E shtune, 20.04.2024, 02:54 PM (GMT+1)

Mendime

Baki Ymeri: Dhelpra e Ballkanit

E shtune, 26.01.2008, 01:27 PM


Çuditemi se si Serbia nuk ka qenë në gjendje deri tani të kuptojë se sot një shtet duhet të jetë së pari i civilizuar, i ndritur si një diell, që të mund ta tërheqë botën e errësirës në dritë,  në mënyrë të lirë, por jo t’i tërheqë me forcë në errësirë disa popuj shumë më të ndritur!
 
(Artikull i botuar në Bukuresht, në të përjavshmen Shqiptari (Albanesul), nr.25/1889)

  
Kemi thënë se kremtimi mbi  ngjarjen e Kosovës fsheh në vetvete një bërthamë të rrezikshme kundër integritetit të Turqisë dhe Austro-Hungarisë. Ky kremtim ishte me këtë rast një pjatë me dy faqe karshi Europës. Duke e parë se Fuqitë e mëdha nuk kanë dyshim ndaj këtij kremtimi, Serbia u  grabit të përgënjeshtrojë lajmin e të sigurojë fuqitë për pastërtinë e qëllimeve të saj…Këto sigurime, ndërkaq, ishin dinake, ngase Serbia nuk e mbajti fjalën siç ishte fjala, por i doli dyftyrësia menjëherë në shesh.
           
Kremtimi u mbajt në Krushevë. Këtu u vendos të ngritet një monument për ta përkujtuar evenimentin e Kosovës tani e 500 vjet më parë. Për inaugurimin e fondamentit qe ftuar edhe Mbreti. Në mes të qytetit, në vendin e monumentit, u ngrit rastësisht një portë triumfale, mbi të cilën shkruhej qëllimi
  i kremtimit. Çka mendoni se u shënua mbi këtë hark të triumfit? Ja se çka: “Vetëm bashkimi do ta shpëtojë Serbinë”. Ky mbishkrim, i analizuar veçmas, nuk është veçse një farsë e pafajshme, por i vënë në lidhje me atë që pason, është tejet kompromitues. Dhe ç’mendoni se pason? Diç që e skandalizon tërë botën: janë të shënuara të gjitha viset me të cilat ka shije për t’u ntrashur Serbia, domethënë mikja dinake e Turqisë dhe Austrohungarisë. Ja se çka shkruan:
 “Serbia-Bosnja-Serbia e Vjetër-Hercegovina-Maqedonia-Zeta-Banata-Sirmia-Kroacia-Baçka-Dalmacia-Sllavonia.”
           
Don të thotë se Serbia don ta gëlltisë tërë rajonin mesdhetar të Austro-Hungarisë dhe tërë Gadishullin Ballkanik, ngase Epiri dhe Trakia që kishin mbetur të pashënuara në portë, vijnë vetvetiu, porsi miza përdhese mbi kapelën e priftit. Serbia në këtë mënyrë don t’ua mbyllë me përsosshmëri Ballkanit dhe Karpateve portën e civilizimit perëndimor dhe ti lerë të shuhen në errësirën e lindjes. Do të donim që të përgjigjet Serbia: si mund të pajtohet dinakëria e këtij mbishkrimi me sinqeritetin e premtuar Europës nëpërmjet qarkullores diplomatike të 8 qershorit të këtij viti, përmes së cilës i siguron fuqitë e mëdha mbi pastërtinë e qëllimeve të këtij manifestimi kombëtar Serb?...
           
Dhelpra e ngrirë në stepat e Veriut vjen të strehohet e të shkrihet në klimat e ngrohta e mirëbërëse të Ballkanit, dhe pasiqë këndellet një çik, i vjen shija për t’i ngrënë të gjithë zogjtë mikpritës, dhe po aq të mëdhenj, të Ballkanit. U munduam t’i gjejmë Serbisë ndonjë të drejtë të vogël me të cilën do të mund t’i legjitimonin sado pak këto qëllime, dhe nuk gjetëm askund asgjë. Një epokë e vogël, e parëndësishme dhe fort e shkurtë, e ka patur edhe ajo në shekullin e XIV-të, dhe tani i ka ardhë shija, porsi breshkës, të fryhet më shumë se ç’duhet dhe të bëhet sa një buall, verës me rezidence në Konstantinopojë, për t’i vënë bazat e lindjes së pasur, ndërsa dimrit në Timishoarë, ku do të mund të marrë pjesë pa vështirësi në ballot e Karnevalit, që të luajë kazakisht me Boheminë dhe Galicinë, që të mos pëlcasë ngase e ka lëkurën tejet të ngushtë.
           
Pastaj, në bazë të një të drejte të këtillë, aq absurde, do të mund që edhe ne Shqiptarët t’i pretendojmë sot të gjitha viset të cilat i pat përvetësuar dikurë Aleksandri i Madh i Maqedonisë, do të donte poashtu edhe Rumania t’i pretendonte të gjitha provincat që i posedonte Perandoria Romake, dhe si do ta ndjente veten Serbia atëherë, dhe ku do të arrinim me pretendime të këtilla ekstravagande? Mos vallë i han lëkura Serbisë dhe ka nevojë për ta kruar një çik, apo është ngopur me pavarësi dhe don të bëhet përsëri pronar?
           
Çuditemi se si Serbia nuk ka qenë në gjendje deri tani të marrë vesh se sot një shtet duhet të jetë së pari i civilizuar, i ndritur si një diell, që të mund ta tërheqë botën e errësirës në dritë,  në mënyrë të lirë, por jo t’i tërheqë me forcë në errësirë disa popuj shumë më të ndritur! Dalmatinët dhe Kroatët kanë protestuar shumë kohë para këtij kremtimi, kundër intencave për t’i aneksuar, dhe me gjithë këtë, Serbia i do, dhe don t’i gëlltisë edhe përkundër dëshirës së tyre! Ka harruar ta shohë Serbia se gjendemi në shekullin e XIX-të.

(E gjeti në Bukuresht dhe e përktheu nga rumanishtja: Baki Ymeri)



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora