Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Frank Shkreli: Dita Botërore e Lirisë së Shtypit

| E diele, 01.05.2011, 05:59 PM |


Dita Botërore e Lirisë së Shtypit

 

Nga Frank Shkreli

 

Organizata e Kombeve të Bashkuara, UNESCO ka njoftuar se përkujtimi i Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit do të mbahet sivjet në ëashington.   Konferenca ndërkombëtare titullohet: “Media ne Shekullin e 21: Mundësi të Reja, Pengesa të Reja”, duke theksuar në mënyrë të vecantë rëndësinë e Internetit, si një burim i fuqishëm informativ për publikun.   Konferenca e radhës organizohet zyrtarisht sivjet nga Departmenti Amerikan i Shtetit dhe bashk-sponsorizohet nga disa organizata jo-qeveritare.  

 

Dita Botërore e Lirisë së Shtypit festohet cdo vit, anë e mbanë botës, me 3 Maj.   Ky, sipas Kombeve të Bashkuara, është një rast për të nënvijuar  parimet themelore të lirisë së shtypit, si edhe për të vlerësuar lirinë e shtypit anë e mbanë botës, për të mbrojtur mediat nga sulmet ndaj pavarësisë së tyre dhe për të nderuar gazetarët të cilët kanë humbur jetën duke kryer detyrën e tyre.

 

Në deklaratën e Kombeve të Bashkuara me këte rast thuhet: “Në këte Ditë Botërore të Lirisë së Shtypit 2011, u bëjmë thirrje të gjitha qeverive të bashkohen me Kombet e Bashkuara për të garantuar dhe për të  promovuar lirinë e të shprehurit në shtyp, në radio-televizion si edhe në Internet.”

Ndërsa në një mesazh të Departmentit Amerikan te Shtetit që është organizuesi kryesor i kësaj konference për vitin 2011, thuhet se Shtetet e Bashkuara janë “të shqetësuara  nga vendosmëria e disa qeverive për të censuruar dhe për të heshtur individe të caktuar si dhe për të kufizuar shpërndarjen e lirë të informacionit.   Ne shënojmë ngjarjet si Dita Boterore e Lirisë se Shtypit brenda kontekstit të angazhimit tonë të vazhdueshëm në përkrahje të lirisë së shtypit dhe të zgjërimit të përhapjes së lirë të informacionit në këte shekull digjital.”   Dhe Sekretarja e Shtetit Klinton tha se “shtypi i lirë është jetik për një shoqëri të mirë-informuar, për një qeverisje të përgjegjëshme dhe për një zhvillim të nevojshëm ekonomik.   Kudo që sulmohet pavarësia e medias,  aty minohet liria njerëzore si edhe përgjegjësia qeveritare.”

 

Shtypi i lirë është gur-themeli i të drejtës së lirisë së të shprehurit dhe përbën një dritare nepërmjet së cilës mund të zbulohen të gjitha abuzimet e të drejtave të njeriut.   Me fjalë të tjera, liria e të shprehurit është , si të thuash nëna e të gjitha të drejtave të njeriut.   Por edhe gazetarët dhe media në pergjithësi kanë përgjegjësitë e veta.   Eduard R. Morrov konsiderohet si një figurë me rëndësi në gazetarinë amerikane.   Ai ishte njeriu që filloi gazetarinë transmetuese me valë të radios nepërmjet transmetimeve të tij nga Londra gjate Luftës së Dytë Botërore.   Për një kohë ai pat kryesuar Entin Amerikan të Informacionit, pjesë e të cilit ishte edhe Zëri i Amerikës ku kam patur nderin të punoj për pothuaj 30 vjete.   Ai besonte në lirinë e shtypit.   Me një rast ai e përmblodhi fillozofinë e tijë për një shtyp të lirë, me këto fjalë: “ Që të kemi mundësi të bindim të tjerët, ne duhet të jemi të besueshëm……e që të jemi të besueshëm, ne duhet të themi e të shkruajmë të vërtetën.”   Platforma e gazetarisë është që ajo të jetë e pa-anshme.   Kejo ështëpërgjegjësia e gazetarit dhe e botuesit.

 

Në ketë ditë që përkujtohet liria e shtypit anë e mbanë botës duhet të kujtojmë dhe të reflektojmë edhe mbi punën dhe kurajon e atyre individëve që gjatë diktaturës komuniste, jo vetëm anë e mbanë Evropës Lindore, por edhe në trevat shqiptare në Ballkan, për pothuaj 50 vjetë,me shkrimet dhe veprat e tyre të ndaluara nga regjimet komuniste, insistuan – shpesh duke e paguar me jetë –për lirinë e shtypit dhe për një të ardhme më të mirë për veten dhe për vendin e tyre.   UNESCO-ja po inkurjon të gjithë ata që festojnë Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit që të mbajnë një minutë heshtje në kujtim të gazetarëve që kanë dhenë jetën për të drejtën për të qënë të informuar, dmth për lirinë shtypit dhe të shprehjes së lirë.

 

20 vjete më parë, ra Muri i Berlinit dhe liria u vendos anë e mbanë botës komuniste në Evropë, pjesërisht si rrjedhim i punës dhe sakrificave të njerezëve parimorë, të cilët, shkruanin hapatzi dhe  fshehurazi,(nepërmjet atyre që quheshin “samizdat”, demonstronin dhe përpiqeshin të flisnin haptas duke kërkuar të drejtat dhe dinjitetin njerëzor, përfshirë edhe të drejtën e lirisë së shtypit.   është një përgjegjësi e rendë për gazetarët e ish-vendeve komunsite, që në këte Ditë Botërore të Lirisë së shtypit të angazhohen që të mos abuzojnë por të ruajnë me gjithe shpirt flakën e lirisë së shtypit, duke raportuar vetëm të vërtetën, duke ndihmuar kështu jo vetem fuqizimin e lirive në vendet e tyre, por edhe anë e mbanë botës. 

 

Ky pra është mesazhi i Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, e cila është një e drejtë themelore e njeriut, një pjesë përbërëse e cdo shoqërie tolerante dhe e hapur dhe është jetike për një shtet të ligjit dhe qeverisje demokratike, tha  Drejtoresha e Pergjithëshme e Unescos,Irina Bokova duke njoftuar, në të njëjtën kohë , se gazetari i burgosur Iranian, Ahmad Zeidabadi është këte vit fituesi i Cmimit të Lirisë së Shtypit në Bote, për “kurajon e tij të jashtzakonshme, për rezistencën dhe për angazhimin e tij ndaj lirisë së të shprehurit, demokracisë, të drejtave të njeriut, tolerancës dhe njerëzimit në përgjithësi.”