E shtune, 20.04.2024, 01:39 AM (GMT+1)

Kulturë

Cikël poetik nga Haxhi Muhaxheri

E premte, 29.04.2011, 06:54 PM


Haxhi Muhaxheri lindi më 04 qershor 1967 në fshatin Kosuriq të Pejës, Kosovë .

Shkollën fillore e ka kryer në Gllogjan të Pejës, të mesmen në Klinë, ndërsa studimet i ka vijuar në Univesitetin e Prishtinës. Haxhi Muhaxheri ka qenë kryetar i Shoqatës së Letrarëve të Rinj të Kosovës, editor i Shtëpsë Botuese "Pena", kryeredaktor i të parës revistë erotike "Amori" dhe botues i revistës "Alberos"(erotike). Mepastaj, ka botuar edhe tri revista tjera, si: "Pena"(letrare), "Dëshira"(për familje) dhe "Fanari"(për të rinj). Për mungesë fondi, botimi i këtyre tri revistave është ndërprerë pas daljës së numrit të parë.

Haxhiu ka marrë çmimet e para për poezi në Takimet e Gjeçovit në Zym dhe në Sofra poetike në Drenas. Jeton dhe krijon në Austri.

 

 

KUR MË RRËMBEN FJALA

 

Kur më rëmben fjala

Më vërshojnë gëzimet

Sikur të gjitha të dashurat

Ti kisha pranë

 

Kur fjala më çalon

Dehem e bëhëm tapë

Si të kisha pirë

Helmin e kësaj bote

 

Kur më buzëqesh fjala

Diellëzohem lartësohem

Si ti kisha përmbysur

Të gjitha perandoritë

 

UNË DHE KËNGA*

 

Do të varrosemi

Kur të na lindin

Të vdekurit

Për të lindur

Kur të vdekurit

Të na varrosin

 

*Kjo poezi mori çmimin e tretë në manifestimin

"Sofra poetike e Drenicës" ne vitin 1995

 

LIRIKË ME PËRDHUNË

 

Të kujtohet ndajnata

kur në kryqëzim sysh

lexoja biografinë tënde

dhe fjalë e ndryrë në gojë

qëkurthi e ruajtur vetë për ty

që edhe sot mendoj

se kurrë nuk ta thashë vetë

po zëri i brëndisë

ai zë që dëgjohet

vetëm në ligjerim zemrash

 

Të kujtohen fjalët tua të brishta

dhe bisedat e amullta

kur me plot mund

pushtoja foltoren e bindjes

dhe fillonte kënga e psherëtimave

kënga që aq shumë ia pate frikën

po edhe dashur e ke aq sa unë

dhe pas të gjithave më pate thënë

se tash ke gjetur

princin mbi kalë të bardhë

yllin e dashurisë

 

E unë tretësha në mendime

sa herë dëgjoja radion

të fliste për atdheun

për dhunën

që u bëhej vëllezërve të mi

dhe i mllefosur të pata pyetur

si të mendoja për yllkën e dashurisë

kur populli vuan për dritën e lirisë

të drejtën e harmonisë kozmike

 

Mars, 1991

 

LETËRKËMBIM

 

Mora letrën tënde shkruar me fjalë malli

fjalë zemre për mua yllin e dashurisë sate

dhe si i krisur zura të bisedoja

me fotografinë tënde vendosur mbi tavolinë

dhe mallkoja ditët që pa ty më gdhijnë

Mike

Të ne punët prapë nuk venë mirë

dorë e hekurt

pareshtur mbi kokat tona rëndon lëndon

ushtaret kthehen në arkivole përsëri

e ne presim Çmimin Nobel

për mendjen e durimit

 

Me vite prita të mësoja

e ende nuk e di

durimi është pjellë e vdekjës

a vdekja pjellë e tij

 

E di moj

do të thuash durimi ka kufij

po polemi di më mirë se ne të dy

a duhet flijuar a pritur për lirinë

 

Do më pyesje për ditën e gëzimit

e vështirë është pritja për ty

të bëj benë

nuk do të vonoj shumë

vadja e dasmës së madhe

 

Gusht, 1991

 

UJK MË ËSHTË BËRË VETJA

 

Përditë zgjohem me mendjen në ty

Shtegun mbuluar e ka bloza e dëshirës

Më përvlon malli

E veten ngushlloj me letra dashurie

Më kot mundohem të mësoj

Kobi je ti që më sillësh vërdallë

A fati im i çalë

Që më shpie drejt çmendisë

Lule ferri je a lule parajse

Bukuri vërbuese

A kumt orësh të liga

Lojtare netesh të humbura

A sëmundje që nuk shërohesh

Pjellë mortore a gjemb durimi

Çelës enigmash a neperkë syri

Si ta kuptoj moj

Më thuaj

Më shanë

Pse me emrin tënd

Pagëzoja yjtë lumenjtë përrallëzat

Pse...

 

Më qeshen

Për lutjet e mesnatës

E psherëtimat krismë qielli

Për ëndrrat e harlisura

E lotin e buzëqeshur

Për ditet që më iknin

Sy njerëzve të hekurt

 

Dhëmbet u ranë së qeshuri

E Peruni i Madh

Hiqte valle mbi kockat tona

 

Ti nuk erdhe e dashur

E në shpirt

Termete shkaktuar më ke

 

Ti duhej të vije

Bashkë me pranverën

Dhe këngët e të lashtave

 

Portë e hapur të pret

Dhe karafil i vyshkur

Në dorën time

 

Eja e dashur

Eja

Ujk më është bërë vetja

 

Prishtinë, 1995

 

GJURMË

 

Me kohën në hapërim

për të lënë gjurmë

në pemën e jetës

 

Grurisht

duhet kënduar

diellit legjendave

 

Me fjalë ndërtoni

ura mbi brigje

ura dashurie

 

Në gjuhën

e yjve të baladave

rrëfehuni

 

Për të dëshmuar

me emrin

Edhe ne gurin e varrit

 

RILINDJA, 10.11.1988

 

ATLANDIDA E RE

 

Urime Veneci shekullin e dhjetë

mbi ujë

kujdes njëzetenjëshin

nuk u besohet më

pellumbave të bardhë

banorëve të parë

në sheshin Santa Maria Sallita

uji po han tokën tuaj

e një ditë do ta përpijë

se bashku me 46 ishujt

dhe Urën e Psherëtimave

qe të krijohet Atlantidë e re

Veneci

 

1995

 

 

URATË*

 

Zotynë

Pranoje Lutjen time

Diell të ketë

Në Mendjen e Durimit

Orëbardhat ta shpejtojnë

Ditën e gëzimit

Lulet e kësaj toke

Ilirisht

Uratë le ti këndojnë bashkimit

Nuse e Ujrave

Të na i gëzoj shtëpitë

Circe Jona

Të na i mbëltoj dashuritë

Ëndrrmirat

Të na i zgjedhin Fatitë

Këngët tona

Ti pushtojnë lartësitë

Amen

 

*Kjo poezi mori Çmimin e parë në

„Takimet e Gjeçovit" në Zym të Kosovës,në vitin 1994

 

Për ZSH- Kadri Mani



(Vota: 18 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora