E premte, 29.03.2024, 10:00 AM (GMT)

Shtesë » Lajme

Kush ishte Bob Kenedi?

E premte, 09.02.2007, 07:32 PM


Lideri i munguar i Amerikës apo thjeshtë një tjetër Kenedi?

Duke ecur në gjurmët e një gjigandi politik

Vdiq në moshën 42 vjeç, në kulmin e karrierës së tij politike, vëllai i JFK (Xhon F. Kenedi) është në fokus të një filmi të ri, "Bobi". Por a ishte vetë ky njeri lideri më i madh që Shtetet e Bashkuara kanë pasur ndonjëherë, apo veçse një tjetër lojtar i pamëshirshëm nga saga e Kenedi-ve.

Kur Robert Kenedi i hipi trenit të fushatës elektorale në fund të viteve ‘60-të, kishte në duar një libër që e lexonte dhe e rilexonte vazhdimisht. Ishte një histori e miteve greke. "Ne mund ta kemi lexuar dhe rilexuar më shumë se 20 herë", thotë ndihmësi i tij kryesor, shkruajtësi i fjalimeve, Peter Edelman. Ndoshta ai ngjasonte si një territor familjar për shkak të historisë së vetë familjes Kenedi, me një vrasje, një romancë, një skandal, konspiracione dhe tragjedi… E gjithë kjo tingëllon më shumë se mitologji greke, se sa si politikë partiake. Dhe në këtë histori ekzotike, Robert Kenedi, vëllai më i ri i Presidentit të vrarë amerikan, është ndoshta karakteri më enigmatik. Duke vepruar në një botë të trazuar dhe të paskrupullt politike, ai është konsideruar si një njeri i ashpër dhe i vendosur, por edhe si një figurë e vogël dhe e ndrojtur; një fëmijë i pasur nga një familje që është sinonim i pushtetit. Bobi Kenedi e shndërroi veten në një figurë thuajse evangjelike për të refuzuarit dhe të varfrit. Kundër një të shkuare të mbushur me protesta, vrasjen e Martin Luter King-ut dhe protestat e studentëve, thirrjet e Kenedi-t për drejtësi sociale dhe raciale, duket se u ofruan të rinjve një alternativë radikale. Dhe kur ai u vra, në një hotel në Los Anxhelos në qershor 1968, kur ishte fare pranë kapjes së nominimit të demokratëve për garën e afërt presidenciale, një valë dëshpërimi dhe zemërimi publik shpërtheu ngado. Jo dhimbje e zemërim thjesht për humbjen e personit, por edhe për ndjesinë e idealizmit të humbur tashmë.

Fjalime të drejtpërdrejta e thumbuese

E pra, si ishte në të vërtetë Bobi? Çfarë e bënte atë të ndryshëm nga të tjerët? Në vitet 1960 Dolores Huerta ishte një aktiviste e re politike, puna e së cilës për krijimin e një sindikate për punonjësit e fermave mbështetej nga Robert Kenedi. "Ditët e sotme ka kaq shumë politikanë që thonë atë që e dinë se njerëzit do të donin të dëgjonin. Ata druhen të hyjnë në sfera të kundërshtueshme, ndjekin pas sondazhet dhe jo parimet e tyre", thotë ajo, duke folur nga zyra e saj e sindikatës, në Kaliforni. Por, kur Robert Kenedi fliste, thotë ajo, mua më hynin të dridhurat. Jo për shkak të oratorisë së tij, por për shkak të vullnetit dhe vendosmërisë së tij për të thënë gjithçka që besonte, në mënyrë krejt të drejtpërdrejtë dhe duke mos menduar aspak për pasojat e mundshme politike. Nuk kishte asgjë të madhërishme apo oportuniste në ndihmën e punëtorëve të fermave, vazhdon ajo, por ai ulej me ta, diskutonte dhe organizonte kujdesin shëndetësor dhe gjithçka tjetër. "Ai ishte shumë direkt, shumë i sinqertë. Ai dëshironte të mësonte për çfarë kishin nevojë njerëzit dhe gjithkush e dinte, se pasi ta mësonte këtë, do të bënte me siguri diçka për ta siguruar atë. Kur ti e di që njerëzit do të të mbështesin, ti u jep besimin tënd atyre", thotë ajo. Pas vrasjes së Bobi Kenedi-t, Huerta udhëtoi me trenin e funeralit që mbante trupin e pajetë të tij dhe rrëfen për trishtimin që gjithkush ndiente për optimizmin politik që ishte humbur. "Ne kishim lëvizjen për liritë civile dhe gjithçka tregonte se ndryshime reale mund të bëheshin, njerëzit me të vërtetë nuk kishin asnjë dyshim për çka ishte e mundur të arrihej. Njerëzit do të linin shkollën, do të linin punën dhe do t‘i bashkoheshin lëvizjes".

Politika e Rok n‘Roll-it

Fushata e Kenedi-t në 1968 kishte elektrifikuar skenën politike, jo thjesht për shkak të trajtimit si yll rroku që ai merrte në takime, por edhe për shkak të intensitetit të mbështetësve të tij, që siç e përshkruan një reporter veteran, "ishte adhurimi emocional më i madh që unë kisha parë ndonjëherë në politikë". Kjo ndjesi urgjence reflektohej në lëvizjet e Kenedi-t, thotë profesor Peter Edelman, që tani është pjesë e departamentit të ligjeve në Universitetin e Xhorxhtaunit. "Ai ishte në dijeni të faktit se mund të vritej në çdo kohë dhe kështu jetonte çdo ditë ashtu siç i vinte, jetonte me momentin. Duhej bërë gjithçka brenda ditës së sotme, pasi nuk mund ta dije nëse do të ishe sërish këtu ditën e nesërme. Dhe për të kjo ishte shumë serioze". Kenedi donte të përballej direkt me jetën dhe bashkë me Peter Edelman shkoi të vizitonte punëtorët me ngjyrë në Misisipi dhe të bardhët e varfër në Apalashe. "Ai mësonte gjithçka duke e prekur atë, duke e parë dhe duke biseduar. Ne duhej të shkonim në shtëpitë e njerëzve dhe ai duhej të fliste me ta, t‘i pyeste si po ia kalonin dhe me çfarë problemesh ndesheshin. Dhe njerëzit e kuptonin se ai nuk ishte aty thjesht për të biseduar si funksion i përmbushjes së një detyrë. Ata e dinin se ai kujdesej me të vërtetë për ta, interesohej me të vërtetë për ta. Ishte krejt e qartë se ai ishte shumë serioz për këto gjëra", thotë Edelman. Sigurisht, zgjuarsia e ftohtë politike nuk duhet lënë mënjanë. Si një demokrat që ishte, vota e të varfërve mund ta çonte fare lehtë Kenedi-n në Shtëpinë e Bardhë.

Simpatia për të tjerët

Por, çfarë fshihet përtej angazhimit të Robert Kenedi-t? Peter Elderman, që më vonë u bë ndihmës sekretar në departamentin e shëndetit në administratën "Klinton" (dha dorëheqjen nga ky post për shkak të shkurtimeve në buxhet për mirëqenien), nënvizon një përgjigje personale dhe jo politike. "Ai ishte fëmija i shtatë, me trup të vogël, që duhej të luftonte jo pak për vëmendjen e të atit. Ai ishte gjithnjë dikush që kishte simpati të veçantë për njerëzit e tjerë. Ai gjithnjë identifikohej me njerëz nga prejardhje shumë të ndryshme nga e tija dhe këto cilësi u bënë akoma më të dukshme pas vdekjes së vëllait të tij". Ndërsa vëllai i tij më i madh, Xhoni, kishte përshkruar me hijeshi rrugën nëpër korridoret e pushtetit, për të mos folur këtu për dhomat e gjumit, Robert Kenedi kishte një temperament shumë të ndryshëm. "Ai ishte një person shumë i rezervuar. Mund të bëhej në disa raste shumë i mendueshëm, ishte në gjendje të qëndronte në heshtje për periudha shumë të gjata kohe dhe kishte një sens humori, shpesh herë pezhorativ për veten e tij", rrëfen Elderman. "Ai ishte krejt i ndryshëm në sjelljen e tij private në krahasim më të vëllain", thotë ai. Biografi i Robert Kenedi-t, Evan Thomas, gjithashtu vë në dukje dallimet mes dy vëllezërve. Dhe ai arrin në përfundimin se pavarësisht nga zërat e ndryshëm, nga thashethemet e shumta, nuk kishte asnjë histori të fshehtë mes Robert Kenedi-t dhe Merilin Monro-së. Por, Thomas gjithashtu rrëfen se Kenedi nuk ishte krejtësisht i përsosur. Robert Kenedi ishte i ashpër dhe ndërhynte kudo. Si prokuror i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara ai ishte përfshirë në operacione të fshehta kundër Kubës dhe kishte vënë në përgjim telefonin e Martin Luter Kingut. Dhe bota shpesh i quan operacionet e tij politike si të "paskrupullta".

Një trashëgimi e humbur?

Në kuptimin e një trashëgimie, Xhefri Bukanan, zëdhënës i fondacionit përkujtimor për të drejtat e njeriut që mban emrin e Robert F. Kenedit, veçon "mesazhin e shpresës politike" që Kenedi shpërndante ngado. Ai i frymëzonte njerëzit dhe i shtynte të besonin se veprimi politik mundej me të vërtetë të ndryshonte gjërat. Në kuptimin e asaj që ishte humbur: "Nuk mund ta dijë askush si do të kish qenë, por ne humbën një lider të jashtëzakonshëm. Ai do të ishte bërë President dhe shumë shpejt do t‘i kishte dhënë fund luftës në Vietnam. Ai do të kishte punuar jashtëzakonisht shumë në fusha si drejtësia e barazia raciale dhe varfëria", thotë Peter Elderman. Por, është e vështirë të parashikosh se si këndvështrimet e një politikani kaq të ri, si Robert Kenedi, mund të ishin zhvilluar. Ai ishte vetëm 36 vjeç kur u vu në mes të skenës përkrah Xhon Kenedit, gjatë krizës së raketave kubaneze. Në kohën kur u vra ai ishte vetëm 42 vjeç, i ngrirë në kohë si vëllai i përjetshëm më i vogël, më shumë një garues tragjik se sa një kampion.

"Unë kandidoj për President sepse jam i bindur që ky vend është në një kurs të rrezikshëm dhe unë kam shumë energji për gjithçka që duhet bërë"

Bobi Kenedi

"Ai ishte fëmija i shtatë, i vogël në shtat, por kishte një simpati të veçantë për njerëzit"

Peter Edelman

Pas vdekjes së JFK dhe Martin Luter Kingu-t, Robert Kenedi ishte shpresa e madhe e Amerikës. Por, edhe Bobi u vra. Tani, një film i ri rrëfen gjithçka... Si ndryshoi historia në hotelin "Ambasador"...?

Ishte nata e triumfit, dukej sikur Bob Kenedi kish nisur udhën drejt Shtëpisë së Bardhë. Më pas, shfaqet vrasësi...

Nata kur Bob Kenedi u vra

Për shumëkënd, 5 qershori 1968 përfaqëson fundin e shpresave për një Amerikë më të mirë. Dy muaj më parë Martin Luter King ishte vrarë. Tani edhe senatori Robert F . Kenedi, trashëgimtar i dukshëm i Presidencës së të vëllait ishte vrarë gjithashtu. Nata e 4 qershorit ishte një triumf i vërtetë për Bobin dhe mbështetësit e tij. Pesë vjet pas vrasjes së Presidentit Xhon F. Kenedi, vëllai i tij më i ri, Bobi, kishte marrë mbështetjen politike. Ai sapo kishte fituar zgjedhjet paraprake në Kaliforni, duke nisur kështu rrugën drejt presidencës. Po, ai ishte nisur drejt Shtëpisë së Bardhë. Por, më 12:15, pak pasi kish mbajtur fjalimin e fitores, ai u qëllua për vdekje nga një palestinez 24-vjeçar, Sirhan Sirhan, në kuzhinën e hotelit "Ambasador", në Los Anxhelos. Amerika u zhyt në zi. Aktori Emilio Estevez kujton çastet kur kishte dëgjuar lajmin në televizor, vetëm gjashtë vjeç. Kish vrapuar tek i ati, aktori Martin Sheen, i cili kishte punuar si vullnetar për Bobin në 1965. Kujtimet e asaj dite e ndoqën nga pas Estevez dhe afro 40 vjet më vonë ai shkruan dhe drejton një film, "Bobi", ku përshkruhen momentet e fundit të senatorit. "Bobi" është pjesërisht fakt dhe pjesërisht rrëfim. Historia rrëfehet nëpërmjet syve të njerëzve të thjeshtë, që atë natë ishin atje...

Nën plumba...

Pesë njerëz ishin bashkë me Bobin atë natë. Emrat e tyre janë harruar, por asokohe ishin figura kryesore. Një prej tyre, Ira Goldstein, 19 vjeç, ishte një reporter i ri radioje që sapo kish shtrënguar duart me Kenedin, kur ai u qëllua. Gjashtë muaj më pas, siç rrëfen ai, agjentët e shërbimeve sekrete e mbanin nën mbikëqyrje. Uilliam Veisel, 30 vjeç, nga "ABC News" u plagos lehtë në atë atentat. U kthye në punën e tij në Byronë e Shtëpisë së Bardhë, por kujton se njerëzit pëshpëritnin qosheve: "E shikoni atë? Ai mori plumbin e dytë". Vullnetari Irvin Stroll, 17 vjeç, u qëllua me një plumb në këmbën e majtë. Prindërit e panë në televizion të mbuluar me gjak. Më pas ai u bë një disenjator i famshëm. Vdiq në 1995. Aktivistja demokrate Elizabet Evans, 43 vjeç, u kap rrëshqitazi nga një plumb. Ajo kish mbështetur kundërshtarin e Kenedit, por kishte shkuar në hotel "Ambasador" atë natë për shkak se, siç tregon, e donte Partinë Demokratike. Pol Shrade, një mik i Kenedit, mori një plumb në kokë por mbijetoi. "Fillova të dridhesha dhunshëm. Mendova se i isha nënshtruar elektroshokut", kujton ai.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora