Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ndue Ukaj: Stop frymës antiperëndimore

| E merkure, 27.04.2011, 06:59 PM |


Stop frymës antiperëndimore

 

Nga Ndue Ukaj

 

Kosova ka nevojë të edukohet për demokraci dhe kulturë të vërtetë perëndimore. Këtë, mund ta bëjë, vetëm duke kultivuar marrëdhënie të përafërta, të sinqerta me këtë familje dhe assesi duke i anatemuar perëndimoret për çalimet tona të mëdha, për dobësitë tona të shumta dhe për paaftësinë tonë të qartë.  Ekzistenca fizike dhe shpirtërore e Kosovës, i dedikohet pikërisht familjes së madhe perëndimore, pa të cilën, vendi ynë nuk do të ishte këtu ku është. Prandaj, shoqëria jonë, qartë dhe pa ekuivokë, duhet t’iu thotë stop tendencave për të denigruar prezencën e tyre në Kosovë.

 

Procesit politikë në Kosovë, implikon nevojën për disa  parakonceptime dhe analiza specifike, në rend të parë, për rolin dhe përgjegjësinë që ka politika e Kosovës, në raport me zhvillimet e brendshme, trendët e së cilave janë fare pak shpresëdhënëse, dhe tjetra, në raport me faktorin ndërkombëtar, me ndihmën e së cilit Kosova ka sendërtuar synimet për pavarësi. Këto dy dimensione, janë të ndermjetvetshme, ndikojnë tek njëri-tjetrin reciprokisht, interkomunikojnë e ndërlidhen me të njëjtin qëllim: realizmin e një shteti funksional dhe prosperues. Dihet mirëfilli se kjo punë s’është fare e lehtë, përkundrazi është e vështirë, donë përkushtim, kapacitete të fuqishme njerëzore e intelektuale, sikundër dhe një gatishmëri maksimale për të ndryshuar, në çështje delikate. Zaten, për këtë qëllim sublim, shoqëria e kosovare, duhet të jetë tok e bashkuar. Kosova dhe rajoni, karakterizohen me një gjendje tejet të mjerë, jo vetëm në pikëpamje ekonomike, por përgjithësisht në nivelin e demokracisë, sigurisë, drejtave të njeriut, emancipimit shoqëror, etj. Në fakt, regjistri i mungesave është i pafund. Këndej pari, sfidat për Kosovën e re, janë të shumëfishtë, e ato pikësëpari ndërlidhen me domosdonë e transformimit rrënjësor të mentalitetit, që do të nënkuptonte një edukimi për demokraci dhe kulturë të vërtet perëndimore, në mënyrë që Kosova të mund jetë test i rëndësishëm, për të thyer mendimet se në Ballkan nuk mund të ndërtohet demokraci stabile e shtet funksional. Prandaj, mendoj se pikërisht Kosova, si shtet i ri, me një prezencë të fuqishme perëndimore, me një përvojë të kaluar shumë të keqe, duhet të shndërrohet në model, vend i cili duhet të demonstroj, me kapacitete të plota shtetformuese, me kulturë të lartë politike, shembullin e një shoqërie të hapur, të integruar dhe prosperuese; modelin e një shoqërie të përafërt me sistemin e vlerave perëndimore. Kosova, në bashkëpunim me miqtë perëndimor, duhet të bëhet një shtet model, i cili, di që kërkesat për liri, demokraci, shtet t'i funksionalizoj në drejtim të së mirës së përbashkët. Kjo domethënë, Kosova që tash, duhet përfundimisht t'iu thotë stop disa trendëve negative në shoqëri, e veçmas në politikë, në mënyrë që te tejkaloj procesin e tranzicionit të shumëfishtë, drejtë lirisë dhe integrimit në Familjen Perëndimore. E gjithë kjo, kuptuar pa eufori, se, integrimi në familjen perëndimore nuk është një proces i thjeshtë, ai përmban në vetë shumë segmente specifike komplekse. Kosova dhe shoqëria e saj duhet bëjë transformime në pikëpamje psikologjike dhe kulturore, duhet të jetojnë si shoqëri perëndimor e jo të sorollaten mes dogmave dhe demagogjive primitive që deri tash na kanë lënë në këtë stad. Jetësimi në praktikë i vlerave perëndimore, në përpikëri dhe me përkushtim, për popullin e Kosovës, do të nënkuptonte një të ardhme të ndritshme, me mirëqenie stabile, me ekonomi të zhvilluar, e me prosperitet për të gjithë. Në të kundërtën, pa jetësimin në praktikë të vlerave perëndimore, Kosova do të vazhdoj me ritmet e njëjta të ankimeve, ndërsa populli do të vuaj edhe më tutje të jetoj në varfëri, pa infrastrukturë, pa përkujdesje institucionale, pa punë dhe në mjerim ekonomik, pra me zgjatim të problemeve të përditshme. Është koha që këtë mision të ardhshëm dhe më të rëndësishmin, të dimë ta funksionalizojmë për shndërrime të rrënjësishme dhe të rëndësishme, për rikthim ka sistemi i vlerave perëndimore, pa hamendje dhe ngarkesa të panevojshme, me një dëshirë qëllimmire, sepse aty jemi dhe në këtë rrugë ndërtohet ardhmja jonë. Prandaj, nuk duhet assesi të lejomë të ngjizet mllefi dhe urrejtja ndaj prezencës ndërkombëtare në Kosovë. E aq më pak, nuk duhet të lejojmë që tek misioni i EULEX-it të hedhim dështimet tona, të shohim të metat tona, dobësitë dhe paaftësinë tonë. Afrimi me sistemin e vlerave perëndimore, duhet të jetë praktikë jetësor, e aplikueshme në çdo pre te jetës, e jo retorikë e bukur për të vetëkënaqur vetën dhe "mashtruar" perëndimin. Pikërisht në këtë drejtim, duhet të fokusohet  politika, prej së cilës, priten ndryshme reale. Nuk mund të ketë ndryshme pozitive për Kosovën, pa u shndërruar kultura dhe modeli i të jetuari dhe të bërit politikë, ngase shoqëria kosovare, jeton në tehun e dilemave mes orientimeve ka primitivizmi dhe perëndimi, duke ëndërruar perëndimin dhe duke u sjell sikurse shoqëri joperëndimore. E në këtë drejtim, kampione, vazhdon të jetë politika. Pa këto ndryshim të nevojshëm, në gjitha nivelet, aty ku zë fill demokracia që në familje e deri tek instancat me të larta, qëllimet e Kosovës për të qenë pjesë e vlerave dhe demokracive të zhvilluara perëndimore, do të jenë dëshira të këndshme dhe retorika boshe, ndërsa ne do të vazhdomë të kemi mungesë dritash, mungesë pune dhe perspektive, korrupsion dhe deformimeve shoqërore dhe regjistër dëshirash të pafundme në çdo fundvit, duke pritur Babadimrin perëndimor me thes të zbraztë dhuratash. Dhe do të vazhdojmë të ëndërrojmë perëndimin, ndërkaq rinia e Kosovës do të kërkoj gjithfarë rrugësh për të dal jashtë, sepse ëndrra për Kosovën sikurse Europa, do të mbetet ëndërr. Është koha ta rikthejmë në realitet. Para se Kosova të jetë në perëndim, ne duhet të bëhemi perëndim. Në këtë kontekst, duhet thënë stop frymës së rrezikshme, e cila përpiqet ta anatemon misionin e EULEX-it.

 

Shqiptarët duhet me tolerua çdo, mirëpo assesi jo intolerancën. Lufta mediatike kundër EULEX-it shpërfaq hapur intolerancën tonë. Pikëriasht për këtë, duhet të jemi të vetëdijshëm se fushata kundër EULEX-it, është e dëmshme për Kosovën, madje shumë, fatura e së cilës, mund të trondit në themel shtetësinë tonë.

 

Nuk besoj se mundet me u gjet ndonjë arsye e fuqishme, e cila, duhet të motivoj shoqërinë kosovare të kultivoj ndjenjat anti EULEX.

 

Madje as rasti i një punëtori të sigurimit.

 

Kosova ka nevojë më shumë së kurrë për mbështetjen dhe prezencën perëndimore. Ne, kemi nevojë për koekzistencë me perëndimorët. Ndryshe, synimet tona për të qenë pjesë e kësaj familje, tingëllojnë të pasinqerta.