E enjte, 25.04.2024, 05:15 AM (GMT+1)

Përjetësi » Kripa

Reshat Kripa: Hipokriti i kohës sonë

E marte, 03.05.2011, 07:58 PM


Fejton

 

Hipokriti i kohës sonë

 

Nga Reshat Kripa

 

Një ditë prej ditësh m’u tek të shkoja të vizitoja varrezat e qytetit. Ide e çuditshme do të thoni ju. Me të vërtetë ashtu është, por ja që mua m’u tek ta bëja një gjë të tillë. Kështu mbërrita atje dhe fillova t’i vizitoj njërin pas tjetrit. Mbi pllakat e mermerit që mbulonin varroshet shikoja lloj-lloj përkushtime. Pothuajse në të gjitha flitej për meritat e të ndjerit që prehej aty dhe në fund emrat ose lidhjet familjare me ata që kishin bërë përkushtimin.

            Duke kaluar kështu njërin pas tjetrit, më tërhoqi vëmendjen një varrosh me të vërtetë madhështor që ndodhej në krye të parcelës kryesore, në hyrje të varrezave. U afrova dhe u mundova të lexoj emrin e të gjorit që prehej aty. Për çudi, vura re se nuk kishte as emër, as mbiemër dhe asgjë tjetër përveç një epitafi, të një autori të panjohur, të gdhendur në pllakën e mermerit:

 

Këtu prehet hipokriti

Gojëmjaltë e truppërlyer,

Që s’tha fjalë pa lezet,

Që s’u prish në muhabet,

Dhe s’e ndyri kurrë gojën,

Me ata që kish nevojën!

 

            Qëndrova i habitur dhe po kundroja atë varrosh të çuditshëm. Po thartoja trutë për të gjetur se kush duhej të ishte ky i paemër që prehej aty. Mendja më vajti tek “i paemri” i romanit të Petro Markos. Por jo, nuk mund të ishte ai. Ai personazh ishte vetëm fryt i fantazisë së shkrimtarit.

            Nga kjo fantazmagori më zgjoi një zë që dëgjova pas meje:

            - Çfarë halli të ka zënë, mor mik, që e ke humbur pusullen kështu?

            Ktheva kryet dhe pas meje pash një plak që po i afrohej të njëqindave.

            - Jo, or mik, - iu përgjigja, - nuk kam asnjë hall, por më çuditi ky varrosh pa emër.

            Plaku qeshi si me qesëndi dhe u përgjigj:

            - Ky varrosh dhe ky epitaf u kushtohet atyre që prehen këtu dhe që, kur ishin gjallë, kishin dy fytyra, njerën për eprorin dhe tjetrën për vartësit.

            Plaku nuk foli më dhe unë nuk e ngacmova më tej. Po mendoja dhe po mendoja për ndonjë figurë të tillë që kisha njohur. Nuk vonoi shumë dhe para syve më doli figura e  një bandilli të cilin e kisha takuar rastësisht.

            Në të vërtetë ky bandill rridhte nga një familje me emër në krahinën e tij. Por fati e kishte degdisur nëpër disa hone dhe shkrepa, sa që ia kishte trazuar trutë fare. Fatmirësisht, kjo kohë kishte perënduar dhe kishin ardhur ditë më të mbara. Fati i kishte çelur edhe bandillit tonë dritën e gjelbër. E kishin emëruar përgjegjës të një institucioni që merrej me rehabilitimin e njerëzve të përvuajtur.

            U copëtua dhe u ropëtua i ngrati që t’i ringjallte përsëri të mjerët të përvuajtur. I ranë këmbët sa në një dikaster në tjetrin, duke berë lutje e duva për ta.  Por shumica e tyre e përcillnin ashtu siç kishte hyrë. Kjo gjë bëri që në ndërgjegjen e tij të rrënjosej një ndjenjë tjetër, ajo e inferioritetit, si pasojë e të cilit i lindi vesi i hipokritit, shumë i përhapur në kohët tona. Kështu që arriti puna deri aty sa, kur ndodhej para ndonjë eprori, për të kërkuar diçka, harronte përse kishte shkuar dhe në fytyrën e tij dallohej vetëm një buzëqeshje skllavi dhe një përulje alla Uriah Hip i Dikensit. Një buzëqeshje e tillë nuk i mungonte edhe kur dilte para ekraneve të televizioneve për të dhënë ndonjë intervistë ose për të shfaqur ndonjë mendim, që natyrisht nuk ishte i tij.

            Ditët kalonin dhe oreksi i shtohej bandillit tonë. Tani nuk i mjaftonte vetëm institucioni shtetëror ku shërbente, por donte të gllabëronte edhe shoqatën e të përvuajturve. Mirë thonë që oreksi vjen duke ngrënë. Por, për t’ia arritur kësaj, duhej ndërruar edhe gjuha. Xhonglerit tonë një gjë e tillë nuk i mungonte. Ishte bërë mjeshtër për këtë marifetçillëk. Ai e dinte se pika e dobët e të përvuajturve ishte lëmosha që u jepte shteti dhe që shpesh herë zvarritej pa fund. Ndaj filloi të çirrej dhe të këlthiste me zë të lartë, që ta dëgjonin mirë të gjithë, se do të bënte këtë ose atë veprim deri sa t’ia arrinte qëllimit. Madje harroi se i përkiste një institucioni shtetëror që mund t’i priste edhe atë të shkretë rrogë që merrte.

            Në një mbledhje të tillë u ndodha edhe unë me një mikun tim. Atje e njoha për herë të parë karafilin tonë. Midis llafeve të tij pa fund, në mbarim të tyre ai tha:

            - Të dashur bashkëpërvuajtës! Ju premtoj se qëllimit tonë do t’ia arrijmë me çdo kusht. Ndaj mendoj se duhet të organizojmë një demostratë të jashtëzakonshme, që nuk e ka parë kurrë bota, për realizimin e kërkesave tona!

            - More, a nuk të duket shumë i ekzaltuar ky heroi ynë? – i thashë mikut tim.

            - Lere, lere, - u përgjigj ai, - nesër do t’ia dëgjojmë avazin.

            Në të vërtetë në ato ditë, në vend, ishte hapur fushata për zgjedhjet parlamentare. Kandidatët për deputet bënin parreshtur takime me banorët e zonës për të votuar për ta. Një takim të tillë organizoi me shtresën e të përvuajturve edhe kandidati i preferuar prej tyre. Në krye ishte kllouni ynë. Por për çudi deklaratat e një dite më parë ishin harruar. Para syve nuk kishim më luanin e djeshëm, por kameleonin e sotëm, me atë buzëqeshjen hipokrite dhe përuljen alla Uriah Hipçe. Por kandidati pothuajse nuk e përfilli

            - More, po kur i harroi ato që tha dje? – i thashë mikut tim.

            - E ç’lodhe më kot me të! Të thashë se do t’ia dëgjojmë avazin, - u përgjigj ai.

            Nuk kaloi shumë dhe heroi ynë fluturoi nga karrikja që mbante si përgjegjës i të përvuajturve. Qyqarit nuk i vlejtën më as lajkat dhe as buzëqeshjet hipokrite.

            - Ky është fundi i hipokrizisë, -  më tha miku.

            Mirpo me këtë mendim nuk ishte dakord levendi ynë. Ai mblodhi majtas e djathtas kallëpe të llojeve të ndryshme, ca gjoja filozof, ca gjoja për te drejtat njerëzore dhe ca për bodigardë dhe arriti në majën e shoqatës së ëndërruar. Tani të tjerët i shikonte nga lart poshtë dhe në zërin e tij ndihej toni i autoritarit. Por kjo nuk vazhdoi gjatë. Njerëzia ishte zgjuar. Nuk kaloi shumë dhe ai fluturoi dhe prej andej dhe që atë ditë endet rrugëve të qytetit si një njeri të cilit i ka humbur emri.



(Vota: 7 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora