E shtune, 20.04.2024, 07:44 AM (GMT+1)

Kulturë

Vaso Papaj: Kravata e munguar

E shtune, 30.04.2011, 07:27 PM


Vaso Papaj

 

Kravata e munguar

 

Tregim

 

Po, ashtu ishte ajo ditë. Fundjanari e vakët si një ditë pranvere. Tina ishte nisur përgjithmon në atë rrugën e largët. Do të shkonim të gjithë për atje një ditë. I kishte lënë të tëra amanetet dhe ishte nisur. Vetëm pushkën varur s`kishte lënë, siç thoshte shpesh vitin e fundit, kur ajo e dinte fundin, ndërsa ne të gjithë nuk e besonim. Dhe amanetet ishin plotësuar: veshja, një kostum blu me një rrigë të bardhë, dy fjalët e fundit mbi varr, varrin vet e deri te kravatat. Të lidhnim të tërë kravata burrat e shtëpisë. I kishte blerë vet.

         Salloni i madh i shtëpisë tone ndrinte nga shandanët, ndërsa ajo prehej në atë shtëpizë vezulluese dërrasash që quhet e fundit, por që asnjë nuk e di nëse e fundit është!?...

         Seç kishte mbetur një buzëqeshje në fytyrën e saj atë ditë. Nur dhe buzëqeshje. Sikur donte të thonte: Ja ku jam. Lufta s’ka mbaruar. Edhe nëse iki, vij nesër përsëri.

        Tani e besoja se kishte trimëri në këtë jetë. Tani kur dukej sikur lufta ishte fashitur. Sytë kishin ulur siparin. Qirinjtë ishin ndezur. Buzët kishin mbyllur një buzëqeshje. Pushkë s`kishte gjëkundi varur. Sa e urrenim pushkën të gjithë në shtëpinë tone?!...

         Vetëm cërret e telefonit s`pushonin që s`pushonin. Sigurisht, im bir. Që larg. Ishte në të mbaruar arkitekturën në Itali. Por pa rinovim te soxhornos. Ç`tersëllëk?!...

         Ndiheshin dënesa që larg. Telefon që drithëron. Kushedi si bridhte, nga një kabinë në tjetrën. Binte zilja vazhdimisht. Dua të vijë, dua të vijë…Jo, rri aty mor bir! Mos lëviz! S`mund të vish. Edhe kjo na duhet. Mbetesh këtu. Shih diplomën, bir. Ja, kështu. Jemi ne të tërë këtu. Kravata lidhur, sigurisht. Fjala e fundit, ti e di. Ç`prish nëse mungon dhe një?!...Do ta varim tënden atje, në mur.Në dhomën e mesit. Atje ku shpirti i saj ende vjen rrotull.

          Seç të kujtohen ca episode të tilla këtyre fundnetëve të gjata dimërore, kur ti je në atë moshë që s`ke ç`bën. Je ngopur me atë pak gjumë.

         Dhe pas ca muajsh im bir qe kthyer. Me pergamenin e diplomës në një qyngj të zi, varur pas shpine si një pushkë. Me një kuti të madhe në dorë. Karton mbërthyer me skoç. Tema brenda. E diplomës. Shih, pa shih… Paska edhe një pëlhurë?... O Zot!...E bardhë, posi. Telaio që shtrëngon. Ç`farë kuadri!... Më mundon, më brengos. Dhëmbje të madhe do ta quaja, por edhe kravatë e munguar.

          Një blu, një e zezë, pak gri dhe ca tokata të verdha në një të bardhë qumësht. Shpirti i saj. Një valixhe buzë një plazhi. Varur në të, një kravatë e zezë. Një njeri që ulëret. Shtrëmbërim njeriu. Dhëmbjen e gjithë botës në një gojë shpellë. Don të kthehet, s`kthehet dot. Klithma, klithma në një sfond kodrash kurriz krokodili. E dija që kishe dorë, mor bir. Rrofsh, rrofsh! E solle përsëri mes nesh hallën tënde.

          Si është kjo jetë kështu?!... Ikin ditët, ikin vitet. Dhe ne të gjithë ikim e ikim e s`dime se ku. E vërteta, gënjeshtra, e mira, e liga, e gjitha kjo përzihet në një llojë çorbe. Gjithmonë. Dhe hahet kjo çorbë. Dhe të bën mire kjo çorbë. Lum ai që agjëron! Lum!...

          Dhe koha shkoi. Im bir punon tani në një studio private. Projekton, sigurisht. Atë që na vjen pas, nesër, pasnesër, një vit, dhjetë vjetë pas…Pas zgjedhjeve të korrikut, nisa një punë të re dhe unë. Si gjithmonë, punë të re. Sinusoidë punësh. Por, sidoqoftë, një punë. Sfida e fundit, besoj: Një provë me veten, me qytetarët e mi, me shkollën që s`e pashë e s`e gëzova kurrë, me mësuesit. Kam një entusiazëm që buron diku në thellësi. Kot nuk i takoj atyre që e ringritën këtë qytet nga rënojat viteve të mbretërisë. Duhet të ndreq gjithshka. Pak fjalë e shumë punë. Ç`farë shkollash!? Pesëdhjetvjeçare. Kazerma apo stalla?! Ec e gjeje… O Zot!

          Hartoj plane: renditje, përparësira, preventiva, rikostruksione, por dhe të reja: T`i shoh, t`i prek, ato që janë, ashtu siç janë, pastaj…Pastaj, pastaj, të kërkojë…

          E sigurisht, s`kisha si të mos shkoja së pari në atë lagjen periferike, në atë shkollën ku Tina kish kaluar njëzetepesë vite, me atë biçikletën e rëndë kineze që zbardhej çdo vit. Shi dhe erë, dimër dhe verë. Punë, luftë, këmbëngulje, dashuri, shumë dhemshuri. Gjithshka që i kishte falur Zoti, atje e kishte çuar. Ishte amaneti i saj, ndoshta shpirti i saj aty diku.

          E putha pragun atë ditë. Pa droje se më sheh dikush. Hej, drejtori po puth murin. Pastruesja i thoshte rojes. Shih, pa shih!...I preka me pëllëmbë shkronjat e gdhendura tek pllaka me emrin e profesorit tim të historisë. Dhe pëllëmbën e vura ballit. Shih, shih!... thoshte përsëri dikush…Profesor, diku këtu do të jesh edhe ti. Flisja me vete.Ta kam vënë unë emrin dikur. Kur ndodhën ndryshimet e mëdha. Si ishte puna?!... Si të bie fati?!...

          Dhe kisha vendosur menjëherë. Aty, në drejtorinë e shkollës. Mjaft më me një kazermë. Pse mos të thoshja stallë?!...Ai skaj qyteti ishte shtuar shumë viteve të fundit. Njëmijë nxënës kaluar. Tre turne, sigurisht. Nuk duroja dot. Mjaft më. Dhe i kalova të tëra burokracitë.

          Duhej një shkollë e madhe.Duhej një shkollë e bukur, si ajo. Duhej një nur. Pa baltë, pa llum, pa zhul. Po ec e hiqe zhulin po munde. Provoje po deshe. Zhuli dhe shpirti janë fejuar, janë martuar tashmë. Ndoshta kanë firmosur dhe bashkëjetesë. Ec e hiqe, po deshe. Gjykata nuk ta heq kurrë.Ah, gjykata!...

          Erdhën paratë më në fund.Qeveria po hapte thesin.Takime në Bashki. Pengesa: S`kemi projekte. Dhe para për projekt. Duhej prishur e vjetra... Po fëmijët? Fëmijët ku t`i çojmë? Janë njëmijë e ca. Në periferi. Jo, të dashur. Si, athere?!... Jau them unë, zotërinjë.Ta bëjmë si thotë ajo fjala e urtë: Mishi të piqet, helli…

          Mirë, ja. E di ç`kini ju? Nuk ma lini mua. Jua sjell unë. Të gatshëm, posi. Jam i marrë unë…Po, po… Kështu kam qënë gjithmonë. Gati do ta keni. Me standarte, sigurisht. Bëhet dhe paprishur. Do ta shohim. Jam i marrë unë…

          Eh, mor bir! Rradhën e ke ti. Për hallën tënde do ta bësh. Netëve, sigurisht. Të donte shumë. A nuk të thoshte shpesh??... Në shtëpinë e hallës bëj ç`të duash?!

         Bëj ç`të duash pra!... Bëja dhuratë, Bashkisë. Është e varfër, bir. S`ka para. Tetëqind miljon për shkollën i ka, tetë miljon për projektin  jo…

         Do ta bësh, mor bir! S`e mban kot emrin e heroit të Trojës ti. Ashtu ta vumë, posi. Në ç`kohëra se?! Digjej, kur po lindje ti. Të shpëtoje, pra. Të dhamë të madhen shpresë. Të dhamë fatin e tij. Po hirnosej bota e vjetër. Do të krijoje një të re, më të bukur, më të drejtë.

         Sa herë jam ngritur netëve të kësaj pranvere?! Përgjoja në të çarën e derës tënde. Ambazhur ndezur. Ti mbi skrivani përkulur, ambazhur i brishtë. Bëje të bukur, biri im. Klasa të mëdha. Dritëplota. Ashtu i donte ajo. Të ngrohta. Të mos ketë më nxënës këmbëzbathur që mbërdhijnë. Të mos ketë më dy vëllezër me një palë këpucë. As dy motra,jo.Këpucë me turne,kurrë më… Palestër, bir, mos harro! Bibliotekë, kompiutera… Ah, po. Gati më në fund, çdo gjë. Tri kopje plus CD, po… Mos harro.

         Jua dhuroj, të nderuar zotërinjë! Zoti Kryetar! Të ka mësuar ABC-n, Zoti Kryetar. Ime motër. Një dhe një bëjnë dy.

          Kisha një lehtësim në shpirt atë ditë. Amanet i kryer. Më vihej rrotull atë ditë tërë qytetit me makinë. Më dukej sikur do të më dilte para në çdo kthesë. Kravata e munguar s`do të ishte më ashtu.

         Ja dhe një cërr tjetër, natën vonë.

-Alo, zoti Drejtor! Më fal, zoti Drejtor! Natën vonë. Erdhi firma sot. Presidenti. –Fliste Drejtori i shkollës.- Nisi prishja sot. Jo atje ku thamë. Po më heqin çatinë. Klasat mbarë. Ku do të çojmë fëmijtë?!

           Dhe cërr cërre përsëri.

-Cila është kjo firmë, i dashur? Cili president?

-Ah, po. Po takohemi një here, mor burr! Një kafe. Të mirremi vesh. Është mision i shenjtë, besoj…Të përcaktojmë rradhën.

-Të përgëzojë , Drejtor! Do të punojë shumë. Edhe shpejt do të punojë. Apo s`ish projekt!? Pikë për pikë do t`i shkojë. E di , Drejtor?...Po të them një gjë. Nuk se do të kem ndonjë fitim ç`farë. Ndoshta dalë dhe jek e jek. Po shkolla është shkollë. Do ta bëjë. Do të të nderojë, Drejtor!

-I nderuar qofsh, or mik! Bëje! Ka shumë dashuri në çdo detaj. Do të lutem për këtë. S`është sekret po të ta zbulojë. Është e para punë serioze e tim biri. Kam merak. Desha që të mbetet nur gjer në fund.

          Fytyra e tij u çel sakaq. Goja i mbeti hapur. Shkrepëtima nxorrën sytë e tij. Dhe kafenë e ktheu me një frymë.

-Yt bir?... Si?...

-Po, or mik. Si mund të gënjejë?! Falas, shqip e do? Kisha për  t`i lidhur një kravatë tim biri. Një kravatë të munguar dikur. Amanet. Ja arrita besoj…

-Si?!... Falas?!... S`të kuptoj, Drejtor…Po mua më kerkuan të paguaj projektin?...

–Jo,or mik. Mos gabo. Mos paguaj. Kravata ështe falas. Ështe kravata e munguar dikur.

-S`të kuptoj, Drejtor!? Kravatë the?...

-Po, po, ashtu, kravatë.Sigurishtë, jo e  zezë. Po s`do të jetë më kravatë  e munguar Do të jetë ndërtesë e gjallë, shkollë  e madhe, e bukur. Në kujtim të saj. Im bir ka lindur kur po i dilnin flakët Trojës. Hiri po mbulonte dheun gjithandej. Jetë të re le të fillojë. S`ka më mirë. Shkojmë. A nuk shkojmë tani andej?...

         Dolëm. Na priste jashtë një fuoristradë e zezë, lubi.

-Jepi! Jepi gaz tani, o miku im! Jepi të mbarojmë punë!

          Dhe ajo na shkuli me potere drejt atij skaji aq të dashur të qytetit.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora