para të Pejës, paskan qenë në pjesën e përparme të Kombinatit të lëkurë-këpucëve, dhe atë para afro katërqind vitesh.

Përveç këtyre varrezave, kuptohet, secila xhami i ka pasur varrezat e veta përreth. Ndërsa, në shekullin XVII-XIX-të, kanë qenë varrezat e qytetit në Karagaç, në vendin ku tani është Parku i qytetit. Kurse, mbi lagjen e Kapeshnicës, është kodra e cila njihet si, Kodra e Varreve. Pastaj, kanë qenë varrezat në Pelivan Mejdan, të quajtura Varrezat e Gjata. Përmenden dhe mbahen në mend edhe Varrezat Hallaçkës, ku tani është Shkolla fillore “Tetë Marsi” dhe varrezat tek Qendra e re Zejtare-Tregtare, pastaj kanë qenë Varrezat e Taftali Xhamisë, tek Poliklinika e Dhëmbëve (tash tek Ndihma e Parë). Janë të njohura edhe Varrezat

Kryetari i Shqipërisë, Bamir Topi me bashkëshorten dhe me pronarët e restorantit, Arbër Bytyqi dheBashkim Kolina).
Kryetari i Shqipërisë, Bamir Topi me bashkëshorten dhe me pronarët e restorantit, Arbër Bytyqi dheBashkim Kolina).
e Zatrave, varrezat në këndin ku ndahen rrugët Pejë-Radac dhe Pejë-Vitomiricë (Arbnesh). Në këtë vend, thuhet se qenkan varrosur qytetarët e Pejës në kohën kur këtu, në vitin 1907-1908 kishte shpërthyer epidemia e sëmundjes së Kolerës.

Pastaj, po ashtu mirë mbahen në mend dhe u kujtohen qytetarëve edhe Varrezat në territorin e Hamam Xhamisë, por që nuk janë ruajtur dhe po ashtu u janë humbur të gjitha gjurmët. Si dëshmi për këtë, edhe sot gjendet Tyrbja në mesin e shtëpive të kësaj pjese të qytetit.

Të vetmet varreza që janë ruajtur në një mënyrë, janë Varrezat e Kakariqit dhe tani Varrezat e reja në të dalë të qytetit, në rrugën Pejë-Deçan.

 

Pra, me të drejtë shtrohet pyetja se a i dimë varrezat tona dhe a kemi njohuri më të gjëra për këto dëshmi për ekzistencën, banimin, zhvillimin dhe kulturën e civilizimin e popullit tonë?! Padyshim se ka edhe shumë vende ku kanë qenë varrezat e banorëve të këtij qyteti nëpër dekada e shekuj, por ato, ose janë asgjësuar, ose janë rrënuar për shumë shkaqe e arsye, qoftë politike, qoftë historike.

 

Një objekt turistik në kompleksin “Relax-Rugova” në fshatin Bogë
Një objekt turistik në kompleksin “Relax-Rugova” në fshatin Bogë
Andaj, kur kam biseduar për këtë temë të rëndësishme, qytetarët me ngulm kanë kërkuar që të bëhen angazhime adekuate për t’i gjetur varrezat si shenjë identifikimi dhe civilizimi.

 

Gjatë luftës u dogj Çarshia e Gjatë

 

Krahas krimeve të shumta, vrasjeve, dhunimeve, maltretimeve dhe torturimeve, gjatë luftës në Kosovë, edhe komuna e Pejës ka pësuar dhe ka qenë një ndër komunat më të dëmtuara dhe të rrënuara në Kosovë. Në këtë qytet, jo vetëm se nuk u kursye jeta e njerëzve, por u plaçkitën, u demoluan, u rrënuan, u dogjën qindra shtëpi dhe objekte të ndryshme, të cilat ishin baza e jetës dhe e zhvillimit të kësaj komune.

Sipas të dhënave të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), Qendrës Rajonale në Pejë, vetëm gjatë periudhës mars-qershor 1999, në komunën e Pejës, formacionet ushtarake, policore dhe paramilitare serbe kanë vrarë së paku 561 persona të moshave dhe gjinive të ndryshme në mesin e popullatës civile shqiptare, prej të cilëve, 469 janë identifikuar, kurse të tjerët kanë mbetur të paidentifikuar.

Varri i Haxhi Zekës në oborrin e Bajrakli Xhamisë-Çarshi Xhamisë (Foto:2010)
Varri i Haxhi Zekës në oborrin e Bajrakli Xhamisë-Çarshi Xhamisë (Foto:2010)
Ndërsa, sipas të dhënave në terren, konfirmohet se në territorin e komunës së Pejës janë djegur dhe dëmtuar së paku 16.500 shtëpi të banimit, dymbëdhjetë shkolla, dy objekte shëndetësore dhe njëzetë e pesë objekte fetare.

 

Është interesant të theksohet se djegia e Çarshisë së Pejës, pra edhe e Çarshisë së Gjatë, fillon që nga e premtja, me 24 mars 1999, e kështu pastaj kjo vazhdon thuaja si në faza edhe gjatë muajit prill. Andaj, gjatë pjesës së dytë të muajit mars, e sidomos gjatë muajit prill të këtij viti, digjen pjesa dërmuese e dyqaneve të zejtarëve, por edhe të dyqaneve të tregtarëve në të gjitha pjesët e çarshisë. Do të thotë, armiku në mënyrë sistematike dhe të programuar shkatërroi begatinë, por edhe vlerat arkitekturale të kësaj pjese të qytetit.

 

Ndërsa, me 10 qershor të vitit 1999 e dogji edhe Bajrakli Xhaminë, njërin prej objekteve më të rëndësishme të kultit dhe të lashtësisë, që i takonte periudhës së shek. XIV-XV-të.

 

Varri i Ali Pashë Gucisë dhe disa varre të tjera përreth në oborrin e Bajrakli Xhamisë-ÇarshiXhamisë (Foto: shkurt, 2010)
Varri i Ali Pashë Gucisë dhe disa varre të tjera përreth në oborrin e Bajrakli Xhamisë-ÇarshiXhamisë (Foto: shkurt, 2010)

Ja, si dukej në një mbrëmje hyrja në Çarshi të Gjatë para luftës në Kosovë
Ja, si dukej në një mbrëmje hyrja në Çarshi të Gjatë para luftës në Kosovë

Pjesë e shkatërruar dhe e djegur e Çarshisë së Pejës
Pjesë e shkatërruar dhe e djegur e Çarshisë së Pejës

Kulla në të cilën, në janar të vitit 1899 u mbajt Kuvendi i Lidhjes së Pejës, kryetar i të cilit u zgjodh,Haxhi Zeka (Edhe kjo kullë, në prill të vitit 1999 u dogj nga okupatori).
Kulla në të cilën, në janar të vitit 1899 u mbajt Kuvendi i Lidhjes së Pejës, kryetar i të cilit u zgjodh,Haxhi Zeka (Edhe kjo kullë, në prill të vitit 1999 u dogj nga okupatori).



(Vota: 13 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora