E enjte, 25.04.2024, 12:51 AM (GMT+1)

Kulturë

Ali D. Jasiqi: Hasaj Zekaj “Gjytetet thërrasin ndërgjegjen”

E premte, 29.04.2011, 07:44 PM


STUDIM SOCIO-KULTUROR E ETNOGRAFIK PËR TREVËN E PODGURIT

 

Hasaj Zekaj “Gjytetet thërrasin ndërgjegjen”, Botoi “Faik Konica” Prishtinë 2011

 

Nga Ali D. Jasiqi

 

“Gjytetet thërrasin ndërgjegjen” është libri i dytë i autorit Hasan Zekaj, që posa ka dalë nga shtypi, në botim të Shtëpisë botuese “Faik Konica” të Prishtinës. Është ky në realitet vazhdimi i librit tij të parë “Dy gjytete thërrasin ndërgjegjen”, që trajton jetën, historinë dhe të gjitha ato që lidhen me Krasniqen e Vendit, siç quan ai trevën përendimore të Podgurit, me Dukagjinin deri të aspektet sociokulturore të shqiptarëve në përgjithësi. Sipas autorit të librit në fjalë Krasniqja e Vendit, përfshinë fshatrat Jablanicë e Madhe, Radac, por edhe Fierëza, Jablanica e Vogël, i disa fshatra për rreth, por me Krasniqen e Vendit ndërlidhen shumë përkah farefisi nga krahina e veçantë etnografike e sociokulturore e Podgurit.

Derisa në librin e parë Zekaj trajtonte historikun, ngjarjet dhe personalitetet e shquara, në librin e dytë ai merret me doket dhe zakonet, përkatësisht me socio-kulturën dhe atë etnografike të kësaj treve që e përcjellin jetën e këtyre njerëzve, ndërkaq në librin e tretë, të cilin e paralajmëron ai do të trajtoj “thesarin e trashëgimisë natyrore e kulturore”.

Të themi që në fillim se Hasan Zekaj e përkrah mendimin se shqiptarët janë më patriotë se shumë popuj tjerë, që është dëshmuar se ata në plan të parë e kanë kombin dhe vendin e pastaj fenë, të cilën janë në gjendje ta ndërrojnë vetëm e vetëm që ta ruajnë kombësinë. Këtë konstatim ai e ilustron me shembuj të shumtë, që dëshmojnë së shqiptarët nuk janë fetar “fanatik” ose janë, ndoshta, më pak fetar, për çka edhe është i vetmi popull në botë që i ka tri konfesione fetare, pra myslimanë, katolike dhe ortodoks duke mos i llogaritë edhe sektin e shehrave, përkatësisht atë të besimit mysliman që mbështeten në proklamimet e Hasreti Ibrahimit, dhe atë të protestanteve, numri i të cilëve ke shqiptarët nuk është edhe aq i vogël, por është populli me tolerancë më të madhe fetare krahasuar më shumë popuj tjerë.

Nga vetë tituj e kapitujve të libri: (“Trashëgimia kulturore - kujtesë e ndërgjegjes njerëzore”, “Qasje vështrimore”, ”Trashëgimia kulturore ndërtimore”, “Gjetjet arkeologjike – trashëgimi e pakontestueshme”, ”Infrastruktura rrugore”, ”Religjioni nëpër shekuj”, ”Mite, besime e zakone popullore”, ”Kodeksi i të drejtës,nderit e krenarisë dhe madhërimit”, ”Mjeshtrit dhe zejtarët artistik”, ”Kostumet tradicionale – popullore”, ”Përurimet kulturore sipas traditës”, ”Arti muzikor-përçonte shpirtin e jetës”, ”Ushqimi dhe gatesat”,”Lojëra të ndryshme vendore”, ”Ecuri zhvillimore”, dhe “Bujqësia dhe blegtoria”) shihet qartë preokupimi i autorit që të trajtojë tema interesante e gjithëpërfshirëse nga jeta e banorëve të kësaj ane. Që në fillim Zekaj thekson se “Trajtimi socio-kulturor i traditës shtron para studiuesit nevojën e depërtimit serioz në thelb të çështjeve komplekse që karakterizojnë jetën e një kulture përkatëse shoqërore”. Nis nga ky parim autori i librit në shqyrtim do të shoshit shumë probleme, çështje e dukuri që e karakterizojnë këtë ambient të jetës së njerëzve. Kështu autori do të përshkruaj vetitë shqiptare duke i shikuar ndryshimet dhe dallimet nga të tjerët, pastaj veçoritë antropologjike për të vazhduar me mënyrën e mirëmbajtjes së armeve, kulturën e banimit e të ngjashme me to.

Treva e Podgurit karakterizohet edhe me kulturën ndërtimore, të trashëguar nga e kaluara, nga paraardhësit e tyre, në mesin e të cilave dallohen kullat, si fortifikata, pra jo vetëm për banim, por edhe si mbrojtëse të jetës se banorëve të tyre. Kullat dalloheshin edhe për faktin se ne to, pos dhomave për familjet ishte edhe oda ku mblidheshin meshkujt, por edhe ku bëheshin kuvende e merreshim vendime te rëndësishme për popullatën. Në këto objekte, pra në kulla, ndodheshin edhe dhomat e fjetjes së familjareve, pastaj shtëpia e grave, siç quhej dhoma ku rrinin kryesisht gratë e familjes e që dallohej nga ajo e burrave dhe te gjitha këto shoqëroheshin edhe me infrastrukturën përcjellëse, siç ishte oborri e të tjera.

Autori, që në fillim të librit trajton aspekte studimore arkeologjike duke përmendur të arriturat dhe zbulimet e deritashme dhe njëkohsisht shtron nevojen problemore për studime e kërkime multidisciplinare të dimenzioneve dhe afatëve të kushtëzuar me kohë e hapsirë duke thirrë ndërgjegjen njerzore e institucionale të ruajtjes së ekzistuesës, hulumtimeve të tjera të thesarit të sigurt të një gjytetnimi të hershem dhe rrumbullaksimin e përiudhave profilizuese kohore e hapsirore të thesarit të kësaj treve, që me vlerat e saj shpesh i tejkalon kornizat kombëtare etnokulturore e rajonale.

Si edhe popujt tjerë edhe banorët e Podgurit kanë trashëguar shumë adete e rite të se kaluarës, të cilat janë përcjell prej një brezi në tjetrin, duke i ruajtur ato që janë thelbësore. Të këtilla janë zjarret si simbolikë e kalendarit të traditës, mandej besimi në hënën e diellin si dhe drangoji, kuçedra apo edhe zanat e malit,ora e të ngjashme. Në disa raste banorët e kësaj treve i kanë besuar edhe disa veprimeve, që nuk parkojnë me realitetit,siç është rasti ta zëmë me mësyshin e të ngjashme me këtë. Duke vazhduar me përshkrimin e riteve të ndryshme karakteristike për shqiptarët në përgjithësi, e veçmas në trevën e Podgurit Hasan Zekaj jep detaje nga ceremonia e vdekjes, pra vajet për të vdekurin, e pamja si ceremoni e posaçme etj.

Një aspekt i veçantë i trajtimit në veprën në fjalë është ai etnografik, ku autori sjelle para lexuesit shumë doke, dukuri, sjellje e të ngjashme, që dëshmojnë për pasurinë shpirtërore të banorëve të Podgurit që krejt pak është studijuar deri tani. Në këtë vazhdë Zekaj do të merret gjerësisht me familjen, duke e konsideruar atë si vlerë kombëtare, ku gruaja është vetë shtëpia derisa burri është shtylla e saj, Pastaj autori trajton edhe disa aspekte që e karakterizojnë familjen shqiptare në përgjithësi dhe atë të Podgurit në veçanti, siç është, bie fjala, besa e beja për diç që duhet të dëshmohet si e vërtetë, dorëzania, që nënkupton sigurimin e fjalës së dhenë, pastaj kumbaria, vëllazëria, nderi dhe besa që dallojnë nga ato të kombeve të tjera, si dhe dënimi për mos përmbajtjes së fjalës se dhëne e të tjera. Si virtyte të veçanta të banorëve të kësaj treve autori i veprës në fjalë e numëron edhe flamurin, atë kombëtare dhe të Dardanisë si identitete kombëtare e shtetërore, e që përcillet me himnin, të cilin ai e preferon atë “Kur ka ra Kushtrimi në Kosovë “ përkatësisht “Kushtrimi i Kosovës”, të cilin autori e vlerson gjithanshëm, historikisht, territorialisht dhe kulturalisht.

Një kapitull i posaçëm i është kushtuar mjeshtërisë dhe zejtarisë artistike, duke veçuar në këtë mes përpunimin e drurit,atë të leshit e pëlhurës, agjentit e tjera. Nga leshi dhe pëlhura përpunohet edhe veshmbathja popullore karakteristik shqiptare si shoka, plisi, shamia e zezë, pështjeci, xhubleta e te tjera që janë të shumta dhe të veçanta.

Martesa dhe ceremonitë që e përcjellin atë janë temë tjetër e trajtimit në veprën e Zekajt. Kjo fillon me fejesën dhe fjalën që e sjellin shkuesit,pastaj kanagjeqi që organizohet në familjen e vajzës, gratë që shkojnë ta marrin që njihen si gratë e “kerrit” si dhe shumë veprime të tjera që e përcjellin këtë, si vuarje e plisit në kokë të nuses, me shpresë se ajo do të lindi djem “tre plisat kanë simbolizuar dëshirën që nusja t’i ketë së paku tre djem dhe ajo familje do të shtohet aq sa ata njerëz që e këqyrin nusen!” – ka shkruar në mes tjerash autori i librit.Në popullin kanë qarkulluar edhe shumë legjenda, që kanë të bëjë edhe me marrjen e nuses, ku duhet lakuar rruga, sepse gjatë rrugës asaj mund të përcillej ndonjë magji. Me ardhjen e nuses në shtëpi shtohet familja dhe kur ajo të lind zhvillohet një ceremoni e posaçme që shoqërohet edhe me lajmëtar në forma të ndryshme, zakonisht me qitje pushkësh. Për emrin e fëmijës së lindur, në të shumtën e rasteve nuk kanë vendosur prindërit biologjik,por të tjerët, në mesin e të cilave vlen të përmendet se nëse në natën kur ka lind fëmija ka qëlluar ndonjë mysafirë atëherë atij fëmijë i është dhëne emri i mysafirit ose mysafiri ia ka ngjitur emrin. Fëmija i vogël është rritur në djep dhe atij i kanë kënduar këngë të ndryshme, të njohura në popull si këngë djepi. Arti muzikor dhe veglat me të cilat është shoqëruar kënga po ashtu janë subjekt studimi i këtij libri. Hasna Zekaj përmend disa këngë karakteristike për këtë trevë në mesin e të cilave po veçojmë “këngët malësorçe”,”këngët e përdhunimit”, pastaj ato të vajtimit me rastin e vdekjes së ndonjë anëtari të familjes. Një formë e veçantë e këndimit është edhe fishkëllima. Duke bërë fjalë për instrumentet muzikore autori ndalet kryesisht në ato që janë të veçanta në këto treva, siç është, bie fjala, filikaça ( pipi), pastaj fyelli, kavalli, okarina, dyzeni, çiftelia, lahuta, buzuku,gajdja etj.

Në popull, pra edhe në trevën e Podgurit, janë zhvillua lojërat të ndryshme, që dallojnë nga ato të popujve tjerë, qoftë për mënyrën e zhvillimit të tyre po edhe porosinë që dalin nga këto lojëra. Shumë nga këto, për të mos thënë të gjitha, janë përshkrua në studimin e Zekajt, duke filluar nga vallëzimi e gjer ke loja e kapuçave, si një ndër lojërat e rralla e që janë luajtur ndër burrat e fshatrave të kësaj treve dhe jo vetëm të saj. Kjo lojë është përcjellë me këngë kapuçash, duke e tallur humbësin me shumë këngë shpotitëse e satirike, por që asnjëherë nuk ka shkaktua trazime përkundër ofendimeve që i janë bërë palës humbëse. Gjejmë këtu edhe disa nga këngët që janë kënduar nga fituesit, të cilën të ngritur në këmbë i shpotisin humbësit që rrinë të ulur dhe me kokë teposhtë. Pos këtyre Zekaj i ka përshkrua edhe shumë lojëra të tjera,siç janë, bie fjala, loja guracak,ajo kombklic, pastaj cicmici, rrokja shtatas, kaçumitja e shumë e shumë të tjera.

Ndërkaq, një kapitull i posaçëm i është kushtuar ushqimit dhe gatesave, që janë dalluar në këto treva, duke i përshkruar veç e veç se cilën prej tyre. Në këtë mënyrë është plotësuar jeta e fshatarëve me të gjitha karakteristikat specifike që i dallojnë nga të tjerët, por që disa prej tyre janë edhe të përgjithshme, pra që mund të gjendet edhe në trevat tjera shqiptare. Për ta rrumbullakuar sa më mirë dhe të plotë përshkrimin e jetës etnografike, etnokulturore dhe thellësisht socio-kulturore të kësaj treve Hasan Zekaj ka vazhduar me sjelljen e elementeve që flasin për zhvillimin ekonomik e shoqëror të kësaj treve, duke bërë fjalë për elektrifikimin, ndertimin e sharrave e të tjera. Bashkë me këto në këto treva është zhvilluar edhe bujqësia dhe blegtoria me çka përmbyllet studimin për të cilin folëm këtu. Të shtojnë se të dhënat për këto, pra për gjithë atë që është shkruar, janë shoqëruar me foto varësisht nga objekti i studimit,që lexuesit i’ jepet mundësi t’i njoh edhe më mirë objektet për të cilat flitet, gjegjësisht shkruhet.

Nga e gjithë kjo që u tha kuptojmë se Hasan Zekaj ka bërë një punë me përkushtim, me angazhim maksimal, duke treguar kështu një përgatitje profesionale të nevojshme për studimin e lëndës së shtruar. Andaj edhe puna e tij është kurorëzuar me sukses, dhe libri në fjalë do t’u shërbejë lexuesve si udhërrëfyes për ta njohur sa më mirë këtë trevë me të gjitha aspektet që e karakterizojnë, kurse studiuesve si lëndë e bollshme, ndonëse të rrallë të ne, për hulumtime e gjurmime të mëtejmë.



(Vota: 12 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora