E premte, 29.03.2024, 07:55 AM (GMT)

Editorial

Elida Buçpapaj: Pse duhet të jemi ne sot me Arjan Çanin

E marte, 03.05.2011, 06:59 PM


PSE DUHET TË JEMI NE SOT ME ARJAN ÇANIN?

 

Nga ELIDA BUÇPAPAJ

 

Për absurd, në prag të Ditës të Shtypit të Lire, dje mbrëma na panë sytë diçka që është antiteza e Lirisë së Shtypit dhe shprehjes të lirë të mendimit.

 

Dje në debatin e Rudina Xhungës me temë zgjedhjet e 8 Majit ishin ftuar Henri Çili, Arjan Çani, Saimir Tahiri, Erion Veliaj, pra dy gazetarë dhe dy njerëz nga rrethi vicioz i kryetarit të PS, Ed Ramës, i cili garon për herë të katërt për Bashkinë e Tiranës. 

 

Them  nga rrethi vizioz sepse, për shembull, Rudina Xhunga nuk kishte ftuar as Kastriot Islamin, as Andis Harasanin, as Pandeli Majkon, emra përfaqësues të PS. Nejse.

 

Debati u nxeh, sepse u mor vesh se kishte plasur një bombë pranë Tendës Elektorale të liderit të opozitës, ku ishte lënduar edhe një kalimtar. Kaq mjaftoi që Saimir Tahiri të niste tiradat e sulmeve arrogante kundër kryeministrit dhe kandidatit të PD-së, duke e akuzuar se bombën e kishte vënë “Saliu” me një gjestikulacion që të kujtonte veç shefin e tij, i cili e punësoi Saimirin në fillim në Bashki e pastaj e bëri deputet të PS.

 

Nuk më intereson fare, pasi është punë e demokracisë së brendshme të  PS kariera e Saimir Tahirit apo  Erion Veliajt, i cili pa bërë një gram punë, duke u katapultuar nga një OJQ, që nga emri do të thotë organizatë jo qeveritare dhe jofitimprurëse, doli prej saj i pasur e me xhepat plot me pare, sepse kjo është puna e Ed Ramës, e shijeve dhe interesave të tij. Mua më intereson ajo që ngjau tek Xhunga.

 

Ndërsa Saimir Tahiri akuzonte “Saliun” si bombvënës, Arjan Çani reagoi duke shprehur mendimin e tij, se njeriu që ishte më pak i interesuar për bomba në fushatë elektorale ishte pikërisht kryeministri, i cili nuk ka asnjë arsye se përse të vendosë një bombë në tendën elektorale të kundërshtarit të tij.

 

Të njëjtin mendim me Arjan Çanin e ndaj edhe unë. Çdo kryeministër, përfshi edhe Ed Ramën sikur të kishte qenë ai në vend të Sali Berishës, do të ishte i interesuar që fushata zgjedhore të shkonte sa më mbarë dhe sa më qetë. E përse Sali Berisha po dashka të dëmtoka veten e tij, duke e ditur se çdo incident dëmton imazhin e fushatës  dhe të qeverisë që ai vetë e drejton? Po pse ky Sali Berisha qenka më pak inteligjent se koka e Erion Veliajt apo e Saimir Tahirit ? Po ky Erion Veliaj dhe ky Saimir Tahiri qenkan krejt budallë që t’i marrin shqiptarët për budallenj, duke marrë rolin e shplarjes të truve të shqiptarëve në shekullin XXI, kur diktaturën shqiptarët e kanë çuar në theqafje prej 20 vitesh ?

 

Por ndërsa Arjan Çani ishte duke shprehur mendimin e tij, si një të drejtë të patjetërsushme, nga shtëpia  merr mesazh me sms se familja e tij kishte marrë kërcënime se do t’i vinin bombë. Në këto kushte ai largohet nga emisioni i Xhunglës dhe më vonë del në telefon tek Shqip dhe në ekran tek ABCNEWS duke deklaruar se PS është marrë peng nga një bandë e rrezikshme.

 

Natyrisht në gazetari në një shoqëri demokratike nuk përjashtohen simpatitë e gazetareve. Siç dihet ka massmediume të qendrës, të majta, të djathta; ama në shoqëritë demokratike nuk ka massmediume që abuzojnë me të vërtetën për hir të bindjeve politike, apo gazetarë që nuk mund të shprehin mendimet e tyre sepse kjo i vë në rrezik jetën e tyre apo të familjes, siç ngjau me Arjan Çanin, pasi ky shprehu mendimin e tij se bombën pranë tendës elektorale të Ed Ramës nuk mund ta kishte vënë Sali Berisha.

 

Trazira, demonstrata, përmbysje regjimit, Liban, Egjypt, Tunizi, Ben Ali, Kadaf, Mubarak, opinion mbarë shqiptar i njeh mire përdoruesit e tyre.

 

Mbarë opinioni shqiptar dhe organizmat ndërkombëtare në Shqipëri e dinë mire se kush është i interesuar që fushata zgjedhore të jetë me incidente dhe problematike, natyrisht jo shefi i ekzekutivit, sepse çdo incident do t’i kthehej atij të parit boomerang. Opinioni shqiptar dhe organizmat ndërkombëtare e dinë shumë mire se kush donte t’i bojkotonte këto zgjedhje, ashtu si kishte orientuar bojkotimin e parlamentit të Shqipërisë, me pretendimet nga më absurdet.

 

Opinioni shqiptar po ashtu e di shumë mire se ata që kërcënuan me bombë familjen e Arjan Çanit, ndërsa ky ishte duke thënë se bombën tek tenda elektorale e Ed Ramës nuk e ka vënë Sali Berisha, nuk ishte kryeministri i Shqipërisë. Arjan Çani e tha shkoqur se kush ishte, e tha shqip, edhe tek emisioni i  Xhunglës edhe tek ABCNEWS.

 

Prandaj ne sot duhet të jemi me Arjan Çanin. Për të drejtën që Arjan Çani ka, dhe për të drejtën që ne kemi, që ta shprehim mendimin pa pasur frikë se ky mendim do të vejë në rrezik familjen e Çanit apo familjet tona, nga banda që kërkojnë t’i venë bombën lirisë të fjalës.

 

Ne jemi sot me Arjan Çanin, sepse duke u solidarizuar me të, ne mbrojmë të drejtën tonë si gazetarë dhe si qytetarë të lirë për të thënë të vërtetën pa pasur frikë nga hijet e zeza të së shkuarës.



(Vota: 21 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora