Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sir Norman bëhet 92 vjeç

| E hene, 05.02.2007, 08:35 PM |


Princi perëndimor i ekraneve shqiptare gjatë komunizmit

Me dhjetëra tufa me lule, kartolina me urime nga adhuruesit në të gjithë botën, kanë mbërritur në shtëpinë e tij në Isle of Man në Veri të Anglisë.

Ky 92-vjetor për të është tejet i veçantë, pasi ky fillimviti mbush plot 60 vjet në skenën britanike të komedisë, kur ai debutoi për herë të parë.

I shquar për humorin e tij fin, si një anglez i vërtetë, Sir Norman Wisdom, duke bërë shaka me gazetarët, tha: "Po e di, është ditëlindja ime. Nuk e ndjej peshën e moshën, ndihem për mrekulli". Gjiganti i komedisë britanike, Charlie Chaplin, ka thënë se Wisdom ishte kloni i tij më i preferuar. Dy vjet më parë ai do të anonçonte largimin nga skena. Por një gjë e tillë nuk zgjati shumë. Wisdom sapo ka përfunduar xhirimet e filmit me titull "Expresso", ku ai shfaqet në rolin e një prifti. "Do të bëj gjithçka që ju të qeshni përsëri", ka thënë ai. Në këtë film, ku padyshim roli i tij përcjell humor, ai qëndron i ulur në një kafene dhe papritmas pickohet nga një grenxë. Çuditërisht në këtë rol ai nuk flet. Janë veprimet e tij ato që e bëjnë rolin akoma më interesant. "Ishte një rol me të vërtetë për të qeshur. E bëra me shumë qejf dhe më pëlqeu", ka komentuar ai rreth tij. Ambasadori i Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar, si edhe në vitet e tjera, nuk ka harruar t‘i dërgojë një kartolinë urimi. "Urimi ynë i vetëm do të jetë që ai të ketë shëndet të plotë dhe jetë të gjatë. Jeta e tij artistike do të kujtohet për shumë kohë në vendin tonë nëpërmjet figurës së tij", tha Robo. Sir Norman Wisdom është i mirënjohur në Shqipëri, pasi gjatë viteve ‘70-‘80 ka qenë një nga yjet e kinematografisë britanike dhe se vetëm filmat e tij janë lejuar të shikohen nga regjimi i asaj kohe. Fatkeqësisht ai nuk pati mundësi ta vizitonte Shqipërinë gjatë atyre viteve, kur ishte i mirënjohur, por gjatë këtyre 10 viteve të fundit ai e ka vizituar vendin tonë disa herë.

Sir Norman Wisdom, Pitkini i paharruar i ekranit shqiptar

Gjithmonë sa herë në mediat britanike një lajm ka të bëjë me Shqipërinë, gazetarët nuk harrojnë që t‘i shtojnë vendit tonë dashurinë dhe admirimin e madh për komikun e tyre, Sir Norman Wisdom. Madje, ata shkojnë më tej, duke e cilësuar si një hero komik kombëtar të shqiptarëve. Kur në Shqipëri përmendet emri i tij, padyshim që kujtimi i parë që të vjen në mendje nga rolet e Normanit është ai më tipiku, më entuziasti, që të bën për të qeshur më shumë, pikërisht Pitkini i famshëm. Roli i Pitkinit, i ndërtuar me mjeshtëri dhe luajtur me shumë finesë nga aktori, ku vlen për t‘u përmendur episodi "Pitkini ushtar", ishte i vetmi program televiziv prodhuar në Perëndim, i cili "gozhdonte" përpara ekraneve bardhezi shqiptarët e lodhur nën regjimin komunist të asaj kohe. Si për çudi, ky program, megjithëse ishte prodhuar në një shtet "revizionisto-kapitalist", siç ishte Anglia për udhëheqjen komuniste, ishte ok. Duke mos pasur programe të tjera, roli i Pitkinit dhe emri i anglezit Norman Wisdom, u bënë një amalgamë e pandarë humori për shumë breza. Ishte vetë diktatori Hoxha me kastën e tij, ata të cilët paradoksalisht do të lejonin filmat komikë të ndiqeshin nga shqiptarët dhe në të njëjtën kohë të ngrinin në kult figurën e Norman Pitkinit. Me hapjen e Shqipërisë nuk kishte se si të ndodhte ndryshe. Ai do të vinte disa herë si përfaqësues i disa organizatave bamirëse, madje përpara tre vjetëve do të inauguronte në Tiranë një bibliotekë me libra për fëmijë, dhuratë e qeverisë angleze. Ai shquhet gjithashtu për ndihmën e tij dhënë fëmijëve jetimë në Tiranë.

Pitkini, më i madh se Bekami

Përballja e Shqipërisë me ekipin anglez në futboll para disa vitesh do të shndërrohej në një shou të vërtetë, disa minuta përpara shkelmimit të topit të parë dhe gjatë pushimit të pjesës së parë. Veshur me një fanellë sportive gjysmë shqiptare dhe gjysmë angleze, Wisdom do të gajaste mijëra e spektatorë, madje nuk do të ngurronte t‘i afrohej Bekam dhe të bënte humor me të. Të nesërmen e ndeshjes, gazetat angleze me të drejtë do të komentonin paraqitjen e tij në stadium me fjalët. "Norman Wisdom, më i madh se Bekam". Aludimi i tyre ishte i drejtë. Ndërsa një foto e tij, duke bërë humor me një polic shqiptar barkaliq me mustaqe, do të ilustronte dashurinë e shqiptarëve për Wisdom.

Shqip