Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Agron Shele: Universaliteti i lirizmit Lasgushian në Letërsinë Shqipe

| E diele, 01.05.2011, 06:56 PM |


“Universaliteti i lirizmit Lasgushian në Letërsinë Shqipe”

 

Nga Agron Shele, WPS

 

Poezia e Lasgush Poradecit (Llazar Sotir Gusho) , është pa dyshim një nga poezitë më magjepëse, më impresionuese, më mbresëlënëse, më frymëzuese, e cila për nga stili, gjetjet artistike, forma poetike, muzikaliteti, ndërtimi harmonik i vargjeve, metrikës së ndjekur, dhe metaforave të përdorura me aq mjeshtëri dhe në mënyrë të pakrahasuheshëm me askënd tjetër, e identifikon këtë personalitet dhe korife të letërsisë tonë kombëtare, si lirikun më të madh dhe mbret të muzës shqipe. Arsimimi në shkollat tradicionale të kohës (Rumani , Greqi, Austri) ,kontakti me kulturat dhe frymën progresive, njohja me autoritet e letërsisë botërore, kryesisht lirikë, si ajo e Pushkinit, Lermontovit, Bllokut, Hajnes, Gëtes, Lanaut, Brehtit, Hygoit, Mysesë, Shellit, Bërnsit, Emineskut, etj, lanë gjurmë të thella në ndërgjegjien, formimin dhe autentitetin e tij krijues. Figurat kombëtare, si Asdreni ,Noli ,Çabej etj, shikonin tek Lasgushi personalitetin e ardhshëm, prandaj me shumë interes e vëmendje ata ndoqën e përkrahën artin dhe inteligjencën e tij, por për fat të keq kjo inteligjencë do përballej shumë shpejt me atavizmat që prodhoi regjimi totalitar ,i cili sundoi vendin për gati gjysëm shekulli. I endur përbrenda mistizmit të tij, gati në eremi të plotë, as i gjallë dhe as i vdekur, lënë qëllimisht në heshtje, ditëve dhe netëve të zbrazëtisë kohë, humbur udhëkryqe meditimesh, por ngritur në madhështinë krijuese, ai jetoi deri ne frymën e fundit si poet i dashurisë dhe lirisë .

 

Mi zall të pyllit vjeshtarak

Dremit liqeri pa kufi,

Ai ndaj fundesh u përflak

Posi me zjarr e me flori.

 

Vargje thellësisht të ndjerë, që të kthejnë e rikthejnë, për tu mrekulluar nga simbioza vjeshtë (mall) ,liqen (kthjelltësi) përflakje (perëndim) dhe zjarr (dashuri). Konvonime dhe artikulime të tilla janë strukturuar në mënyrë klasike, me vargje 8 –rrokësh dhe metrikë të puthitur ,por përbrenda kësaj hapësire standarte poeti gjen forcën spirituale dhe shpërthen.

 

Se s'dashuronja-as un' as ti,

Po dashuronte dashurija:

 

Vargje tipike Lasgushiane, vargje që depërtojnë me tjetër timbër dhe ëmbëlsi në ikoshiencën tonë ,vargje që çmendin të pashtershmen ndjenjë dhe nga thellësia e përtej shpirtit kulmojnë me të tilla gjetje profarme . Lirizmi, si mishërim i shpirtit fluid, si frymëzim që kapërcen kufijtë mistikë të liqenit vagëllim ,si refleksion i sintetizimit të valës fshehtësi, si abstraksionon i subkoshiencës kreative të vetë autorit, shpalos më së miri atë botë pasionante që tejçon në thirma dhe pasthirrma të një akuartiteti të tërë romantik. Gjithë aurora poetike, ka për lajmotiv dashurinë dhe përbrenda kësaj suaze, trajtohet ndjeshmëria poetike me të gjitha grafikat e saj, figurën, ritmin, rimën, sigurisht dhe ngjyrimin stilistik. Është thelbësore që për një analizë të mirfilltë të veprës lirike të Lasgushit, përqëndrimi estetik të bazohet në një sërë komponentesh si: (ana kompozicionale, harmonizimi i elementeve jetesorë + elementë natyrorë, përzgjedhje stilistikore dhe simbolika e përdorur)

 

Dashuri! Heu! Mall i ri!

Dashuri! këng' e durimit!

Ti liri! Ti robëri!

Ti valim i shkrepëtimit!

 

I gjithë percepetimi poetik referohet dhe mbetet aty “tek Dashuria”,tek ajo ndjenjë që rikthen të tjera emocione, tek ai mall që fshehet zhargonëve më të thellë të shpirtit, tek ajo thirrmë që djeg dhe shkrepëtin zemrat njerëzore, tek ajo pamundësi rezistuese që shpesh herë e bën njeriun të përvuajtur. Shumë poetë globalë e kanë hyjnizuar këtë ndjenjë sa të brishtë po kaq dhe të pafaj, shumë të tjerë i kanë kënduar me shpirt dhe me zjarr, të tjerë poetë kanë observuar me dithirambët e martirizuar përbrenda ndjenjës së tyre, ndërsa Lasgushi me teknikat e përdorura dhe orgjinalitetin e vet, sinkronizon romantizmin me klasiken , traditën me moderrnen, bukurinë vrastare me ëmbëlsinë e vargut.

 

Po çdo ëndërr që më shfaqet prej skëterrës së pafund

çdo mendim i llaftaruar që më dhemb e më përtund,

Duke rënë prej së lartash posi pikë zemërate

T'i përshkohet për-së-thelli bukuris' së qenies sate.

 

Një bosht i tërë lirik, që fjalë pas fjale, varg pas vargu, poezi pas poezie ngrihet përherë e më emocionalisht, përherë e më artistikisht, që të mahnit ,të habit, sigurisht që të bën të kuptosh bukurinë dhe fuqinë e mendimit lirik ,pse jo dhe filozofik, të së përditshmes jetë dhe vetë qënësisë së saj. Lançimi i elementëve të inkoshiencës, ëndërrat dhe pasioni, mendimet haluçionalë dhe shkallinat llaftari ,percepetuar dhe ngritur në magjinë art, të përshkruara për së thelli, tej zemrës, tej shpirtit, tej dhimbjes, tej bukurisë vrastare që rrëzëllon kurmin e feminilitetit femër, përbëjnë dhe esencialen lirikë të vetë poetit.

 

Po çdo ëndërr që më shfaqet -- prej skëterrës së pafund

çdo mendim i llaftaruar -- që më dhemb e më përtund

 

Antiteza e përdorur nga autori, tregon jo vetëm finesë dhe stil, por edhe gjetje letrare, e cila shpreh më së miri forcën e vargut, bukurinë e tij, muzikalitetin dhe nivelin e lartë artistik. Në kontekstin e përgjithshëm, nisur nga metodat krahasuese të mbarë poezisë së tij, këto vargje në dukje flasin për shije letrare të njëjta, por po të depërtosh më me mprehtësi, sigurisht që do ndeshesh me këndvështrimin tjeter, sepse vargje të tilla kanë botë, ngjyra, hapësirë dhe kohë, kanë thjeshtësinë dhe lehtësinë e gjuhës së përdorur, por gjithashtu kanë dhe thellësinë e mendimit që sintetizon pa reshtur forcën shpirtërore me terminologjinë fjalë, botën emocionale me shtjellimin e idesë .

 

Përballë hapësirave letrare sot, e cila ndryshon dhe evolon çdo ditë, universaliteti i mendimit lasgushian në letërsinë shqipe bëhet përherë e më evident, përherë e më profarm, dhe ashtu : si kthjelltësia e liqenit që e deshi aq shumë, si bukuria e vashës që ngrihej përmbi “Kumtër”, si ëndrrat e humbura netëve yje shumë, si loti i dhimbjes për tokën e përvuajtur, si shpirti trazuar nga prekja e lirisë, ai do rrëzëllojë pareshtur madhështinë e artit të krijuar .