E premte, 19.04.2024, 10:23 AM (GMT+1)

Mendime

Henri Çili: Pse Lulzim Basha duhet votuar ditën e diel

E shtune, 07.05.2011, 07:59 PM


Pse Lulzim Basha duhet votuar ditën e diel

 

Nga Henri Çili

 

Nesër është heshtje elektorale. Në traditën e gazetave më në zë të botës, sot gazeta MAPO shprehet me qëndrimin e saj për zgjedhjet e 8 Majit, duke mbështetur kandidatin e Partisë Demokratike dhe Aleancës për Qytetarin për Tiranën, Lulzim Basha.

 

Lulzim Basha dhe alternativa që ai përfaqëson për Tiranën ka një rëndësi më shumë se lokale për normalizimin e demokracisë shqiptare, për të ardhmen e demokracisë lokale në Shqipëri, për një frymë tjetër në politikën shqiptare.

 

Lulzim Basha në krye të Bashkisë së Tiranës është normalizimi i demokracisë shqiptare, për shkak se fitorja e tij ofron shanset për t’i dhënë fund një ngërçi politik afër 2-vjeçar në të cilën e ka futur qytetin e Tiranës, opozitën dhe Shqipërinë, Edi Rama. Duke mos pranuar rezultatin e zgjedhjeve të kaluara, opozita shqiptare për afër dy vjet i është futur një lufte politike radikale për të bërë të besueshme “vjedhjen e zgjedhjeve” dhe për pasojë mosmbajtjen e përgjegjësisë para Partisë së tij për këtë bilanc. Edi Rama, duke qëndruar në krye të Bashkisë së Tiranës, dhe për më tepër duke kandiduar sërish për herë të katërt, synon avancimin e objektivave të tij politike, duke kolapsuar sistemin tonë politik nëpërmjet prishjes së axhendës normale politike, duke lënë pezull të gjitha reformat për integrim, të cilat kanë nevojë për pjesëmarrjen edhe të opozitës. Duke fituar Lulzim Basha dhe projekti i tij për Tiranën, kemi gjithashtu një kontribut për normalizimin përfundimtar të ngërçit politik, në qerthullin e të cilit kemi hyre prej vendosmërisë së opozitës së Edi Ramës, jo për të përmirësuar e garantuar zgjedhjet e lira në Shqipëri, por për të anuluar 28 qershorin dhe për të mos pranuar realitetin e votës në Shqipëri.

 

Lulzim Basha në krye të Bashkisë së Tiranës është një e ardhme e re për pushtetin lokal në Shqipëri, i cili sot gjendet në një kolaps të dyfishtë: jo vetëm është i pamjaftë për nga kompetencat dhe niveli i decentralizimit, por po vuan prej së paku 5 vjetësh politizimi të tejskajshëm për shkak të mbivendosjes politikë qendrore-politikë lokale. E gjitha kjo për shkak të pozitës së dyfishtë të Edi Ramës nga 2005-a, por sidomos pas 2009-s, si kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe kryetar i opozitës së majtë.

 

Projekti i Lulzim Bashës, jo vetëm propozon një model të ri të pushtetit lokal, me konsensusin në qendër dhe jo konfliktin,  por zgjidh dhe ngërçin e mbivendosjes së dy detyrave që ka Edi Rama, të cilat shkatërrojnë edhe punën për qytetin, sepse e politizojnë bashkinë, edhe objektivat e opozitës, sepse shkatërrojnë kredibilitetin moral të opozitës, duke e degraduar luftën e natyrshme politike opozitë - qeveri në luftë bashki - qeveri.

 

Lulzim Basha në krye të Bashkisë së Tiranës është inkurajimi qytetar i një profili të ri politik, me një perspektivë premtuese brenda të djathtës shqiptare dhe në politikën shqiptare në përgjithësi. Lulzim Basha formësoi me fushatën e tij një profil politik të klasit të parë, në përmbajtjen dhe formë, në qasjen e re  ndaj problemeve politike dhe në rrugët e zgjidhjeve të tyre, në ligjërimin publik dhe natyrën moderne të përballjes me kundërshtarin, me publikun dhe me shoqërinë në tërësi. Lulzim Basha manifestoi ide të reja duke elaboruar jo thjesht liberalizmin ekonomik, por dhe qasjen e duhur ndaj problemeve komplekse që ka shoqëria jonë, të cilat në vështrimin e një vendimmarrjeje e kapërcejnë ndarjen e majtë e djathtë, apo format klasike të ndarjes politike.

 

Partia Demokratike dhe e djathta shqiptare, me këtë fushatë të Lulzim Bashës kanë fituar një figurë premtuese për sfidat politike të dekadës, që e djathta shqiptare ka për të përballuar; vazhdimësinë dhe sfidat jo të vogla që shtrohen para saj në dekadën e re.

 

Për të gjitha këto, Lulzim Basha meriton mbështetjen me votën e 8 Majit, për shkak se kandidatura e tij, programi i tij për Tiranën, dhe profili i tij politik, janë mundësia më e mirë për t’i shërbyer interesit publik.



(Vota: 18 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora