E premte, 26.04.2024, 12:30 AM (GMT+1)

Kulturë

Shkrimtarët e dënuar me vdekje, ja fjalët e fundit

E marte, 26.04.2011, 07:59 PM


Janë plot 199 shkrimtarë e artistë, ish-anëtarë të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, të cilët përfunduan në burgjet komuniste dhe 50 të tjerë të pushkatuar, të varur, të vdekur në tortura, pa varre. T’i rendiste gjithë këta emra, nuk ishte e thjeshtë për shkrimtarin e poetin Visar Zhiti. Çdonjëri prej tyre e kthente pas në kohë ish-të burgosurin e mbijetuar, atëherë kur me shpatulla shtynte vagonët e mbushur me minerale dhe fshinte ku të mundej ato copëza poezish që shkruante në qelinë e errët. “Panteoni i nëndheshëm ose letërsia e dënuar”, një botim i shtëpisë botuese “OMSCA-1”, është një homazh për të gjithë ata shkrimtarë e artistë, të cilët u bënë shënjestër e diktaturës. U dënuan me burgje, internime, pushkatime e varje pa gjyq. Ka qenë një kërkim i gjatë dhe i dhimbshëm për Zhitin, i cili është munduar të nxjerrë nga “libri i dhimbjes” ngjarje tronditëse, që kanë bërë bujë në kohën e tyre, apo që mbetën të fshehta. Histori makabre dhe fjalë të fundit të viktimave. “Panteoni i nëndheshëm” është një homazh, por edhe një akuzë për të gjithë ata që u bënë palë në gjyqet-farsa të shkrimtarëve e poetëve. “Panteoni”, i cili i vjen lexuesit në botimin e tij të dytë, hap edhe një debat mbi atë që quhet “letërsia e dënuar”. A është shkruar letërsi në burg, a ka pasur ajo vlera? Shkëpusim pak faqe nga libri i Zhitit. Mes listës së të burgosurve, të torturuarve, të arratisurve, po shkëpusim ata që u dënuan me pushkatim e që varret ende nuk u dihen.   a.m

TEATRI I VËRTETË I VRASJES:


Teatrot e pakta të Shqipërisë së re po shndërroheshin në salla gjyqesh të hapura, kudo, në të gjithë vendin. Në Teatrin Popullor në kryeqytet, do të luhej një tragjedi e re, pa mbaruar ende Lufta e Dytë Botërore, kur në pushtet sapo kishin ardhur komunistët.
Mars-prill 1945. Në skenën e mbetur bosh u vendos trupi gjykues, jo me aktorë, por me ushtarakë të tmerrshëm si Koci Xoxe, Hysni Kapo, Bilbil Klosi, me anëtarë juristin Halim Budo edhe mjekun Medar Shtylla, me prokuror Bedri Spahiun etj. Në lozhën lart, në gjysmëterrin e kadifenjtë, ku zakonisht rrinte autori, qëndronte vetë ai, diktatori i ri, Enver Hoxha, duke vëzhguar me imtësi zhvillimet në skenë. E kishte monoklin aty pranë? Teksa zgjaste dorën për ta marrë, mbase ndiente një si dridhje të ftohtë, se mund t’i dukej se kishte kapur nga gryka një revolver. Po sikur t’í plaste aty? Vuante nga oklofobia, kishte druajtje nga armët, jo nga vrasja e të tjerëve me to. Do të dënoheshin personalitete të vendit, burra që i bënë ballë luftës si patriotë dhe drejtuan situatat. Kundërshtarë ishin, por u ishte dhënë roli i armikut tani. Me pushkatim, dëgjohet një zë: Kol Tromara, Alizoti… Hurshiti… Konstandin Kote… Leka, Merlika, Golemi… Terenc Toçi, Zef Kadarja… Borshi… Valteri… Omari… Cani…  Përmeti, Daut Çarçani, Gustav Mirdashi…
Me burgime të rënda: Koço Kota, Xhevat Korça… Vrioni… Cara, Leskoviku… Jakov Mile, Mihal Zallari, Lazer Radi… Gjergj Bubani, Libohova… etj.
Duartrokitje si batareja e plotonit të pushkatimit.
Prapë gjyq tjetër, pushkatime prapë, dy anëtarë të Regjencës në vitet 1943-1944, personalitete të kulturës, Lef Nosi dhe Pater Anton Harapi, si dhe kryeministri i asaj periudhe, Maliq Bushati. I hedhin kufoma në gropën e përbashkët në “Kodrën e Priftit” me të pushkatuarit e Gjyqit Special në Teatrin Popullor, me atë lozhën me kadife të arkivoltë, ku rrinte në gjysmëterr Enver Hoxha dhe ndiqte aktet.
Dhe një dramaturg, dom Ndre Zadeja, autori i melodramave për skenat e teatrove në Shkodër dhe Tiranë: “Rozafa”, “Ruba e kuqe”, “Rrethimi i Shkodrës”, “Ora e Shqipnisë”, “Hijet e zeza”, një pjesë të të cilave i kompozoi Mikel Koliqi, kardinali i ardhshëm dhe i vetëm, por që e kaloi jetën internimeve e burgjeve, edhe ngaqë ishte vëllai i shkrimtarit të njohur, azilantit politik në Romë, Ernest Koliqit.
9 veta ishin, i detyruan të hapnin gropën e tyre dhe i hodhën njëri mbi tjetrin.
Dhe do të vazhdonin gjyqet nëpër salla kinemash, auditorë të shkollave të larta, në tempuj të fesë, në oborre lagjesh, në Shkodër, Durrës, Berat, Vlorë, Korçë,  Kukës… ky do të ishte teatri i ri, i vërtetë, i realitetit socialist, me ankthe dhe emocione të tmerrshme, nga ato që kur s’përftohen dot nga arti, merren nga krimi.

Po si mund të shkruhej në burg?

 

Ku i fshihnin, vërtet? Pabesueshëm. Kudo dhe asgjëkund. Ishte një aventurë e gjatë dhe e rrezikshme, një profesion më vete, për të cilin kam rrëfyer në burgologjitë e mia, se edhe burgu me kampin e punës kanë veçantitë e tyre, edhe pse të burgosurit janë ata që vuajnë njëlloj. Edhe lejohej të shkruaje, por edhe nuk duhej. Kontrolloheshe shpesh dhe rreptë dhe ridënoheshe, po të të gjenin një shkrim kundër, jo më roman, ekspertizat e të cilave i bënin shkrimtarë të realizmit socialist, jashtë burgut. Të burgosurit mund të mbanin ndonjë fletore, çonin letra në familje, në çdo muaj, por të hapura. Po të donin, mund… të denonconin. Një pjesë e kishin detyrë. Duke u shfrytëzuar rrethana të tilla etj., të burgosurit shkruanin, delironin etj., madje edhe në kampet e punës, ku nuk kishte kohë për asgjë dhe krijimi ishte një sakrificë e tejme. Zbraznim mall dhe brengë, vetmi dhe mbyllje, me poezi kështu, si ofshama e ëndrra. Lavdërohej Shqipëria e vjetër për t’iu kundërvënë së resë dhe mes tyre fshiheshin poezitë me temën drejtpërsëdrejti të burgut, kurse me prozën (më shumë ajo lëvrohej në burgun e Burrelit, ku të burgosurit nuk i nxirrnin në punë), shpaloseshin subjekte historike e legjendare, ose i arratisnin personazhet në vende të tjera e sisteme të tjera, në nazizëm, duke shkuar deri në Afrikën e Jugut ose shkretimeve të tejshme. Shpesh, mbi kapakët e fletoreve dhe të blloqeve vinin emra shkrimtarësh të huaj, gjoja ishin përkthime, por që ndërkallnin metafora ekzistenciale, të mbijetesës dhe shprehnin realitetin diktatorial. Shkruanim dhe në pjesët e bardha anash gazetave, në thasë çimentoje, paketa bosh, letra cigaresh, copa çarçafi etj., dhe më shpesh në mendje. I fshihnim kri(ji)met tona ku të mundnim, duke u ndërruar vendet, që t’u shpëtonim kontrolleve dhe raportimeve, herë në kashtën e dyshekut, pastaj mes zheleve, brenda në opinga, te pagurja e vajit, nën dhé, në minierë, me mënyra që ende s’i di kush, i rikthenim për t’i pasur nëpër thasët tanë. Ata ishin studioja e përçudnuar, biblioteka e fshehtë, arkivi i çmendur. Dhe kishte raste që arrinim t’i shpëtonim, i nxirrnim jashtë, duke u bërë kontrabandistë të krijimeve tona.

LETËRSIA, PARA SKUADRËS SË PUSHKATIMIT
Me masakër kishte nisur:
17 nëntori i 1944-ës, që do të shpallej si dita e çlirimit të kryeqytetit, kishte nisur me masakër. Një varrezë masive në katin e nëndheshëm të hotelit “Bristol”, kufoma plot. Gjumi i vdekjes dilte nga ai hotel dhe përhapej kudo. Ky s’ishte ag, por gjak i derdhur… E vranë një nga gazetarët më të njohur, Nebil Çikën, dy vëllezërit e shkrimtares Musine Kokalari, Muntazin dhe Vesimin, dhe kushëririn, Syrjanë, të shkolluar në Europë, themelues të shtypshkronjës “Mesagjeria shqiptare”, ku u botuan kryevepra botërore. Mjaft, lëri librat, kanë vrarë intelektualë të tjerë: Ali Panariti, Anton Fekeçi, Jakup Deliallisi, Akil Sakiqi, Lluka Xhumari…

Dom Lazër Shantoja
Të parin meshtar pushkatuan dom Lazër Shantojën. Pa mbaruar Lufta e Dytë Botërore, kur nuk ishin bërë as 100 ditë që kishin marrë pushtetin sundimtarët e rinj. Njohës i shumë gjuhëve, të gjalla e të vdekura, përkthyes i Gëtes, i Shilerit dhe Leopardit, esperantisti i parë shqiptar, autor shkrimesh nëpër gazeta dhe revista të kohës si “Lajmëtari i Zemrës së Krishtit”, “Kumbona e së diellës”, “Ora e Maleve” etj., orator dhe humorist.
Në fakt, pushkatuan gjysmën e tij, se gjysmën tjetër të trupit, duar dhe këmbë, ia kishin prerë me sharrë gjatë torturave. Duke e mbartur policët, në të zbardhur të 5 marsit 1945, skuadra e pushkatimit zbrazi armët mbi atë gjysmë, s’dihet në ç’gurishtë në Tiranë. Gjysma tjetër e tij ishte e papushkatueshme.

At Anton Harapi
Sociolog dhe prozator, autor i një “Lahute Malcie” në prozë, “Andrra e Pretashit”, që teksa shpalon virtyte shqiptare, i bashkëngjit dhe ato gjuhësore, që do të përthellohen te “Vlerë shpirtnore”, “Shqiptari dhe bota e tij” dhe “Valë mbi valë”. Problemet dhe mënyra se si i shtron, stili i vrullshëm, etika e lartë europiane, apeli për një rimëkëmbje të breznive dhe kombit e të unitetit, i japin kumbim aktual. Kur e çonin drejt pushkatimit, nuk binte asnjë kambanë, ndërsa ai kujdesej udhës që zhguni të mos i bëhej me baltë.
- Po ti baltë do të bëhesh, – i tha oficeri i pushkatimit.
- Por të shkoj te Zoti, te vdekja ime, sa më i pastër, siç isha gjatë jetës, – tha Njeriu i shenjtë.

At Gjon Shllaku
Një vit më pas pushkatuan dhe intelektualin e lartë, at Gjon Shllaku, i edukuar në liceun “Illyricum” të françeskanëve në Shkodër, që më pas do të merrte leksione në tri universitete: në Holandë, Belgjikë e Francë. Laureohet në degën e Filozofisë në Sorbonë, Paris. Botoi në revistën “Hylli i Dritës”.
Batareja e plumbave shembi gjithçka. Terr.

Nikollë Gazulli
Autor fjalorësh, i më të mirit të fjalëve të rralla dhe i atij onomastik etj., Nikollë Gazulli, vepra e të cilit përmendej, por jo emri, sepse e vranë, pa gjyq fare, i rrethuar nga bandat komuniste, ra si martir në një shpellë, ku ishte futur për t’iu shmangur terroristëve të kuq. Nuk ka varr. As shpellën. Por jo kujtesën e fshehtë të kohës.

Mark Dushi
Mbledhës i folklorit, mitologjisë dhe legjendave, i leksikut dhe toponimeve, Mark Dushi, që ka lënë në dorëshkrim mjaft vepra, edhe arkeologjike për kryeqytetin e rrethinat, u burgos, u torturua dhe e pushkatuan kur ishte 46 vjeç.

Aleksandër Sirdani
Mbledhës folklori, studiues pasionant, autor i mijëra faqeve në dorëshkrim, u torturua nga oficerët e fitimtarëve dhe trupin e copëtuar e shëtitën andej nga Kopliku për të llahtarisur njerëzinë. E goditnin me sfurk, e bënë vrima-vrima si t’i kishte rënë breshërima e plumbave, dhe e vërvitën në një gropë të zezë. Të vëllanë e tij, Marin Sirdanin, folklorist dhe shkrimtar, e vunë në bankën e të akuzuarve dhe e dënuan… me djegie të mijëra faqeve të dorëshkrimeve të tij, një gjysmë shekulli punë.

Terenc Toçi
Dhe një arbëresh… Terenc Toçi (Terenzio Tocci), nga Strigari i Zef Serembes, që u shkollua në Shën Mitër, në kolegjin iluminist të De Radës. Kishte ankthin e dheut amë, të lirisë së tij dhe erdhi në Shqipëri e ngriti Flamurin një vit më parë se Ismail Qemali. Kryengritës nga natyra, i edukuar me frymën e fisit të vet, që nxirrte kryengritës të çartuar që i pushkatonin, laureohet për jurisprudencë në Universitetin e Urbinos në fillim të shekullit XX, punon në Romë, merret me “çështjen ballkanike” dhe vendos të luftojë me armë për vendin e të parëve. Bashkohet me djalin e Garibaldit, përbashkuesit të Italisë, garda e të cilit kishte qenë arbëreshe, dhe kurdisin një plan: Terenci do të shkonte në Shqipëri, në Veri, do të kryesonte Kuvendin e Besës në Orosh për të krijuar një qeveri të përkohshme, kurse djali i Garibaldit, Riçoti, do të zbarkonte në bregdetin shqiptar me vullnetarë italianë, që do të sillnin armë. 30.000 kryengritës shqiptarë ishin gati tashmë, por ndihma nga bregu tjetër po vononte padurueshëm. Plani qe penguar… Qeveria italiane… Europa… s’dihej si e qysh. Arbëreshit i hipin xhindet, inatin shqiptar e zbraz dhe në gazetat italiane. E ç’të bëjë tani për Shqipërinë? Themelon në Romë “La Rivista dei Balcani” dhe shkon në Shkodër, hap tjetër gazetë me emër mali, “Taraboshi”, mbron Shqipërinë duke u sulur mbi këdo, edhe mbi Romën, megjithëse Italinë e mendonte aleaten e natyrshme të dheut amë. Nën shembullin e Pashko Vasës, boton “Shqipëria dhe shqiptarët”. E thërrasin në Itali, ushtar në frontet e Luftës së Parë Botërore. Nxjerr revistën e re “Italia dhe Shqipëria”. Lidhet me Ahmet Zogun. Merr detyrën e Prefektit në Korçë, pastaj drejtor i Zyrës së Shtypit në Tiranë, deputet i Shkodrës, Konsull i Përgjithshëm i Shqipërisë në Egjipt, kryetar i Kasacionit, Sekretar i Përgjithshëm i Republikës Shqiptare. Katër vajzat e tij studionin në Tiranë. Dhe beson te fashizmi, ashtu si Croce dhe D’Anunzio, “rilindësit garibaldinë”. E mendonte dhe si zgjidhje për Shqipërinë dhe çështjen kombëtare. Pushtimi italian e bashkoi Kosovën, po ëndërronte Çamërinë, ndërsa e dënoi sulmin ndaj Greqisë. Me nazistët gjermanë nuk u përzje, por erdhën partizanët dhe ai s’iku, s’kishte pse, se me këdo që vinte, ai punonte veç për Shqipëri. Kështu tha dhe në gjyq, kur e nxorën të lidhur bashkë me personalitete të tjera, aty te kinema “Savoja”, që ishte bërë Teatri Kombëtar, në një nga lozhat e së cilës vëzhgonte me monokël diktatori i ri Enver Hoxha. “Pushkatim!” – ulërinte gjenerali partizan, Bedri Spahiu, i cili kishte pushtuar dhe vilën e Terencit, duke e shtyrë në bodrum familjen e tij. Po biblioteka e tij, mijëra vëllime, botime edhe të shekullit XIV, edhe pergamena? Të 17 vetat i hipën në një kamion të mbetur nga lufta. Ishte prilli ’45. Dhe një gropë e madhe, e pamëshirshme si krimi. Në muzg qëlluan mbi ta, breshër plumbash. Dhe mbas 50 vjetësh, kur kishte rënë perandoria komuniste, u gjetën skeletet e tyre. Shkroi dhe media italiane, ajo arbëreshe patjetër.

Sabiha Kasimati
Dhe një grua, o Zot! Sabiha Kasimati u pushkatua me pedagogët e Institutit të Shkencave të Natyrës, ku punonin elita shqiptare, themeluar nga fizikani e matematikani prof. Selaudin Toto, që kreu studimet në Universitetin e Torinos, erdhi në atdhe, u zgjodh deputet… dhe e pushkatuan. Zonja Sabiha Kasimati, shefe e sektorit të zoologjisë, hulumtuese dhe studiuese e faunës ihtiologjike detare dhe liqenore shqiptare, s’mundi ta botonte veprën e saj të gjerë, sepse guxoi dhe akuzoi Enver Hoxhën si diktator. Arrestohet midis 81 intelektualëve antikomunistë për hedhjen e bombës në Ambasadën Sovjetike dhe pa gjyq pushkatohet mes 22 të tjerëve. E vetmja grua… Po në skuadrën e pushkatimit kishte grua?

Trifon Xhagjika
Dhe do të vazhdohej me poetët. Do të pushkatonin babanë bektashian, Ali Tomori, Manush Peshkëpinë dhe…
…biri i një familjeje të thjeshtë në Zagori, Trifon Xhagjika, pasi kreu studimet e larta, shërbeu në ushtri. E arrestuan në grup më 1963 dhe po atë vit e dënuan me pushkatim. 31 vjeç.
Gjatë gjyqit u dëgjua një zë nga salla: “Kokën lart!”. Ishte i vëllai, mjek, e arrestuan edhe atë menjëherë. Dhe ndodhi ajo që s’kishte ndodhur, Poeti shpërtheu në vargje, aty në bankën e të akuzuarve dhe me disidencën e profecisë i akuzoi të gjithë, njerëz, kohë, atdhe:     E pashë Atdheun lakuriq,/(vetëm pa miq e shokë)/ mundohej të këpuste një degë dafine.
“Atdheu është lakuriq”, me këtë titull do të botonim librin e tij të parë me vjersha, pas rënies së diktaturës, do ta përgatiste liriku Jorgo Bllaci, ish-i burgosur, dhe punonin së bashku në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”. Po ku është varri i Trifon Xhagjikës? Balta s’tregon asgjë…

Vilsoni dhe Genci
Dy emra si në një baladë, i pari perëndimor, i dyti ilirik, dhe ishin nga Bërzheshta e Librazhdit. Kishin lindur në të njëjtin muaj, në mars, më 1948 Vilson Blloshmi dhe më 1941 Genc Leka. Shokë të dy, të dy poetë. Edhe vdekjen do ta kishin në një natë, më 17 korrik 1977, tek e njëjta gropë, ndanë një përroi… Lexonin, shkruanin, mësuan frëngjishten autodidaktë dhe përkthenin, vargjet e kujt?, të Bodlerit, Verlenit etj., poetë të mallkuar, siç do të ishin edhe vetë, me kuptimin real të mallkimit. Punonin në fshat dhe i dënuan për sabotatorë. Por dhe për ato që shkruanin. Ato janë sabotimi i vërtetë. Le të dukeshin të pafajshëm, por a ishin ndryshe nga të tjerët?
Teksa mureve të rrugës poshtë shtëpisë së tyre shkruhej “Armiku më i rrezikshëm është ai që harrohet”, urdhrat e pashpallur vinin se armiku më i rrezikshëm është ai që mendon. (…ç’do të thotë Vilson Blloshmi me poezinë “Saharaja”? Që edhe këtu jeta jonë është shkretëtirë? Shkretëtirë do ta bëjmë edhe atë. Po Genc Leka, që na u këndon zogjve shtegtarë, do të shtegtojë dhe ai, por s’e lëmë ne të arratiset. Te shoku i shkretëtirës ta flakim…) Akt-ekspertizat e poezive të tyre i bënë shkrimtarë të realizmit socialist, që, për ironi, edhe një grua me emër perëndeshe latine, me hark në dorë, i cili i shndërrohet në pushkë në skuadrën e pushkatimit, dhe tjetri me një shpend grabitqar në mbiemër, që klith kobshëm epitafe në ajër. Kjo mynxyrë do të ishte dënim dhe për ta: gracka e diktaturës për të pasur sa më shumë bashkëfajtorë. Ndërsa me gjyq, edhe pse të dënuar me pushkatim, u hiqet edhe e drejta elektorale për 5 vjet, për pas vdekjes pra. Por të drejtën që ne t’i kujtojmë si poetë, nuk e hiqnin dot….

Havzi Nelaj
I fundit, i dënuar me varje në të gjithë perandorinë komuniste, poeti nga Kukësi, Havzi Nelaj. Një vit para se të shembej Muri i Berlinit, më 1988, u ngrit trekëmbëshi i drunjtë për të, brenda në qytetin verior, mu tek stacioni i autobusëve, ku prisja gjatë dikur, të gjeja një mjet për të shkuar pas maleve, ku isha mësues. Edhe Havzi Nelaj kishte qenë mësues dhe ishim njohur në burg bashkë. Shtynim vagonët me mineral si skllevër dhe kisha pasur rastin të flisnim pak dhe… për poezinë. Çuditërisht. Kishte një si buzëqeshje të përhershme në fytyrë, duhej të ishte mirësia e tij e pikëlluar, dhe kokën e mbante të anuar paksa nga njëri sup… si e të varurit. Pasi kryen shkollën pedagogjike në Shkodër, Havziu do të shkojë të punojë në Mat, por bëhen shkak disa vjersha dhe e zbojnë nga arsimi. Dhe prapë poezia do të jetë shkak që e përjashtojnë nga Universiteti, të cilin e vazhdonte me korrespondencë. Dhe vendos të arratiset. Në Kosovë. Por e kthejnë dhe e dënojnë me 15 vjet burg. E çojnë të lidhur me pranga në Spaç… Kur lirohet, nis internimi. Prapë konfliktohet me rendin, madje ka një armë tani, ilegale, dhe e zbraz për vetëmbrojtje. Edhe poezinë e ka ilegale. Diktatori kishte 3 vjet që kishte vdekur, por jo diktatura. Dhe e varën, 54-vjeçar. Në stacionin e autobusëve, që udhëtarët ta merrnin me vete pamjen e llahtarshme. Ku ta çonin? Në të ardhmen? Dhe ishte viti kur po përpëlitej jo vetëm trupi i tij në litar, por edhe komunizmi. Varja e fundit, teksa në kufi qëllonin me armë djem të rinj që donin të iknin dhe i zvarritnin të vdekur.



(Vota: 10 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora