E premte, 19.04.2024, 08:47 PM (GMT+1)

Përjetësi » Lushaj

Zeqir Lushaj: Revolja mbi tavolinë

E hene, 02.05.2011, 07:57 PM


REVOLJA MBI TAVOLINË

 

- Triptik –  (Tropojë-Tiranë-Tepelenë)

 

Nga Zeqir Lushaj

 

Pak radhë, në vend të një bisede shoqërore, të një mesazhi miqësor, për ata shqiptarë, që, pa gjë të keq, e pa pikë droje i hapin rrugë vesit, e, venë dorë tek virtyti, që, për asgjë,e cënojnë tjetrin, madje, edhe deri te jeta.Se nga erdhi kjo dukuri, sidomos, këto vitet e fundit, një dreq e din! Veçse, një gjë, duhet të dihet mirë, kjo dukuri negative, nuk është e jona, nuk është shqipëtare. Edhe një gjë tjetër, duhet ta mbajmë mirë “vëth në vesh”. Kështu, kërkush në botë, nuk na pranon në mijëvjeçarin e tretë të qytetërimit njerëzor...

Në luftën tonë të përbashkët, kundër dukurive negative, e sidomos kriminalitetit gjithnjë në rritje, ndoshta, më shumë se disa leksione moralizuese, kanë një efekt për mirë,

shembujtë konkret nga jeta jonë e pasur shqipëtare. Dhe, shembujtë e virtytshëm, janë të panumërt. Nga blloku im i shënimeve si gazetar, kam nxjerrë këtë triptik, që mund ta lexoni më poshtë:

 

1.Selim Brah Doçi, ishte burrë

 

Qeleshexhiu kosovar, e kishte shtëpinë në Pazar të Ri, në mes të Tiranës. Këtu e 20 vjet të shkuara, trokita, për herë të parë në derën e Hajdar Kastratit, aty, djathtas, në katin e dytë,

sipër tunelit të pallatit. Doja një qeleshe për babën, për tia dërguar në Tropojë. Hajdari, me mirësjellje, më futi në shtëpi, në dhomën e pritjes, më solli një karamele dhe, u ul afër meje,

duke filluar menjëherë bisedën:

- Të futa në shtëpi, brenda, o djalë, se kam respekt për tropojanët. Ju, tropojanët, jeni burra të mirë, jeni burra me besë!, - tha, me një bindje admiruese.

- Ka turlifarë tropojanësh, axha Hajdar, - e ndoqa unë bisedën, për tu treguar edhe pak modest përpara atij komplimenti shumë joshës.

- A e njeh Selim Brah Doçin, - more djalë? - pyeti, tërë seriozitet, ai burrë thatanik, i gjatë dhe shumë energjik, tipik malësor.

- Po, - i thash, me buzë në gaz. - E njoh mirë, Selim Brahën.Baca Hajdar, mu afrua edhe më shumë. E mbështeti dorën e tij, mbi dorën time, me shikoi ngultazi në sy, dhe më tha:

- Kapuçin për babën, do ta zgjedhi prej ma të mirëve.Por, do të vonoj pak kohë, se due me të tregue diçka për Selim Brahën. Meqenëse punoke gazetar në “Zëri i Rinisë”, eeeh,kushedi, jetë i thonë kësaj, ndoshta edhe mund të duhet dikurë.Dhe, i përqëndruar maksimalisht, tërë pasion, filloi të më tregonte:

... Ishin vitet e para të çlirimit, pas luftës... Kohë të vështira.Fukarallëk i madh. Bandat, ishin akoma në kambë... Me një kalë, të ngarkuar me mallra të ndryshme, po vija për herë të parë në jetën time, nga Gjakova në qytetin e Bajram Currit.Isha nisur nga Gjakova, e, ato mallra, do ti çoja në Lekbibajt e largët,

Pamje nga qyteti i Bajram Currit (Kolë-gecaj)
Pamje nga qyteti i Bajram Currit (Kolë-gecaj)
edhe, të paktën 10 orë rrugë, nga Kolgecajt, siç quhej athere. Hotel nuk kishte. Çfarë hoteli në ato kohë, o bir!... Isha, jo i lodhur, por, i dërmuar. Njeri të gjallë nuk njifsha. Ku të mbytesha? Çka me ba?...

Shoh, se afër meje, po kalon një burrë. Një burrë i gjatë,me një paraqitje tamam, fisnike. Nuk kisha rrugë tjetër, dhe ju drejtova atij burri, dhe e pyeta se, ku mund ta kaloja këtë natë, sonte? Ky burrë i vërtetë, e kishte kuptuar gjendjen time, pa folë unë, mirë hala. Pa një, pa dy, më tha:

- Këtë natë, do ta kalosh, në shtëpinë time, o mik!  Dhe,faaap, ma kapi kalin për freri!

  U befasova, por, i bindur se kam të bajë me një njeri të vërtetë, i shkova fill mbrapa, pa e pyet asnjë fjalë tjetër. Mbas pak minuta rrugë, më futi në oborrin e shtëpisë. E shkarkuam

kalin, e rregulluam mallin, dhe, Selim Braha, më prini, drejtë e në dhomë të burrave. Më bani një pritje, shumë të mirë. Jo si njeri që u takuam në rrugë, por, sikur më kishte thirrë mik! U

kenaqëm me muhabet... Eeee, ...

... Eeee, kur erdhi koha të flemë (se kjo, është kryesorja, e kësaj bisede) Selim Braha, më shtroi mirë e mirë, në dhomë të burrave, dhe më tha se: - Derën, e kie me çelës nga brenda,dhe, në daç, mbylle. Atëherë, me shumë lezet, pa thanë asnjë fjalë tjeter, hoqi revolën, që e kishte në brez, dhe, e vendosi në tavolinë, afër shtratit, ku do të flija unë! Aty e la! Tha: - “Natën e mirë”!  Dhe, doli...

Hajdar Kastratit, ju mbushën sytë me lotë. Me një za, që tashma i dridhej nga emocioni, shtoj:

- Selim Braha, ishte burrë!... Dhe, u ngrit tërë energji, i lumtur se, tregoi një mbresë,nga më të pashlyeshmet e jetës së tij. Dhe, sigurisht, këtë gjest burrërie të Selim Brahës, këtë befasim dinjitoz e fisnik, këtë rroman” të Hajdar Kastratrit, unë, jam i pari që po e shkruaj në gazetë, por, nuk isha i pari që po e dëgjoja...

Kaluan, jo më shumë se dy minuta, dhe, Hajdar Kastrati,hyri përsëri në dhomën e pritjes, ku isha unë. Tashma, me kapuçin e bardhë të babait tim në dorë...!

 

2. Automatiku i Mozës

 

Ka qenë viti 1972. Ishim student të Akademisë Sportive (IKF) “Vojo Kushi” dhe po zhvillonim stërvitjen ushtarake pranë Detashmentit të Zbulimit, në fshatin Zall-Herr të Tiranës. Në një stërvitje natën, në një marshim të gjatë e të lodhshëm, drejt Krujës, shoqes tonë shumë të mirë, mjeshtres së Sportit në Gjimnastike, Mimoza Maçit, i ndodhi një aksident në rrugë. Në vendin, ku ju dha ndihma e shpejtë, qoftë, nga ajo vet, por më tepër nga ata që e shoqëruan, u harrua në tokë arma e saj, automatiku!! Atë natë, Mozën e strehuam në një familje, dhe, që humbi automatiku, u mor vesh të nesermen, kur, gjithë efektivi, u kthyem në repart.

U krijua një situatë e jashtëzakonshme, një arlarm i vërtetë,që nuk do ta harroj kurrë. Nga Ministria e Mbrojtjes, e cila, u informua urgjentisht, vinin qendrimet e fjalët më të ashpra.

Nëse, brenda 24 orësh, nuk do rë gjendej automatiku, masat ndëshkimore do të ishin tepër të ashpra! (Unë, autori i këtyre radhëve, at kohë, sekretar i Komitetit të Rinisë, pra, dhe si

pjestar në jetën e Shtabit, por edhe si mik i komandantit të Batalionit, oficerit të zot, me përvojë e aftësi, Kutel Çino, isha shumë mirë, dhe shumë shpejt, në dijeni të ultimatumeve që

vinin nga lart).

... Mbi 200 studentë, që ishim në fushim (Kështu quhej stërvitja në terren), u vumë, natë e ditë në kërkim të automatikut të humbur. Një ndjenjë e rëndë përgjegjësie, turpi, por edhe frige, dominonte tek të gjithë. Nga Zall-Herri në Mukje e deri në Krujë, nuk mbeti ferrë a shkurre pa u kontrollue. Desh Zoti, dhe për gëzimin e të gjithëve, e gjetëm automatikun. Në çastet e fundit të skadimit të kohës në dispozicion, këtë kënaqësi e pata Unë, me dy student, miq të ngushtë të mitë, me Granit Skenderin nga Tirana dhe me Shpend Hoxhën, nga Tropoja!

... Automatiku, kishte mbetur në vendin që Moza bëri aksidentin. Duke u marrë me të aksidentuarën, u harrua automatiku, në tokë, në errësirë! Aty, ndanë rrugës, në një lëndine, e kaloi automatiku natën, në vetminë e tij dhe, të nesermën në mëngjes, një fshatar që po kalonte aty pari, e gjen atë dhe e merr e, e çon në shtëpi. Kur u hap fjala, dhe u bë alarm për armën e humbur, fshatarin e varfër e kapi friga ta dorëzonte, se, kushedi, si po merrte kjo punë!!... Ishim në Mukjen e “marrveshjes…”!

... Nejse, u gjet automatiku, të tjerat, harrohen!...

Tani, ish-studentja Moza, puro-tiranasja simpatike, Mjeshtrja e Sportit, njëra nga të gjashtë vajzat e burrit të nderuar Besim Maçi, është familjarisht në Greqi, bashkë me burrin, pedagogun e shquar të Gjimnastikës Arqile Marko (nipi i shkrimtarit të mirënjohur, Petro Marko, nga Himara e Bregdetit) dhe me dy fëmijtë e saj.

Jam i bindur se, në këtë kohë tallazash që lam pas, sidomos në vitin 1997 që sapo u mbyll, si Moza Maçit (Marko), edhe studenteve bashkëkohës të atyre viteve, do të u jetë kujtuar kjo ngjarje. Kjo ngarje, të cilën, unë po e hedh në letër dhe, jo pa qëllim po e botoj në gazetë! Automatiku humbi vetëm 24 orë, në aksident e sipër, dhe desh Zoti, u gjet, se, do të bëhej nami...! Diktaturë, hesapi!

Po sot, çbëhet në Shqipërinë tonë të dashur??!! Me vjen në mendje klithma e poetit këtu e një shekull më parë: Po sot, Shqipëri, më thuaj, si je...! ”... Depo të tëra ushtarake, të thyera, të vjedhura, të shkatërruara. Mitroloza, topa, mortaja, automatikë, granata, fishekë... , të çdo lloj kalibri, në dorë të fëmijëve të papërgjegjshëm, në dorë të hajdutëve e kriminelëve

kontrabandistë. Dhe, pa asnjë të keqe, në mes të rrugës, në mes të ditës, në mes të Tiranës: bam, bam, bam... Politika, e ka gjetë barkën e shpëtimit; - Poshtë komunizmi!

A mjafton vetëm kaq?!... Bam, bam, bam!…Bam, bam, bam!… dhe... Përveç të tjerave, qindra jetë, të prera në mes!

 

3. Si do të jesh, o Sali Hajro?

 

Një burrë, rreth dy metro, i gjatë. Sa i ashpër, në paraqitje, aq fisnik e zemërbardhë në shpirt. E quajnë Sali Hajro. Eshtë nga Luftinja e Tepelenës. Një herë kam qenë mik në shtëpinë e Tij, këtu e 10 vjet të shkuara. Kam shkruar për xha Saliun dhe familjen e tij në shtypin e kohës. Në këto vite të trazuara, kam pyetur shpesh edhe për xha Saliun e Luftinjës, për Sali Hajron (Latifi). Sa herë kam thënë me vete: “Si do të jeshë, o Sali Hajro”?

E di, se, nuk do të jeshë mirë! Si mund të jetë mirë, shpirti i pastër i Sali Hajros, në këto kohe kaq të turbullta që po kalon vendi, shtëpia jonë e përbashkët, me emrin, Shqipëri?

Kur, këtu e para dhjetë vjetësh, isha mik, bashkë me kusheririn tim të parë, Qazim Lushaj, në shtëpinë e xha Saliut, e dini çbëri ai?! I tha të birit, shokut tim, Hajros: - Merre pushkën e gjatë. Del në oborr, dhe, zbraze një herë. Le ta marrë vesh tërë fshati se, na kan ardhur miq. Miq, nga Dragobia e Bajram Currit! Dhe, vërtetë, pa një pa dy, Hajro, u ngrit, doli në oborr dhe, shtiu me pushkën e gjatë!

E, si mund të jetë mirë sot, Sali Hajro, kur sheh dhe degjon gjithë këto paudhësi?Paudhësi absurde, deri, në ndersime vëllavrasëse, krahinore, Jug-Veri? O Zot!

Por, di edhe diçka tjetër, për të cilën edhe kam bindje të thellë. E di, se si Sali Hajro, në Tepelenë, që nga gezimi, shtie pushkë në oborr për ardhjen e miqve të largët nga Veriu; si

Selim Braha në Tropojë, që udhëtarit, mysafirit të panjohur kosovar, i len revolen e tij mbi tavolinë, tek koka e shtratit... ,si këta burra, ka, dhe do ketë, kudo e gjithmonë, në Shqipëri.

Në çdo rreth, e, pse jo, në çdo fshat e qytet!

E dhimbshme! Vërtetë janë ngritur në këmbë llumrat e shoqrisë! Por, Shqipëria, nuk është e llumrave. Shqipëria, ka qenë, është e do të jetë e burrave të vërtetë, e njerëzve të virtytit human, të virtytit atdhetar. Mjerë ai, që mendon ndryshe! I humbur, do të jetë gjithmonë.

./.

USA, Shtator 1998

 

(Nxjerrë nga libri “Dyqani i mendjes”,i autorit  Zeqir Lushaj,me redaktor Sadri Rrahmani, botuar në Tiranë në vitin  2009 nga shtëpia botuese,“Kristalina KH”. ISBN: 978-99956-43-08-9 )

 

./.



(Vota: 14 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora