E enjte, 28.03.2024, 09:47 PM (GMT)

Kulturë

Begzad Baliu: Vareni kryengritësin e shenjtëruar (II)

E hene, 02.05.2011, 06:05 PM


Begzad Baliu

 

VARENI KRYENGRITËSIN E SHENJTËRUAR I

 

(Qosja, Nobeli, Kadare...)

 

Prishtinë, 2010,

 

II

 

II. VARENI KRYENGRITËSIN E SHENJTËRUAR

 

Nuk e di a mund të them prandaj, shqetësimin që kam ndjerë kur kam dëgjuar dhe kur kam menduar se si vepra, dorëshkrime, letra, dokumente etj., janë vënë në thasë najloni prej atyre që librat i çmojnë si tullat e shtëpisë, dorëshkrimet si rrobat e vjetruara apo dokumentet si gjethet e rëna të vjeshtës.

E kuptueshme, pa fajin e tyre!

Autori

‘Fajtori i Madh’

 

Faruk Myrtaj <fmyrtaj@sympatico.ca>:

Të nderuar kolegë të Prishtinës, nuk di se si ka ndodhur realisht me pezullimin, pushimin nga puna apo tjetërfare të Profesor Rexhep Qosjes, por pa asnjë mëdyshje nuk e quaj aspak të udhës, e konsideroj tepër fyese, jo vetëm për figurën e tij, nëse është penguar të hyjë brenda institucionit ditën e nesërme, apo nëse i janë prekur e ndaluar shënimet e materialet e tjera të vetat. Edhe sikur të kishim të bënim me fajtorin më të Madh, pas këtyre veprimeve, e drejta do të kalonte menjëherë në anën e tij!

Respekt, Faruk Myrtaj

 

‘Uzurpatori...’

"Akil Koci" <akil.koci@googlemail.com: Nuk jam që të sillen ashtu se si janë sjell[ ndaj siç thoni ju “xhevahirit”, por nuk jam që edhe ai “xhevahir” të sillet në mënyrë se si është sjell[ duke sharë dhe ofenduar, por jam që ai vetë tua lëshojë dhomën e punës shkencëtarëve të rinj që nuk kanë se ku të punojnë, siç ka vepruar kolegu i tij Zekeria Cana. Ai është dasht[ që moti t’i lëshojë lokalet e Institutit, sepse është pensionist dhe me normat njerëzore dhe normale mos të qëndrojë dhe uzurpojë zyrën mbi 200 metra katrorë, por të shkojë në shtëpinë e vet edhe ashtu të madhe dhe luksoze dhe të punojë. Kjo tregon se sa narcisoid janë emrat që mendojnë se janë të pazëvendësueshëm, pavarësisht për gjithë atë që kanë dhenë dhe janë me mentalitet larg edukatës normale intelektuale dhe njerëzore.

Akil Koci

 

‘Beteja e parë intelektuale’

 

bbaliu@yahoo.com: I nderuar Z. Myrtaj,

Meqenëse ka pasur mjaft reagime në mbrojtje të Rexhep Qosjes, kërkesës suaj nuk iu përgjigja, duke menduar se reagimet e botuara në formën elektronike dhe në shtyp janë të mjaftueshme për Ju. Mirëpo përgjigja e Akil Kocit (me shumë pasaktësi), që në të vërtetë është një përgjigje e atyre zyrtarëve që u përulën para reagimit të opinionit më parë se para mbrojtjes së Rexhep Qosjes dhe obligimi prej drejtuesi të Seksionit të Albanologjisë e nënkryetari të Institutit në Prishtinë, më bëri që të jap disa të dhëna.

Mosprononcimi im lidhet edhe me faktin se unë duke pasur një kolegialitet të ngushtë me punonjësit e këtij Instituti, nuk kam mundur të mos qëndroj pranë tyre edhe gjatë grevës. Të shkruaj ndërkaq, kam dashur dhe madje pasi kam parë një pamje në TV të grevistëve (kolegëve të mi) para Institutit (Albanologjik), si dhe një pamje të veçantë të Profesor Qosjes, ashtu mes dëshpërimit dhe përgjegjësisë që i takoi kësaj kohe e këtij vendi, në një fjali të kompjuterit kam shënuar për titull të mundshëm eseje, një varg të poezisë së Nolit “Vrajeni kryengritësin e shenjtëruar”!, dhe nuk kam vazhduar më tej, pasi kam menduar se duke qenë pjesë e këtyre grevistëve nuk me takonte të shkruaja.

1. Historia e asaj që ndodhi, që unë e quaj atentat në Profesor Rexhep Qosjen e Profesor Ymer Jakën, më është e njohur për faktin se deri një vit më parë kam punuar për dhjetë vjet radhazi në Institutin Albanologjik (1996-2006).

2. Kohë më parë Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë ka sjellë një vendim sipas të cilit brenda ditës drejtori i gjertanishëm shkonte në pension, Institutit pas 55 vjet funksionimi (e vetmja bërthamë albanologjike deri më sot) i ndërrohej Statuti, sillej një ushtrues detyre i drejtorit në kundërshtim me rregullat e gjertanishme, një sociolog, etj.

3. Nga të gjitha këto, reagimi në Institut kishte të bënte me shkeljen e ligjit, që këtu për Ju nuk është i rëndësishëm.

4. Por, sikur të mos mjaftonte kjo, ushtruesi i detyrës së drejtorit, solli vendimin me të cilin kërkohej që akademikët e pensionuar të grumbulloheshin në një sallë ku më parë kishin punuar daktilografët. Këtij vendimi nuk iu përgjigjën Ymer Jaka, i cili gjendej në shtëpi sepse e kishte lënduar këmbën dhe Rexhep Qosja, i cili gjendej në Institut, por nuk i kishte dërguar çelësat edhe për arsye se kërkesa e drejtorit ishte bërë thjesht përmes një pastruesi të rastit. Për Rexhep Qosjen, i cili në një polemikë me studiuesit serbë dhe maqedonas njëzet vjet më parë u shkruante se prej vitit 1967-1977 kur kishte filluar ndërtimi i këtij Instituti kishte shkruar më shumë tekste administrative sesa tekste të fushës profesionale të letërsisë, sigurisht largimi nga zyra në ketë mënyrë ishte e papranueshme, prandaj po përmes shkuesit (pastrues në Institutin Albanologjik) kishte kërkuar që çelësat të vinte e t’i merrte vetë ushtruesi i detyrës së drejtorit të Institutit, sado kishte shumë presion nga kolegët që të mos largohej sepse largimi i tij do të vinte në dyshim njërin prej projekteve më të rëndësishme të këtij Instituti: “Historinë e letërsisë shqipe” (letërsinë moderne), pavarësisht se këtë e bënte pa shpërblim, ndërsa merr një pension prej 40 eurosh.

Sa për kujtesë dua të ju njoftoj Juve dhe z. Koci se kabineti i Qosjes ka jo më shumë së 24 metra katror (pra jo 200 metra katror), meqenëse kabinetet e Institutit kanë nga 12 metra katror sa kishte kabineti im, deri në 32 metra katror sa kanë katër kabinete, ku janë vendosur nga dy studiues. E quaj të nevojshme të njoftoj se Instituti Albanologjik është njëri prej instituteve më të madha në hapësirën shqiptare[1] dhe ka një sipërfaqe prej 2839 metra katror[2]. Kabineti më i madh prej rreth 40 metra katrorë ishte ai i Akademikut Idriz Ajeti, i cili ndonëse shkoi në Akademi dhe nuk vjen më në Institut, për shkak se konsiderohen (bashkë me Rexhep Qosjen) bardët e studimeve albanologjike dhe themelues e drejtues të këtij Instituti, askujt deri më tash nuk i ka shkuar mendja të shkojë e të punojë në këtë zyrë. Kabinetin e Profesor Ajetit shumë rrallë e shfrytëzojnë për ndonjë takim (mbledhje) degët e Institutit.

Le të kuptohemi, gjithë këtë e ka mundësuar hapësira e madhe e këtij Instituti, e cila jo për pesë studiues të rinj, por edhe për 20 studiues të rinj ka hapësirë të mjaftueshme, pa e vënë në shërbim kabinetin e Profesor Ajetit apo të Qosjes. Kësaj zyre, që mendohej se do të shndërrohej në Arkiv të Idriz Ajetit, ashtu si edhe zyra e Profesor Qosjes, askush nuk ia mësyu deri sa erdhi ushtruesi i drejtorit të ri, që me të drejtë u quajt drejtor i dhunshëm.

Por, si duket, i nxitur prej dalldisjesh që i ofronte hapësira e pafundme e zyrës së tij të re dhe prej pushtimit të hapësirave të reja e të panjohura për të në Institutin Albanologjik, ushtruesi i drejtorit kishte pritur vetëm përfundimin e orarit të punës dhe në orën 16, pasi kishte mbyllur derën e hyrjes së Institutit, kishte paguar disa punëtorë krahu dhe kishte thyer dyert e kabineteve të Profesor Rexhep Qosjes e të Profesor Ymer Jakës, autorit të njohur të veprës “Marrëdhëniet letrare shqiptaro-frënge”, e cila që në vitet ’70, pati një ndikim të veçantë në kritikën shqiptare, jo vetëm në Prishtinë por edhe në Tiranë.

Punëtorë krahu, të cilët nuk dinin as për ke po punonin dhe as kabinetin e kujt po e përmbysnin, ishin urdhëruar që arkivin personal (prej librash, dokumentesh e dorëshkrimesh) ta fusnin në thasë të zi najloni, të cilët në Institut përdoreshin për grumbullimin e mbeturinave.

Këtu fillon edhe drama e reagimit të opinionit, për të mos thënë drama e tronditjes së opinionit nga radhët e intelektualëve, për fat të mirë nga të gjitha shtresat, nga të gjitha partitë dhe madje edhe nga ata që deri sot nuk mund të pritej se do të deklaroheshin ashpër ashtu sikur u deklaruan. Nuk mund të mos e fsheh gëzimin që kam ndjerë për këtë ringjallje dhe rikthjellje të intelektualëve shqiptarë.

Ka shumë kohë, për të mos thënë shumë vjet, që kam pritur zërin e guximshëm të intelektualit në mbrojtje të individit, grupit apo shoqërisë shqiptare jashtë klaneve dhe partive politike.

Ka shumë kohe që kam pritur zërin e refuzimit të sulmeve morale dhe madje fizike kundër individëve dhe institucioneve kulturore e shkencore.

Dhe kjo ndodhi me në fund, prandaj edhe brenda këtij dëshpërimi të asaj që po ndodhte me pasurinë personale, materiale, mendore, shkencore, kulturore dhe pse jo intime të Profesor Qosjes dhe Profesor Jakës, një e drejtë private e pakontestueshme në botën demokratike, kam ndjerë një besim dhe vetbesim.

Kam ndjerë thellë lëvizjen intelektuale dhe qytetare që vinte edhe nga radhët e të gjitha partive politike, institucioneve kulturore edhe atyre qeveritare, që për një kohë aq të shkurtër larguan bartësin e këtij akti jokulturor.

A ka nevojë të them, i dashur Myrtaj, se kjo është beteja e parë intelektuale e fituar, që nga fundi i luftës në Kosovë!

E kemi pritur gjatë, tepër gjatë këtë fitore! Natyrisht, nuk kemi pritur ta fitojmë para luftës kur është sulmuar dhe plagosur Profesor Sabri Hamiti (për të cilin ka reaguar intelektualisht vetëm Profesor Qosja, - reagimet e tjera kanë qenë të natyrës partiake dhe klanore!); nuk e kam pritur ta fitojmë kur në prag të fushatës së NATO-s, është paralajmëruar autobomba para shtëpisë së Qosjes dhe nuk e kam pritur edhe në disa raste të tjera, kur ka pasur arsye të reagohet dhe të protestohet.

Por, miku im, kemi pritur ta fitojmë këtë betejë kur është sulmuar me gurë (nga një grup fëmijësh!) legjenda e gjallë e lirisë së Kosovës Adem Demaçi, sepse ai nuk ka pranuar ta përkrahë Marrëveshjen e Rambujesë!; kur është propaganduar në shtyp (gjoja) sulmi me domate i Rexhep Qosjes në Tregun e Gjelbër të Prishtinës (!) sepse Qosja ka vazhduar të mendojë dhe të flasë në mënyrë kritike kundër atyre që nuk e kishin përkrahur dhe nuk i përkrahnin rezultatet e luftës; kur është njoftuar për vënien e autobombës në veturën e kryetarit të Akademisë së Kosovë Akademik Rexhep Ismajlit; kur është sulmuar verbalisht (përjashtoj sulmin fizik në të!) shkrimtari e publicisti Mehmet Kraja.

A nuk mjaftojnë këta shembuj, z. Myrtaj, që të them se në Kosovën e lirë ishte vështirë të jesh intelektual, ishte vështirë të mendosh jashtë normave partiake dhe klanore dhe madje ishte rrezik të deklarohesh si i tillë, dhe a nuk mjafton kjo që të them se sa shumë e kam përjetuar fitoren e kësaj beteje.

Një herë!

Qoftë edhe vetëm njëherë![3]

I nderuar z. Myrtaj, ju e thatë me të drejtë: “Edhe sikur të kishim të bënim me fajtorin më të Madh, pas këtyre veprimeve, e drejta do të kalonte menjëherë në anën e tij!

Nuk e di a mund të them prandaj, shqetësimin që kam ndjerë kur kam dëgjuar dhe kur kam menduar se si vepra, dorëshkrime, letra, dokumente etj., janë vënë në thasë najloni prej atyre që librat i çmojnë si tullat e shtëpisë, dorëshkrimet si rrobat e vjetruara apo dokumentet si gjethet e rëna të vjeshtës.

E kuptueshme, pa fajin e tyre!

Po për ne që ëndërrojmë të hyjmë ndër arkiva shtetërorë, institucionalë dhe veçanërisht arkiva private, a mund ta merrni me mend si e kemi përjetuar përmbysjen e arkivit personal të Profesor Qosjes në zyrën e tij. Në zyrën, në të cilën punon tash e 30 vjet, duke përfshirë këtu edhe 10 vjet punë në zyrën e ndërtesës së vjetër të Institutit Albanologjik.

Merreni me mend çka mund të gjendet në arkivin personal të ish-drejtorit të Institutit, i cili para se të shkarkohej nga drejtori në vitin 1981, nga organizata bazë e LKJ, veç tjerash ishte propozuar të dilte para pushkatimit; e studiuesit, që, vjeç të tjerash, ka shkruar “Historinë e letërsisë shqipe” dhe “Manifestin e modernitetit”, e shkrimtarit, që, veç të tjerash, ka shkruar romanin “Vdekja me vjen prej syve të tillë” dhe monodramën “Vdekja e mbretëreshe”, e intelektualit, që veç të tjerash ka shkruar historinë më të mirë të popullit shqiptar për përudhën nga Lidhja e Prizrenit deri në kohën tonë etj. etj.

Me respekt, Begzad Baliu

 

“Artisti mesatar mund të pensionohet, por artisti elitar jo”

 

"daut gorani" daut_g@yahoo.com:
I nderuari Z. Akil Koci, në botën e artit dallohen, artistët fillestarë, mesatarë dhe elitarë.
Kur e futni në një "thes" Zekeria Canën dhe Rexhep Qosjen, mendoj që e bëni vlerësimin e gabueshëm në mes një artisti (ose shkencëtari) mesatar dhe elitar. Sigurisht nga kompleksi i mbivlerës shumë artistë mesatarë, duke e vlerësuar vetën si elitarë, i vlerësojnë të tjerët gabimisht.
Prandaj, konsideroj që me kandarin tuaj Rexhep Qosja është vlerësuar gabimisht.
I mjeri ai shtet që nuk mund t’i krijojë një hapësirë një artisti elitar, i cili akoma mund të kontribuojë.
Pra, z. Koci mos t’i vlerësojmë gjërat nga komplekset, por t’i shohim ashtu si janë. Sot, studentët e ri kanë shumë kushte më të mira se që i patët ju dhe Qosja dikur, artit i duhet talent. Nëse artistët e rinj kanë talent, do t’ia krijojnë hapësirën vetvetes.
"Rasti Qosja", është shumë më shumë çështje politike ose personale, e jo çështje e hapësirës.
Me nderime, Daut Gorani
 

”Ju e adhuroni Qosjen...”

 
"N. Aliu" naliu@t-online.de:
I nderuar z. Begzad Baliu, nuk është ofendues ndërtimi i piramidës intelektuale, sepse ajo ekziston te të gjitha kombet, në të gjitha fushat ekziston një i parë e jo dy të parë. Ekziston vetvetiu.

Si në sport, edhe në letërsi ka shkrimtarë e poetë që u shiten më shumë librat, sepse janë më të mirë.

Ndoshta edhe i ofrohen kulturës perëndimore ato libra, por ajo kulturë është shumë e vështirë për depërtim pa pasur art të mirëfilltë.

Mund ta ketë njeriu xhaxha edhe Enverin, Stalinin, Putinin e Kastron, të gjithë së bashku, por megjithatë, pavlera në perëndim nuk ka shans. Respektivisht as Kadare nuk ka përfituar, por arti i tij e ka sjellë aty ku është sot...

Ju mbroni Qosen, duke atakuar Kadarenë, duke e nxjerrë atë më sipëror, çka në fakt nuk është.

Qosen e njoh nga të gjitha veprat, disa i kam lexuar edhe disa herë, mirëpo që kur kërceu në qytetërimin lindor, për mua ka vdekur...

Një letër të tillë e pata shkruar edhe te “Shekulli”! Aty pata kërkuar të më ngushëllojnë njerëzit se vërtetë për mua ishte një humbje e madhe, habi, tradhti dhe një shok.

Pastaj edhe Kadarenë e sulmoi, duke u bazuar në trillime. Gjë që nuk pritej prej tij...

Ai thoshte së Ferid Murati nuk po respektohet si Nënë Tereza sepse ai qenka mysliman, e në fakt ai është i pagëzuar dhe në shtëpinë e tij janë pesë fe (me dhëndrin çifut) të ndryshme, por asnjë nuk është mysliman. Ai vetë është në kishën episkopale (unë nuk kam idenë së ç’është kjo), gruaja e tij ka një fe tjetër, e bija tjetër dhe djali tjetër. (Kjo më pëlqen, kjo është demokraci familjare...)

Duke u bazuar në trillime të tilla, ndërtoi një akuzë të rëndë dhe tha: katolikët po diskriminojnë myslimanët! Pashko Vasa ka gabuar! I shtoi mendimit të vet. Edhe ky ishte mendimi i ri.

Nuk ka kërkuar akoma ndjesë për sugjestionet e rrejshme, por pyeste pse i ndërtohet Nënë Terezës përmendore, por jo Ferid Muratit. E në fund të përmendores çka të shkruhej: e mori Çmimin Nobel për çka ...? Për impotencën?

Krejt e pakrahasueshme me Nënë Tërezën të cilën shtypi gjerman ditëve të fundit e përkujtoi me respektin më të madh duke e përkujtuar për 10 vjetorin e vdekjes... Madje Tagesposten e quan “Gruaja më e fuqishme e botës” këtu! Ky është nder për kombin shqiptar!

Nuk kam mundur dhe nuk kam pasur fuqi t’i japë z. Kadare një këshillë për ta injoruar Qosen. Sepse ai që e njeh atë, ai që i ka lexuar rregullisht shkrimet e tij, “Anatomia e kulturës” sidomos “Morfologjinë e një fushatë” e polemikat e tjera e din se Qosja nuk polemizon, por merret me asgjësimin moral e kombëtar dhe me eliminimin sa më përfundimtar, sa më të përkryer të atij që nuk mendon si ai…Ky është qosizëm...

Qosja ka edhe një të keqe: ai gjithmonë ka besuar se është numër një në komb, prandaj edhe ka bërë paralelizma të veprave të tij dhe të Kadaresë... Në polemika u mundua ta argumentojë këtë dhe ta përforcojë me fakte e trillime...

Nëse i shikoni pak faqet islamike në internet do të vëreni së Qosja ka vendin e nderit aty dhe qëndrimi i tij pro qytetërimit lindor ka ndikuar që ata ta konsiderojnë Mendim i Ri, madje kundërshtoi edhe Pashko Vasën, e si ateist që mendon se është, e si intelektual i madh, duhet ta dijë se religjionet në këtë Tokë kanë afat skadimi...

...

Shkurt e shqip z. Begzad ju adhuroni Qosjen si unë dje dhe jeni shumë subjektiv. E drejtë e juaja. Unë nuk kundërshtoj kandidimin e tij, por as nuk e përkrah, pra nuk më intereson... Ju mund ta bëni, ky ishte mendimi im demokratik dhe nuk është i vonuar siç e thoni në fillim me qëllim denigrues, por i shprehur kur e kërkoi çasti... Madje, për kandidime të tilla, mendoj se është vonë...

Me respekt, Naser Aliu

 

Të mbrosh Qosjen prej atyre që kanë hapur portat e ngushëllimeve!

bbaliu@yahoo.com:

I nderuar z. Naser Aliu

Nuk është aspak ofenduese të ndërtosh piramida intelektuale, madje jo vetëm piramida, por edhe trekëndësha, katërkëndësha, rrethe ose qarqe apo qerthuj, kone etj. Çështja është se si i ndërton ato dhe a dëshiron t’i ndërtosh ato për vete dhe propozim për të tjerët, apo t’ua imponosh modelin tuaj edhe të tjerëve. Piramida juaj e ndërtuar sipas logjikës së një drejtuesi të ekipit sportiv në kërkimet shkencore quhet metodë faktoriele, që për bazë nuk ka parime sportive po metoda matematikore. E megjithatë nuk thuhet askund nga projektuesit e tyre se modele të tjera nuk ka, aq më pak të thuhet së nuk ekzistojnë. Të përfundosh një ide me logjikën se ide të tjera nuk ekzistojnë do të thotë të rrënosh atë që ke ndërtuar.

Ju thoni se “Si në sport, edhe në letërsi ka shkrimtarë e poetë që u shiten më shumë librat, sepse janë më të mirë”.

E palejueshme z. Naser, e palejueshme!

Kultura intelektuale dhe letërsia brenda saj nuk është as sport as prognozë sportive. Shkrimtarët nuk janë më të mirë a më të këqij sepse u shiten librat apo nuk u shiten. Vendin e tyre në letërsinë dhe kulturën e një populli e cakton kritika e kohës apo historia e letërsisë. Përgjithësisht veprat e shkrimtarëve të mirë shiten sepse ato bëhen pjesë e punës në institucionet shkollore, ndërsa shitja e librave të të tjerëve vjen si rezultat i popullarizimit që u bëhen prej subjektesh kryesisht jashtëletrare: qeverive, botuesve, grupeve të interesit, institucioneve vizuale etj.

Nuk është gjithmonë vlera artistike e veprave të tyre ajo që i popullarizon shkrimtarët dhe i bënë të pranueshme veprat e tyre në “kulturën perëndimore” – sikur shpreheni ju, ashtu si edhe në Lindje do të shtoja unë.

Unë do të ju kujtoj vetëm disa fakte: Kafka u bë i popullarizuar vetëm pas vdekjes, ndërsa Kadare megjithëse ishte përkthyer në frëngjisht që më parë në Tiranë, u bë i popullarizuar vetëm pasi u botua po në frëngjisht në Francë, falë botuesit serioz, ku u botua “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. Në Kosovë ka shumë vjet që flitet për Anton Pashkun, si për Xhojsin e shqiptarëve, vepra e të cilit veç në gjuhën serbokroate (romani dhe tregimi), drama i është përkthyer edhe në gjuhën frënge, e megjithatë kritika franceze as nuk e ka pritur për ndonjë zbulim as nuk e ka vlerësuar. Sot në botë vëllimet me personazhin e Hari Poterit, si edhe romani i Dan Braunit, shiten jo me kopje, por me tonelata dhe askush nuk thotë se autorët dhe veprat e tyre janë kandidatë për Çmimin Nobel.

Ju thoni se “Mund ta ketë njeriu xhaxha edhe Enverin, Stalinin, Putinin e Kastron, të gjithë së bashku, por megjithatë, pavlera në perëndimi nuk ka shans. Respektivisht as Kadare nuk ka përfituar, por arti i tij e ka sjellë aty ku është sot...”, ndërsa unë po ju shtoj së pavarësisht nga vlerat letrare që kishte Kadare, ai u botua në Paris vetëm duke e pasur Enverin “xhaxha”.

Ju keni shkruar se unë “mbroj Qosen duke atakuar Kadarenë, duke e nxjerrë atë më sipëror, çka në fakt nuk është”.

Aspak.

E para, unë kam sjellë disa nga paragrafët e kërkesës sime për të propozuar Qosjen kandidat për Çmimin Nobel dhe nuk kam pasur pse të mbroj Qosjen.

Prej kujt ta mbroj Qosjen?

Prej lexuesit të tij.

Jo!

Apo prej lexuesve të tij që “kërkojnë ngushëllime” dhe madje kanë “hapur të pamet”?

Jo!

Më parë do të mbroja prej atyre që Rexhep Qosjen e kanë lexuar dy herë dhe pas 40 vjetësh e kanë kuptuar se Qosja paska “kërcyer në qytetërimin Lindor”.

Si e keni lexuar Ju Qosjen deri më tash dhe çka keni lexuar nga vepra e tij?

Keni lexuar vetëm hyrjet e tyre me autorë të krishterë, vetëm thëniet hyrëse të nxjerra nga Bibla apo vetëm njërin prej personazheve të njohura të tij, Danjollin, të cilit si duket nuk keni arritur t’ia veçoni përkatësinë fetare dhe kombëtare[4].

Dhe ja, për 40 vjet, duke ia lexuar veprat, në të cilat ai sikur kam shkruar në fillim “është shquar për përpjekjen e tij që kulturën shqiptare ta paraqes si pjesë integrale dhe të natyrshme të kulturës evropiane”; duke ia lexuar veprat, në të cilat, sikur kam shkruar në paragrafët hyrës të propozimit tim “ai e ka mbrojtur me këmbëngulje përbërësin evropian të qytetërimit shqiptar”, nuk e paskeni kuptuar se Rexhep Qosja në veprën e tij, gjatë gjithë kësaj kohe ka mbrojtur me guximin e tij intelektual “pasurinë universale të qytetërimit shqiptar, pa dalluar prejardhjen Perëndimore apo Lindore të tij”.

Çka keni lexuar z. Naser? Në të vërtetë çka paskeni lexuar, sikur shpreheni ju “dy herë në veprën e Qosjes”!

Si është e mundur z. Naser që ju i keni lexuar veprat “Dialogë me shkrimtarët” (1968), “Shkrimtarë dhe periudha” (1975), “Asdreni – jeta dhe vepra e tij” (1972), “Porosia e madhe” (1986), “Prej tipologjisë deri të periodizimi” (1979) dhe sidomos “Historia e letërsisë shqipe” I-III (1984-1986) dhe nuk keni parë veç të tjerash se ai ka shkruar jo vetëm historinë me të mirë të letërsisë shqipe (nga aspekti metodologjik, shkencor dhe madje intelektual), por edhe politik. Pra nuk e paskeni parë së në veprat e tij të para dhe ato me të cilat ka kurorëzuar dijen shkencore shqiptare, ka ndërtuar strukturën gjuhësore, letrare, gjedhen kombëtare dhe pse jo edhe fetare, në kohën kur në ish-Jugosllavi edhe përsiatjet e tilla shiheshin me sytë e Danjollit të Sherkës, ndërsa në Tiranë, letërsia e Kosovës, e mos të flasim për kritikën apo studimin, ende nuk botohej, hapësira shqiptare e krijuesve në ish-Jugosllavi ende nuk përfshihej në antologjitë e letërsisë kombëtare, (ndryshe nga ç’bënte Qosja, shih “Antologjia e lirikës shqipe”, 1970), letërsia shqipe që krijohej në ish-Jugosllavi, ende nuk përfshihej në librat shkollore e universitare[5], ndërsa bartësit e kësaj politike, në mesin e të cilëve edhe Ismail Kadare edhe sot vazhdojnë ta quajnë letërsinë e kësaj periudhe në Kosovë, si model të padenjë për gjendjen shpirtërore dhe kombëtare të popullit të Kosovës.

E keni lexuar njëherë dhe madje dy herë veprën e Qosjes, e kjo do të thotë se e keni lexuar e rilexuar edhe veprën “Kontinuitete” (1972) dhe nuk e paskeni venë re, në mos e keni harruar, thënien mbamendëse të tij “realizmi socialist nuk është realizëm sepse është romantizëm”, për të cilën me shumë se prej shkrimtarëve të Prishtinës qe keqkuptuar prej shkrimtarëve të Tiranës; apo e keni harruar projektin e tij për romantizmin shqiptar dhe romantizmin evropian, për të cilin qe keqkuptuar në mënyrë të veçantë prej ish-ambasadorit të Beogradit në Tiranë[6], dhe me të cilin dy dekada me vonë pati polemizuar[7].

Nuk mund ta besonte ambasadori serb në Tiranë se një letërsi e vogël si ajo e romantizmit shqiptar mund të krahasohej dhe veçanërisht duhej të krahasohej me letërsinë evropiane dhe si duket nuk mund të besonte se një letërsi, politika kombëtare dhe shtetërore e së cilës përjashtonte çdo gjë që ishte evropiane, të krahasohej me romantizmin evropian, madje pikërisht nga një studiues jashtë shtetit shqiptar dhe aq me keq nga shteti i tij, i cili ketë e bënte të krahasueshme, madje jo vetëm me dy fjalë, por me një nga kapitujt më të rëndësishëm të saj. Ky nuk ishte vetëm kapitull studimor, zotni Naser, ky ishte mision i rrezikshëm dhe mision kombëtar njëkohësisht. Misioni i afrisë së kulturës dhe letërsisë së popullit shqiptar me Evropën[8].

Si është e mundur që ju të keni lexuar dy herë veprat e Qosjes, dhe pasi i keni lexuar ato, keni hapur të pamet për shkak se ai, me në fund ai, e ka shkruar Manifestin e mbrojtjes së trashëgimisë së qytetërimit të popullit shqiptar.

E paskeni lexuar dhe rilexuar veprën e Profesor Qosjes dhe nuk i paskeni lexuar ose nuk i paskeni kuptuar shtatë propozimet e organizimit të studimeve albanologjike[9], në të cilat veç të tjerash kërkohej që “të diskutohet mundësia e hartimit të enciklopedisë shqiptare” (1969); dhe nuk e paskeni lexuar, apo nuk e paskeni kuptuar sintezën edhe sot aktuale të studimeve albanologjike[10]; dhe nuk e paskeni lexuar, apo nuk e paskeni kuptuar projektin e tij “Studimet albanologjike në perspektivën evropiane” në të cilën ai, veç të tjerash ka theksuar domosdoshmërinë e “studimit të kulturës materiale dhe shpirtërore të popullit tonë edhe në kontekstin e kulturave materiale dhe shpirtërore të popujve të tjerë evropianë, si kusht i hetimit të modeleve të përbashkëta, në njërën anë dhe të modeleve autentike, origjinale kulturore, në anën tjetër”.[11]

Ju thoni se e keni lexuar jo njëherë po dy herë veprën e Qosjes dhe nuk iu paska shkuar në mendje të pyesni veten se cilat janë veprat që ka shkruar Kadare, kur Rexhep Qosja ka shkruar romanin e tij “Vdekja më vjen prej syve të tillë” dhe të shihni edhe prej bibliografisë më të thjeshtë se atë kohë Ismail Kadare me romanin e tij më të mirë “Dimri i vetmisë së madhe”[12], përkatësisht “Dimri i madh”[13], i bënte elozhe Partisë Komuniste Shqiptare dhe në mënyrë të veçantë diktatorit shqiptar Enver Hoxhës. E dini zotëria juaj se përkthimi i romanit “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, njëri prej romaneve më antikomuniste të kohës dhe madje i krahasuar me “Kështjellën” e Kafkës, në serbokroatisht është censuruar më pak (i është mënjanuar një tregim, tash nuk më kujtohet cili[14]) sesa në Tiranë[15], për botimin e të cilit veç të tjerëve vendoste edhe Elena Kadare[16].

Pasi nuk i keni vënë re të gjitha këto në veprat letrare në të cilat Profesor Qosja reflektonte përmbajtjen dhe rrezatimin evropian të trashëgimisë, gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare, si nuk e paskeni venë re, ndonëse i paskeni lexuar një herë apo dy herë veprat e tij, se Rexhep Qosja ka qenë organizator dhe autor i fjalës së parë të Konferencës “Shqiptarët dhe Evropa”, të parës konferencë të kësaj natyre në trojet shqiptare, për të cilën Kadare ende nuk ishte në gjendje të shquante mendimin evropian të tij dhe si nuk paskeni vënë re përmbajtjen e qytetërimit evropian të shqiptarëve në veprat gjithsesi më me ndikim në politikën shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit XX: Populli i ndaluar (1990), Strategjia e bashkimit shqiptar (1992), Çështja shqiptare – historia dhe politika (1994), Ligjërime paravajtëse (1996), Fjalor demokratik (1997), Paqja e përgjakshme (1999).

Ju thoni së “Qosja ka edhe një të keqe: ai gjithmonë ka besuar së është numër një në komb, prandaj edhe ka bërë paralelizma të veprave të tij dhe të Kadaresë (...) Në polemika u mundua ta argumentojë këtë dhe ta përforcojë me fakte e trillime...”.

E vërtetë z. Naser, sado unë nuk e kam thënë këtë. Unë vetëm mund të them së Rexhep Qosja ishte numër një kur mbrojti Ismail Kadarenë kundër vetvetes në fillim të viteve ’70, kur mbrojti pothuajse i vetmuar në Prishtinë dhe në Tiranë ekzilin e Kadaresë në Paris (1989)[17], kur përkrahu i vetmuar rrënimin e përmendores së Enver Hoxhes mes të trishtuarve në Prishtinë e Tiranë, se çka do të ndodhte me shqiptarët pas Enver Hoxhës etj. etj[18].

I kam lexuar “faktet dhe trillimet”, sikur i quani ju mendimet e Profesor Qosjes, për krahasimet që i theksoni, dhe unë nuk kam pse t’i përsëris, por mund t’i theksoj së paku dy gjëra: e para, njërin prej romaneve më të mirë “proeuropiane” të Ismail Kadaresë “Ura me tri harqe” për të cilat unë dikur si adoleshentë i gjimnazit jo vetëm krenohesha e entuziazmohesha, por personazhet e tij i shënoja edhe në uniformën e shkollës, kritika europiane nuk ia ka bërë vendin që ia ka bërë sivëllait të tij, romanit “Ura mbi Drin” të Ivo Andriqit[19], ndërsa sot mund të them se në romanin sigurisht me të mirë i tij “Pallati i ëndrrave”, mund të gjesh jo vetëm ‘kopje’ të shkëlqyera teknike të “Kështjellës” së Franc Kafkës, por edhe modele të paarritshme të tregimeve të romanit të Rexhep Qosjes “Vdekja me vjen prej syve të tille”.

Asgjë e jashtëzakonshme, do të thoni! Krahasimet në letërsi janë të natyrshme.

Dakord!

Ju thoni se “ai që e njeh atë, ai që ka lexuar rregullisht shkrimet e tij, “Anatomia e kulturës” sidomos “Morfologjinë e një fushatë” e polemikat e tjera e din se Qosja nuk polemizon, por merret me asgjësimin moral, kombëtar dhe me eliminimin sa më përfundimtar, sa më të përkryer të atij që nuk mendon si ai… Ky është qosizëm...”.

Bukur shumë, z. Naser!

Unë po jua shtoj këtyre veprave që shquani Ju edhe veprat e tjera që hyjnë në rrethin e veprave, me të cilat Qosja, sikur theksoni Ju “nuk polemizon, por merret me asgjësimin moral kombëtar dhe me eliminimin sa më përfundimtar”: “Kontinuitete” (1972), “Panteoni i rralluar”(1973), “Populli i ndaluar” (1990), “Fjalor demokratik” (1997) dhe sidomos manifestin e letërsisë shqipe “Tri mënyra të shkrimit shqip” (2004).

Në cilën vepër nga këto që shënoni Ju dhe që i plotësova unë bëhet asgjësim moral dhe kombëtar:

-    në veprën “Kontinuitete”, në të cilën bëhet asgjësimi estetik i atyre që letërsinë e realizmit socialist e konsideronin artin e vetëm letrar dhe me realizmin socialist ndërtonin historinë e letërsisë shqipe, duke përjashtuar letërsinë e shkruar jashtë kufijve politikë të Shqipërisë?[20] Në veprën “Kontinuitete”[21], në të cilën veç të tjerash emri i Gjergj Fishtës theksohej (gjithnjë në kontekst të vlerësimit të tij si krijues nacional)[22] më shumë ndoshta se në të gjitha veprat e shkruara gjatë kohës së sundimit komunist në Shqipëri dhe Kosovë?

-    në veprën “Panteoni i rralluar”, në të cilën shquhet arti letrar i tij (“Kështjella”)[23] kritikohej realizmit socialist (“Dasma”)[24] dhe përmbysej diskursi i real-socializmit (“Autobiografia e popullit në vargje”)[25] për të cilën Kadare quhej “vetëm një ushtar modest në frontin e kritikës”? Në veprën “Panteoni i rralluar”, me të cilën ç’është e vërteta shpesh thuhet se fillojnë “mosmarrëveshjet” mes Qosjes dhe Kadaresë, por duke parë vetëm kritikën e Qosjes ndaj Kadaresë, po jo edhe të Kadaresë ndaj Qosjes[26].

-    në veprën “Tri mënyrat e shkrimit shqip”, Hyrjen e së cilës “Manifesti i modernitetit” e kishte botuar që në vitin 1979, e me të cilën atakoheshin konceptet mbi modernen e projektuar në Kosovë dhe të përjashtuar në Shqipëri?[27]

-    në veprën “Populli i ndaluar” në të cilën janë mbrojtur vlerat kombëtare, gjuhësore, politike, kulturore, letrare, e prandaj edhe qytetëruese të shqiptarëve në ish-Jugosllavi dhe të shqiptarëve në përgjithësi?[28]

-    në veprën “Fjalor demokratik”, në të cilën janë shenjëzuar format e angazhimit kritik dhe intelektual të Rexhep Qosjes në Kosovë dhe, gjatë kohës së tranzicionit në Shqipërinë e viteve ’90[29]?

-    në veprën “Morfologjia e një fushate”, në të cilën veç tjerash është bërë synopsisi më i mirë i lëvizjes kulturore në Kosovën e viteve ‘70?

-    në veprën “Anatomia e kulturës”, në të cilën është bërë anatomia sociologjike e kulturës në Kosovë[30] dhe esetë e të cilës fryma hulumtuese dhe polemizuese i bën kaq aktuale, si të mos ishin shkruar më shumë se 30 vjet më parë,

-    e të tjera, e të tjera.

Kush mund të thotë, sot, dy-tri dekada më vonë, se Rexhep Qosja me veprat e përmendura me lartë, nuk i ka “asgjësuar”, historikisht konceptet morale, kulturore dhe estetike të kundërshtarëve të tij, veç se jo edhe “kombëtare”, sikur shpreheni Ju. Me asgjësime të tilla Rexhep Qosja nuk është marrë asnjëherë në kontekst të asgjësimit të tjetrit, madje as atëherë kur ka polemizuar me kundërshtarët e tij politikë, as atëherë kur ka mbrojtur çështjen shqiptare para projektuesve fatkeq të fatit të popullit të tij, si: Dobrica Qosiq,[31] Aleksandar Despiqi,[32] Tomisllav Çekrevski,[33] Lubomir Tadiq,[34] Miodrag Bulatoviq,[35] Millan Kangerga,[36] Kole Çashule[37] etj., etj.

Meqenëse Ju në tekstin tuaj keni theksuar vetëm emrin e Kadaresë edhe unë po i theksoj ketë here vetëm dy fakte me të cilat lidhet vepra e tij:

1. Në kohën kur Kadare sulmonte Gjergj Fishtën, Rexhep Qosja mburrej me të trembëdhjetë herë brenda një vepre, ndërsa Kadare tani këtë jo vetëm e pranon, por e arsyeton me faktin së kjo paska qenë jo vetëm pjesë e ideologjisë, po edhe pjesë e modës!

A pranuar, megjithatë apo, jo, zotëri Naser.

Për cilin asgjësim moral e kombëtar mund të flitet këtu, z. Naser?

Do të më duhej shumë kohë që ta shpjegoj anën tjetër: Kadarenë.

E mjaftueshme kjo z. Naser apo jo, që Kadare të mos polemizonte me Qosjen, edhe pa e këshilluar Ju!

Për cilin “asgjësim” qenka fjala: për asgjësimin moral dhe kombëtar, apo për “asgjësimin” estetik dhe “gjunjëzimin moral” të Kadaresë.

E mjaftueshme kjo z. Naser apo jo, që Kadare të mos polemizonte me Qosjen, edhe pa e këshilluar Ju!

Në të vërtetë ai deshi ta vazhdonte këtë ashtu sikur kishte provuar ta bënte me të tjerët: duke gjetur rastin që t’i sulmonte qoftë edhe me një fjali në mos me pak: sikur bëri me Sabri Hamitin (kur e pati quajtur “plehu i letërsisë”), me Ibrahim Rugovën (kur e quaji “mbreti majmun”), me Adem Demaçin (kur e quajti “të burgosur ideologjik dhe madje stalinist”). Dhe heshtëm të gjithë! Të gjithë pa përjashtim, sepse mendonim së diskutimet janë me të rëndësishme për çështje të tjera.

Kishte menduar Kadare se ashtu sikur e kishte ‘likuiduar’ në kontekst Bilal Xhaferin e Kasem Trebeshinën të “Ftesë në studio”, sikur kishte likuiduar Sabri Hamitin në kontekst të “diskutimeve më të rëndësishme për çështjen e Kosovës”, sikur kishte likuiduar Ibrahim Rugovën në kontekst të rrënimit të tij politik në prag të Luftës së Kosovës dhe sidomos menjëherë pas saj, sikur e kishte likuiduar Demaçin në kohën e ‘diferencimit’ të tij politik/moral/nacional, gjatë dhe pas Konferencës së Rambujesë, do ta likuidonte me në fund edhe Rexhep Qosjen, në sprovën e tij Identiteti evropian i shqiptarëve, në prag të fillimit të bisedimeve të Shqipërisë për të hyre në Bashkimin Evropian dhe kësaj radhe ketë ta bënte jo me një paragraf apo me një fjali. Mjaftonte një gjysmë fjalie, një gjysmë fjalie e cila do të cenonte mjaftueshëm dinjitetin moral, kulturor dhe pse jo historik, të intelektualit, i cili gjatë gjithë jetës së tij kishte vepruar dhe kishte luftuar për këto paradigma, duke u mbështetur pikërisht mbi këto shenja evropiane dhe universale të intelektualit. E megjithatë kundër tij kishte shkruar me shumë së një gjysmëfjali, më shumë së një paragraf[38].

Të rrëmbyer prej temës së madhe me të cilën merrej Kadare, temën e hyrjes së Shqipërisë në Bashkimin Evropian, sikur e kishte projektuar edhe autori i saj, shumë lexues përgjigjën e Qosjes, të cilën Kadare nuk e kishte marrë as nga Sabri Hamiti, as nga Ibrahim Rugova dhe as nga Adem Demaçi, e kishin marrë mbrapsht, prandaj edhe kanë rënë në kurthin e paravënë të Kadaresë: Thuaje me gjysmë zëri dhe mos iu përgjigj diskutimit, që të kuptohet pastaj sikur nuk është Kadare ai qe ka hapur konfliktin, por sikur të tjerët i kanë renë në qafë!

Pra, kjo bëri që shumë lexues, me apo pa qellim të kuptojnë mbrapsht të vërtetën rreth fillimit të polemikave Qosja - Kadare.

Të gjitha të tjerat pastaj dihen z. Naser.

Ju thatë se u kanë bërë të hapni portën e ngushëllimeve. Unë iu ngushëllova besoj gjatë, tepër gjatë, sa madje të mos keni nevojë për ditë të tjera ngushëllimesh!

Kjo ndërkaq nuk do të thotë që ju të pajtoheni me mua, me Qosjen apo me Kadarenë.

Pasi i paskeni lexuar një herë dhe madje dy herë veprat e Qosjes, si qytetar i një bote moderne në të cilën jetojmë dhe duam të sillemi, lexojeni edhe njëherë Manifestin e tij të modernitetit dhe lexojeni, qoftë edhe një paragraf të vetëm: “Moderniteti është, pakënaqësia me veten sot për hir të vetes nesër” (besoj ta kem shënuar drejt, B.B.)

Ky është Qosja sot, z. Naser!

Nesër, jemi Ne!

P. S. Po e mbyll me përfundimin tuaj.

Ju keni shkruar: Shkurt e shqip z. Begzad ju adhuroni Qosjen si unë dje dhe jeni shumë subjektiv. E drejtë e juaja. Unë nuk kundërshtoj kandidimin e tij, por as nuk e përkrah, pra nuk më intereson... Ju mund ta bëni, ky ishte mendimi im demokratik dhe nuk është i vonuar siç e thoni në fillim me qëllim denigrues, por i shprehur kur e kërkoi çasti... Madje për kandidime të tilla, mendoj se është vonë...”.

Ndërsa unë po ju përgjigjem: Shkurt e shqip z. Naser unë e adhuroj Qosjen, si ti dje dhe jam shumë objektiv. E drejta ime. Unë mbroj kandidimin e tij dhe e përkrah, pra më intereson... Ju mund ta kundërshtoni, ky ishte mendimi juaj demokratik dhe është i vonuar siç e thoni në fillim me qëllim shumë të sinqertë dhe i shprehur kur e kërkoi çasti... Madje për kandidime të tilla, mendoj se nuk është aspak vonë...

Vonë është për ata që mendojnë se vetëm “dikush” ka të drejtë të propozojë dhe këtë duhet bërë jo për këtë vit dhe jo vetëm për vitin që vjen. Kadare kandidohet ka më shumë se dy dekada dhe askush nuk thotë se e kemi tepruar.

Aspak.

Le të vazhdojmë ta kandidojmë edhe më tej. Pranë qindra shkrimtarëve të huaj që vazhdojnë t’i bëjnë konkurrencë le të jetë edhe një shqiptar: Rexhep Qosja, edhe një tjetër: Fatos Kongoli, apo edhe një kandidat tjetër: Kasem Trebeshina (propozon Lindita Komani) e të tjerë, e të tjerë.

Ka shumë rendësi të dalim nga njëshi, të dalim nga propozimi i njëshit dhe sidomos nga vetëdija moniste për njëshin si kategori politike, kombëtare dhe madje estetike.

Me respekt, Begzad Baliu

 

‘Vepra e Qosjes, kontribut në zhvillimin e kulturës kombëtare shqiptare...’

 

"Miti Koci" mkoci@mash.gov.al: I nderuar zotëri (Tedeschini, v.j.),

Mendoj së në shkrimin tuaj "Qose apo Kadare?" keni mohuar padrejtësisht përmasën kombëtare të veprës së Kadaresë dhe të veprës së Qoses. Kadare ka afirmuar kulturën shqiptare në botë: është e sigurt se bota, që ka botuar e vlerësuar veprën e Kadaresë, ka vlerësuar edhe karakterin shqiptar të saj. Vepra e Qoses përfaqëson, gjithashtu, një kontribut të shquar në zhvillimin e kulturës kombëtare shqiptare, në mbrojtjen e kulturës dhe kombit shqiptar nga shkombëtarizimi serb, në përpjekjet e gjithanshme për çlirimin e pjesës kosovare të kombit shqiptar nga kolonializmi serb.

A jeni shqiptar ju zoti Tedeschini?

Miti Koçi, Tiranë, më 6 shtator 2007

 

‘Arsyeja morale e mbështetjes së Profesor Qosjes’

 

"edlira xhemo" e_xhemo@yahoo.com:

Edhe pa këto komente na mjafton realiteti moral, krijimtaria letrare dhe pozicioni akademik për të mbështetur kandidimin e Prof. Qosjes për Nobelin. Arsyet vijnë vetë shkurt dhe thjesht:

1. Në planin moral: unë mendoj së Qosja zë vendin e parë (Kadareja ndoshta edhe të fundit nuk e meriton): për sa kohë një person (aq më shumë figurë akademike) kërkon të shtrembërojë, duke gënjyer mbi të kaluarën e tij, për hir të një çmimi apo popullariteti "të blerë" nëpërmjet këtij "pazari me djallin" (popullariteti ndërkombëtar i Kadaresë), ajo figurë nga ana morale nuk paraqet më asgjë. Kam parasysh këtu që megjithëse pa kuptuar, morali që transmetojnë figura të caktuara bëhet shembull edhe për masat (pavarësisht përqindjes së influencës).

2. Prof. Baliu i ka përshkruar shumë mirë vlerat e veprës së Prof. Qosjes

3. A nuk paska akoma figura shqiptare të tjerë të cilët mund të jenë gjithashtu kandidatë potencialë të Nobelit? Po pse kaq pak paskemi?

4. Fakti që kandidimi i Qosjes shihet si një rrezik potencial për mosmarrjen e çmimit nga Kadareja se mund ta marre Qosja, do të thotë së në ketë rast Prof. Qosja ka vlera me të spikatura.

5. Sa për popullaritetin e Kadaresë: Kadareja shfrytëzoi momentin post-komunist për "t'u viktimizuar" në rrugët e botës dhe për të thurur ketë histori komplekse të një disidence që deri atëherë ishte e panjohur për shqiptarët. Ai shfrytëzoi mirë kontaktet e tij për të përkthyer librat dhe u trumbetua në emrin e disidencës së tij të atij regjimi. Natyrisht të gjithë këta faktorë në kompleksitet rritën kërshërinë e turmës për të njohur më nga afër këtë vend të mbyllur dhe aq të panjohur si Shqipëria, nëpërmjet veprës "disidente" të Kadaresë, e cila ua "shpaloste" atë me "metaforikën" e saj.

Nëse Qosja do të bënte njësoj si Kadareja për Kosovën, por vetëm se në ketë rast disidenca e tij do të ishte më e vërtetë se e Kadaresë dhe të publikonte jashtë, jam e sigurt se do të gëzonte të njëjtin popullaritet, ndoshta edhe më shumë. Të mos harrojmë faktin se "stili" i Kadaresë për "të shitur" sa më mirë, është edhe vetë-reklama: në rastin më të fundit organizoi takim popullor dhe me media për datëlindjen e tij. Gjithashtu, ai e mban veten si "të pagabueshëm", prandaj dhe në veprat e tij post-regjim nuk ka asnjë ndryshim ideologjik ndryshe nga Agolli.

Unë jam më se dakord për kandidimin e Prof. Qosjes për Nobel, duke mos parë asnjë arsye për refuzim.

E(lvira).

 

“Çka jeni kapur vetëm për dy emra...”

 

"Kadri Osmani" kadrimani@hotmail.com: Jo pohim-mohim, por vlerësim.
Zotni Miti Koci, po më duhet t’ua përsëris njerëzve për të satën herë, se kur përmendet emri i Qoses duhet të përmendet edhe emri i Kadaresë dhe anasjelltas: që të dytë kanë dhënë kontributet e veta në letërsi dhe në shkencë, por ama kanë dështuar me turp në politikë për të gjitha kohërat, kupton shul e shqip?
Artikulli i zotit Paul Tedeschini, i datës 05. 09. 2007, është i përkryer dhe zenitor. Dhe ju me pa të drejtë dhe në mungesë kulture i shtroni pyetjen provokative:” A jeni shqiptar ju zoti Tedeschini?”- dhe atë pyetje po jua kthej juve bumerang: A jeni shqiptar ju zoti Miti Koci, kur tregohesh: tendencioz, i padrejtë apo i painformuar totalisht!?!
Besoj se ti nuk je kundër At Gjergj Fishtës?- e kur Kadare e shpif se kinse Fishta ishte një klerik reaksionar (te “Autobiografia e popullit në vargje”), ti je mik i Fishtës apo i Kadaresë!? Dhe përse nuk të ka feksur në mendje që ta propozojmë Fishtën për Çmimin Nobel, pas vdekjes? Apo edhe Zejnullah Rrahmanin për romanin “Sheshi i unazës”: sheshi-Kosova, unaza, vargonjtë, robëria?
Çka jeni kapur vetëm për dy emra si pijanecët për shtylla të gardhit!?
Duke e përkrahur Qosen, ju dilni automatikisht armik i gjashtë personave: Ibrahim Rugovës, Rexhep Ismajlit, Fehmi Aganit, Hilmi Aganit, Ali Podrimjes dhe Hysni Hoxhës, të cilët i atakon Qosiçi te “vepra” e tij “Morfologjia e një fushate”: çka doni ju dhe çka urreni!?!

 

“Ne nuk ndryshojmë dot lehtë...”

 

"Sokol Bebeziqi" bebeziqi@hotmail.com: I nderuar zoti Baliu,

Ju drejtohem juve personalisht dhe jo nëpërmjet Alb-Shkencës, pasi ndaj të njëjtat mendime me ju për ketë problem.

Por edhe ju e dini fort mirë se ne shqiptarët kështu e kemi, mezi e pranojmë suksesin e bashkatdhetarit. Një mik imi kishte qenë para do kohe në Vjenë dhe aty kishte mësuar se Organizata Ndërkombëtare e Energjisë Atomike në vitin 2005 paska marrë Çmimin Nobel për Paqe. Ndër fituesit e këtij çmimi qenkan edhe dy shqiptarë, unë nuk i mbaj mend emrat e tyre për fat të keq. Miku im më tha vetëm se për ta nuk është shkruar asnjë rresht asgjëkundi, as në Shqipëri e as në Alb-Shkenca. Duket se ata janë vetë tejet modestë, po ashtu vërtet ata janë mes disa të tjerëve kolegë me ta, por mendoj se është rasti i parë, pra janë të parët shqiptarë që kanë në dorë një diplomë si fitues të Çmimit Nobel dhe meritojnë të nderohen. Kolegët e tyre të vendeve të tjera janë përgëzuar nga qeveritë e tyre, nga bashkësitë intelektuale përkatëse. Është turp, por vetëm ne shqiptaret nuk duam të dimë për ta, madje nuk u dimë as emrin. Njësoj edhe me Rexhep Qosen, paska shumë që nuk e dashkan të nderohet si i tillë. Ne nuk ndryshojmë dot lehtë me sa duket.

 

 

 

‘postim i goditur

rrumbullaku@gmail.com

Z. Arben,

Ju falënderoj për këtë postim të goditur. U mata disa herë të shkruaja disa radhë për këtë temë, por ti e paske bërë shumë më mirë se përçapjet paraprake në tastierën time. Më vjen keq që diskutimi kthehet në një tifozllëk të pastër midis dy personave publikë që kanë pasur një debat të gjatë midis tyre. Është krejt pavend sidomos postimi i znj. Xhemo (ndoshta sepse ishte nga fundi) që ravijëzohet edhe si ultrazë në mbështetje të kandidaturës së propozuar nga z. Baliu. Më vjen keq që u detyrova të bëj një koment për persona të caktuar, por sado që Alb-Shkenca të kryejë një propozim të tillë nuk kam as fare besim se do merret në shqyrtim. E shkuara dhe tradita janë jetuar në një kohë tjetër dhe ofrojnë shumë mundësi për të gjykuar dhe vlerësuar. Gjithsesi ajo që mbetet pas shumë viteve edhe nëse shumë vetë kërkojnë ta hedhin në erë është përsëri me shumë vlerë, edhe pse disa kërkojnë ta shohin në hi.

Me respekt, Oltion Rrumbullaku

 

Pyetje

"Akil Koci" akil.koci@googlemail.com: Miti i nderuar,

Ai është më shqiptar, sado që propozon shkrimtarët për Nobel të tipit lokal, por ai pra, Paul Tedeskini e ka përjetuar si Shkodran tërë urrejtjen dhe golgotën e një regjimi enverian, i cili ka qenë më i tmerrshëm se Pol Poti dhe shumë regjime të tjera komuniste,

Akil Koci

 

‘Vepra e Kadaresë dhe e Qoses kanë vlera kombëtare’

 

"Miti Koci" mkoci@mash.gov.al: I nderuar Profesor Akil Koci,

Është kënaqësi që po diskutojmë së bashku, pasi kështu sqarohemi e përfitojmë, po ashtu, së bashku, pasi që një nga vlerat më të shquara të Alb – Shkencës, sipas mendimit tim, është (dhe duhet të jetë më mirë) tribunë e mendimit dhe debatit të lirë, si rruga më e sigurt drejt së vërtetës, pa censurën e "moderatorëve!" (pse na duhen këta?!...).

Dëshiroj të theksoj mirëfilltazi pozicionin tim: se antikomunizmi nuk duhet të mohojë vlerat kombëtare shqiptare të krijuara në regjimin komunist, ashtu si antifazhizmi nuk duhet të mohojë vlerat kombëtare shqiptare të krijuara gjatë regjimit pushtues fashist, ashtu si antimonarkizmi nuk duhet të mohojë vlerat kombëtare shqiptare të krijuara gjatë regjimit monarkist zogist!

Këtu është themeli i kritikës sime kundër pozicionit (mohues të veprës së Kadaresë dhe të veprës së Qoses) nga z. P. Tedeschini, po ashtu dhe të pjesëmarrësve të tjerë në debat, që kanë të njëjtin pozicion.

Nëse antikomunizmi, antifashizmi, antimona­rkizmi, janë global, shqiptarizmi është vetëm shqiptar: mundet me qenë antikomunist, antifashist, antimonarkist, por mundet njëherazi mos me qenë shqiptar (me gen, si dhe me pozicionin e njohjes dhe mbrojtjes së vlerave kombëtare shqiptare), ashtu si mundet me qenë shqiptar dhe mundet njëherazi mos me qenë i atillë. Unë besoj së një mision i Alb-Shkencës është integrimi i vlerave kombëtare shqiptare jashtë ngjyrave politike![39] Dhe vepra e Kadaresë dhe vepra e Qoses (meqenëse diskutimi është në lidhje me ta), e parë jashtë syzeve politike, kanë pa mëdyshje, vlera kombëtare shqiptare.

Gjithë të mirat dhe me respekt,

Miti Koçi, Tiranë, më 9 shtator 2007

 

Plotësim

 

salibollati@aim.com:

Z. Albert,

Unë kam edhe një letër "përshëndetje" që R. Qosja i dërgon Institutit të Studimeve Çame, më 2005. Kam shkruar për intervistën që i lartpërmenduri ka mbajtur në Televizionin e Tiranës më 1993! Ndryshime të tilla më duken se ju kanë hije politikanëve (veçanërisht shqiptarë) dhe jo "akademikëve".

Përshëndetje, S. Bollati

 

‘Kultura jonë e pasur (...) akoma është në shënjestër të agresionit maniak’

 

"Bekim Rexhepi" bekimbeu@hotmail.com

Dialogjet fatale dhe Qosja si i prohënës së Lindjes?...

Më duket se po soset edhe letra e radhës, për identifikim apo denigrim kombëtar, ashtu siç qenë ngritur edhe më herët tendenca të pakuptueshme, qoftë nga ne shqiptarët apo dhe të tjerët, për figurat apo personalitetet e kulturës sonë kombëtare. Më duket se kultura jonë e pasur me personalitete të rëndësishme akoma është në shënjestër të agresionit maniak. Edhe për Skënderbeun, u tha se na paska qenë nip i Llazareviqëve, për të vërtetën e identifikimit u dashtë patjetër që inteligjenca jonë të bëjë mobilizimin dhe të ripërsërisë argumentet e veta ndaj agresionit të maniakëve. Pak para do ditëve e mbaruam së sosuri me Pjetër Bogdanin, për të cilin po ashtu patëm agresionin e njëjtë, duke e kërkuar argumentin e ri se a na qenka serb apo...?

Disa rilindës pse kishin marrë në mes emri e mbiemri nofkën bej, u cilësuan si turq, Noli si grek, Zogu si sllav, Fishta si fashisto-italian, Qemaili si turk, Enveri si rus, Migjeni si ortodoks, e serb, Kadare si i pro kryqit perëndimor, Qosja si i pro hënës së Lindjes, etj, e etj. Duke i ikur qëllimisht fakteve dhe realitetit, ku ata e bënë mundin dhe jetën e tyre. Ne të tjerët më shumë se ata për veten e tyre, jemi treguar më shqiptarë, jemi treguar gjithashtu së dimë të bishtnojmë me fatin dhe veprat e tyre në historinë tonë. Ata për vetën e tyre duke mos e mohuar as edhe njëherë identitetin e tyre kombëtar prej shqiptari, ne të tjerët jemi treguar edhe më të zotët duke i klasifikuar, identifikuar edhe deri në qelizën e fundit si pro shqiptar dhe si antishqiptar. Më duket se kjo është tendencë e agresionit kulturor, ka për qëllim që ndër ne të hapë probleme të tjera dhe fatale, për t’u shmangur apo ikur nga fokusimi ynë politik e kombëtar, për Kosovën. Marrja me dialogje fatale si këto: a është a ka të drejtë pse bënë ashtu dhe pse nuk bënë kështu. Pse pati pendën dhe pse nuk pat kobure për t’u bërë më shqiptar, më duket një deduksion negativ në vetëdijen dhe kulturën tonë kombëtare...

Me respekt, Bekim Rexhepi

 

Propozim i habitshëm!”

 

Lindita Komani <lindita_komani@yahoo.de>
Po i lexoja e-mailet lidhur me temën: Propozim për emrin e Akademik Rexhep Qoses si kandidat për Çmimin Nobel në letërsi dhe cilësimi më i saktë më duket: propozim i habitshëm. Pyetja e parë që shtrohet është: Çmimi Nobel për letërsi a jepet për vepra letrare artistike? Nëse është kështu, atëherë me sa njoh unë letërsi të sotshme shqiptare nga niveli i dashamirësisë së letërsisë, nëse ka emër që duhet të propozohet ndër shkrimtarët shqiptarë, unë do të nisja me Ismail Kadarenë. Z. Kadare ka mbërritur njohjen në nivele ndërkombëtare deri në ato nivele, sa me thënë të drejtën nuk besoj se i ka mbetur puna t'i konfirmohet vlera si shkrimtar nga një akademi që në vitet e fundit ka shpërndarë çmime në adresa të çuditshme. Përveç Ismail Kadaresë ndoshta do mund të propozohej Kasem Trebeshina, i cili në fakt nuk e ka arritur njohjen si të Kadaresë në nivel ndërkombëtar, gjë e cila kërkon aktivitet të dendur marketingu për vite a dekada me radhë.
Një emër i tretë mendoj se mund të ishte Ali Podrimja. Duke u nisur nga këta emra nuk kuptoj psenë e kyçjes së emrit të Akademik Qoses në temën e Nobelit në letërsi, ndërkohë që emrat e mësipërm të paktën do e justifikonin kandidaturën.
Pyetja e dytë është: ç'kompetencë ka Alb-Shkenca që ta bëjë një propozim për këtë çmim?
L. Komani
 
Përgjigje (...) jo pa habi!”
 
bbaliu@yahoo.com:

Z. Lindita, më vjen mirë që edhe ju më në fund gjetët kohë të lexoni dhe të prononcoheni për një çështje të ngritur sa kohë në hapësirën elektronike të Alb-Shkencës, por që ka zënë vend të rëndësishëm edhe hapësirat e tjera elektronike dhe të shtypura.

Po e ndjej të nevojshme të ju përgjigjem Juve, mundësisht sa më shkurt, natyrisht jo pa habi, sepse një krijuese që prej leximeve të para më ka lënë mbresa të mira, nuk do të prisja të bënte një radhitje të tillë të kandidatëve për Çmimin Nobel, dhe aq më pak të përjashtonte ndonjë tjetër.

1.  Ismail Kadare ka disa vjet, për të mos thënë disa dekada që propozohet drejtpërsëdrejti apo ndërmjetshëm sikur provojmë ne, për Çmimin Nobel, e nuk ka dyshim që do të propozohet edhe sivjet nga persona dhe institucione kombëtare e ndërkombëtare. Kjo është një prej arsyeve pse angazhimi ynë për të propozuar Kadarenë ndërmjetshëm për ketë çmim nuk do të ishte asgjë e re.

2. Ju thoni se ndoshta do të mund të propozohej Kasem Trebeshina. Pse jo, dhe madje pa pasur nevojë qe t’i bëhet marketing me vite e dekada, sikur thoni Ju. Çmimin Nobel e kanë marre mjaft krijues, për të cilët jo vetëm nuk është bërë marketing me vite e dekada, por veprat e tyre nuk u janë gjetur në shitje as edhe në qytetin e lindjes. Kasem Trebeshina, është e vërtetë se nuk është i popullarizuar ndërkombëtarisht, por e vërteta me një pjesë të krijimtarisë së tij (prozën dhe dramën) është me modern se proza e Ismail Kadaresë. E megjithatë, me veprat e tij (poezinë dhe kryeveprën e tij të fazës së parë “Kënga e shqipeve”) nuk është më shumë se një shkrimtar i shquar i realizmit socialist, ndërsa me poezinë e të gjitha kohëve, një poet i viteve ’30. Kasem Trebeshina është një krijues interesant, i cili ia vlen të vlerësohet dhe studiohet, por megjithatë nuk ia vlen të bësh reklamën e tij për Çmimin Nobel. Unë, do të përkrahja kandidaturën e Kasem Trebeshinës nga ana jonë, por “vetëm sa për të justifikuar propozimin”, sikur shpreheni Ju. Nga ana juaj, më parë do të prisja propozimin për shkrimtarin Fatos Kongoli, për të cilin interesimi i lexuesve dhe madje botuesve shqiptarë dhe të huaj është mjaft i theksuar.

3. Kandidati që propozoni ju, Ali Podrimja është po kaq interesant. Ali Podrimja është një prej poetëve, qe ndryshe nga Kadare, i ka bërë me angazhimin personal një shërbim të madh krijimtarisë së vetë. Dhe pse të mos ia bënte. Në ish-Jugosllavi ishte njëri prej poetëve të përkushtuar në këtë zeje, por jo më i miri: qëndronte mbrapa Enver Gjerqekut, Azem Shkrelit, Rrahman Dedajt, e disa e vinin edhe prapa Din Mehmetit ose e barazonin me Sabri Hamitin, diku në fillim të viteve ’80. Unë mendoj së Podrimja megjithatë qëndron para këtyre dy të fundit, sado Ali Podrimja me vëllimin “Lum Lumi” dhe Sabri Hamiti me vëllimin “Trungu ilir” paraqesin vlera. Unë prapë them se (me falni nëse vërtetë jam shumë subjektiv), vepra “Lum Lumi” është një nga ato vepra të viteve ’70-80, poezitë e së cilës vazhdoj t’i rilexoj edhe në kohën tonë. E megjithatë, Ali Podrimja mund të kandidohet vetëm “sa për të justifikuar propozimin”. Ali Podrimja ka shkruar një poezi folklorike në vitet ’60, një poezi simboliste në vitet ’70, dhe përjashto vëllimin “Lum Lumi”, një poezi divulgative pas tij. Me çka do të fitojë Çmimin Nobel Ali Podrimja: me vargun “Kosova është gjaku im që nuk falet”, me poezinë patriotike të viteve ’80 e ’90 apo me poezinë deskriptive të pasluftës në Kosovë. Më duket sikur Ali Podrmija ia ka parë sherrin përpjekjes për të shkruar esenë, një sprovë kjo e pasuksesshme e tij.

Sot, poezinë shqipe e shkruajnë krijues të moshuar e të rinj, si: Dritëro Agolli, Xhevahir Spahiu e Visar Zhiti, pranë të cilëve Ali Podrimja është njëri prej më të popullarizuarve, por me vlera letrare prapa tyre.

4. Ajo që më habit në diskutimin tuaj është vetë habia juaj, me pyetjen habitëse: “nuk kuptoj psenë e kyçjes së emrit të Akademik Qoses në temën e Nobelit në letërsi”.

Në qoftë se një krijues dallohet posaçërisht në një fushë, nuk ka arsye të mos vlerësohet edhe për një kontribut tjetër. Sikur kam shkruar edhe herave të tjera në përgjigjet që kam dhënë të tjerëve, fakti se Profesor Qosja është akademik i letrave shqipe (historian i letërsisë shqipe), kjo nuk do të thotë se krijimtaria e tij letrare (proza dhe drama), të mos vlerësohen në përmasat që ato meritojnë. Nuk është mendimi i tij kritik dhe horizonti i tij intelektual që i përcjellë vetëm studimet historiko-letrare apo vetëm kritikën shoqërore, sikur jemi mësuar ta shohim të vlerësuar. Përtej saj, vepra letrare e Qosjes është proza intelektuale që nuk e kemi në letërsinë tonë.

Për shkak se Sartri ka qenë më shumë intelektual i madh i kohës së tij, pra është njohur më shumë si filozof se shkrimtar, askush nuk besoj të ketë thënë se Çmimi Nobel jepet për letërsi dhe jo për filozofi.

E dashur Linda!

Më parë se të bëja propozimin për Qosjen kam menduar jo pak dhe jo rastësisht. Madje në të njëjtën kohë kam ndërtuar paragrafë dhe vendosur paradigma të caktuara për krijimtarinë e atyre që kanë fituar Çmimin Nobel dhe të shkrimtarëve shqiptarë.

Ju prapë do të habiteni po t’iu them se shkrimtari Rexhep Qosja (natyrisht për mua) është njëri prej atyre pak shkrimtarëve të kohës sonë, i cili i plotëson më së miri përmasat e atyre shkrimtarëve që së paku dhjetë vjetët e fundit kanë fituar këtë çmim. Dhe madje të them se, pavarësisht angazhimit shumë ta madh, ky Kadare që nuk e ka fituar Çmimin Nobel për “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur” gjatë Luftës së Ftohtë, apo ky Kadare që nuk e ka fituar Çmimin Nobel, eventualisht pas marrjes së azilit në Francë, vështirë të fitojë sot, kur me artin letrar dhe eseistik, sot po dëshmon se nuk po arrin të dalë prej diskursit refuzues të komunikimit.

Ky përfundim, ndërkaq, nuk do të më bënte assesi më pak të gëzueshëm sikur Kadare të merrte këtë çmim.

Përkundrazi!

Unë i gëzohem Nobelit në letërsinë shqipe, jo individit. Nëse propozimin tim e shikoni thjesht si propozim personal, aq më parë, sikur kanë shkruar të tjerët se këtë po e bëjë për t’i bërë konkurrencë Kadaresë, atëherë më lejoni t’ju them se unë ka vite që punoj në projektin: “Onomastikoni i romanit shqiptar”, në të cilin veprat e Kadaresë (“Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Kështjella”, “Kronikë në gurë”, “Dimri i vetmisë së madhe”, Koncert në fund të dimrit”, “Ura me tri harqe” dhe “Kush e solli Doruntinën”) e kanë pasuruar fondin e projektit tim dhe natyrisht edhe mendimin tim në këtë fushë.

Por, të kthehemi edhe njëherë të propozimi, e dashur Linda.

Për ata që lexojnë duke vjelë dhe përcjellë gjithë botën materiale dhe shpirtërore të krijuesve, Rexhep Qosja është tepër i veçantë.

Pa dashur ta krahasoj Qosjen me askënd, sepse si historian i albanologjisë e marr me mend domethënien e krahasimit, e kjo do të thotë se unë duhet të shkruaj pastaj edhe shumë faqe për të sjellë krahasimet e mundshme, dua të përfundoj me pyetjen tuaj të parë:

Qosja në letrat shqipe është një: Sartri i kohës sonë!

P. S. Lindë e dashur!

Ju e mbyllni diskutimin tuaj me pyetjen: ç'kompetencë ka Alb-Shkenca që ta bëjë një propozim për ketë çmim?

Ndërsa unë Ju pyes njëkohësisht: Ç’kompetencë kemi ne që të heshtim?

Pse jemi themeluar ne?

Dhe sidomos pse duhet të heshtë një Forum e dy Institute, rreth të cilave janë mbledhur mbi 1700 anëtarë.

Nëse ne nuk kemi kompetencë të bëjmë presion në organizatat kombëtare e ndërkombëtare që një shkrimtar, një pjesëtar i lëvizjes paqësore, një kimist a fizicient, një ekonomist a një tjetër të propozohet për çmimet ndërkombëtare, duke përfshirë edhe propozimin për Çmimin Nobel, atëherë, pse jemi organizuar ne?

Me respekt, Begzadi

 


 

 

 

Tekste të komentuara te  forumi elektronik www.Dervina.com

 

Shkruar nga Hamit Fazliu: I nderuar z. Baliu!

Vlerësoj lart artikullin tuaj dhe gjithë punën tuaj në tërësinë e fushës së albanologjisë. E vlerësoj dhe guximin tuaj intelektual. Artikulli në fjalë "Rexhep Qosja dhe Nobeli" është një nga artikujt e rrallë të kohës sonë të pasluftës!

Sa i përket nismës për propozimin për Çmimin Nobel të intelektualit tonë më të shquar të historisë dhe kulturës shqiptare akademikut Qosja, e vlerësoj si diçka shumë shpresëdhënëse dhe rrugë e lehtë për të arritur populli shqiptar. E vlerësoj të lehtë për të arritur te Nobeli populli shqiptar në fushën e kulturës, duke njohur peshën e madhe të tërësisë së veprës së Rexhep Qosjes. Andaj z. Baliu të uroj punë të mbarë e suksese për nismën e Nobelit..., të përmendur në artikullin tuaj shumë të vlefshëm!

I madhi Zot, ruaje popullin shqiptar...!

Shkruar nga Guri: Po, Rexhep Qosja është njëri ndër shkrimtarët me epitet në trojet shqiptare.

Por, kur të flasim për Çmimin Nobel,  shqiptarët nuk e meritojnë Çmimin Nobel sepse një Rexhep Qosje nuk mund të krahasohet me një të tillë si Gabriel Garsia Markes.

E pamundur.

Shkruar nga Arianiti: Turp për ata që e dëbuan nga Instituti Albanologjik i Prishtinës këtë mendje të ndritur të kulturës shqiptare, siç është akademik Rexhep Qosja.

I vetmi gabim që mund t'i përshkruhet akademik Qoses është se ai nënshkroi dokumentin e Rambujesë, pasojat e të cilit po i ndjejmë edhe sot.

Shkruar nga Kosovari: Qosja është njëri ndër ata intelektualë më të mëdhenj që ka Shqiptaria, ndërsa sa i përket Çmimit Nobel është nder po t’ia ndanin për punën e tij shkencore, por më shumë se Çmimi Nobel është ajo që radhitet njëri ndër më të mëdhenjtë e Shqiptarisë.

Shkruar nga Luli: Mendimi im. Më parë Çmimin Nobel e merr Don Lush Gjergji se sa kush do qoftë nga shqiptarët. Arsyetimi dihet.

Shkruar nga artikulli: Qosja e meriton Çmimin Nobel. Kolos me të madh s'ka Shqiptaria. Bile ky nuk është ndonjë pseudointelektual si Kadare që me çdo kusht tenton të merr çmime, apo edhe Nobelin.


 

 

I N T E R M E X O

 

QYTATARI I PARË: AJME PËR NE! E PASKAN PËRMUTUR MONUMENTIN E XHEZAIRIT!

QYTETARI I DYTË: MAKATË! PROFANOSJE! TA FSHIJMË SA MË PARË! MOS U DËGJOFTË JASHTË VAJAZANIT!

QYTETARI I TRETË: TA FSHIJMË ME FACULETA, ME KËMISHA. QE SHKALLË! QE KËMISHA IME!

QYTETARI I KATËRT: PO E FSHIJMË NDYRËSINË PREJ MONUMENTIT TË XHEZAIRIT, POR A DO TË MUND TA FSHIJMË EDHE PREJ ZEMRAVE TË NJERËZVE!

QYTETARI I PESTË: KUSH E KA BËRË KËTË NDYRËSI! TA GJEMË! TA PËRMUTIM ARMIKUN E POPULLIT! [40]

 

 

 

 

 



[1] Dëshiroj që parafjalën time ta plotësoj me tekstin polemizues të Profesor Qosjes me filozofin e njohur Milan Kangerga, në gazetën letrare të Beogradit Književne novine, më 15. 1. 1986, pikërisht për Institutin Albanologjik: “Instituti Albanologjik, për herë të parë, është themeluar në vitin 1953, por është mbyllur pas jo plot tre vjetësh, në fund të vitit 1955. Është hapur rishtazi në vitin 1967, kur është vendosur në një kasolle, që në vitet e pasluftës, një kohë, shërbente edhe si stallë e kuajve, prej rreth 100 metrash katrorë sipërfaqe. Në këtë kasolle 10 vjet do të punojnë 17 të punësuar. Besoj se pajtoheni në qoftë se në këtë kasolle nuk kishte kurrfarë ardhmërie për këtë institut, apo, madje, për çfarëdo instituti tjetër, prandaj është e kuptueshme pse në të do të jepet nisma për ndërtimin e godinës së re, për çka edhe do të shkruaj arsyetimin që do t’u dërgohet institucioneve të cilat do të duhej të jepnin mjetet për ndërtimin e tij. Sado ju flitni për një institut “fantastik”, ndërtimin e të cilit të gjithë e kanë përkrahur, mua më duhet t’u dëshpëroj: shumica e atyre që duhej ta thoshin fjalën kryesore nuk lodheshin shumë për këtë çështje; nuk ishin të gatshëm t’i dëgjojnë gjatë shpjegimet e drejtorit të tij; kishin punë të tjera! Për këtë arsye prej ditës kur është dhënë nisma për ndërtimin e Institutit Albanologjik e deri te fillimi i punëve do të kalojnë disa vjet. Gjatë kësaj kohe, drejtori i tij (Rexhep Qosja, v.j.) do të shkruaj më shumë faqe arsyetimesh dhe lutjesh për nevojën e ndërtimit të këtij Instituti se sa faqe librash nga studimet me të cilat merret. Kryesorja, ndërkaq, është se mjetet për ndërtimin e Institutit Albanologjik, më në fund, do të lejohen, kurse prej fondit të Federatës do të jetë vetëm një e katërta e tyre”.

[2] Le t’i referohemi përsëri Profesor Qosjes dhe polemikës së tij me filozofin serb Milan Kangerga: “Ndërtimi i këtij instituti do të fillojë nga fundi i vitit 1975 dhe do të përfundojë në fillim të vitit 1977. (...) Ndërtesa e Instituti Albanologjik ka gjithsej 2839 metra katrorë sipërfaqe”.

[3] Kjo betejë është fituar, natyrisht, me një këmbëngulje të jashtëzakonshme të shumë intelektualëve dhe punonjësve shkencorë. Këtu po e sjell aktivitetin e vetëm njërit prej studiuesve të Institutit Albanologjik të Prishtinës dr. Zymer Nezirit gjatë këtyre ditëve. Në Raportin e tij vjetor të vitit 2007, për nevoja të brendshme të Institutit veç të tjerash gjejmë edhe nëntitullin: “Veprime kundër masave të dhunshme të Ministrisë në Institut”: Deri më 5 shtator u angazhuan forcat intelektuale të Institutit dhe bashkërisht, me ndonjë përjashtim të rrallë, i përdorën të gjitha format e lejueshme kundër drejtorisë së dhunshme dhe ndryshimit të Statutit të Institutit. Janë dhënë deklarata në shtyp, në radio e televizione kundër vendimit të Ministrisë. Janë bërë biseda me faktorë përgjegjës të partive, të Qeverisë dhe të Kuvendit dhe prej tyre është kërkuar ndihmë. Janë shfrytëzuar edhe forma të tjera, siç janë: nënshkrimi i deklaratave kundër masave të dhunshme, protesta të përkohshme dhe greva e përgjithshme, në cilën morën pjesë edhe punëtorët e administratës. 

Rezultati: Më 4 shtator 2007, me urdhër të kryeministrit të Qeverisë së Kosovës, u shkarkua drejtori i dhunshëm Ismajl Hasani dhe u krijuan kushtet që jeta në Institut të kthehet në rrjedha normale, kurse nga Instituti u largua njësia e sigurimit dhe njësia e policisë.

Pasojat: Muajt maj, qershor, korrik, gusht dhe fillimi i shtatorit sollën pasoja të papara në Institut. Dëme të rënda dhe, si duket, me pasoja të gjata, u shkaktuan në marrëdhëniet ndërnjerëzore në kolektiv. Natyrisht, dëm shumë i madh u shkaktua në realizimin e projekteve në Institut, sepse humbi një e treta e vitit 2007, që është afërsisht me së paku njëzet vjet punë e humbur për Institutin Albanologjik të Prishtinës”. Zymer Neziri, RAPORTI i punës individuale gjatë vitit 2007, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Dega e Folklorit, Sektori i Letërsisë Popullore,  Prishtinë, më 24.12.7007, f. 11-13 e dorëshkrimit me kompjuter. 

[4] Le t’i shohim në të vërtetë vetëm Përkushtimet dhe tekstet hyrëse në veprat e tij: Vepra “Dialogje me shkrimtarët” (1968) ju kushtohet prindërve, por hapet edhe me citate nga Konfuci, Erih From, Bertolt Breht, Ernest Fisher, Arnold Hauzer; libri “Panteoni i rralluar” (1973) hapet me pesë psalme; të gjitha tregimet e romanit “Vdekja më vjen prej syve të tillë” (1974), fillojnë me motot nga “Libri mbi Jobin”; libri “Morfologjia e një fushate” (1980) hapet me dy tekste: të Platonit dhe të Pietro Aretinos; libri “Tronditja e shekullit” (2001) hapet me një tekst të “Biblës” dhe një të “Kuranit”;  romani “Nata është dita jonë” (2007), hapet me dy citate nga “Kurani” dhe dy nga “Bibla” ndërsa secili kapitull hapet me tekste të zgjedhura nga Deni Didëro, Migel di Unamunao, Fridrih Niçe, Agata Kristi dhe Umberto Eko; libri “Paqja e përgjakshme” (1999) me një tekst të zgjedhur të Riçard Holbrukit, Ernest Kasirerit dhe Imanuel Kantit; libri “Rilindja e dytë” (2007) me një tekst të Luis Korelit, Andre Zhidit dhe një të Gunter Grasit; libri “Tri mënyrat e shkrimit shqip – shkrimi ideologjik, shkrimi folklorik dhe shkrimi modern” (2004) hapet me tri tekste nga Samjuell Beket, Umberto Ekos dhe Karlos Fuentes; ndërsa vepra “Populli i ndaluar” (1990) me një përkushtim të veçantë “Fëmijëve tanë dëshmorë, të cilëve rafalet e mizorëve ua prenë përgjysmë ëndrrën për Kosovën e lirë dhe të pavarur”. Nuk e di a ka nevojë të thuhet se ky përkushtim është bërë në kohën kur në Kosovë për një përkushtim të tillë rafalet e mizorëve ende vazhdonin të prisnin përgjysmë ëndrra shqiptarësh! 

Në pyetjen e gazetarit të Rilindjes (1978) Mehmet Kraja se “prej kujt ka mësuar më shumë të shkruaj drama”, Profesor Qosja, veç tjerash i është përgjigjur: (...) “Disa prej tragjedive të Shekspirit, Vëllezërit Karamazov, si dhe Biblën dhe Kuranin i lexoj shpesh, kurdo më duket se fjala e shkruar e ka humbur kuptimin dhe vlerën”. (Shih, “Nocione të reja albanologjike”, f. 251-252).

[5] Shih, dokumentin e vitit 1979 dhe kërkesat e studiuesve nga Kosova, në fund të librit.

[6] Reagimi i ish-ambasadorit jugosllav Arsa Millatoviq në të përditshmen “Borba”, 2-13. V. 1988, bëhej jo duke u nisur nga botimi i parë i këtij studimi, por duke u nisur nga botimi i tij në veprën e Rexhep Qosjes “Historia e letërsisë shqipe”, I-III (1984-1986).

[7] Akademik Rexhep Qosja tekstin e tij të polemikës fillimisht ia ka dërguar në gjuhën serbokroate të përditshmes së Beogradit “Borba”, në maj të vitit 1988, ndërsa për herë të parë e ka botuar kroatisht në vëllimin “Nezašti?ena sudbina (O Albancima u Jugoslaviji danas” (Zagreb, 1990/165) dhe në gjuhën shqipe në vëllimin emblematik “Populli i ndaluar”, Prishtinë (1990/210).

[8] Le t’i referohemi vetëm njërit prej paragrafëve, në të cilin Profesor Rexhep Qosja i përgjigjet ‘ambasadorit pa vullnet të mirë’, vepra e të cilit për romantizmin shqiptar, siç do të mësojmë prej Millatoviqit, veç tjerash e paskan indoktrinuar me nacionalizëm edhe rininë studentore të Prishtinës: “Në fejtonin A i njohim shqiptarët Arsa Millatoviq e ka quajtur të arsyeshme që me disa fjalë ta pushkatojë veprën time mbi letërsinë shqipe të Rilindjes Kombëtare: Kështu, për shembull, profesor Rexhep Qosja ka botuar dy vëllime të Epokës së romantizmit në letërsinë shqipe, duke e barazuar atë varfëri të letërsisë shqipe me romantizmin e kombeve të mëdha evropiane në shekullin XIX.... Ky motiv kryesor i shkrimit është motivi politiko-propagandistik, atëherë kur nuk respektohen të dhënat, atëherë bëhen edhe gabime naive. Duke shkruar me nxitim propagandistik, Arsa Millatoviqi jo vetëm do ta pagëzoj gabim Universitetin e Kosovës si Universitet “Kosova”, por edhe “Historinë e letërsisë shqipe (Romantizmin) gabimisht do ta quajë Epoka e romantizmit në letërsinë shqipe, kurse tri vëllimet e saj do t’i zbres në dy, sado edhe i treti është botuar dy vjet para botimit të fejtonit të tij A i njohim shqiptarët. A duhet ndër gabimet e tilla naive të radhës edhe konstatimin e tij se romantizmi shqiptar e kam barazuar me romantizmin në letërsitë evropiane? Çdokujt që e merr në duar Historinë e letërsisë shqipe (Romantizmi) dhe e shikon esëll përmbajtjen e saj i bie në sy se romantizmin shqiptar nuk e kam barazuar me romantizmin në letërsitë e mëdha evropiane, por një kapitull të librit të parë, ua kam kushtuar ngjashmërive dhe dallimeve tematike, ideore dhe stilistike ndërmjet romantizmit shqiptar dhe romantizmit në letërsitë e Evropës Perëndimore. Krahasimi i tillë, në një kapitull, është bërë me qëllim që të dëshmohen si mëvetësia, origjinaliteti, ashtu edhe ngjashmëritë e romantizmit shqiptar me romantizmin e Evropës perëndimore, sepse mendoj se romantizmi është zhvilluar në një epokë të madhe të letërsisë shqipe dhe të kulturës shqiptare pikërisht për arsye se: në njërën anë është mbështetur në historinë, jetën, mendimin, filozofinë e popullit shqiptar kurse, në anën tjetër, i ka zgjeruar dhe i ka thelluar lidhjet natyrore të letërsisë shqipe dhe të kulturës shqiptare me letërsitë dhe kulturat e popujve të tjerë të Evropës, posaçërisht me letërsitë dhe kulturat e popujve të mëdhenj të Evropës Perëndimore, më të cilat letërsia dhe kultura e popullit shqiptar kurrë nuk i kanë këputur lidhjet (1990: 211/212).

[9] Shih fjalën e tij “Studimet albanologjike dhe institucionet e tyre” (1969: 32).

[10] Le të shohim tekstin e plotët të nëntitullit: Studimet albanologjike nesër: “Sado i ri me punën e derisotme dhe i ri me kuadri shkencor, Instituti Albanologjik tani e ka të qartë se çka duhet të punojë, jo vetëm sot dhe jo vetëm sot e dhjetë vjet, por edhe sot e disa dhjetëvjetësha të ardhshëm. Domethënë: është e rëndësishme se kemi mbërritur të shohim se historinë e jetës dhe të kulturës sonë materiale dhe shpirtërore teksa kemi filluar t’i studiojmë, por kemi filluar t'i studiojmë të organizuar, me sistem dhe me bindjen se kjo kulturë shumëshekullore donë një punë të gjatë, të këmbëngultë dhe intelektualisht gjithsesi të disiplinuar. Gjendja e tanishme e studimeve shqiptare po aq sa edhe përvoja e fituar në punën dhjetëvjeçare në Institut na kanë krijuar bindjen se puna jonë e ardhshme, më në fund, si edhe e deritanishme, duhet të shtrihet në këto drejtime themelore:

1. Në drejtim të fotografimit të gjendjes kulturore, mate­riale dhe shpirtërore në terren, të mbledhjes së të gjitha fakteve të saj dhe të krijimit të fondit të lëndës dhe të fondit të bibliotekës që do të siguronin studimin e plotë, të gjithanshëm të kulturës shqiptare të kësaj treve pikërisht në Institutin Albanologjik.

2. Në drejtim të përpunimit, të sistemimit profesional dhe të publikimit kritik shkencor të lëndës së mbledhur;

3. Në drejtim të studimit të lëndës së mbledhur në terren dhe të dokumenteve të hetuara, të hartimit dhe të publikimit të studimeve të veçanta me karakter tematik dhe problemor;

4. Në drejtim të studimit sintetik të lëndës, të doku­menteve, të literaturës, të hartimit dhe të publikimit të stu­dimeve kapitale me karakter sintetik.

Megjithëse në tri drejtimet e para pak a shumë punoj­më prej fillimit, nuk është e tepërt të thuhet se si do të du­hej të dukeshin këto kërkime dhe studime sipas degëve dhe sektorëve, domethënë sipas fushave kryesore me të cilat ka mbërritur të merret Instituti Albanologjik.

Në fushën e kërkimeve dhe të studimeve gjuhësore ndihet nevoja të vazhdojmë mbledhjen e leksikut dhe të frazeologjisë popullore, por, njëkohësisht, edhe hartimin e fjalorëve të ndryshëm dygjuhësorë, të fjalorëve termino­logjikë dy a trigjuhësh; të fjalorëve të sinonimeve; të zhar­goneve; të turqizmave; të mjekësisë popullore; të faunës dhe të florës; të foljeve dhe të zgjedhimit të tyre; të frazeo­logjisë; të fjalëve të rralla, arkaike e dialektore në literatu­rën shqipe, e të tjera. Është e nevojshme të përshkruhen të folmet popullore, të bëhet studimi tematik i shtrirjes gjeo­grafike të fenomeneve fonetike, morfologjike, sintaksore dhe leksikore në treva të ndryshme të të folmeve shqipe. Si përfundim i kësaj pune duhet të dalin fjalori dialektor dhe atlasi dialektologjik i të folmeve shqipe në tërësi.

Në toponomastikë, ndërkaq, është e nevojshme të punohet rreth fjalorit toponimik të Kosovës; fjalorit etimologjik-toponimik, duke përfshirë këtu edhe mikroto­poniminë e zgjedhur; fjalorit antroponimik-patronimik në sinkroni; është e nevojshme të punohet rreth studimit shkencor historik të të gjitha çështjeve që lidhen me toponiminë dhe antroponiminë.

Në fushën e kulturës së gjuhës parashihet trajtimi i problemeve gjuhësore në krijimtarinë artistike e shkenco­re; në mjetet e informimit; në përkthime, duke u sqaruar format e drejta dhe normative; krahasimi i fondit gjuhësor dialektor me atë letrar; studimi i antonimisë, i sinonimisë dhe i homonimisë së fjalëve shqipe; studimi i gjuhëve profesionale dhe të fshehta; studimi i fjalëve të huaja në shqipen dhe i fjalëve shqipe në gjuhë të huaja, e të tjera.

Siç shihet, studimet tona në këto fusha tentojnë të mbulojnë krejt problematikën gjuhësore dialektore, ono­mastike, leksikologjike nga aspekti historik i dukjes së tyre, por edhe problemet aktuale të kulturës së gjuhës.

Në fushën e kërkimeve dhe të studimeve folklorike mendojmë se duhet të vazhdohet mbledhja e thesarit gojor popullor në terren dhe, njëkohësisht, publikimi i tij në kuadrin e projektit të paraparë, por shpresojmë se, tani e tutje, ky projekt do të realizohet me një dinamikë më të shpejtë se sa deritani. Krahas mbledhjes dhe të botimit do të duhej të vazhdojë dhe studimi i kësaj letërsie, në fillim i temave dhe i problemeve të veçanta, sikundër janë raportet mes letërsisë gojore dhe asaj të shkruar, i motiveve të përbashkëta ballkanike, evropiane apo botërore, i gjinive dhe i zhanreve të saj, i çështjeve të zhvillimit historik, të tipologjisë dhe të poetikës së saj e, mandej, do të duhej të pasojnë studime me karakter më të përgjithshëm që, pos interesit shkencor, do të kenë edhe një përdorim të veçantë praktik, nëpër shkolla të larta dhe fakultete, në të cilat studiohet edhe letërsia popullore.

Në fushën e folklorit do të vazhdojë, ndërkaq, edhe mbledhja e melosit të pasur popullor, publikimi i tij dhe, njëkohësisht, studimi i karakteristikave të kësaj krijimtarie posaçërisht të pasur të popullit. Rezultat i këtyre punëve do të duhej të ishte historia e etnomuzikologjisë shqiptare.

Në fushën e kërkimeve dhe të studimeve etnografike që, në përgjithësi, hyn ndër fushat, pak a shumë, më defici­tare si me kuadro ashtu edhe me rezultate në Kosovë, men­dojmë se duhet të përshkruajmë gjendjen sipas trevave, format e jetës shoqërore dhe familjare, instrumentet etike, sociale dhe juridike të jetës fisnore, patriarkale; veglat e punës; mënyrën e ndërtimit autokton dhe të ndikuar; më­nyrën e banimit; artizanatet; stolitë; evolucionin e menta­litetit dhe të botëkuptimit; format e festave e të gëzimeve dhe të deshifroj më simbolikën e tyre; duhet të përshkruhen dhe të shpjegohen besimi, bestytnitë, mitologjia popullore dhe raportet e saj me besimin, me bestytnitë dhe me mito­logjitë e popujve të tjerë. Krahas mbledhjes deskriptive të lëndës dhe të të dhënave do të duhej të bëhen edhe studime të problemeve të veçanta drejt hartimit të veprave përmbledhëse sikundër janë fjalori mitologjik, e drejta zako­nore, etika patriarkale, veshjet popullore, vallet popullore, e të tjera.

Në fushën e historisë shfaqet e nevojshme që përqen­drimin e deritanishëm në historinë e Rilindjes kombëtare ta shoqërojmë me studimin po aq të përqendruar të histori­së së vjetër - të rezultateve të gjurmimeve arkeologjike, të historisë mesjetare, sidomos të periudhës iliro-bizantine dhe të periudhës shqiptaro-sllave. Historia e banorëve të Kosovës gjatë këtyre periudhave është mjaft e panjohur apo, sikundër sinjalizojnë rezultatet e para të disa studiues­ve mbas Luftës së Dytë Botërore, është njëanshëm e njo­hur. Sa i përket historisë së kohës së re, e cila është mbulu­ar me një numër më të konsideruar kuadrosh qoftë në Uni­versitet, qoftë edhe në vetë Institutin, kujdes i veçantë do të duhej t'i kushtohej hetimit të arkivave të proveniencës jugosllave, të shtypit, të periodikut dhe të literaturës përka­tëse të shekullit të shkuar dhe të shekullit tonë. Po kjo mu­nd të thuhet edhe për kohën ndërmjet dy luftërash botë­rore. Në të gjitha këto periudha do të duhej të bëhen heti­me të problemeve të veçanta me synimin që të përgatiten studime komplete monografike të periudhave të tëra, që proceset historike do t'i ndriçonin, ashtu, në rrjedhat më të gjata kohore. Në këtë mënyrë i hapet rruga ndriçimit të plotë, shkencërisht të qëndruar, të historisë së këtyre tro­jeve.

Në fushën e studimit të letërsisë shqipe, ndërkaq, është e nevojshme të vazhdojmë punën rreth mbledhjes së të dhënave dhe të shkrimeve të shkrimtarëve shqiptarë, -po jo vetëm- nga trualli i Kosovës dhe rreth ngritjes sa më komplete të arkivit të krijuesve të traditës dhe të kohës sonë. Në këtë drejtim është e nevojshme të hartohet leksikoni i shkrimtarëve që, në mungesë të enciklopedive shqiptare, do të plotësonte kërkesat e përditshme për informata letrare. Krahas kësaj pune duhet të studiohen: poetika e shkrimtarëve të veçantë; evolucioni tematik; evolucioni stilistik; zhanret dhe tipet letrare; evolucioni i ritmit në poezinë shqipe; formacionet stilistike në diakroni dhe në sinkroni; çështjet metodologjike dhe praktike të periodizimit; marrëdhëniet e letërsisë shqipe me letërsinë evropiane sipas periudhave letrare. Në mënyrë të veçantë është e nevojshme të ndiqet struktura e rrjedhave të letërsisë së sotme shqipe dhe të hetohen prirjet e saj karakteristike. Me këto studime të veçanta problemore dhe historike letrare do të duhej të përgatitej hartimi i historisë së letërsisë shqipe, në bazat e poetikës strukturale historike” (1977: 39-45).

[11] Le t’i shohim cilat janë ato, duke iu referuar tekstit të plotë të Profesor Rexhep Qosjes: “Me supozimin se në programet e zhvillimit të mëtej­shëm të Kosovës do të shtohen edhe mjetet për veprimta­rinë shkencore, prandaj edhe për studimet shqiptare, para nesh shtrohen disa detyra, siç janë:

- përcjellja e rregullt e kërkimeve albanologjike. Në botë interesimi për të po shtohet dhe, si duket, do të shtohet gjithnjë e më shumë. Është afër mendsh se ne duhet të bëjmë përpjekje që këtë interesim ta nxisim edhe më tepër me gjerësinë dhe me cilësinë e studimeve tona;

- përcjellja e teknikave dhe e metodave të reja në fushën e shkencave kulturore - historike në përgjithësi me qëllim të përtëritjes së përvojës sonë kërkimore dhe, më në fund, të përvojës krijuese shkencore përgjithësisht;

- studimi i kulturës materiale dhe shpirtërore të po­pullit tonë edhe në kontekstin e kulturave materiale dhe shpirtërore të popujve të tjerë evropianë si kusht i hetimit të modeleve të përbashkëta, në njërën anë dhe i modeleve autentike, origjinale kulturore, në anën tjetër. Popujt e Ev­ropës, gjatë shekujsh, kanë pasur fatin e përbashkët histo­rik dhe kulturor, prandaj edhe kanë krijuar përvoja të njëj­ta a të ngjashme kulturore, vlera materiale dhe shpirtërore, në të cilat janë investuar dija, mjeshtëria, prirja, mundi i shu­më breznive të tyre. Studimi krahasimtar i këtyre vlerave, por studimi i tyre i çliruar prej egoizmit dhe prej paragjy­kimeve kombëtare, në të vërtetë pseudokombëtare, doe­mos realizon një prej qëllimeve të rëndësishme të shken­cës: zgjeron horizontet e dijes në përgjithësi dhe, sidomos, afirmon besimin e arsyeshëm se kultura jonë kombëtare ishte dhe është shumëfish e lidhur me kulturën evropiane, se i takon bashkësisë shpirtërore evropiane. Do ta shikoj­më dhe ta studiojmë, ashtu, kulturën dhe historinë tonë edhe në kontekstin e kulturës dhe të historisë evropiane, në ra­dhë të parë, me qëllim që ta shohim dhe ta kuptojmë më mirë kulturën dhe historinë tonë. Në të njëjtën kohë, me vënien e çështjeve të historisë dhe të kulturës së popullit tonë në perspektivën vrojtuese evropiane, jo vetëm se zgje­rohet dhe thellohet, domethënë pasurohet, vizioni i histori­së dhe i kulturës sonë si segment integral i historisë dhe i kulturës evropiane, por edhe evitohet shikimi, kur e kur, izolacionist historik dhe kulturor, i aplikuar, ndonjëherë, më shumë pavetëdijshëm se sa vetëdijshëm, në studimet albanologjike;

- afirmimi i gjykimit objektiv, kritik, si gjykim i ve­tëm, vërtet, shkencor. Dhe, afirmimi i gjykimit objektiv kritik, si gjykim i vetëm, vërtet, shkencor mund të arrihet nën kushtin e evitimit të superlativizmit të shprehjes, të pa­tetikës së ndjenjës, të vrojtimeve folklorizante, të ornamentalizimit të traditës kulturore dhe historike, me një fjalë nën kushtin e evitimit të mendimit diletant, që karakterizon subjektivizmin, që cenon etikën e shkencës, dhe, ashtu, ulë dinjitetin e mendimit shkencor përgjithësisht.

- studimi kritik, por i thelluar dhe modern shkencor, i traditës sonë dhe i kontinuitetit të saj, me të cilin, prakti­kisht ( e jo me gjuhën superlative diletante), do të zhvlerë­sohen të gjitha tezat që, objektivisht, cenojnë vetëdijen to­në kombëtare sepse cenojnë dhe ndryshojnë kuptimin e his­torisë sonë kombëtare, të disa ngjarjeve dhe shembëlltyra­ve të saj.

Një kërkesë e këtillë ngre nevojën e thellimit të studi­meve shqiptare në dy drejtime themelore: e para, në drej­tim të thellimit të studimeve të historisë dhe të kulturës ili­re - me çka do të plotësohet edhe më tepër, edhe më mirë ndërtesa teorike e origjinës ilire të shqiptarëve që, objek­tivisht, nuk mund të vihet në dyshim më dhe, e dyta, në drej­tim të thellimit të studimeve historike, folklorike, etnogra­fike, gjuhësore, historike letrare, e të tjera, të kontinuitetit të kulturës shumëshekullore shqiptare - me çka ky kon­tinuitet do të dukej edhe më qartë në gjithë shtrirjen e tij diakronike dhe sinkronike.

- forcimi i kritereve shkencore në punën kërkimore shkencore edhe si kusht i mënjanimit të diletantizmit, edhe si kusht i nxitjes së kërkesave më të larta shpirtërore në jetën tonë intelektuale përgjithësisht” (1981:93/96).

[12] Në pyetjen e gazetarit të revistës letrare “Drita”, se “Figura më e realizuar historike në roman, pa dyshim, është ajo e shokut Enver”, Ismail Kadare, është përgjigjur: “Engelsi ka thënë se kur letërsia e proletariatit do të arrijë të pasqyroj udhëheqësit e saj, kjo do të thotë që ajo do të jetë ngjitur në një stad të ri të zhvillimi. Letërsia e revolucionit  nuk mund të jetë e plotë pa figurat e udhëheqësve të revolucionit. Bile, në një farë mënyre, në krijimin e raportit masë-udhëheqje, letërsia revolucionare verifikon veten e saj. Një letërsi që ka devijuar sadopak nuk mund ta ndërtojë drejt këtë raport”. Cituar nga Ismail Kadare, Vepra letrare, nr. 12, “Naim Frashëri”, Tiranë, 1981, f. 314.

[13] Në një ese me titull “Si e shkrova “Dimrin e madh”, të shkruar për të përmuajshmen letrare “Nëntori”, 9/1979, shkruan: “Për romanin “Dimri i madh”, m’u desh të bëja një punë përgatitore rreth një viti e gjysmë. Pjesën më të madhe të kohës ia kushtova studimit të dokumenteve të Partisë sonë për ngjarjet, materialet për Mbledhjen e Moskës, dokumentet e tjera shtetërore, letra memorandume, nota qeveritare. Një kujdes të veçantë i kushtova studimit të veprave të shokut Enver që lidheshin drejtpërdrejt me ngjarjen, si edhe veprave të tjera, që kishin lidhje të tërthortë me të ose që s’kishin lidhje, si p.sh. veprave të kohës së luftës. Nganjëherë për një frazë, për një rikujtim apo mendim të personazhit historik të veprës, shkrimtarit i duhet të studiojë dhe të kërkojë shumë. Natyrisht, pa studimin e dokumentacionit arkival, realizimi i romanit ishte i pamundur. Siç është lehtë të konstatohet, skena nga më të rëndësishmet e romanit, ideologë dhe situata nga më dramatiket janë të bazuara në materialet  e vëllimshme të 19 veprave të shokut Enver.” (Kadare, vep. e cit., v.12, f. 329).      

[14] Botimi serbokroatisht: Cmer bre?a ?? ?????, “Prosveta”, Beograd (1976) ka 11 tregime, prandaj i është mënjanuar nëntitulli Trembëdhjetë tregime që mund të bëjnë një roman. Mungojnë tregimet Trilogjia dhe Metamorfoza. Vepra mbyllet me një Pasthënie të gjerë kritikut Radomir Ivanoviq, f. 253-272. Botimi është bërë në të njëjtën kolanë të letërsisë shqipe në Jugosllavi, me Rrahman Dedajn, Azem Shkrelin, Ramiz Kelmendin dhe Hivzi Sulejmanin. Botimit sllovenisht të Lubjanës (1979), i cili, është bërë sipas përkthimit në serbokroatisht, gjithashtu i mungojnë këto dy tregime. Botimi bullgarisht është i plotë, si edhe ai në frëngjisht, danisht etj. Në bullgarisht, botim i Pllovdivit, 1982, i është shënuar edhe nëntitulli “Trembëdhjetë…”. dhe i referohet në origjinal botimit të Prishtinës, të vitit 1974. Me rastin e përkthimit të një tregimi në sllovakisht kolegu im sllovak L’ubor Kralik, më pati kërkuar botimin e romanit të Profesor Qosjes në serbokroatisht. Unë e kisha këtë roman në bibliotekën time, por ç’është e vërteta nuk e kisha vënë re mungesën e tyre. Atë rast e pata pyetur Profesorin, se pse i janë mënjanuar këto dy tregime botimit në serbokroatisht.

‘Nuk e di, më patë thënë Profesori. Këto punë atëherë i bënte Esad Mekuli dhe vetëm ai mund të përgjigjej saktësisht. Por e di se unë nuk jam konsultuar për këtë’.

Mbase po ta vlerësojmë këtë çështje më thellë nuk është vështirë të kuptohet se në këto tregime personazhet identifikohen mjaft mirë dhe ka edhe paraqitje të pretendimeve të autorit. Për këto tregime mbase në opinionin serb mund të kishte të tjera reagime.

[15] Në shtypin shqiptar (Prishtinë, Tiranë, Shkup) është përfolur disa herë çështja e mosbotimit të veprës së Anton Pashkut në Tiranë. Komentet kanë qenë nga më të ndryshmet. Prej atyre, që veprën e tij e kanë çmuar për shkak të veçantisë së saj perceptuese, deri tek ata që referimin në emër të saj e kanë bërë për të treguar prejardhjen krahinore të tyre.

Ndonjë tjetër, madje, ka shkuar edhe më larg, mosbotimin e veprës së tij e kanë theksuar në kontekst të veçimit të ndonjë prej autorëve të tjerë nga Kosova, të cilët për shkak të aktualitetit të veprës së tyre letrare dhe intelektuale, kohëve të fundit janë shumë të pranishëm në Tiranë. Dhe janë atakuar në stilin: derisa akcili shkrimtarë botohej në Tiranë, Anton Pashku censurohej e ndalohej.

Pra, është koha që këtu, sipas burimeve të shkruara, të thuhet se kush ishte i censuruar në Tiranë, madje duke u nisur nga një shkrim i vitit 1986. Gazetari Ali Olloni te e përditshmja “Rilindja”, sillte një bisedë rasti me shkrimtarin Rexhai Surroi, atëherë ambasador i Jugosllavisë në Spanjë, përmes së cilës autori shprehte në mënyrë shumë të matur shqetësimet e tij për censurimin që i ishte bërë veprës së tij, -romanit “Orteku”, - me rastin e botimit në Tiranë. Për shkak se romani i tij “Orteku” ishte një nga veprat e tij “të papërfunduara” dhe me një vlerë artistike të kufizuar, sigurisht, më parë se reagimi i autorit, pati bërë përshtypje vetë botimi i veprës. Ky është njëkohësisht i vetmi reagim i shkrimtarëve shqiptarë për censurimin e veprave të tyre në Tiranë.

Vetëm pas vitit 1990, kemi mundur të kuptojmë se përveç redaktimit të disa prej veprave të botuara në Tiranë, censurën në kuptim e plotë të fjalës e kishin përjetuar dy vepra: romani i Rexhep Qosjes “Vdekja më vjen prej syve të tillë” dhe sidomos romani i Zejnullah Rrahmanit “Sheshi i unazës”, për shkurtimet e të cilit njoftonte edhe redaksia në faqen e parë të romanit, por pa dhënë ndonjë arsye. Derisa botimi i “Sheshit...” në Prishtinë kishte 512 faqe, botimi i Tiranës kishte 213 faqe. Kjo vepër, pavarësisht nga censurimi, tregonte edhe një anë tjetër të botimeve të Prishtinës në Tiranë. I botuar në vitin 1985, ai dëshmonte se në Tiranë, nuk kishte autorë dhe vepra të ndaluara, prandaj në Tiranë nuk ishte i ndaluar as Anton Pashku, as Beqir Musliu, të cilët ishin planifikuar të botoheshin, as Teki Dervishi, për botimin e veprës së të cilit ende nuk fliste askush. E shikuar nga ky kënd, sot vështirë të thuhet se Anton Pashku ishte i censuruar e aq më pak i ndaluar me vendim të veçantë. Natyrisht, në Tiranë, kishte vetëm një letërsi të pranuar zyrtarisht: letërsia e realizimit socialist.

Me temën dhe përmasën e censurimit të kësaj vepre si dhe të romanit shqiptar do të merrem në një vepër tjetër. E vërteta, në Tiranë janë censuruar vepra nga Kosova për arsyet që nuk janë censuruar as në Prishtinë, as në Beograd.

Nga biseda të rastit me studiues dhe redaktorë botimesh të kësaj kohe në Tiranë, kam dëgjuar që problemi i redaktimit (që nënkuptonte në fakt censurimin e disa veprave të autorëve nga Kosova, por jo ndalimit) është diskutuar edhe në nivele të larta të partisë dhe shtetit, dhe nga Ramiz Alia (drejtues shtetëror dhe partiak) është marrtë udhëzimi gojor: “Në Tiranë duhet të botohet më shumë letërsi e Kosovës. Nuk ka rëndësi a do të ‘redaktohet shumë apo pak’, me rëndësi është që shkrimtarët e Kosovës të kuptojnë se veprat e tyre po botohen në Tiranë dhe ata janë të pranishëm këtu”.  (Për botimin e letërsisë së Kosovës në Tiranë shih, tekstin tonë: Pasqyrë jo e plotë dhe e paqartë,  (Bibliografi e veprave të autorëve nga Kosova dhe Maqedonia që janë botuar në Tiranë, prej vitit 1970 deri në fund të vitit 1991), “Bujku”, 22 shkurt 1992, Prishtinë, f. 9.

[16] Në të vërtetë jo Elena po Ismail Kadare. Në romanin e Qosjes veç Kadaresë recensentë është edhe Xh(ezair) Abazi, ndërsa  redaktor i botimit është Zija Qela.

[17] Për shkak se ky reagim i Rexhep Qosjes, i cili për herë të parë u dëgjua përmes radios (WOA, “Zëri i Amerikës”, ishte përfshirë në dhjetëra gazeta ditore dhe medie të tjera elektronike e të shkruara, por më tej nuk është përfshirë në ndonjërën prej veprave të Qosjes, po e sjell tekstin e plotë nga e përjavshmja e Prishtinës “Zëri i rinisë”, botim special, 2. 11. 1999, kushtuar azilit të Ismail Kadaresë në Francë.

“Lajmi se Ismail Kadare ka kërkuar azil politikë në Francë ma ka ndalur frymën.

E di se me veprën e tij mendore, Ai e ka shtuar namin e popullit shqiptar dhe të kulturës së tij në botë. E di se këtë nam Ai do të vazhdojë ta shtojë edhe më tutje. Një kapitull i historisë së letërsisë së sotme shqipe që do ta shkruaja do të quhej: Roli i Ismail Kadaresë në njohjen dhe në afirmimin kulturor të popullit shqiptar në botë.

Unë e di se Ismail Kadare është atdhetar. Vepra e tij mendore me çdo faqe flet se është vepër e atdhetarit që jeton për Atdheun e vet.

Është e drejtë e krijuesve të jenë të pakënaqur dhe të revoltuar për shkak të gjendjes së vendit të vet. Dhe këtë të drejtë aq më parë duhet t’ia lejojmë Ismail Kadaresë.

Është e drejtë e krijuesve të dëshirojnë larg më shumë se ç’shohin në jetën shoqërore dhe politike. Dhe këtë të drejtë aq më parë duhet t’ia lejojmë Ismail Kadaresë.

Është e drejtë e krijuesve ta farkojnë atdheun në flakën e ëndrrave dhe të idealeve të veta ende të parealizuara. Dhe, këtë të drejtë aq më parë duhet t’ia lejojmë Ismail Kadaresë.

Se krijuesit na donë, siç do të duhej të ishim.

Populli shqiptar gjendet sot para një cikli të ri historik kur vendoset për ardhmërinë tij, sepse Evropa, si rrethim i tij natyror, po hyn në një epokë të re të historisë së saj. Logjika e jetës dhe logjika e historisë e ballafaqon popullin shqiptar me nevojën e ndryshimeve rrënjësore politike dhe shoqërore. Dhe, këto ndryshime e kanë një emërtues: Demokracia. Por, demokracia e ndërtuar mbi parimet e dëshmuara demokratike, parlamentarizmin shumëpartiak. Pa to do të mbetet te dyert e ardhmërisë e kjo domethënë jashtë historisë evropiane.

Shqipëria është nisur rrugës së demokratizimit, por s’duhet të harrohet se demokratizimi ende nuk domethënë edhe demokraci vërtet.

Ismail Kadare e ka ndjerë se Shqipëria po ecën tepër ngadalë në rrugën e demokratizimit. Me shumë të drejtë. Ai do të donte të ecën më shpejt që të mos vonohet në Evropë, që të mos vonohet në ardhmëri.

Unë do të doja që Ismail Kadare betejën mendore për demokraci ta kishte bërë atje, në Shqipëri, bashkë me kolegët dhe me vëllazërit e vet të tjerë. Por, Ismail Kadare ka zgjedhur rrugën tjetër. Kjo rrugë mund të mos na pëlqejë, por e ka zgjedhur intelektuali që i thonë Ismail Kadare.

Shqipëria duhet të demokratizohet për hir të popullit shqiptar, të lulëzimit të energjive të tij krijuese, të lumturisë së gjithë pjesëtarëve të tij. Shqipëria duhet të demokratizohet edhe për hir të Kosovës. Shqipëria mund të ndihmoj Kosovën vetëm si Shqipëri demokratike. Ko ndihmë e saj na duhet si buka. Dhe, sa më shumë të vonohet, aq më shumë do të zgjasin vuajtjet tona nën Serbinë.

Por unë dëshiroj që Shqipëria të demokratizohet vetëm rrugës demokratike. Mjaft po lahemi në gjak ne shqiptarët në Jugosllavi. Demokracia e arritur në vëllavrasje nuk do të ishte demokraci, sepse do të shtynte në paskaj pajtimin gjithëkombëtar. Shqipërisë i duhen ndryshime rrënjësore, por unë dëshiroj që ato ndryshime Shqipëria t’i bëjë duke ecur vertikalisht. Vetëm duke ecur ashtu, vertikalisht, Shqipëria mund të mos vonohet në ardhmërinë.

Për këto bindje të mia e kam dëshmitare historinë tonë.

Në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX ne, shqiptarët, tragjikisht jemi vonuar në tryezën evropiane, sepse, jemi vonuar atëherë kur është ndarë pogaçja ballkanike. Hisen tonë e kanë marrë të tjerët. Pjesën më të madhe të hises sonë e ka marrë Serbia: Serbia që na sundoi qe 78 vjet. Dhe ne në Kosovë po i vuajmë vuajtjet më tragjike për shkak të asaj vonese. Edhe tani jemi në rrezik të vonohemi në tryezën evropiane. Dhe, vonesa vuajtjet tona do t‘i kthente në tragjedi.

Për këtë arsye e ftoj Ramiz Alinë më guximshëm t’i çojë përpara proceset e filluara demokratike në Shqipëri. Ky është imperativ i kohës. Ai është bërë profet i demokracisë shqiptare, por le të jetë edhe realizues i saj. Shqipëria për këtë do t’i ishte mirënjohëse përgjithmonë. Dhe, Kosova.

Unë e di se Ismail Kadare nuk mundet pa Shqipërinë, por unë e di se edhe Shqipërisë i duhet Ismail Kadare.

Në qoftë se jeta më jep afat, në qoftë se Serbia nuk më burgos – e unë s’dua ta lëshoj Kosovën sepse dua të bëj këtu betejën intelektuale dhe politike për lirinë tonë -  jam i bindu se me mikun tim të çmuar Ismail Kadrenë, me të cilin s’jam parë qe 11 vjet do të shihemi rishtazi në Tiranë”.

Po në këtë numër special të revistës së përjavshme “Zëri i rinisë”, në kryetitullin “Ç’thanë intelektualët shqiptarë për ekzilin e Kadaresë?”, janë botuar edhe reagimet e dr. Sami Repishtit “Vendimi i dhimbshëm”, dr. Martin Camajt “Kërkimi i lirisë”, dr. Ali Aliu “Ikja në çastin dramatik”, dr. Gani Bobit “Herët është të pyesim”, Basri Çapriqit, “Gjest intelektual”, Arif Demollit “Ikja e pazakonshme”, dhe Milazim Krasniqit “Krenaria jonë kombëtare”.              

[18] Nuk e di a është e domosdoshme të shtoj këtu edhe esenë e Rexhep Qosjes “Kadare, shkrimtari i parë shqiptar i njohur e i pranuar edhe në botë” (“Epoka e re”, Prishtinë, 28 janar 2006, f. 15.), shkruar me rastin e 70-vjetorit të Ismail Kadaresë, e cila mund të quhet sinteza më e mirë e shkruar ndonjëherë për Kadarenë.

Janë shkruar deri më tash shumë ese, trajtesa, polemika, vlerësime, monografi, kujtime, studime historiko-letrare etj., por mendoj se asnjëra prej tyre veç e veç dhe të gjitha bashkë nuk sintetizojnë tërësinë jetësore, veçoritë letrare, përmasën kombëtare dhe universale të veprës së tij, si trajtesa e Rexhep Qosjes: “Ata që interesohen për popullin shqiptar, në veprën e tij mund ta mësojnë atë që nuk mund të mësohet tjetërkund: mund ta mësojnë historinë e tij shpirtërore. Për të gjitha këto arsye është e kuptueshme pse për veprën letrare të Ismail Kadaresë është shkruar dhe vazhdon të shkruhet shumë si prej shqiptarëve ashtu edhe prej të huajve”.

Në vlerësimet e Qosjes, si askund tjetër mbrohet epoka historike, letrare dhe estetike brenda së cilës e ka krijuar veprën e tij letrare Kadare: “A është Ismail Kadare shkrimtar me prirje realiste a shkrimtar me prirje moderne – kjo edhe nuk e ndryshon gjykimin dhe vlerësimin për pjesën kryesore të krijimtarisë së tij letrare: ajo është krijimtari gjuhësore artistike me vlerë të madhe”.

Në të gjitha këto bashkë ndërtohet më saktë fati jetësor i krijuesit në rrethanat në të cilat është ndërtuar personaliteti i Kadaresë, në të cilin po ndërtohet dy dekadat e fundit dhe do të duhej të ndërtohet në të ardhshmen “krijuesi duhet ta meritojë mospajtimin, madje përndjekjen e bashkëkohësve në qoftë se dëshiron ta meritojë nderimin e ardhmërisë”.    

[19] Tashmë që po e mbylli këtë dorëshkrim sapo e lexova një trajtesë të Profesor Anton Paplekajt “A e ka pasuruar letërsinë europiane letërsia shqipe?”, i cili përmbylli diskutimet e vrullshme rreth deklaratës së Rexhep Qosjes për vendin e letërsisë shqipe në letërsinë europiane.  Ndonëse teksti Ura me tri harqe ishte një risi për letërsinë tonë, - shkruan Paplekaj, -  pasi ke lexuar romanin "Ura mbi Drin" të Ivo Andriçit, të botuar dhjetëra vjet para veprës së Kadaresë, bindesh se autori shqiptar nuk e ka pasuruar letërsinë europiane me ndonjë prurje origjinale”.  

[20] Sikur mund të shihet prej shkrimeve të tij, konceptin e kritikës letrare të shkollës së Tiranës (e cila do të triumfoj me veprën sintezë: Grup autorësh, Historia e letërsisë shqiptare e realizmit socialist, Akademia e Shkencave e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë – Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Tiranë, 1978.), do ta luftojë që në fund të viteve ’60, ndërsa po këtu do të kundërshtohet përpjekja e klaneve shqiptare dhe politikës serbe për të ndarë letërsinë shqipe të shkrimtarëve shqiptarë në ish-Jugosllavi nga letërsia shqipe, si një histori integrale e letërsisë shqipe. Pra, atë që do të arrijë ta kundërshtojë dhe ta mbrojë në Prishtinë nuk do të arrijë ta kundërshtojë dhe ta mbrojë në Tiranë dhe në Zagreb, ku gjithashtu në korpusin e “Historisë së letërsisë botërore”, do të ndahet në tekste më vete “Letërsia shqipe e krijuar në Kosovë”, nga letërsia shqipe përgjithësisht. Për fat të keq, autor i të dy teksteve është një albanolog shqiptar, i cili vjen nga një shkollë tipike e Beogradit dhe e strukturave të sigurimit shtetëror të kohës.

[21] Vepra e Gjergj Fishtës është bërë objekt studimi edhe në disa nga veprat themelore të tij, siç janë: “Prej tipologjisë deri te periodizimi” (1979); “Tri mënyra të shkrimit shqip” (e shkruar më 1979, por e botuar në vitin 2004); “Historia e letërsisë shqipe (Romantizmi), I-III (1984/1986).

[22] I. Vendi i Gjergj Fishtës Historinë e letërsisë shqipe: “Veprat e krijuesve më të shquar të letërsisë dhe, në përgjithësi, të kulturës shqiptare, sikundër janë veprat e Gjon Buzukut, të Pjetër Budit, të Frang Bardhit, të Pjetër Bogdanit, të Jeronim de Radës, të Naim Frashërit, të Çajupit, të Ndre Mjedjes, të Gjergj Fishtës, të Faik Konicës, të Fan Nolit, të Mitrush Kutelit, të Migjenit a të Lasgush Poradecit – e të mos flitet për veprat e humanistëve shqiptarë, që shkruhen në latinishte a në italishte – përfaqësojnë vlera shpirtërore të krijuara në procesin e natyrshëm të takimeve me kulturat më të zhvilluara të Evropës, madje të botës”. (1979/197)

II. Vendi i Fishtës Historinë e letërsisë shqipe (romantizmit): “Në kohët e fundit është shtruar një mendim i drejtë se e tërë letërsia e Rilindja sonë kombëtare nuk mund të quhet romantike (Jorgo Bulo, 1968). Dhe, vërtetë, e tërë ajo nuk mund të quhet romantike pse disa prej shkrimtarëve të saj kanë jetuar dhe krijuar më tepër se njëqind vjet mbas vdekjes së romantikëve evropianë. Një numër shkrimtarësh shqiptarë, që krijimtarinë e tyre letrare e fillojnë në dhjetëvjetëshin e fundit të kësaj lëvizjeje kombëtare, politike dhe letrare, por jetojnë e shkruajnë edhe mbas shpalljes së pavarësisë (Çajupi, Ndre Mjeda, Ndoc Nikaj, Gjergj Fishta, Mihail Grameno, Faik Konica, Asdreni, Fan Noli dhe të tjerë), jo vetëm nuk i shprehin disa prej karakteristikave, themelore të romantizmit, por në veprat e veta u japin shprehje edhe ca veçorive të tjera: neoklasiçiste (Ndre Mjeda, Gjergj Fishta, Mihail Grameno), realiste (Anton Zako Çajupi, Ndre Mjeda, Gjergj Fishta, Ndoc Nikaj, Asdreni), parnasiste – simboliste (Ndre Mjeda, Asdreni), që disa dekada përpara ishin shfaqur dhe afirmuar në letërsitë e popujve të mëdhenj evropianë (1969/8).

III. Romantikët evropianë dhe romantikët shqiptarë. “Ashtu sikundër ju ndodh romantikëve evropianë të identifikohen me protagonistët e vet, po ashtu edhe shkrimtarët e Rilindjes kombëtare i autorizojnë heronjtë e veprave të tyre që të flasin në emrin e krijonjësve. Dhe, ashtu si siç janë Çajld Haroldi, Oniegini, Reneu, Prometheu, Valenrodi, trumbeta të Bajronit, Pushkinit, Shatobrianit, Shelit dhe Mickijeviçit, gjithashtu, Milosao, Nik Peta, Skënderbeu e më vonë edhe Oso Kuka janë trumbeta të De Radës, Darës, Naimit dhe të Fishtës”. (32/1969) (...)

“Shkrimtarët e Rilindjes ose, thënë më mirë, pasardhësit e saj, sikundër janë Mjeda, Fishta dhe Asdreni, kanë pasur pak a shumë ndikime edhe prej letërsive romantike të disa popujve të Ballkanit si, për shembull, prej letërsisë kroate – i pari, prej letërsisë kroate dhe malazeze – i dyti dhe prej letërsisë rumune - i treti”. (38/1969).

III. Tre shkrimtarë dhe tri hapësirat kulturore shqiptare. “Në krijimtarinë poetike të Jeronim de Radës – te arbëreshët, te Naim Frashërit – në Jug dhe të Fishtës - në Veri, fare qartë mund të vërehet se si jetojnë akoma disa prej tipareve të poezisë sonë të vjetër, që atje ishin cilësuar, kurse këndej jetojnë si të tejkaluara pak a shumë”. (40/1969)

-Ndikimi i letërsisë popullore, huazimi i letërsisë: “Gjergj Fishta ka huajtur motivin e flijimit të femrës për mbrojtjen e nderit familjar dhe kombëtar në veprën e tij Lahuta e Malcis”. (63/1970)

-Kulti i së shkuarës, kulti i gjuhës, dhembja etj.

- Përgjegjësia gjuhësore e shkrimtarit: “Si shembull mund të marrim dy prej shkrimtarëve më karakteristikë të traditës sonë letrare: Naim Frashërin dhe Gjergj Fishtën. Gjuha e veprave të tyre, pavarësisht se s’ka rregull pa përjashtim, e provon këtë, dhe e provon jo pse Naim Frashëri ka shkruar toskërisht - e toskërishtja është bazë e gjuhës letrare, kurse Gjergj Fishta gegërisht, po pse i pari është më universal me gjuhën dhe me botëkuptimet, kurse i dyti separatist. Naim Frashëri ka shkruar për të gjithë shqiptarët dhe, në veprat e tij, gjithmonë u është drejtuar të gjithëve: myslimanëve, ortodoksëve dhe katolikëve. Duke folur në emër të Kombit ai është kujdesur të shkruajë në një gjuhë që mund t’u ishte, pak a shumë, e afërt të gjithëve. Ai është kujdesur t’i reshtet toskërishtes lokale, prandaj nuk është çudi pse ardhmëria i ka dhënë të drejtë në pikëpamje gjuhësore dhe pse gjuha e veprave të tij na duket sot më e re se e shumë shkrimtarëve të tjerë toskë apo gegë. Gjergj Fishta, përkundër Naim Frashërit, ka shkruar në radhë të parë për pjesën katolike të shqiptarëve, ka folur në emër të tyre dhe dy fjalët më të shpeshta të fjalorit të tij ishin Feja dhe Atdheu: gjithnjë përpara Feja atëherë Atdheu. Në zemrën e madhe të Naim Frashërit kishte vend për të gjithë shqiptarët dhe, më në fund, për gjithë njerëzit, kurse në zemrën e vogël të patër Fishtës, për një pjesë të shqiptarëve, prandaj edhe për një pjesë të njerëzve. Pavarësisht prej ambicieve të tij, danteske, që t’ia impononte Kombit gjuhën e veprave të tij, këtë ambicie ai nuk ka arritur ta sendërtoj, jo pse Fishta nuk ishte Dante, por pse gjuha e tij ishte tepër lokale që të jetë kombëtare, vizioni i tij nacional, ishte tepër lokal që të bëhet total. Veprat e tij sot shijohen me vështirë se sa kur janë shkruar qoftë edhe prej vetë gegëve dhe, mund të besojmë, pas ca dekadash do të përkthehen si edhe ato të De Radës”. (189/1967)

(...)

“Çdo epokë shoqërore, historike, kulturore, artistike, stilistike mbyllet me sinteza; pjesëtarët e një brezi, pikërisht me ato hulumtimet e tyre të orientuara në anë të ndryshme, përgatisin, rëndom, përfaqësuesit e vet me prirje sinteze. Mund të shpresohet se edhe letërsia shqipe është duke i përgatitur përfaqësuesit e tillë. Ashtu sikundër e kanë bërë Naimi dhe Fishta sintezën kualitative të letërsisë së paraardhësve dhe bashkëkohësve të tyre, po ashtu, mund të pritet se edhe në kohën tonë do të dalin krijonjës që do të bëjnë sintezën e veçorive të letërsisë së sotme shqipe. (241/1969).

[23] Le t’i referohemi vetëm përfundimit të kësaj eseje: “Romani Kështjella, ndoshta s’mund të krahasohet për kah vlera artistike me romanin Gjenerali i ushtrisë së vdekur, por ai është, gjithsesi, një befasi e këndshme për lexuesit shqiptarë...”. (161-162/1970)

[24] “Me Dasmën Ismail Kadare kryen njëmend një detyrë të lartë morale e shoqërore dhe me përmbushjen e saj romani i tij do të harrohet. Ashtu siç harrohen edhe dasmat mbas tri ditësh”. (191/1968)

[25] Le të theksojmë të plotë paragrafin, një fragment të të cilit paskam arritur ta shënoj në mënyrë mjaft të plotë: “Ismail Kadare, në të vërtetë, na e ka dhënë shembullin se si nuk duhet shkruar kritika letrare. Ky kolonel jo i vetmuar i prozës shqipe, ka arritur të jetë vetëm një ushtar modest në frontin e kritikës”. (238/173)

Dhe një pasues të mëparshëm: “Ajo (vepra eseistike e Kadaresë –v.j), do të ketë vlerën e vet: një ditë do t’ju shërbejë historianëve të letërsisë që të shohin se si ka menduar për letërsinë një shkrimtar, gjithsesi, me ndikim të madh në letërsinë kombëtare të shqiptarëve. Dhe, besoj, ata do të gëzohen pse krijimtaria imagjinatave dhe krijimtaria diskursive e këtij shkrimtari nuk janë pajtuar: pse ndryshe ka shkruar letërsinë e ndryshe ka menduar për të”. (38/1973)

[26] Kjo është arsyeja pse në këtë vëllim po i vendosim në shtojcë tekstet e të dy autorëve, pra fillimisht tekstin e Rexhep Qosjes “Letërsia kombëtare dhe letërsia botërore ose afrimi përmes ndryshimeve”, të shkruar në vitin 1972 dhe më pastaj përgjigjen e Ismail Kadaresë, në artikullin e botuar një vit më vonë, në të përditshmen e Tiranës “Zëri i popullit” më 8.4.1973, me titull “Rreth ndikimeve të huaja dhe karakterit kombëtar të letërsisë”.

[27] Shih Tri mënyrat e shkrimit shqip (Shkrimi ideologjik, shkrimi folklorik dhe shkrimi modern), 1979/2004. Përveç Hyrjes, vepra përbëhet prej tri pjesëve: I. Letërsia, II. Kritika, III: Gjuha. “Kjo vepër - shkruan Profesor Qosja Parafjalën e tij, - është paramenduar si manifest në shërbim të Modernitetit në letërsinë shqipe. Si vepër e parë në shkencën letrare shqipe, që i çel rrugë Modernitetit, ajo pashmangshëm është dashur të jetë kritikë e vendosur e shkrimit ideologjik dhe e shkrimit folklorik, që modernitetin e bëjnë të pamundshëm”. (5)

[28] Le të kujtojmë se aty janë botuar disa nga tekstet, esetë, polemikat, intervistat, fjalimet dhe diskutimet e tij në Prishtinë dhe në disa të qendra të tjera kulturore, politike dhe kulturore në ish-Jugosllavi. Kujt nuk i kujtohet tani fjala marramendëse e tij e mbajtur në Kongresin e IX të Lidhjes së Shkrimtarëve të Jugosllavisë, i mbajtur në Novi-Sad prej 18-20 prill 1985. Ata qe e kujtojnë këtë kohë, mbajnë mend se ky tekst ishte fjala e parë me të cilën Qosja e pati thyer akullin e komunikimit të përulur në institucionet politike, shkencore dhe kulturore në ish-Jugosllavi. Kjo është arsyeja pse pak kush nga ne që e lexonim fjalën e tij në shtyp, prisnim të kthehej nga Novi – Sadi pa u burgosur. Në këtë vëllim është botuar edhe studimi i tij shumë i popullarizuar “Atentat mbi kulturën”, tekstet polemizuese “Letër shkrimtarëve serbë”, “Serbët dhe shqiptarët sot”, “Albanizimi apo albanofobia”, “Kosova gjykatë e madhe”, “Letër e hapur Kryetarit të qeverisë jugosllave, Ante Markoviqit”, “Populli shqiptar është i rrezikuar”, “Policia si fat” etj. Në këtë vëllim ndërkaq, më shumë se askund janë botuar një numër i madh intervistash, atëherë shumë të popullarizuara, në shtypin shqiptar dhe në shtypin e botuar në Beograd, Zagreb dhe Lubjanë, në kreun e të cilave qëndron intervista e tij dhënë të përjavshmes së njohur të Lubjanës “Dello”. Në këtë vëllim veç tjerash janë botuar edhe disa fjalime, diskutime dhe letra të censuruara në shtypin e kohës.

Fjalët e tij, tekstet e tij, intervistat e tij, reagimet e tij, polemikat dhe diskutimet e tij e kanë shpëtuar ndërgjegjen tonë të thyer pas vitit 1981, dhe e kanë zgjuar dhe armatosur shumë vjet para fillimit të Luftës së Kosovës guximin qytetar.

Le të thuhet në fund se ky libër është botuar në kohën kur në Beograd kishin filluar të botoheshin artikuj dhe vepra të akademikëve serbë për Kosovën, si ajo e Bogdan Bogdanoviqit “Knjiga o Kosovu”, dhe sidomos shumë artikuj dhe vëllime me studime për çështjen serbe nga akademikët Dobrica Qosiq, Kosta Çavoshki, Lubomir Tadiq, Miodrag Joviçiq, Predrag Pallavestra, Aleksandër Petrov, Mihailo Markoviq, Radovan Samarxhiq etj., dhe vetëm disa vjet para veprës shumë të referuar “Çështja shqiptare – historia dhe politika”  (1994).

[29] Në këtë vepër veç tjerash janë botuar studimet, esetë, trajtesat, diskutimet për Mark Krasniqin dhe censurën, për demokracinë dhe Faik Konicën, për gjuhën e njësuar letrare dhe ideologët e kombit, për Këshillin Kombëtar të Kosovës dhe kundërshtarët e pajtimit kombëtar, për Sali Berishen dhe “Mesharin” e Gjon Buzukut, për Pavarësinë e Shqipërisë dhe Robert Dolin, për servilizmin, staliznizmin dhe shakanë, për tarafet, televizionin dhe urrejtjen, për Vinston Çerçilin, Vudro Vilsonin, Xhejms Belushin dhe zhgënjimin etj. E menduar afërsisht si një vëllim që vazhdon një frymë të shkrimeve të Profesor Qosjes nga “Kontinuitetet”, “Panteoni i rralluar” dhe “Anatomia e kulturës”, ajo vazhdon traditën e veprave të tij që nuk vjetrohen.

[30] Le të theksojmë këtu se, në këtë vëllim veç tjerash janë botuar trajtesat eseistike dhe antropologjike të ndara në kapitujt: kultura dhe krijuesit, kultura dhe institucionet, kultura dhe mentalitetet dhe kultura dhe kritika, e ku veç tjerash janë botuar esetë edhe sot aktuale: për gojëtarinë, intervistën e popullarizuar, tiraninë e modës, reklamën dhe vlerat shpirtërore, bazat e kulturës, botimet kritike, poetikën e demagogjisë, filozofinë e heshtjes, estetikën e snobizmit, anatominë e provincializmit, psikologjinë e mediokriteteve, mentalitetin e mikroborgjezit, strukturën e primitivizmit, apologjinë e polemikës, diletantizmin e kritikës e të tjera e të tjera.

[31] Është njëra prej trajtesave më të mira që është shkruar ndonjëherë në studimet shqiptare kundër politikanëve, shkencëtarëve, filozofëve, studiuesve dhe shkrimtarëve serb. Në trajtesën “Dobrica Qosiq dhe çështja shqiptare” (1989), ai ka bërë analizën më të plotë të konceptet e tij për shqiptarët dhe serbët. Le të sjellim vetëm një fragment:

·   “Dobrica Qosiq e quan veten demokrat dhe vullnetin e popullit serb e çmon ligj suprem në jetën e Serbisë, por vullnetin e popullit shqiptar, të shprehur në mënyrë demokratike dhe paqësore në Kosovë, ndërkaq, e quan kundërrevolucion;

·         ai e quan veten demokrat që tubimet e serbëve dhe të malaziasëve i konsideron rilindje kombëtare, por tubimet e shqiptarëve i konsideron kryengritje shqiptare;

·         ai e quan veten demokrat që grevat, peticionet, protestat, solidarizimit publike me viktimat e represionit dhe të padrejtësisë i quan institucione të shoqërisë demokratike dhe të civilizuar, por shqiptarëve nuk ua pranon të drejtën që të bëjnë grevë, as të shkruajnë peticione, as të protestojnë, as të solidarizohen me viktimat e dhunës shtetërore dhe të padrejtësive që u bëhen në Serbi;

·         ai e quan veten demokrat që thotë se për ndryshimet kushtetutare mund të vendos vetëm vullneti politik i popullit, por me gjithë qejf pajtohet që vullneti politik i popullit shqiptar të Kosovës mbi ndryshimet kushtetutare më 1989 të shtypet me vullnetin e tankeve;

·         ai e quan veten demokrat që vazhdimisht flet për potencialin demokratik të popullit serb, por plotësisht jodemokratikisht nënçmon nevojat e brendshme, shpirtërore të popullit shqiptar për jetë demokratike;

·         ai e quan veten demokrat që përpara shumë intelektualëve të tjerë në Jugosllavi ka filluar të angazhohet për shtetin juridik, por nuk i pengojnë aspak institucionet e shtypjes dhe të terrorit të shtetit partiak në Kosovë;

·         ai e quan veten demokrat që me vjet ka luftuar kundër presionit të burokracisë politike mbi inteligjencinë kritike në Jugosllavi, por me asnjë fjalë nuk reagon ndaj izolimit dhe persekutimeve të tjera të intelektualëve shqiptarë;

·         ai e quan veten demokrat që angazhohet për pluralizmin politik, por mendimet e kundërta të intelektualëve shqiptarë nuk ngurron fare t’i quajë armiqësore;

·         ai e quan veten demokrat që maqedonasit i përkujton se çfarë gjoja rreziku u kanoset prej shqiptarëve, “prej ekspansionit të fuqishëm shqiptar”, por me asnjë fjalë nuk i përkujton se çfarë politike shtypëse bën regjimi maqedon ndaj shqiptarëve duke ua shkelur të drejtat themelore njerëzore dhe kombëtare;

·         ai e quan veten demokrat që angazhohet për njësinë kulturore të serbëve në Jugosllavi, por kurrsesi nuk e vëren pengimin që i bën Jugosllavia, nën presionin e Serbisë, çdo komunikimi kulturor, ndërmjet shqiptarëve në Maqedoni dhe shqiptarëve në Kosovë, ndërmjet shqiptarëve në Jugosllavi dhe shqiptarëve në Shqipëri;

·         ai e quan veten demokrat që ngre zërin kundër përshtatshmërisë moralo-politike si kusht për punësimin për punët publike, por nuk vëren theksimin e përshtatshmërisë si kusht për studimin e shqiptarëve të rinj dhe për punësimin e prindërve të tyre;

·         ai e quan veten demokrat që përkrah, madje që frymëzon, homogjenizimin e serbëve, por nuk e kundërshton diferencimin politik dhe policor të shqiptarëve që, përpos të tjerash, ka për qëllim dezintegrimin dhe shkatërrimin shpirtëror dhe moral të popullit shqiptar;

·         ai e quan veten demokrat që e kundërshton ndjekjen penale të Jovan Opaçiqit për shkak të mendimit dhe të veprimit politik, por nuk e kundërshton ndjekjen penale të mija shqiptarëve për shkak të të njëjtave veprime;

·         ai e quan veten demokrat që e ka fare të qartë përmbajtjen e nocioneve barazi dhe pabarazi ekonomike e shqiptareve të Kosovës, në Maqedoni dhe në Mal të Zi është gjithnjë e më tragjike, sepse është gjithnjë e më e madhe;

·         ai e quan veten demokrat, demokrat dhe humanist, që angazhohet për paqe dhe mirëkuptim mes njerëzve e popujve, por me asnjë fjalë nuk e kundërshton terrorin politik dhe shtetëror serb mbi popullin shqiptar dhe nuk distancohet nga regjimi që aq brutalisht derdh gjakun e djemve dhe të fëmijëve shqiptarë nëpër trotuaret e Kosovës!

·         E të tjera. E të tjera!” (1990:328/329).

[32] Shih, “Fjalori demokratik” (1997/5).

[33] Shih, “Fjalori demokratik” (1997/506).

[34] Shih veç tjerash intervistën e Qosjes dhënë gazetës së popullarizuar “Mlladina” të Lubjanës (1988).

[35] Shih, fjalën e mbajtur në Kongresin e Lidhjes së Shkrimtarëve të Jugosllavisë (1985).

[36] Shih, veç tjerash polemikat e Qosjes në gazetën letrare “Književne novine” të Beogradit (1985)

[37] Shih, veç tjerash polemikat e Qosjes me Çashulen, në të përjavshmen zagrebaseDanas” (1987).

[38] Ismail Kadare, Identiteti evropian i shqiptarëve, 30 mars 2006. Sprovë. S’ishte mbushur as java e fillimit të bisedimeve të Vjenës për statusin e Kosovës, e s’kishin kaluar veç disa orë që avioni i kryekomisionerit evropian Baroso, ishte ulur në aeroportin e Tiranës, kur murmurimat disi kaotike u shtuan. Ato u shfaqën madje edhe atje ku priteshin më pak, si për shembull, në ndonjë deklarim të akademikut nga Kosova, Rexhep Qosja.

Thelbi i shkrimit të tij “Identiteti kombëtar dhe vetëdija fetare”, është përpjekje për të treguar se shqiptarët vetëm përgjysmë i përkasin qytetërimit evropian. Sipas Qosjes shqiptarët s’kanë pse të shtiren si evropianë, ngaqë ata “i takojnë qytetërimit islamik hiç më pak së qytetërimit të krishterë”.

I turbullt, i cekët dhe i pasaktë, akademiku bie në kundërshtim me vetën dhe shkrimet e tij të mëparshme ku ai me të drejtë, ka qenë ithtar i vendosur i tezës se atdheu është një, e fetë janë tri, pra, nuk janë fetë ato që kushtëzojnë identitetin por tjetër gjë. E megjithatë, kur vjen puna për të vërtetuar evropianizmin e munguar shqiptar, Qosja përdor pikërisht fjalët “islamik” dhe “i krishterë” thua së një shqiptar i krishterë mund të jetë evropian, por një shqiptar mysliman, kurrsesi!

Por keqkuptimet në shkrimin e Qosjes nuk janë vetëm këto. Përveç nervozizmit të papërligjur ndaj asaj tradite kulturore që ka qenë lidhur me katolicizmin e hershëm shqiptar, nervozizëm që nuk lë pa prekur mbajtjen e portretit të Nënë Terezës në institucionet e Kosovës, në këto shkrime spikat diçka e errët dhe e rrezikshme: ndarja e identitetit shqiptar.

(...)

Rexhep Qosja ka të drejtë kur thotë së nëse shqiptarët do të kishin ruajtur besimin fillestar, rikthimi i tyre në Evropë do të kishte qenë më i lehtë. Por kjo keqardhje e tij, nëse mund ta quanim kështu, bie ndesh me këmbënguljen së gjysma jonë i përket ndërkaq qytetërimit lindor. Me këtë pranohet ngadhënjimi i vonuar i shtetit osman. Me këtë pranohet së në gjithë gadishullin ballkanik i vetmi popull që u thye, qoftë edhe përgjysmë, ishim ne.

(...)

Ideja e përhapur andej-këndej, dhe fatkeqësisht e përkrahur nga Qosja, se “fati ynë historik është i paracaktuar për të sendërtuar zbutjen e kundërshtimeve midis Lindjes dhe Perëndimit”, të kujton një nga njollat e historisë shqiptare, kapardisjen e Shqipërisë komuniste për kinse misionin e saj planetar për mbrojtjen e marksizëm-leninizmit.

 

[39] Teksti në kursiv, në origjinal është me shkronja të mëdha.

[40] Nga romani Vdekja më vjen prej syve të tillë, Prishtinë,  1974, f. 295.



(Vota: 4 . Mesatare: 2/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora