E marte, 23.04.2024, 06:59 PM (GMT+1)

Kulturë

Istref Haxhillari: Fustani i zi

E shtune, 30.04.2011, 07:03 PM


Istref Haxhillari

 

Fustani i zi

 

(Tregim)

 

Ëndrra, përsëritur natë për natë si film serial i prishte gjumin Valdet Hoxhës. Pamjet e përçudnuara shkisnin njëra pas tjetrës.

 

…Mugëtira, sterrë e zezë, mbështillte hapësirën. Qielli i varej tokës, derdhte shi majëmprehtë akull të ftohtë. Lumi rrëshqiste me rrapëllimë; përmes ujit të rrëmbyer lundronin pemë, trupa kafshësh dhe njerëzish gjysmë të gjallë. Ulërimat e qenieve që jepnin shpirt thernin hapësirën. Donte të këlthiste, zëri nuk i dilte …

 

Zgjohej dhe përpiqej ta harronte.

 

“Ëndërr”, thoshte me vete.

 

I rikthehej punës së përditshme në klinikë. Nga dritarja depërtonin pamjet e  mrekullueshme të verës. Era e padukshme davariste copëzat e reve, sillte puthjen e lehtë të dallgëve. Uji i qetë dremiste nën qiellin e përhimtë, syprinës së rrafshtë pasqyrohej një diell i stërmadh. Nga kopshtet përreth shpërthenin aromat e stinës.

 

Natyra e përtërirë, peizazhi kapriçioz, klientët largonin ndijesitë; terapia e ditës bënte punën e vet.

 

Qetësohej.

 

Sa binte nata, format e lemerishme i çfaqeshin po aq ligështuese. Edhe dita trazohej shpesh nga imazhe të çuditshme. Figurat e ëndrrës kapërcenin dritën. I dukej sikur jetonte pas një muri xhami; mund t’i shihte po nuk mund t’i prekte të tjerët.

 

I paaftë të jepte shpjegim të arsyeshëm iu hap Martinit.

 

-Si e shpjegon feja? - e pyeti.

 

Imami soditi gjatë fytyrën e zverdhur, ku lexohej lirisht brenga.

 

-Vetëm besimi e shpëton njeriun nga vuajtjet e shpirtit, - i tha krejt i sigurt. - Ti e dëshiron Allahun Valdet, mos ngurro! Duke e njohur islamin shpirti yt do të njohë faljen. Ndihma që të jep feja është e thjeshtë: Jepu me të gjithë barrën që mezi e mban.

 

Serioz, me paraqitje misterioze, mjekrën e gjatë ngjyrë lajthie, shtjelloi pjesë të filozofisë islame nga sure të Kur’anit dhe hadithet e profetit Muhammed alehis selam. Hoxha i ditur, diplomuar në universitetin teologjik te Bejrutit pas dy viteve studimi në fakultetin e mjekësisë së Tiranës, derdhte pushtetin lehtësues të besimit mbi arsyen e tronditur.

 

- Allahu është më pranë njeriut nga damari i qafës së vet. Sado e ngushtë, kjo hapësirë ekziston gjithnjë si ndarje e pakapërcyeshme mes imanencës dhe transhendencës.

 

Valdeti kundërshtoi lehtë, pa fuqinë e mëparshme të argumentave, zbehur gradualisht. Metafizika ishte ide e turbullt fluide, e pakonceptuar në përmasa të mjaftueshme.

 

-Parimi organizues gjendet mes elementeve të universit dhe ligjeve të materjes. Natyra vetëvepruese drejtohet nga rregullsi dhe forca të brendshme.

 

            Shija e diturisë e përpinte.

 

Pati studjuar filozofët materialistë, anonte nga teoria e vetëmjaftueshmërisë e Fojerbahut dhe Shopenhauerit. Po prej kohësh pikëpyetje kryeneçe pështjellonin mendjen e trazuar. Dukuri të pashpjegueshme nga arsyeja vinin në dyshim bindjet ateiste.

 

Edhe logjika e ftohtë e Martinit.

 

Ëndrrat. Imazhet.

 

Botëkuptimi islam fitonte terren, shpërhapej si ujërat e freskëta në  tokën e plasaritur…

 

Valdet Hoxha ishte natyrë e mbyllur, nuk e jepte veten, acaret e shpirtit i bluante përbrenda në heshtje. E shoqja vinte re ndryshimin e sjelljes; përpëlitjet e dëshpëruara në përgjumje, zgjimin mbytur nga djersë të ftohta, zbehtësinë e fytyrës mëngjeseve.

 

Murmurimat e tij nuk i thoshin kurrgjë. Fjalët i kishin shteruar.

 

Kjo e hidhëronte.

 

Në të vërtetë asaj i shkonte mendja në të tjerë gjëra të liga, që natyrshëm i brengosin gratë e martuara me burra të pashëm.

 

Mirëpo ishte më keq se aq.

 

Melita jepte matematikë në një shkollë të mesme. Mbahej mirë. Fytyra ovale e zeshkët, sytë e mëdhenj të kthjellët, trupi i përpjestuar hijshëm i jepnin sensualitet. Kur qeshte i krijoheshin gropëza faqeve, si ndonjë vajze të re. Sjellja, marrëdhëniet në familje dhe me fqinjët të ngrohta, miqësore. E donte të shoqin, po qetësia u prish, bota filloi të lëkundej kur ai praktikoi së pari ritet muslimane.

 

U kthye në shtëpi i qetë, me shpirt të pastër.

 

            -Vendosa të hyj në rrugën e Zotit, - i tha Melitës.

 

Zëri i plumbtë, i trandur e pa ngjyrë, u përplas orendive të dhomës me oshëtimë të zgjatur vajtuese.

 

-Ç’thua! - u habit ajo, - Zotin e respektojmë gjithnjë.

 

-Kemi jetuar në hava.

 

-Si gjithë të tjerët, - mezi u dëgjua Melita.

 

-Jo, - ia ktheu prerë Valdeti.

 

I vendosur.

 

 “Ja ç’na qenka?” mendoi gruaja e sëndisur dhe nuk guxoi të shfaqte hapur zemëratën e atij çasti. “Ti sapo ke hyrë në një botë , ku unë nuk ndihem rehat” deshi t’i thoshte, po Valdeti i rëndë, mospërfillës s’i dha rëndësi kundërshtisë së heshtur.

 

As brengës së gruas.

 

-Dyzet e pesë vjet larg Allahut dhe Peikamberit alejhis-selam, kohë e gjatë, - vazhdoi  i ngrysur. - Padituria gjynah i madh. Ti ende nuk beson, po kjo do të ndodhë më vonë, kur ta kuptosh. Për këtë nuk dyshoj.

 

Vendimi tingëlloi i pakthyeshëm. Melitës iu duk se imami i zymtë dhe mjekra stërgjatë  zaptuan pamjen e mjegulluar të burrit…

 

Tufa e qimeve bojë hiri mbuloi gjoksin e gjërë të Valdet Hoxhës. Zuri të falej çdo ditë. Më shpesh merrte abdes në xhami, po edhe në shtëpi, klinikë.

 

-Ju lutem, - u thoshte të sëmurëve, - sa të fal namazin.

 

Tërhiqej laboratorit, mbushur me koka allçie dhe fragmente nofullash. Formate dhëmbësh, rrjeshtuar sipas madhësisë, zgërdhiheshin rafteve. Klientët mërziteshin, po asnjë nuk u largua.

 

Dentistit të aftë ia falën lajthitjen formale.

 

Feja muslimane ushtrohej lirisht. Djem mjekëroshë, kokulur e të sjellshëm, shkëmbeheshin rrugëve të qytetit, përshëndesnin sipas normave të Sheriatit. Nuk përdornin alkool, as duhan. Vali e kishte pirë rakinë dhe, pas çdo seance, natyra e detyronte të ngrihej natën të villte. Vesi, kthimi orëve të vona, grindjet pa shkak morën fund si ngarkesa të panevojshme në rrugën e gjatë.

 

“Paska edhe të mira”, u ngroh disi Melita.

 

Mbrëmjeve, pasi falte akshamin, Valdeti rrinte i perënduar, kredhur në mendime të shenjta. Duart i mbante bashkuar, pëllëmbët e hapura përlart, sytë rëndom i drejtonte nga qielli. Më parë gazmor e çakërqejf, tani i zymtë, pëshpëriste gjithnjë diçka të pakuptuar.

 

“Kopje e hoxhës” sëndisej Melita e pafuqishme të ndryshonte rrjedhën e ngjarjeve. Pamja e mikut të ngushtë të burrit gjithnjë i kishte ngjallur neveri.

 

Tani shumë më tepër.

 

Megjithë dëshirën, u bë e paaftë të përshtatej dhe të luante skenarin e mirësjelljes me bindje të vërtetë. Gjithçka që përjetonte: trishtim i mbetur, i ftohtë. Iu nënshtrua fatit, po shpirtin ia ndrydhnin parandjenja të trishta.

 

Natyrisht jo pa arsye.

 

Valdetin e pushtonin ndjesi të çuditshme. Epokat i zinin vendin njëra-tjetrës porsi pamje, ndriçuar nga shpërthime të shkurtëra vetëtimash. E ardhmja afrohej me krismë të turbullt, e kaluara zbehej shpejt, zhdukej pa kthim.

 

Verandës së hotel “Boranës” karshi hapësirës kaltëroshe të ujit, pinin kafen e mesditës me Martinin. Zhytur në mendime të thella rrekeshin të zhbironin labirinthet e holla të nënvetëdijes njerëzore. Përmes kaçubeve të luleborës, rrezet e gushtit i përkëdhelnin butësisht. Nga vazot e gjëra si fuçi vinte aroma e krizantemave me bohçet e mëdha dhe petalet e brishta të sapoçelura. Diku gjysmë e fshehur valëzonte me përkëdheli e verdha e tunxhtë dhe e blerta e gjethnajës së një gëmushe të vjetër e të dendur jaseminësh. Pranë saj çuçurisnin të llastuara gjimnazistet.

 

Në fund të asaj mesdite vajzat gazmore, fytyrëskuqur nga pijet, ia behën plot zhurmë prej katit të dytë të hotelit. Kofshët e drejta zbuluar deri lart, gjinjtë e pjekur të hapur, sytë e ngjyer dhe vështrimet mikluese i dëshpëruan besimtarët sedërqarë.

 

Një vajzë e imët me sytë e ujshëm ngjyrë mjalti të errët tërhiqte vëmendjen.

 

Me lëvizjet e shkujdesura, zhdërvjellësinë, zhurmën.

 

Martini nuk ia ndau shikimin e pjerrët, si me dy mendje, pastaj u kthye i befasuar.

 

-Pa shiko!

 

Vali u nemit. Shembëlltyra e trupëzuar në siluetën përkarshi e trandi. Nadirja, dashuri e humbur nëpër shtigje absurdi, me flokët e kreshpëruar, kupat e vogla të gjinjve, vështrimin çapkën të vëngërt vezulloi e purpurt si dikur në Universitet. Dashuria e hershme u përzje me vajzën përballë.

 

Era e trëndafiltë fshikulloi mjekrën islame.

 

Nadirja vinte nga familje besimtarësh. Mes dashurisë hyri shumë shpejt kundërshtia e sertë. Të atin e arrestuan, vajza u internua diku në Myzeqe. Ai nuk mundi t’i çrrënjoste aq lehtë kujtimet; nga ajo kohë dyshonte përherë. Prapa njerëzve dhe dukurive të kohës shihte motive të dhunshme që drejtonin veprimet, sjelljet.

 

Vazhdoi të përpinte me sy vëngërashen e shkujdesur, që ndillte tërë epsh djemtë. Ajo kundroi e habitur burrin e pashëm me mjekrën e gjatë të murme. Diç i pëshpëriti me buzën në gaz shoqes pranë dhe ai uli kokë i turpëruar.

 

-Nga që janë të zbuluara, - i tha Martini duke vështruar me keqardhje pjesë sensuale të vajzave, veshur me më të shkurtrit e fundeve dhe më të ngushtat e bluzave. Në ato çaste imami ndihej vërtet i ligështuar.

 

Valdet Hoxhën e kapërthyen rrëmbyeshëm ndijesitë.

 

E bija mbushte trembëdhjetë vjet asaj vere. Format femërore çelnin gonxhet e para. E kishte vënë re po nuk donte ta besonte: Nesa e tij kapërcente fëmijërinë. Ndjeu zërin që vinte nga gruaja e rritur brenda saj. Dhe u ftillua.

 

“Tamam koha” mendoi…

 

Ndërsa pasditja venitej dhe shpërhapej një muzg ngjyrë alle, çoi në shtëpi fustanin e gjatë me pala bojëhiri. Si të donte të prishte ( apo të plotësonte sipas tij ) paqen e ëmbël dhe harmoninë e natyrës.

 

-Hixhabi i Nesës, - tha sa më shpejt mundi si të hiqte fashon nga plaga. Pa lënë hapur asnjë shteg. Ashpërsia e shikimit kundërshtonte prerë buzëgazin e ftohtë.

 

Melita u trondit, shpirti iu shkretua. Me zemrën që mënd i dilte vendit nga të rrahurat e forta, e zaptoi paniku dhe toni i zërit doli në mënyrë të pavullnetshme lutje, përgjërim.

 

-Valdet, nuk më duket ide e mirë.

 

- Hixhabi e mbron, - ia ktheu ai, duke u përpjekur të dukej sa i përmbajtur po aq

 

 i sinqertë. Dhe duke e patur vështirë të sillej i tillë.

 

Një pyetje ngriu në fytyrën e Melitës të shënuar nga hidhërimi.

 

Ishte në kufirin e ngashërimit.

 

-Mos je e verbër Melita? - zemërimi i tij ngriti kurbën.

 

Me sy të perënduar, tori qetësisht ligjëratën standarte që përfundoi me hadithin e hixhabit të profetit Muhammed alehis selam. Të njëzetenëntin.

 

 “Ndalimi i uraganit të vesit struket duarve të Allahut. Shthurja morale dhe zbulimi i kurmit janë dy anët e të njëjtit fill.”

 

Melitës i shterën fjalët dhe reagoi me një shpërthim të papërmbajtur lotësh. E trishtuar.

 

Aspak e bindur.

 

Valdeti zgjati dorën e ftohtë, të lagësht, kreu ritin fetar të hixhabit me veprime të përpikta. E bija u bashkua me shoqet e mbuluara. Ajo e adhuronte të atin.

 

Rrugëve të qytetit barisnin femra veshur kokë e këmbë. Ngjanin me nimfat e Horacit, sinmplex munditiis, ( zbukuruar nga thjeshtësia ). Muzgu i ngadaltë treste ëndrrat, shpresat. Nesa e brishtë, e pafaj, vështronte përreth paksa e habitur.

 

Njerëzve pothuaj nuk u bënte përshtypje.

 

Po Melitës së  pafuqishme i ra qielli mbi kokë. Natën, zgjuar për një kohë të gjatë, peshoi domethënien e asaj që kishte nisur mbrëmjes, kur i shoqi la mjekër. Lutjet fironin ujëvarave të pikëllimit, kërcënimet e druajtura fashiteshin nën hijen e shenjtëruar të familjes.

 

U ndje fajtore për heshtjen e saj.

 

Dobësinë.

 

Brejtjet e  ndërgjegjes mbërritën cakun e trazirave të padurueshme. Mes lotëve mallkoi burrin e nomatisur, abdesat, hixhabin. Në shpirt ndizej revolta e nënës dhe gruas.

 

-Të ndaloj t’i prishëshs mendjen vajzës, - e kërcënoi Vali kur i pa të bisedonin. Pastaj vështroi përqark i penduar.

 

Shkelja e përuljes islame i rëndoi gur varur në qafë.

 

Melita u nënshtrua për herë të dytë, po jeta bëhej çdo ditë më e zbrazët.

 

-Paski qenë muslimanë të mirë, - i tha mësuesja e kimisë. Me nota të qarta ironie të nënkuptuar. Dhe keqardhjeje.

 

-Erdhi koha, -  uli kokën e pazonja të vazhdonte një bisedë ku i mungonin argumentat dhe e kishte të humbur davanë.

 

Besonte, po nuk e bindnin rregullat e pakuptimta, që vetëm Zoti nuk mund t’i ngjizte. Hixhabi, zgjedhë e shëmtuar, shpikur nga një shpirt sadist ( ajo e përjashtonte  kur’anin ). Ky emër i huaj i llapashitej pareshtur në mendje, linte ndjesi neverie.

 

Valdeti nuk dukej shumë miqësor.

 

Emocionalisht ai kishte vdekur, nuk qe më tokësor. Jetonte botën e tij; e brengonin gjithfarë pengesash në rrugën e ndritur të Allahut. Besimtarët ishin misionarët e Islamit. Një pyetje e bezdisshme brente prapaskenën e mendjes së tij dhe përpiqej të gjente mënyrën për ta shtruar sa më natyrshëm. Kërkonte vragë për të shprehur personalitetin e vet fetar, grykëderdhje për bindjen e thellë ndaj Zotit.

 

Derisa vendosi.

 

I bindur, i sigurt.

 

Melita korrigjonte testet e nxënësve, kur ra zilja. Tingëllima, më e zgjatur se zakonisht, i futi dridhmat. Në kuadratin e derës gjysmë të hapur, u duk si zakonisht Valdeti i zbehtë, kufomë. Mbante në dorë një qese plastike, prej së cilës vareshin palat e rrobës me ngjyrë të zezë.

 

Ajo nuk foli. Qe tepër e brengosur të zemërohej. Brenda vetes nuk gjente më urrejtje. Po nuk mund as ta donte të shoqin. Iu duk i largët, si të mos e kishte njohur kurrë. Soditi gjatë hidhërimin e saj dhe ndjeu demonët e fjetur t’i zgjoheshin, sytë t’i njomeshin.

 

Në mëngjes u largua bashkë me vajzën.

 

Fustani i zi dremiste dyshemesë së kuzhinës.

 

Pogradec, e hënë 7 dhjetor 2010



(Vota: 2 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora