Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


E fortë si Stone, seksi si Sharon

| E shtune, 27.01.2007, 08:43 PM |


Filma të rëndësishëm. Paga marramendëse. Më pak protagonizëm dhe më shumë empati për të interpretuar personazhet e saj. Në moshën 48-vjeçare, ylli i Hollivudit ka ndryshuar "rrugë", por pa hequr dorë nga "arti" i të bërit për vete njerëzit. Bionde dhe më

Kanë kaluar plot 15 vjet, qëkur aktorja e bukur amerikane do të kthehej menjëherë në divë pas rolit të Catherine Tramell, një biseksuale, në serial killerin "Basic Instict". Sot, në moshën 48-vjeçare, Sharon rrezaton akoma bukuri dhe elegancë të paimagjinueshme. Ndoshta falë saj Hollivudi duket sikur ka emancipuar, ndaj nuk i trembet më përzierjes së inteligjencës dhe bukurisë së "grave" të tij. Të gjithë e kemi vënë re se bukuria e saj të bën për vete më shumë se disa vite më parë dhe kjo mund të jetë rezultat i ndërhyrjeve dhe trajtimeve kozmetike. Por, ç‘rëndësi ka? Ajo ka qenë, është dhe do të ngelet e bukur, pavarësisht formave që përdor për t‘u dukur e tillë. Megjithatë, vazhdon të jetë tërheqëse, edhe në jetën e përditshme ashtu si në ekran, nga i fundit "Basic Instic 2" te dy role të tjera, në pamje të parë të vegjël, por në të vërtetë shumë të rëndësishëm. Roli i pari është ai i parukieres, që ndoshta pa dashur gjendet në hotel "Ambasador" natën kur Robert Kenendy u vra, në filmin "Bobby" të regjisorit Emilio Estavez, ndërsa i dyti, ai i një nëne të shkatërruar nga dhimbja për humbjen e djalit 15-vjeçar në "Alpha dog" të Nick Cassavetes. Nënë e dy fëmijëve të adoptuar, Stone është aktiviste në fushata bamirësie për luftën kundër AIDS dhe për të ndihmuar fëmijët në nevojë. E takojmë në hotel "Four seasons" në Beverly Hills jo shumë larg nga shtëpia ku jeton me dy fëmijët e saj, Roan dhe Laird.

"Që kur i jam rikthyer punës, objektivi im kryesor është të çlirohem nga stereotipat mbi vetveten dhe t‘i kushtohem tërësisht personazhit që duhet të interpretoj në filmin që më është caktuar. Kjo gjë më është kthyer vërtet në një mani. Personazhet që interpretoj më ngjajnë gjithmonë e më pak mua dhe gjithnjë e më shumë vetes së tyre e atyre që duhet të jenë. Edhe te filmi "Bobby", të gjithë më thonë se dukesha shumë ndryshe nga ajo që jam me të vërtetë në jetë. Aty jam një parukiere melankolike, me një buzëqeshje të trishtuar, e cila po jeton një nga periudhat më të këqija në jetë", tregon duke buzëqeshur.

Si arrin që të bëhesh njësh me personazhet që interpreton?

Duke harruar se kush jam. Me "Casino" në vitin 1995, për herë të parë dola nga vetvetja. Në të vërtetë, regjisori i famshëm, Martin Scorceze, ma lejoi këtë gjë. Ndërsa shumë regjisorë të tjerë donin të më përdornin si mall, pa u interesuar për talentin tim Martin kërkoi që të merrte më të mirën nga unë, kërkoi të më nxirrte në pah talentin. Ishte një moment vërtet i rëndësishëm për karrierën time.

Mendoni se ka ikur koha e divës Sharon Stone?

Nuk di ç‘të them. Çdo gjë ka kohën dhe momentin e vet. Nëse sot janë duke "lulëzuar" aktorë të rinj dhe plot me talent, kjo është diçka që duhet përgëzuar. Megjithatë, edhe pse jam 48 vjeçe nuk dua kurrsesi të heq dorë nga kinemaja. Kam dëshirë të tregoj akoma talentin tim.

Nuk më intereson as paraja dhe asgjë tjetër e këtij lloji. Për mua është e rëndësishme të luash, sidomos kur është një rol i madh.

Megjithatë, me "Basic Instict 2" arritët të fitonit plot 15 milionë dollarë?

Ishte rasti i fundit kur mund të "hiqja pak lekë mënjanë". Me filmin "Alpha Dog" fitova vetëm 25 mijë dollarë dhe jam krenare, megjithatë, e përsëris sërish, që nuk më interesojnë më lekët. Në fund të fundit kam arritur të gjej mënyra nga më të ndryshmet për të bërë një jetë normale dhe për t‘u kujdesur që fëmijëve të mi të mos u mungojë asgjë. Pastaj, për të më bërë që të ndihem e qetë financiarisht mendon edhe "Dior" (Stone është imazhi i kremrave të bukurisë antirrudhë për këtë firmë).

Na e përshkruaj pak personazhin tënd te filmi "Bobby"?

Aty interpretoja rolin e një parukiereje. Salloni i bukurisë është kthyer prej kohësh në vendin ku gratë flasin, tregojnë sekrete, hapen dhe krijojnë lidhje. Në vitet ‘60 nuk kishte mënyrë tjetër, meqenëse psikoterapia nuk ishte akoma e përhapur. Parukierja të prek, të fërkon, të përkëdhel, të thërret "shpirt". Të thotë se je e bukur, të bën të ndihesh mirë. Me pak fjalë, të jep ngrohtësinë që të mungon.

A e mban mend Robert Kennedy-n, impaktin social dhe emotiv që pati vdekja e tij?

Sigurisht. E kam të fiksuar në mendje tragjedinë, edhe pse kam qenë vetëm një fëmijë në atë kohë. Babai im më foli për vrasjen dhe për domethënien që ajo kishte për Amerikën në atë kohë. Ishte demokrat i flakët, ndaj u trondit shumë. Kujtoj shpesh që më thoshte: mund të vrasësh një njeri, por jo idealet e tij. Një njeri nuk mund të vdesë kurrë nëse jeton brenda teje.

Nga kush jeni frymëzuar për lukun e personazhit tuaj?

Nga gratë amerikane të asaj kohe, sigurisht, por edhe nga luku i aktores franceze, Simone Signoret. Kur je parukiere nuk ke asnjëherë asgjë në rregull, je një "eksperiment" në zhvillim.

Çfarë keni "mësuar" nga interpretimi te "Bobby"?

Që siguria dhe gjallëria e botës qëndron në duart e personave të disiplinuar, jo konformistë, që i dedikohen drejtësisë, vëllazërimit dhe paqes. Njeriu i vërtetë duket në kohë të vështira, jo në momente të sigurta. Me John Kennedy, Robert dhe Martin Luther King, kemi humbur tre liderë të mrekullueshëm. Po sot kush do të na e japë frymëzimin?

Ju dukeni më seksi se kurrë. Si është e mundur?

Po ju përgjigjem duke cituar Eleonore Roosvelt: "Askush nuk mund të bëjë të ndihesh e pasigurt, nëse ti vetë nuk e pranon". Ndihem e fortë në shpirt dhe mirë me vetveten. Unë besoj tek aftësitë e mia.

Cilin aspekt të famës pëlqen më shumë?

Faktin se kam mundësinë që t‘i bëj burrat e shtresave të larta të vuajnë.

Mosha ju frikëson akoma?

Jo, sepse sot kemi në dispozicion shumë mënyra për t‘u plakur sa më vonë të jetë e mundur. Viagra ndihmon seksualitetin, Botoks-i lufton rrudhat pa ndryshuar fizionominë, ndërsa ndërhyrjet kirurgjikale të japin mundësinë për të korrigjuar çdo gjë. Sot mund të zhdukësh edhe "hapat" e kohës. Pastaj, gjithmonë e më shumë po më forcohet bindja se gratë 60 vjeçe mund të "shembin" malet, u pëlqen më shumë seksi, sidomos pas menopauzës dhe kanë më shumë dëshirë për të jetuar.

Sa rëndësi i atribuoni trukut dhe pamjes perfekte?

Kur xhiroj një film ose pozoj për ndonjë takim me shtypin ia besoj veten duarve të një eksperti që më ndihmon të dukem shumë ndryshe nga ajo që jam kur ngrihem nga shtrati në mëngjes. Në jetën e përditshme nuk trukohem, sepse jam shumë dembele dhe vazhdoj ta gënjej veten se arrij t‘i bëj për vete të gjithë kështu si jam, natyrale. Në të vërtetë është një çështje gjenetike dhe për këtë ndihem me shumë fat. Prindërit e mi duken shumë të rinj, edhe pse tashmë i kanë kaluar të shtatëdhjetat.

Ndonjë sekret "të vogël" për formën tuaj fizike?

Nuk fus në gojë alkool apo pije që përmbajnë kafeinë. Pastaj, për të pasur një trup të bukur dhe të ndihesh në formë është e nevojshme të merresh me gjimnastikë. Dhe unë nuk përtoj ta bëj një gjë të tillë për veten. Pastaj kam edhe dy fëmijë të vegjël që kërkojnë përkujdesjen time; kjo më ndihmon të jem gjithmonë në lëvizje dhe njëkohësisht më bën mirë. Gjithashtu nuk dua te harroj edhe vrapin që bëj çdo mëngjes

"Alpha Dog" vendos gishtin mbi problemin e fëmijëve të braktisur, një fenomen paksa i zgjeruar në një vend shumë të pasur?

Në të vërtetë është një problem shqetësues i gjithë Amerikës për familjet që nuk kujdesen për fëmijët aq sa duhen. E vërteta është se këtu nuk mund ta dish asnjëherë me siguri se ku janë fëmijët e t‘u. Për shembull, prindërit e mi thoshin se e dinin gjithmonë se ku isha: por a e dinin vërtet se ku ndodhesha? Unë kur isha vajzë e re bëja çmendurira, pavarësisht se prindërit e mi ishin njerëz të mrekullueshëm. Shpesh i merrja në telefon dhe u thosha se isha në një festë, por nuk i tregoja se aty të gjithë ishin të dehur e të droguar dhe unë nuk dija si të veproja. Ngaqë kisha konfidenca me mamanë i thosha saj dhe ajo si një nënë shembullore më thoshte duke iu dridhur zëri: shko në katin tjetër mbyllu me çelës brenda dhomës dhe fli gjumë. Nesër në mëngjes do të jesh shumë mirë dhe kthehu në shtëpi. Ishin këshilla të shenjta: gjëja më e mirë që duhet të bësh është të krijosh një raport me fëmijët e t‘u, që i bën të të kërkojnë e të hapen me ty, sepse bota është një vend i egër dhe ata përfundojnë gjithmonë në situata të vështira.

Po ju si silleni me fëmijët tuaj?

Gjëja më e rëndësishme është të pyesësh se ata që janë rreth teje a e ndiejnë dashurinë tënde. E rëndësishme është t‘u kushtosh vëmendjen e duhur dhe unë këtë gjë mendoj se ia kam arritur. Gjithmonë kemi momente që nuk jemi të qetë dhe kemi më shumë stres se ç‘duhet, por kjo nuk do të thotë që do të jenë ata që do të duhet ta paguajnë. Nëse nuk mund të jesh një nënë e mirë, atëherë mos merr përsipër të kesh fëmijë.

Ju merreni me bamirësi. Po për politikën çmendoni?

Thjesht urrej luftën dhe ëndërroj një lëvizje të madhe drejt paqes.

Na tregoni se si rrjedh dita normale e Sharon Stone?

Shumë e thjeshtë, ju betohem. Zgjohem herët në mëngjes, zgjoj fëmijët, përgatisim mëngjesin së bashku. Ndez kompjuterin dhe kontrolloj e-mail-et e mi, që zakonisht janë 50-70 në ditë. Pastaj janë 20-40 telefonata për t‘u bërë, për t‘u marrë me punët e mia. Kur mbaroj merrem sërish me fëmijët. Pastaj gatuaj. Një ditë shumë normale, tamam si ajo e gjithë grave të tjera.

Sa shumë yje për Bob Kenedy-n?

Sharon Stone dhe Demi Moore. Hopkins dhe Belafonte. Shumë yje të kinematografisë, që Estevez i ka mbledhur bashkë për filmin e tij mbi fundin e një ëndrre.

Me "Bobby"-n, filmin e tij të katërt, regjisori 45-vjeçar, Emilio Estevez, ka hyrë në kategorinë e regjisorëve të mëdhenj. Kanë kaluar 20 vjet, që kur ylli 25-vjeçar i filmave për të rinj, "Breacfast club" dhe "The mighty ducs" ka xhiruar filmin e tij të parë, ku protagoniste ishte e fejuara e tij e atëhershme, Demi Moore. Filmi quhej "Winsdom" dhe ka hyrë në histori vetëm sepse atëherë Estevez ishte regjisori dhe aktori më i ri (këtë bën edhe te "Bobby"). 20 vjet më vonë, Demi Moore u kthye të punojë me ish-shokun e saj, megjithatë kësaj here me një kast aktorësh të mrekullueshëm, ku përveç Sharon Stone, me të cilën Moore ndan një dialog të gjatë, janë edhe Anthony Hopkins, Harry Belafonte, Lindsay Lohan, Helen Hunt dhe Elijah Wood, përveç babait të regjisorit, Martin Sheen. "Bobby" tregon orët e fundit të jetës së senatorit Robert Kenedy, të para nga të ftuarit dhe nëpunësit në hotel "Ambasador" në Los Anxhelos, ku kandidati për President u vra qershorin e vitit 1968. "Kam filluar të punoj në vitin 2000. Pak para 11 shtatorit, luftës në Afganistan dhe në Irak", tregon Estevez. Atëherë e kuptuan se pas këtyre ngjarjeve tragjike duhej të gjenin një subjekt për një film ndryshe, që mund të pëlqehej nga të gjithë. Pikërisht Bob Kennedy ishte më i miri. Ishte një njeri që njihte mirë "rrugët" e Amerikës. Një njeri që shkonte të takonte njerëzit".

Me të vërtetë, me vdekjen e tij në fund të filmit, duket sikur të gjitha shpresat për një botë ideale shuhen. "Mendoni për mesazhin që përcjell fundi i filmit drejtuesve të ardhshëm, jo vetëm atyre amerikanë. I qëlluan Ghandit, sepse predikonte paqe dhe drejtësi sociale. Martin Luther King u vra për të njëjtat arsye. Pastaj John Lennon. Të gjithë ata që punonin për paqen dhe kundër dhunës. Po vetë, a i kujton vitet që tregon filmi? "Mbi të gjitha mbaj mend lajmet që vinin nga lufta në Vietnam. Atëherë ishim shumë të "varur" nga edicionet e lajmeve, ishim vërtet të etur për lajme dhe të mendosh se atëherë mbërrinin me një ose dy ditë vonesë, kurrë në kohë reale. Ato ç‘na na tregonin reporterët kishin një impakt të madh dhe për këtë do t‘u jem gjithmonë mirënjohës gazetarëve. Jemi një kulturë që gjeneron dhunë, ndaj revolucioni duhet të fillojë nga artistët dhe informacionet. Shkrimtarë, kineastë dhe gazetarë duhen të jenë të parët. Jemi ne ata që duhet t‘i shtrojmë këto pyetje të rëndësishme, që qeveria aktuale amerikane nuk dëshiron t‘i pranojë. Si arritët që të mblidhnit kaq shumë yje në projektin tuaj? "Në filmin tim interpretojnë aktorë të mëdhenj, por asnjë prej tyre nuk është më i ‘madh‘ se Bobb Kennedy", përgjigjet Estevez. "Është ai ylli i vërtetë i filmit, është ai që tërhoqi të tjerët. Në fillim problemi më i madh ishte se nuk kishe mundësi t‘i gjeje këta aktorë të kishin pak kohë të lirë. Megjithatë, falë këmbënguljes arrita t‘i bëja bashkë". Mendon se do të mund të shohim një Kennedy të ri në politikë? Jo kam frikë se jo. Të shpresojmë vetëm që do vijë dikush tjetër që të mendojë si ai. Amerika në 20 vitet e fundit ka sjellë në skenën e politikës kombëtare gjithmonë liderë të rinj, por asnjë lider të vërtetë. Duhet të pushojmë së përqendruari mbi lajkat për njerëzit e politikës dhe të fillojmë të mendojmë për një gjeneratë të re liderësh për botën".

Shqip