E premte, 19.04.2024, 06:54 PM (GMT+1)

Kulturë

"Rocky" rikthehet për herë të gjashtë

E merkure, 29.11.2006, 09:05 PM


Stalone: Një luftëtar nuk duhet të bëjë seks para betejës

Kur ajo mori vesh se i shoqi tashmë do të luante në një seri tjetër të boksierit legjendar me tone epike, Jennifer Flavin qau. Ish-modelja, sipas një lajmi të botuar së fundmi në të përditshmen skoceze "Daily Record", kishte frikë se mos i shoqi i saj vdiste gjatë xhirimeve të filmit. "Në thelb kishte të drejtë. Ajo donte ta ruante kësisoj të shoqin nga ndonjë ide e çmendur", citohet të shkruante gazeta skoceze, pasi kishte folur me Stalonen. Gjatë xhirimeve, ylli i filmave aksion, në fakt ka ndjerë goditjen që të jep mosha: "Unë e di se shumë aktorë të tjerë për një rol të tillë do të duhej të punonin 12 orë në ditë. Unë kam harxhuar për këtë tre orë e gjysmë apo katër orë në ditë stërvitje, pasi nuk mund ta rëndoj trupin tim më shumë", ka thënë "Rocky" më tej. Gjatë seancave të vrapimit, ai ka ndjerë dhimbje në gjunjë e në vithe. Gjatë xhirimeve për serinë e re të "Rocky"-it, ai i është përmbajtur gjithashtu një vetëndalimi të rreptë në kryerjen e marrëdhënieve seksuale: "Në çdo trup fshihet vetë një farë energjie dhe unë e di se disa atletë në film nuk i janë përmbajtur këshillave për të mos bërë seks, kurse unë po, pasi e dija se ajo është rruga e vetme që filmi të dalë me sukses", tha aktori i famshëm. "Njerëzit që luftojnë, të gjithë i rrinë larg seksit. Nëse ata nuk e bëjnë këtë, atëherë humbasin". Ai ishte më se i bindur se nëpërmjet vetëpërmbajtjes e tërheqjes, potenciali agresiv te njeriu rritet, edhe kur kjo përmbajtje të duket shumë e rëndë. Me gjithë lodhjen që të japin xhirimet e këtij filmi me skena të vështira, Stalone është i kënaqur me jetën e deritanishme: "Jam me të vërtetë mirë. Unë jam më i lumtur se sa ç‘kam qenë më parë", tha babai i pesë fëmijëve. Ai tha më tej se ishte shumë i lumtur për fëmijët e tij dhe gjithashtu për martesën e tij me fat. "Rocky" i parë u shfaq në kinema në vitin 1976. Më tej ai njohu edhe katër seri të tjera, të gjitha shumë të suksesshme, ku Stalone tashmë identifikohej nga shumëkush si Roki Balboa.

Kush është Silvester Stalone

"Rocky"-it ai ia bëri vetë skenarin

Silvester Stalone (emri në origjinal: Sylvester Stallone) ka lindur më 6 korrik 1946 në Nju-Jork dhe është fëmija i një familjeje me origjinë italiane. Në bibliografitë botërore njihet si aktor, regjisor filmash dhe skenarist. Vëllai i tij, Frank Stallone, gjithashtu është aktor dhe këngëtar (autor tekstesh e kompozitor). Në fakt, nëpër biografitë e sipërpërmendura hidhen hije dyshimi mbi karrierën profesionale artistike të Stalones në hapat e saj të para. Kështu është zbuluar, por jo theksuar fakti se kur ishte 25 vjeç, Stalone ka luajtur si aktor kryesor në një film porno me titull "The Party at Kitty and Stud‘s" për një pagesë qesharake prej 200 dollarësh. Stalone më pas ka luajtur edhe role të vogla në filmat e Woody Allen si ("Bananas") dhe Dick Richards ("Go to hell darling!"). Ai që e bëri sigurisht të famshëm ishte skenari i filmit "Rocky", një dramë e një boksieri të panjohur nga Filadelfia. Frymëzimin për skenarin që ai e shkroi vetë, e mori nga rrëfimet e një boksieri të bardhë me emrin Chuck Wepner, i cili ishte ndeshur me ish-kampionin e madh të asaj kohe, Muhammad Ali. Stalone shkroi skenarin për "Rocky"-in dhe ua ofroi atë shumë producentëve filmash, me kushtin që ta merrte vetë rolin kryesor. Ai më në fund ia doli dhe me një buxhet prej rreth 1100000 dollarësh u bë kështu "Rocky". Filmi u shfaq nëpër kinematë botërore dhe në vitin 1976 rezultoi një sukses i madh ndërkombëtar dhe gjithashtu një "goditje fati" për vetë Stalonen, duke e bërë atë padyshim një yll kinemaje. "Rocky" u nominua më pas në dhjetë kategori për çmimin "Oskar" dhe fitoi gjithashtu çmimin si filmi më i mirë, regjia më e mirë dhe montazhi më i mirë. Seritë e shumta që pasuan më pas "Rocky"-in ishin gjithsesi më pak të suksesshme se sa versioni origjinal, porse i përgjigjeshin më së miri shpirtit të viteve ‘80 dhe kishin më shumë aksion. Kështu, Stalone, gjithsesi, mbeti njëri ndër aktorët më popullorë për publikun e gjerë gjatë gjithë viteve tetëdhjetë.

Stalone njihet edhe si Rambo

Një tjetër sukses do të vinte më pas me filmin tjetër komercial "Rambo". Në këtë film Stalone shfaqet kritik me luftën e Vietnamit dhe frymën që mbizotëronte asokohe në Amerikë. Si një veteran i Vietnamit, John Rambo kthehet në atdhe, duke parë se tashmë duhej të përballej në një luftë tjetër me bashkatdhetarët e tij. Rambo, gjithsesi, nga kritikët është vlerësuar me nota shumë kontroverse. Edhe në këtë rast Stalone xhiroi disa seri të tij. Ky film njohu sërish sukses dhe është pothuajse gjysma binjake e imazhit të Stalones, i cili qysh prej atëherë njihej tashmë herë si Rambo e herë si Rocky.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora