E shtune, 20.04.2024, 10:14 AM (GMT+1)

Kulturë

Dy poezi nga Agim Doçi

E diele, 01.05.2011, 05:29 PM


Agim Doçi

 

KU ASHT UKSHIN HOTI?!…

 

Zot i madh gjithmonë t'jam lutë

Se i jemi po m'a futë!

Unë që t'lutem jam shqiptarë.

A ke kohë pak, me ma varë.

 

Tek ky Glob që rrotullohet

Asht dhe toka e shqiptarëve.

Zot, pash nderin a t'kujtohet?!

Ku i kam trojet e t'parëve?

 

Se jam komb nën 5 flamurë.

Komb që han mishin e vet.

Komb që vdes për diktaturë!

Trim, hajdut, dinsëz milet.

 

Për inatë të mullixhiut

Shkoj e flejë me vjehrrën tande.

Jam me tru të sherraxhiut

Që ngacmoj grenzat me krande.

 

Fol pra Zot! Ma zgjat pak dorën!

Më thotë bota:- qen bir qeni!

'Ej shqiptar, shko pyete Vlorën!

Brenda vetes dreqin keni!

 

Ke kulturë, por shkolla dogje!

Ke flori, por je zhelan!

Veç kur flenë s'merresh me llogje.

Vetë me vete del n'mejdan!

 

Ti që mbrojte Krishtërimin.

Ti që Fé ndërrove tre herë.

Ti që Babë bëre Stalinin.

A ke besë? Atdhe e Nderë?

 

Zëri i Zotit bubulloi.

Tundi kodër, fushë e male.

Pyes veten dhe mendoj

A kanë fund o Zot k'to halle?

 

Kam n' Flamur zog me dy krena

Një zog-monstër, shenj Sllavije.

Prej aty merr cakun rrena

Bash aty vjen erë tradhtije!

 

Fluturo shqiptar drejt qiellit.

Çaj hapsirat anë e mbanë!

Galaktikat mbrapa diellit,

Me dy krena shqipe s'kanë!

 

Ku e gjete atë farë simboli?

Që Flamuri jonë e mban?

Me dy krena kush e polli?

Katolik e mysliman!

 

Nji Kosovë. Tjetra Shqypni

Njëra plagë e tjetra kockë.

Me dy krena kuq e zi.

Njëra Gegë e tjetra Toskë

 

Eh mallkue qoftë kush e shpiku

Me coptue veten me dy.

500 vjet Turkia të fiku

500 vjet brinjët t'ka thy!

 

Gjer' në Jemen shkove ushtarë

Tokën tande e le në zor.

Shkodra s'kishte bukë me hangër

Ti në Bejrut, guvernator!

 

Si do e bëje Nënë Shqiprinë?

Ti që s'njeh as Ligj as Shtet!

Kur të vdiqën jashtë Atdheut

Burrat me cironka n' xhep!

 

Je i vetmi komb me huqe.

Që s'e don kulmin e shpisë.

Popull - Dem, që bojën e kuqe

Shkon ia merr uha komshisë.

 

Sot që rrugët e Evropës

Me gjak tandin i ke hapë.

Prapë drejtohesh prej eskortës

Që vjedh Ditë e që vjedh Natë!

 

Mos për gjakun e martirëve!

Mos për hatrin e lirisë!

Mos ia prish të ardhmen fëmijve!

Mos ia hap vorrin Shqypnisë!

 

Je mallkue nga Historia.

Je shqiponjë, s'je korb, as sorrë!

Nji formulë e ka Shqypnija:

Je bashkvuajtës e bashkfajtorë!

(vijon)

 

 

KU KEMI LERË?!...

Elegji

 

Në ç`vend kemi lerë?

Krenarë dhe të dhjerë?

Në Shqipëri!

Ku të hedhin më shumë baltë?

Dhe fajdet t’i grijnë paratë?

Në Shqipëri!

Ku jetojmë aq të gëzuar?

Xhepat bosh, derën e blinduar?!

Në Shqipëri!

Ku ka bakër, krom dhe ar

Po s`ke ujë as për t’u larë

Në Shqipëri!

Ku spiuni bën transparentin?

Ku vampirët bëjnë Parlamentin!?

Në Shqipëri!

Ku ta vrasin Deputetin?

Ku s`e pjerdhin Presidentin?

Në Shqipëri!

Ku Qeveria punon me banda?

Ku na mbanë gjallë veç kontrabanda?

Në Shqipëri!

Ku ka vlerë më shumë Gomari

Se shkencëtari apo shkrimtari!?

Në Shqipëri!

Ku Qeveria luan Nastradinin?

Ku sigurimsi të vjedh persekutimin?

Në Shqipëri!

Ku i veshin në kokë çorapet?

Ku kallashi i lanë hesapet!

Në Shqipëri!

Ku s’punojnë hiç Kombinatet!

Ku hajdutët ngrejnë pallatet?

Në Shqipëri!

Ku pëlcet, kërcet dyfeku?

Ku pa punë, fitohet leku?

Ku hedh valle serbi dhe greku?

Në Shqipëri!

Ku ka “paqe”, “rend dhe qetësi”?

Ku ujku për ujkun është njeri?

Në Shqipëri!

Ku jeton një popull e nuk ka të dytë?

Që bën sherr me veten dhe vetes i nxjerr sytë!?

Në Shqipëri!

Ku vishet gjithë populli më trim i botës

Me tesha të vdekunish të kurvë Europës!?

Në Shqipëri!

 

U privatizua vargu!

 

Hej milet!

Dallkaukë, letrarë, bejtexhinj dhe poet

Mblidhuni tek Sheshi i Poezisë!

Erdhi momenti i shumëpritur

Privatizohen vargjet, vjerrshat, poezitë

poemat, balladat e vlerat e Letërsisë,

merrini Antologjitë Letrare ku janë e ku nuk janë

fillojmë nga ato të shkruarat në pergamenë

nga autorë me emra të lashtë Taukrik, Taulant

Vraufrik, Hespant, Iprisht, Ibrisht

Ecni ndër shekuj tek poetët me mbiemra

justinianë dhe bizantinë

Zarisht, Bogdan, Ylenec, Jeronim,

ndaluni tek arbëreshët e Moresë

Gavril, Derad, Pal, Muzak, apo Golem

Blini Fishtën, shisni Koliqin, një Mjéd ndrrohet me dy Migjen!

Mblidhuni të gjithë me lajmërimin tem!

Do ndrrohet Naimi, Chajupi,Prenushi dhe Shantoja

Me poezi shkruar nga Mao Y dhe Go Mo Zhoja(!)

Mblidhuni pra mos humbisni rastin!

Sot hapet Tenderi i Privatizimit Epokal!

Tek Sheshi i Poezisë

Shisni Ismail Kadarenë dhe blini poetin Fekal!

Ka dalë nga gjiri i popullit!

Gjyshi i tij ka qenë Këshilltar në Hekal!

Bile dhe kryetar fronti...kryeçoban i dhisë!

Rapsod i orëve të para, që me porosi të partisë..

diskretitoj puçistat në gjirin e ushtrisë..

Nxitoni se vargjet po mbarohen!

Poemat shiten, blihen, privatizohen!

****at e Poezisë krihen, zbukurohen

gëzohen, pasurohen!

Në bordellet e vargut të thyer...

Mos humbisni rastin!

Poezinë kombëtare për ta këmbyer.

Nesër do privatizojmë Historinë!

Do këmbejmë Korçën e Gjirokastrën

të bëjmë Vorio Epirinë!

Mos humbisni rastin!

Sot privatizojmë Poezinë!

Nesër Historinë, Gjeografinë, emrat e mbiemrat!... etj., etj.

Nesër!...

Nesër ama!... pastaj?...

Pastaj na mbetet të privatizojmë Atdheun!

Dreqi le ta hajë!

Jepen falas Eposi i Kreshnikëve

Legjenda e Murimit!

Është rinovuar koncepti për Atdheun!

Tani kemi Bashkimin Europian

Atje mund të futemi pa Skënderbeun(!)

Gjin Bue Shpatën, Kont Uranin

Adem Jasharin, Zahirin, se qe besa na lodhën.

Privatizojmë fushat dhe malet e mandej

privatizojmë Kosovën!!!

(Oj medet!)

Si dikur Plavë e Guci...

Shkodrën e bëjmë Zonë të Lirë

(pa dalje në det...)

ndoshta e lëmë të shkojë me Mal të Zi.

Hej milet!

Mblidhuni tek Sheshi i Poezisë!

Privatizohet vargu atdhetar!

Shitet me shumicë!

Mblidhini kursimet tuaja shqiptarë!

Ejani dhe bleni vargjet me rimë, pa rimë.

Se Antologjia do muroset si Rozafa dhe jashtë do t’i lëmë vetëm një sisë...

Ka ardhur Koha e Mbrapshtë

Të pijmë qumësht të konservuar nga punishtet e Greqisë

Mblidhuni të gjithë

në Sheshin e Poezisë!

 



(Vota: 7 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora